NGA OLA MITRE

TIRANE- Të gjithë infermierët e punësuar në sektorin publik dhe privat duhet të verifikojnë regjistrimin e tyre pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, përmes listave të publikuara në faqen zyrtare të këtij institucioni. Këta profesionistë të shëndetësisë kanë detyrimin ligjor për t’i kontrolluar listat, në mënyrë që të mos ketë probleme për sa i përket raportimit dhe njohjes së krediteve. Sipas QKEV-së ky proces duhet të kryhet brenda datës 15 janar 2017, ndërkohë që profesionistët, të cilët nuk figurojnë të regjistruar duhet të plotësojnë formularin e regjistrimit, që gjendet në website e QKEV-së.

Sa i takon atyre infermierëve, të cilët konstatojnë pasaktësi në regjistrim, duhet të kontaktojnë me Qendrën e Edukimit në Vazhdim përmes adresës qkev@ shendetesia.gov.al ose në adresën e “Facebook”, në mënyrë që të bëjnë korrektimet përkatëse.

DETYRIMET

Në regjistrin Kombëtar të Certifikimit gjendet: emri, mbiemri, atësia, rrethi, qyteti dhe institucioni ku ushtrohet profesioni. Profesioni i infermierit u bë pjesë e edukimit në vazhdim dhe detyrimit për të mbledhur kredite nga data 1 janar 2016, ndaj dhe pasaktësitë në regjistër mund të jenë më të mëdha. Ndërkaq, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave ky cikël i edukimit në vazhdim do të zgjasë 4 vjet dhe brenda tij mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 120 kredite, stomatologët, farmacistët e ndihmës farmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite.

Në rast se këta profesionistë nuk arrijnë të grumbullojnë numrin e kërkuar, atëherë në fund të 4-vjeçarit do të përballen edhe me sanksionet e parashikuara në ligj. Sipas tyre, punësimi ose kontratat në institucionet shëndetësore pezullohen, nëse profesionisti i shëndetësisë nuk merr asnjë kredit të edukimit të vazhdueshëm.

Rifitimi i së drejtës për punësim ose kontrata me institucionet shëndetësore bëhet pasi profesionisti t’i jetë nënshtruar provimit të certifikimit. Sipas të njëjtit ligj, nëse profesionisti i shëndetësisë mbledh kredite të edukimit të vazhdueshëm, por më pak se limiti i kërkuar, ai duhet t’i nënshtrohet provimit të certifikimit brenda gjashtë muajve nga data e njoftimit. Ndërkohë që, nëse dështon në provim, punësimi ose kontratat në institucionet shëndetësore pezullohen dhe rifitimi i së drejtës për punësim ose kontrata me institucionet shëndetësore bëhet pasi profesionisti të ketë kaluar me sukses provimin e certifikimit. Për mjekët, farmacistët dhe stomatologët cikli 4-vjeçar përfundon në 31 dhjetor 2018, ndërsa për infermierët e mamitë në 31 dhjetor 2019.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: