Nga Lubjana, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, kryeministri Edi Rama i është rikthyer dje toneve të ashpra në adresë të Bashkimit Europian për çështjen e liberalizimit të vizave të Kosovës dhe krizës së emigrantëve. Gjatë një konferencë të përbashkët shtypi me homologun slloven, Miro Cerar, shefi i ekzekutivit shqiptar e ka konsideruar “turp për BE-në”, faktin që sipas tij Kosova është i vetmi popull i çliruar që nuk lëviz dot lirisht. “Fakti që ka vetëm një popull, i cili nuk lëviz dot lirisht si të gjithë të tjerët në Evropë, për shkak se duhet të lëvizë me vizë në çdo vend dhe ky është populli i çliruar i Kosovës, është një turp për Bashkimin Europian”, – deklaroi Rama.

Me të njëjtat tone karshi Unionin Europian, kryeministri shqiptar foli edhe për çështjen e emigrantëve.

Sipas Ramës, kriza e emigrantëve evidentoi dobësinë e BE-së duke evidentuar në këtë pikë, si faktor kyç në zgjidhje, Turqinë. “Kriza e refugjatëve ndër të tjera ka nxjerrë në pah një dobësi të madhe të BE. Ne konsiderojmë se vendet e rajonit mund të luajnë një rol të vazhdueshëm pozitiv, duke intensifikuar komunikimin dhe marrëdhëniet me vetë Turqinë, si një faktor kyç”, – deklaroi Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi gjithashtu se Tirana zyrtare mbështet fuqimisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shprehu bindjen se njohja sa më e shpejte e Kosovës nga Serbia, do të jetë në dobi të vetë Beogradit zyrtar, si dhe do të lehtësojë proceset bashkëpunuese. Nga ana tjetër kryeministri i Slloveinë, Miro Cerar, vendi i të cilit mban edhe presidencën e radhës të BE-së, tha se Sllovenia pret me padurim caktimin e datës së hapjes së negociatave të Shqipërisë. “Sllovenia aktivisht mbështet që sa më parë të caktohet data për negociatat për afrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, – pohoi ai.

Në këtë kontekst, kryeministri slloven vlerësoi reformën në drejtësi si një hap të rëndësishëm të hedhur drejt integrimit të Shqipërisë në BE dhe ofroi gatishmërinë për bashkëpunim në këtë drejtim. Mandej të dy homologët vlerësuan në këtë takim ecurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve si edhe shprehën vullnetin e përbashkët për zgjerimin dhe thellimin e tyre në fusha me interes të ndërsjellë.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: