NGA: PASKAL MILO
Paralajmërimi i ambasadorit amerikan Donald Lu se “politikanë, gjykatës, prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit” do të përpiqen të vjedhin zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 18 qershorit është shokues. Si për shumë çështje të tjera, edhe për këtë rrezik duhet të flasë ambasadori amerikan që shqiptarët të besojnë. Ne kemi folur gjithnjë për këtë rrezik dhe, për fat të keq, nuk e dëgjon njeri. Edhe këto zgjedhje do të vidhen. As ambasadori Lu as edhe miku im, ambasadori i OSBE Borchardt e gjithë ambasadorët e tjerë nuk e ndalojnë vjedhjen e tyre. Dhe a dini pse?

Vjedhja e zgjedhjeve është legjitimuar me ligj e në Kodin Zgjedhor. Aty ka zënë vend praktika staliniste: “Ju votoni, ne numërojmë”. Nëse do që zgjedhjet të mos vidhen në tavolinë, ambasadori Lu të këmbëngulë që të ndryshohet Kodi Zgjedhor siç po këmbëngul edhe për vetingun. Zgjedhjet do të vidhen përmes shitblerjes së votave. Prandaj partitë “e pasura” me para të pista po i grumbullojnë ato me forma e mënyra të ndryshme që të krijojnë ‘fondin e artë’ të vjedhjes së votave. A e ndalon ambasadori amerikan këtë vjedhje? Po ta bënte, shqiptarët do t’i ngrinin një monument.

Ambasadori ka folur shumë herë hapur për politikanë e deputetë të inkriminuar, dhe ka përmendur edhe disa emra, sigurisht jo të gjithë. A do të mund ta ndalojë ai kandidimin e tyre për zgjedhjet e 18 qershorit? A do t’i ndalojë ai kryetarët e partive të mëdha që të mos i vendosin në lista zgjedhore? A e di ambasadori amerikan se këta deputetë e politikanë të përfolur po përgatiten që të hyjnë në parlament në mos nga dera dhe lista e partive të mëdha, nga dritarja e listat e partive të vogla? Nuk është vonë, zoti ambasador, që t’i përkushtoheni po me kaq vullnet e vendosmëri reformës zgjedhore në termat e mësipërm për të mos ndodhur ajo që ju paralajmëroni me të drejtë. Për fat të mirë, vetëm ju dëgjoheni në këtë vend. Për fat të keq, politika shqiptare është kthyer në një kënetë të madhe.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: