Nga: Kiço Blushi*
Nuk e kishte fajin lopa që Rrema nga Taksirati i largët, edhe pse para disa muajsh pat qenë i ftuar special në galanë që organizoi kryeministri me gazetarët, e shpalli veten hapur kundër “shtetit ligjor”. Në të s’ëmës të vejë shteti ligjor! E ç’më lipset mua ky lloj shteti ligjor që nuk më lejon të shes lopën time, thirri Rrema, i ndërkryer, në mes të pazarit të bagëtive.
Çudia është se kjo deklaratë e Rremës nuk bëri përshtypje, edhe pse ai doli hapur kundër në një kohë kur po diskutohet e po vihet në dyshim miratimi i reformës në drejtësi, i asaj reforme që, si po thuhet, ka për të ndryshuar në themel Shqipërinë; kur po pritet me gjak të ngrirë në do të zhvillohet apo jo takimi historik Rama-Basha; kur ambasadorët Lu e Vlahutin po bëhen copë e çikë për të mirën tonë; kur po dalin emrat e kriminelëve dhe zyrtarëve të lartë që kanë ndryshuar emrat…
Rrema nuk do ta kishte bërë kurrën e kurrës këtë akt të rëndë: të shfaqej publikisht kundër synimit të kryeministrit “për t’u bërë me shtet”. Aq më tepër që kryedeputeti i qarkut mund të nxehej e të dilte nëpër zonë e pastaj edhe nëpër televizione të deklaronte botërisht: Ja, e shikoni, o njerëz, edhe Rrema, të cilit kryeministri i çoi ftesë, se e nderonte dhe besonte, na qenkësh shitur te Berisha!
Jo, jo, thirri Rrema, nuk po shitem unë te Berisha, joooo! Por unë dua të shes lopën time në pazarin e Librazhdit. Vetëm kaq kërkoj! Nuk kam qenë unë asnjë ditë kundër shtetit ligjor, por po më detyroni! Unë lopën nuk e kam të vjedhur, nuk e kam fituar me korrupsion, as me tender, e kam timen… Pyesni fshatin po deshët!
Por policët e bashkisë as që donin ta dëgjonin. Edhe njerëzia që u mblodh e po bënte sehir nuk ndërhyri. Asnjë nuk donte të dilte dëshmitar, edhe pse kishin hapur sytë dhe veshët për të regjistruar gjithçka po ndodhte mes tij dhe policëve. Rrema e kuptoi se të gjithë qëndronin të heshtur e të shastisur, si mizat në bythën e lopës, jo se e respektonin shtetin ligjor, po se e kishin frikë. Kurse unë nuk kam pse të kem frikë, përkundrazi!
Do të paguash tetëdhjetë mijë lekë të vjetra gjobë për shitjen e lopës pa licencë, i tha kryepolici, pa e parë në sy, me një zë të prerë, mospërfillës, që tregonte se ai burrë nuk hante pykë. E di kujt i thonë licencë?! Shefi nuk priti asnjë sekondë të dëgjonte Rremën, po nxori defterin me fletët e gjobës nga rripi i pantallonave; e tha: Ose do të paguash gjobën se nuk ke nxjerrë leje në bashki, ose lopën do të ta sekuestrojmë. Dakord? Mbërtheja ganxhat lopës në këmbë, urdhëroi ai vartësin e vet, kur pa që Rrema po turfullonte e po bëhej gati të kundërshtonte, pasi të kuptonte ç’po ndodhte.
Rrema u përpoq ta bindte “shefin” se po të kishte tetëdhjetë mijë lekë, sa do të bënte gjysma e lopës po të shitej e gjallë te ndonjë kasap, nuk do ta shiste. Por ishte e kotë, askush nuk e dëgjonte. Ai u hutua edhe më tepër, e mbylli gojën kur pa se polici vartës po kthehej nga vetura e policisë me ca hekura të verdhëllemë në duar. Në fillim pandehu mos e arrestonin.
Kurrë nuk kam parë pranga të tilla, me kaq nyje, si ato qaforet me gjemba që çobanët u vënë qenve të stanit për t’i mbrojtur nga kafshimet e ujqërve… Qenkan kaq të mëdha e të rënda, tha me vete, i hutuar, i shtangur, i trembur. Çuditërisht polici nuk iu drejtua atij për sqarime të mëtejshme, po lopës. U ul mbi gju, ia kapi njërën këmbë dhe u përpoq t’ia mbërthente me çelës hekurat sipër thundrës. Lopa, si ta kishte kuptuar hallin që e priste, kundërshtoi, pëlliti, madje edhe tentoi të godiste policin, që të lirohej. Por më në fund ganxha ia rrethoi e ia mbërtheu këmbën, të cilën kafsha e gjorë nuk e ngrinte dot të çapitej.
Polici u kthye te vetura, të priste shefin. Operacioni kishte përfunduar. Rrema, më në fund u bind që ata nuk po bënin shaka, ndaj bërtiti, duke shkaktuar, në vend të solidaritetit, të qeshura poshtëronjëse te sehirxhinjtë: Ore, je në vete ti? Ajo është lopë… I thonë lopë kësaj, nuk është taksi, dreqi e mori, nuk është veturë! Nuk e shikon, o polic, që të plaçin sytë?!
Mbaje gojën, tha shefi. Ne jemi përfaqësues të shtetit ligjor dhe mund të të rrasim brenda për kundërshtim dhe fyerje të autoritetit policor. Bën mirë të rrish urtë, të mos shash e të mos e ngresh zërin, po të shkosh në zyrën e bashkisë e të paguash gjobën… Përndryshe lopën e ke… E ke të arrestuar? Këtë do të më thuash? Po pse, o shef, shtet ligjor e quan ti këtë që vjen e arreston lopën në mes të ditës, në mes të pazarit të bagëtive?… Lopën private që pronari i saj legjitim e ka nxjerrë në shitje jo nga qejfi, po nga halli?
Rrema u habit me veten se si nga goja e tij dolën në kohën dhe në vendin e duhur fjalë që ai nuk i përdorte, si “shtet ligjor”, “lopë private” e sidomos “pronar legjitim”, për t’u dëshmuar policëve dhe popullit se ai vërtet qe një copë katundar, po ama nuk ishte një dosido.
Kjo përqasje e shtyu të kujtohej se në kuletë mbante një fotografi me kryeministrin, dalë në takimin me gazetarët. Kryeministri ia kishte dërguar me zarf, me një zarf të zografisur sipër me vulën e Kryeministrisë. Futi dorën në fanellën e leshit, por shefi, që e pa, e paralajmëroi: Dëgjo këtu ti, o katundar! Ne jemi polici e shtetit ligjor, more vesh? Ne nuk marrim e nuk pranojmë ryshfete, sikur të na vrasësh… Iku e vate ajo kohë!… Ne…, – shefi vështroi rrotull – për të verifikuar nëse po e ndiqte pas populli, si bënte në kësi rastesh, dhe pastaj shtoi, duke ngritur zërin, jo për ta dëgjuar Rrema, por gjindja: Hiqe dorën nga kuleta se do të më detyrosh të të filmoj me këtë aparatin që na kanë qepur këtu, në kapele dhe pastaj shko e gjej vrimë burgu ku të futesh… Se pastaj nuk ka avokat në botë të të nxjerrë nga burgu, po të filmova unë me këtë, more vesh? Rrema dëgjoi lopën që pëlliste së largu. Po pëlliste se me sa duket, kafsha kërkonte ndihmë, se ndjente dhimbje e ndoshta nuk po e kuptonte dot përse nuk e zotëronte dot këmbën. Edhe pse e kishte nxjerrë në pazar për ta shitur te ndonjë kasap, pra që ta thernin, Rremës i këputi shpirtin pëllitja e lopës. U ndje fajtor, i dobët, i fyer e i poshtëruar, jo se nuk e shpëtonte dot lopën nga therja, por se nuk po e nxirrte dot veten, sigurisht bashkë me lopën e shkretë, të arrestuar e me pranga në këmbë, nga ky poshtërim i pamerituar e publik. Nuk ishte aq burrë sa të dilte nga kjo nëpërkëmbje e përsëndyerje e padëgjuar, që me siguri do të përcillej gojë më gojë në të gjithë krahinën e më gjerë. Në cilin “shtet ligjor” ishte parë e dëgjuar të arrestohej një lopë?!
Më mirë të më kishin hedhur mua hekurat se lopës, tha me vete, pa e kuptuar se i qenë mbushur sytë me lot. Nga fyerja. Nga zhgënjimi. Nga pamundësia për t’u marrë vesh me “shtetin ligjor”. Nga ankthi që nuk gjente as edhe një justifikim për t’u vetëmbrojtur e për të dalë pa lagur nga një faj pa faj.
I vetmi shpëtim ishte fotografia me kryeministrin, për të treguar se “ishte me ne”. Polici e pa dhe nuk u tërhoq. Leri këto, i tha. Aq më mirë që je me ne. Kjo do të tregojë se ne nuk bëjmë diferencime. E di ti kujt i thonë diferencime? Që Rilindja dhe shteti ynë ligjor i quajnë të gjithë njerëzit njëlloj. Shko e paguaj gjobën që të lirosh lopën. Mos e zgjat. Kot e ke!… Gjoba u pre e nuk ka zot ta kthejë mbrapsht. Mos, se do ta pësosh siç e pësoi ajo gruaja në Tiranë, që shiste kokoshka dhe e bëri policia për në spital… Me karroatrec ia morën karrocën, e pe në televizor? Apo mos do ta pësosh si ai në Lushnje, që kishte bërë një kotec pulash pa leje dhe e rrasën brenda? More vesh? E kam për të mirën tënde.
Policët nuk treguan pikë interesi ta dëgjonin dhe as të shihnin reagimin e tij, se hipën në veturë dhe ikën. Rrema mbeti vetëm në mes të udhës së pluhurosur të pazarit të bagëtive. Lopa nuk po pëlliste më. I ishte nënshtruar dhimbjes së këmbës, ashtu si njerëzit i nënshtrohen një regjimi që nuk u pëlqen. Kureshtarët qenë larguar secili në punë të vet, duke marrë me vete historinë e pabesueshme “që e kishin parë vetë, ja, me këto sy!” e që, me siguri, do t’i bënte dëgjonjësit të gajaseshin… Ku të shkoj? Ku të ankohem? Ku të mbytem? Ku t’i gjej tetëdhjetë mijë lekët e gjobës? Edhe po të më japë dikush borxh e t’i premtoj se do t’ia kthej një për një, sigurisht pasi të shes lopën, a ia vlen?
U kthye e shkoi te lopa, i fërkoi kurrizin, si t’i kërkonte ndjesë. Kafsha ktheu syrin e saj të madh, të bukur e të pafaj, sikur donte ta ngushëllonte e t’i thosh: Mos u mërzit, Rremë! Mos u mërzit ti, i tha Rrema, me zë. Se ti je lopë e nuk ke faj, ti nuk e di e nuk e kupton kujt i thonë “shtet ligjor”… Se në këtë shtet ligjor qenka më e zorshme të merresh vesh me njerëzit, se me kafshët. Prandaj unë po iki e po të lë këtu, në mëshirë të këtij mender muti që këta ndryshe i thonë: shteti ligjor!
Hallet e Rremës nuk paskëshin të sosur. Që të nesërmen doli kënga, që u përhap e u bë hit, jo vetëm në Taksirat:
O shokë ç’u prish dynjaja
Kërcen lopa nga belaja
Rroft’ e qoft shteti ligjor
Takson bajgën për
lakror…
Sado u përpoq, Rrema nuk e zbuloi dot emrin e autorit.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: