NGA JETON SELIMI

U luajtën dje ndeshjet e turit të parë të Kupës së Shqipërisë, një turne i cili si zakonisht, në turin e parë u jep mundësinë emrave të rinj të skuadrave kryesore që të tregojnë vlerat e tyre në fushën e lojës. Ekipet e Superiores kanë hedhur në fushë shumë futbollistë nga ekipi i të rinjve, ndërsa ka pasur skuadra edhe si Skënderbeu, që kanë udhëtuar për të zhvilluar ndeshjen pa pasur trajnerin e tyre në drejtim, pasi Agostineli i ka besuar ekipin Gentian Liçit.

GRUPI A
Pikërisht korçarët kanë qenë ata që kanë dhuruar një nga surprizat e këtyre ndeshjeve të para, duke u ndalur në një barazim në fushën e Butrintit. Vendësit kanë kaluar në avantazh pas 30 minutash lojë me Dobrën, ndërsa të rinjtë e hedhur në fushë nga Liçi e kishin të vështirë të gjenin barazimin. Është dashur një gol i Malajt, debutues me korçarët, kur mbeteshin pak minuta nga fundit i ndeshjes, për të mbyllur këtë sfidë me një barazim dhe për t’i evituar Skënderbeut një rezultat që mund të interpretohej në mënyrë negative nga tifozeria.

Një rezultat tjetër surprizë në Grupin A ka qenë edhe barazimi i Tiranës, e cila ka qenë “udhëtuese” në “Selman Stërmasi” përballë Sopotit. Bardheblutë kanë kaluar në avantazh me anë të Likës në fund të pjesës së parë, por kanë arritur në ekstremin e takimit pas penalltisë së Çotës. Ndërkaq, Kukësi, Laçi, Bylis e Luftëtari kanë bërë detyrën me fitore në transfertë, kurse Dinamo ka mundur 2-1 në shtëpi Pogradecin dhe e sheh veten në pozita mjaft të mira për të kaluar në turin tjetër.

GRUPI B
Surpriza më e madhe e kësaj dite është padyshim disfata e Flamurtarit përballë Ilirisë. Vlonjatët janë paraqitur me një formacion, ku shiheshin shumë titullarë si Veliu, Telushi apo Galiç. Por, ekipi i Maganit ka lënë për të dëshiruar si shpeshherë kohët e fundit në finalizimin e aksioneve dhe për më tepër ka qenë i pavëmendshëm në mbylljen e ndeshjes, kur ka pësuar gol nga ekipi i Fushë-Krujës, duke e mbyllur takimin me një humbje 1-0. Ndërkaq, vazhdon kriza e golit për Teutën, e cila është ndalur në barazim 0-0 edhe nga Shënkolli. Për Teutën, Lajthia goditi shtyllën në pjesën e dytë të takimit, në të cilin në pankinën durrsake ulej Gentjan Begeja, i cili ka zënë vendin e të larguarit Bexhi.

Një formalitet ishte fitorja 3-0 në transfertë e Vllaznisë ndaj Mamurrasit, skuadër e improvizuar në ditët e fundit pas ripranimit në Kategorinë e Parë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Partizanin, që ka përmbysur 5-1 ekipin e Kevitanit. Në këtë sfidë, për të kuqtë debutoi sulmuesi izraelit Azubel, i cili shënoi dy gola. Më barazime 1-1 falë golave në minutat e fundit u mbyllën sfidat Besa-Tërbuni dhe Kamza-Korabi, ndërsa Burreli dhe Besëlidhja kanë bërë hapa të sigurt drejt turit tjetër me fitoret 3-1 përkatësisht ndaj Kastriotit dhe Erzenit.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb