NGA JETON SELIMI

Një histori që nuk ndryshon prej disa vitesh. Si çdo verë para sezonit të ri, janë jo të pakta vonesat apo problemet me licencimet e klubeve për sezonin e ri. E njëjta gjë po ndodh dhe aktualisht, Sektori i Licencimit ka nisur punën me një grup të posaçëm, por sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, bën të ditur për “Supersport” se ka probleme në të gjitha kategoritë duke paralajmëruar masa drastike.

“Kemi hasur disa probleme nga të gjitha kategoritë. Sektori i licencimit po i ndjek me vëmendje, u ka dërguar klubeve afatet që duhet të respektojnë dhe nëse nuk i respektojnë këto kritere të rëndësishme, që janë pjesë jo vetëm e rregullores sonë, por edhe detyrim nga UEFA, atëherë do të ketë masa drastike, pasi nuk do të lejohen të marrin pjesë në kampionat”. Mjaft interesante problematika që rrezikon dy klube të Kategorisë Superiore, edhe pse Shulku nuk bën të ditur se për të cilat skuadra bëhet fjalë konkretisht.

“Një nga problemet e dy klubeve të Kategorisë Superiore është mosshlyerja e detyrimeve ndaj lojtarëve dhe trajnerëve që kanë fituar gjyqet me ta në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve. Ne u kemi dhënë disa afate dhe duhet të gjejnë mënyrën e përbashkët për shlyerjen e tyre me këste ose me marrëveshje, pasi nëse nuk plotësojnë këtë kërkesë, do të ketë masa deri në përjashtimin nga kampionati”.

Falë zhvillimeve të viteve të fundit, infrastruktura nuk përbën më një problem për Kategorinë Superiore, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Kategoritë Inferiore.

“Infrastruktura e 10 skuadrave në Superiore është pothuajse e mbyllur, kemi disa probleme në Kategorinë e Parë, ku klubet përkatëse janë duke bërë disa investime dhe u janë lënë afatet, të cilat nëse nuk i përmbushin, do të përjashtohen nga gara. Po e njëjta gjë ndodh dhe në Kategorinë e Dytë”. Shulku bën të ditur se një ndër kushtet për të gjitha klubet e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë është se duhet të kenë detyrimisht ekipe të moshave 19 dhe 17-vjeçare.

Apelet e zyrtarëve të FSHF për licencimet nuk kanë munguar në vitet paraardhëse, edhe pse nuk ka pasur përjashtime, por këtë herë Shulku siguron se do të jetë ndryshe. “Sektorit të licencimit u janë vënë disa kushte që do të plotësohen në mënyrë rigoroze. Të gjitha klubet që do të kenë mospërmbushje dokumentesh apo probleme me infrastrukturën, do të përjashtohen nga kampionati”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: