NGA ROXHENSA LUARASI*

Ishte hera e dytë brenda pak minutave që dy djemtë adoleshentë e thërrisnin. Ndërsa në anën tjetër paralel me ta, një foshnjë nuk pushonte së qari dhe nëna nuk po mund ta qetësonte. Si të mos mjaftonin këto, një mesoburrë duhet të pinte ilaçet, që i kishte në çantën mbi kokat e pasagjerëve.

Kushdo tjetër në vendin e saj do ishte revoltuar. Ndërsa ajo, ndaj së cilës drejtoheshin të gjitha kërkesat, vazhdonte të buzëqeshte njëlloj. Dhe jo vetëm sepse në mes të qiellit nuk ke nga të shkosh, por kjo është puna e një stjuardese. Për situata të ngjashme, madje shumë më të sikletshme, e përgatisin veten para çdo fluturimi. Nuk është e thjeshtë. Por, sigurisht që ka edhe një pasion të fortë që i shtyn këto vajza drejt profesionit, që gjithmonë do shihet pak si ekzotik dhe jo prej njerëzish të zakonshëm.

“Stjuardesa nuk është vajza e buzëqeshur që jemi mësuar të shohim, roli i saj kyç është mbajtja e sigurisë”, thotë Teuta Gjonaj, një nga 25 stjuardesat e një kompanie ajrore.
Pas buzëqeshjes së një vajzë e cila ka dëshirë dhe synim të punësohet në këtë profesion, ka edhe shumë kritere të tjera të domosdoshme, që duhet t’i plotësojë para se të veshë uniformën.

Gjatësia mbi 1.65, zotërimi i rrjedhshëm i gjuhës angleze dhe italiane si dhe aftësia për të notuar më shumë se 50 m janë kualifikimet bazë që ka vendosur kompania e vetme ajrore që operon në Shqipëri, për të rekrutuar një stjuardesë. Por, edhe nëse i plotëson këto kritere, kujdes! Shanset ulen ndjeshëm nëse ke kaluar të 30-at dhe shifrat tregojnë që pjesa më e madhe e vajzave që aplikojnë janë rreth moshës 21 vjeç.

Për sa i përket shkollimit, duke qenë se në Shqipëri mungon kultura e aviacionit, nuk ka asnjë shkollë të mirëfilltë për t’u bërë stjuardesë. Sipas menaxheres së ekuipazheve të kabinës, e vetmja mundësi për të studiuar dhe trajnuar janë kompanitë ajrore. Kështu shpjegohet edhe fakti që aplikueseve u kërkohet vetëm zotërimi i diplomës së arsimit të mesëm.

Por, si mund të aplikojë një e interesuar? Duhet të jetë e vëmendshme për njoftime që bëhen online, ose në faqet e shtypit të shkruar. Fillimisht dërgohet CV-ja, e cila reflekton përmbushjen e kërkesave nga aplikuesja. Të gjitha CV-të vlerësohen dhe kalohet në fazën e intervistave, gjatë të cilave janë prezentë përfaqësues të kompanisë.

Trajnimi teorik është intensiv dhe zgjat një muaj. Sipas standardeve evropiane përcaktohen edhe orët përkatëse brenda të cilave trajtohen tema të caktuara. Në vazhdim të përzgjedhurit fillojnë kursin e trajnimit, i cili realizohet në ambientet e aprovuara të kompanisë përkatëse dhe përfshin studimin dhe përvetësimin e një manuali në gjuhën angleze, sipas standardeve të rregullatorëve evropiane. Në këtë manual përfshihen procedurat e kompanisë, ato specifike të çdo fluturimi që kryen një stjuardesë, si dhe procedurat në raste emergjence.

Pas përfundimit me sukses të pjesës teorike, që finalizohet me provim, kalohet në pjesën praktike ose në simulator, e cila realizohet brenda 4 ditëve në Itali, për shkak se në Shqipëri nuk mundësohen kushtet e duhura. Pjesa praktike përmban simulimin e çdo rasti potencial emergjent, siç është rënia e avionit në ujë, apo problemet shëndetësore të një pasagjeri. Kjo fazë gjithashtu duhet të kalohet me sukses nga ana e kandidatëve.

Më në fund, vjen momenti për të filluar fluturimet. Sigurisht, për t’u certefikuar si pjesë e ekuipazhit duhet të zhvillosh një fluturim familjarizues në prani të instruktorëve.
“Fluturimi i parë që kam bërë ka qenë Tiranë-Londër-Tiranë. Ka qenë një emocion i veçantë. Pasagjerët më shihnin si shpëtimtare dhe çdo gjë që më parë më dukej e panjohur, në atë moment në avion ishte shumë e njohur për mua. Lartësia më pëlqente”, e përshkruan ish-stjuardesa Sara Brojka përvojën e saj të parë të fluturimit.

Ky profesion është si një shkollë që nuk mbaron kurrë, sepse për të mbajtur në nivel standardet e kompanisë, para çdo fluturimi ekuipazhi i kabinës bashkë me pilotët bëjnë parapërgatitjet përkatëse. Stjuardesat kontrollohen përsa i përket paraqitjes, dokumentacionit, por edhe njohurive teorike, të cilat testohen me anë të tri pyetjeve.

Sigurisht që ky profesion, si gjithë të tjerët, ka dhe anët e vështira. Pjesa më e vështirë ka të bëjë me sjelljen e pasagjerëve, edhe pse duke e krahasuar me vitet e mëparshme, është vënë re një ndryshim pozitiv. “Edukata e pasagjerëve ka ndryshuar nga vitet e mëparshme. Tregohet më shumë respekt ndaj ekuipazhit dhe rregullave që duhet t’u përmbahen të dyja palët”, tregon menaxherja e ekuipazheve të kabinës.

Çrregullsia e orareve është një tjetër vështirësi me të cilën duhet të përballen stjuardesat. “Është një punë me peripecitë e saj, me orare të ndryshme ose të paqëndrueshme, por kjo është ajo që e bën profesionin dinamik dhe shmang monotoninë”, tregon Teuta Gjonaj. Fluturimet vajtje-ardhje janë rasti më i mirë, pasi ka edhe fluturime në të cilat stjuardesat detyrohen të qëndrojnë jashtë Shqipërisë nga një deri në tri ditë, në varësi të skedulimeve sezonale.

Dhe kjo mund të shkaktojë probleme edhe për angazhimet familjare. Nga vajzat shqiptare, që aktualisht punojnë si stjuardesa, një është nënë, katër të fejuara dhe një pjesë e mirë vazhdojnë studimet e larta. Gjithsesi, menaxherja e ekuipazheve të fluturimit këmbëngul që profesioni i stjuardesës nuk të pengon për të ndjekur studimet apo për të krijuar familje.

Pjesa e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, ka të bëjë me pagesën. Sa paguhet një stjuardesë? “Pagat janë të kënaqshme, por sigurisht varen nga eksperienca dhe pozicioni brenda në kompani”, thotë Sara Brojka. Një lajm i mirë është që stjuardesat përveç pagës bazë, marrin edhe një dietë respektive për çdo fluturim, por që ndryshon në kompani të ndryshme.

Një gjë është e sigurt, në këtë profesion asnjë ditë nuk përfshihet nga monotonia. Një pjesë e mirë e stjuardesave me eksperiencë e kanë të vështirë t’i largohen aviacionit dhe këtë e vërtetojnë rastet e atyre që kanë vazhduar punën deri në moshën 50-vjeçare.

Ndoshta nuk mund të heqin lehtë dorë nga vështrimet që i shohin si shpëtimtare, ose i tërheq kombinimi i rrezikut dhe kënaqësisë, që vetëm disa profesione ta japin dhe vetëm disa njerëz janë të aftë ta përballojnë. Me siguri, stjuardesat janë pjesë e tyre.

KUALIFIKIME
– Mosha 21-30 vjeç (preferohet)
– Gjatësia, mbi 1.65 m në proporcion me trupin.
– Arsimi minimal, diplomë e shkollës së mesme.
– Të zotërojë rrjedhshëm në shkrim e lexim gjuhët angleze dhe italiane.
– Zotërimi i një gjuhe të tretë përben avantazh.
– Eksperienca në shërbim ndaj klientit përben avantazh.
– Të ketë aftësi të shkëlqyera komunikimi.
– Të ketë pasaportë të vlefshme.
– Të mos ketë shenja të dukshme si tatuazhe/piercing
– Të jetë e aftë të notojë më shumë se 50 m.

(m.k/SummerPages/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: