NGA: JOSIF PAPAGJONI
Grotesku, tragjikja, sublimja në një roman. Kam shkru ar shpesh për dramat-komedi të Stefan Çapalikut, ku vallëzon hijshëm tragjikja e dramatikja nën velin a një cipëz rrëzëllitëse të komikes. Madje të groteskes. Ku tallja dhe shpotia, pasi ti qesh, të lë përfund piklën e lotit që padashur të paska riguar faqeve e ti s’e paske vënë re (keqardhje për fatin e personazheve, por edhe për fatin e të gjithëve ne). Ky stil i parapëlqyer që zotëroi shekullin XX, u grahu dy kuajve të një letërsie integrale, dramatikes dhe komikes, nën një fre e mëgojëz, mbajtur fort prej një tipi shkrimtari, “akrobat” i situatës e i të përzierave gjithfarëshe.

Teksa fleta e fundit e romanit të mbramë të Stefan Çapalikut “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” ka mbaruar dhe unë ende kujtoj se “historitë-thagma” do të vijojnë edhe më tej, mendjeftohtë vë re ndoca spikama të një letërsie që parapëlqen paradokset, ku rendi dhe kaosi, harmonia dhe “pastishi”, përqendrimi në një pikë dhe hapja në shumë syresh njëherësh, ku rrëfyesi dhe e rrëfyera, shenja dhe i shënjuari, fabula e mirëpërcaktuar dhe mozaiku, graviteti i “tokës” dhe etja e “fluturimit”, tallja dhe dhimbja, të gjitha këto krijojnë ndoca koreografi narrative tërheqëse, shpesh çudane, ku mikro&makro kozmosi venë e vijnë duke ofruar një imazh tërësor të Shkodrës si qytet, si antropologji, si kureshtje e, mbi të gjitha, si “frymë”, që mua s’di pse më sjell ndërmend ato qëndisjet në gjergjef, tek e cila mijëra kryqe krijojnë së toku figurina, në dukje “mortore”, groteske e si relikte, të një kohe që ka ngrirë në fosilet e historisë që iku, por që megjithatë vjen dhe është aty, bri nesh, duke frymuar heshturazi si mbamendje në ankth.

Po pse më mbeti hirit të mendjes kjo mbresë e “pambarimit”? Afërmendsh, nuk është stili “non-finito”! Jo. Romani është i mbaruar në vetvete. Kujtesa të ndrydhura fëmijërie dhe rinie që ndizen befas dhe kërkojnë një roman. Sepse gjithkush mund të japë një testament të jetës së tij, posaçërisht të fëmijërisë dhe adoleshencës, në vitet e diktaturës, kur “ndodhin gjëra pa ndonjë domethënie të madhe, gjëra të vogla ose rebelime jo ndaj njerëzve të duhur dhe jo me gjestet e duhura”. Ajo kohë e zgjatur, për dreqin dhe të zezën tonë, mpiu gjithçka, thithi energjitë dhe lëngjet e njerëzve, atrofizoi trutë, talentet, habitë dhe të papriturat e atyre që kishin ëndrra, që dinin të fantazonin, të “bënin”, të kundërshtonin, të sfidonin; i futi të gjithë nën batanijen e lagësht të rëndomtësisë, mediokritetit, varfërisë, “barazisë”, ku shpirti dhe personaliteti shitej dhe blihej me çmim të lirë, ku “heronjtë e mi të fëmijërisë qenë plakur ose kishin vdekur. Silleshin nëpër qytet vetëm disa kopje të zbehta si fantazma apo relike të bëra pa kujdes nga dora që dridhej e qytetit”. S’di pse toni i këtij romani më kujton herë-herë të famshmin e hebreut Amos Oz, “Rrëfim nga errësira për dashurinë”. Është ky libër një kohë dhe përtej kohë; është poetikja, dramatikja dhe burleskja.

Edhe gjestet apo bëmat anekdodike i japin hare. Dhe unë kam qeshur me vete gjithandej faqeve të tij. E si mos të qeshësh me Cenin, që e shet trupin e vet si kavie për studentët e mjekësisë a ndonjë spital kur të vdesë (s’dihet se kur?!), dhe sakaq paratë i bën rrush e kumbulla duke pirë, pa u dhënë kurrgjë motrave që prisnin një farë qari nga kjo shitje çudane për së gjalli e të vëllait xhuxh. Vallë çartje e kokëkrisje është Nuh Sahatçiu, që e kishte mbajtur në sirtar orën e një oficeri nazist mbi 40 vjet dhe ia dha të birit të tij, në çmimin që kishte rënë në ujdi me të atin dikur, teksa i riu pati ardhur si turist në Shkodër: një gjest i veçantë prej zanatçiu dhe superkorrekti në llojin e vet; Zef Zorba që bën teatër me do kukulla të vogla në miniaturë, në një skenë në miniaturë sa një kuti, në prani të aktores së madhe shqiptare Tinka Kurti dhe të shoqit, Palokës, si dhe të ftuarve të tjerë; letra e hatashme, e tëra sfidë dhe dinjitet, e patër Meshkallës drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu, që të mos i rrënonin tempujt e Zotit me ateizmin e patru të vitit 1967, duke e kthyer njeriun në të “pafe”, letër kjo e nisur veçse nga dashuria dhe përkushtimi i tij si klerik e guximtar i pashoq, se: “Nuk më ka shtye me ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira”.

Mbetet si njollë e pashlyeshme ndër sy imazhi i trupave të djemve të gjakosur nga plumbat në arratinë e tyre të pamundur drejt “tokës tjetër”, hedhur si bagëti e therur mbi karrocerinë e një makine, për t’i shtirë llahtarën njerëzve se çfarë i priste në një arratisje; zbritja e Armstrongut në hënë dhe kërcimi i tij pupthi apo boksieri Kasius Klei, i konvertuar në mysliman me emrin Muhamed Ali dhe tifozëria shkodrane e ndarë dysh: katolikë e myslimanë; Rozari që nuk del prej shtëpie me kostum të bërë me stof kombinati, por dëshiron vetëm stof anglez ose polak, ndaj dhe ngujohet brenda mureve në mënyrë sa qesharake, po aq prej njeriu të fisëm e ashik i rrallë; hokat e Tef Palushit, këtij karikaturisti dhe humoristi të pashoq të qytetit, që natyra i kishte dhënë shëmtinë e fytyrës, kurse Zoti e pati gostitur me mrekullinë e mendjes; vepra kolosale e Gjon Shllakut, përkthyesit të letërsisë antike greke; vjedhja, si sëmundje brenda rrethit të ndërmarrjeve socialiste, një treg kleringu paradoksal, doemos i nxitur nga mjerimi; zvetënimi i figurës së artistit me shkuarjen në fshat si kinse njohje e jetës dhe e katundarëve, në fakt një lloj fshikulli dhe ndëshkimi për t’ua fishkur lulen e krijimit dhe lirinë që arti jepte; gjer te diskutimi i partiakëve të qytetit me shefin e partisë, Ramiz Alinë, për prishje-ndërtime në qytet, teksa vizitonin një ekspozitë të arteve vizuale. S’ndryshojnë këta dreq qeveritarësh, po njësoj të “gjithëditur” janë, si dje, edhe sot. Ky është një libër për qytetin e lindjes, Shkodrën.

Një libër që ka tubuar shumë gjëra të çuditshme, pleksje midis marrëzisë dhe mençurisë, çartjes dhe gjeniumit të fshehur, shakasë dhe vuajtjes, përkushtimit prej stoiku dhe jetëve të harxhuara më kot, shtypjes dhe frikës, gëzimit të lirisë dhe kastrimit të indit të saj. Është një Shkodër e bukur, vezulluese, gjithë ironi e sharm kulturor, gjithë sqimë e shpirtra fisnikë, sikundër përplot marri, idiotësi dhe budallallëqe njerëzish të fantaksur apo bërë kufoma nga shpëlarja e truve të makinerisë propagandistike të kohës. Një Shkodër që sjell në vëmendje jo vetëm rrembin tipik shkodran, që strehohet shpesh në shtëpinë e autorit diku në lagjen më historike e domethënëse të saj, Gjuhadol, me gjithë të afërmit e tij, prindërit, dajat, gjyshërit dhe vetveten, sidomos me miqtë e shquar që bujtnin, të përthyera këto në kujtesa mbresëlënëse e të endura mes mprehtësive karakteristike të shkrimtarit-dramaturg S. Çapaliku.

Është një Shkodër që sjell, nga ana tjetër, emra të shquar të saj, ata që i kanë dhënë nder e bujë, personalitet dhe sipërani: poetin e metaforave dhe dhimbjes së heshtur Frederik Rreshpjen, që qëndiste mbi gjergjef si të ishte nuse ose rrinte shtrirë mbi dysheme, pas burgut të dytë, dhe lexonte libra me një flakë llambe pranë syve (vallë, ku fluturonte muza e tij teksa kryente një rit femëror, sa erotik aq edhe meditativ e vetëflijues, si qëndisja?!); Kolë Ashtën që krijonte togje skedash me fjalorët e gjuhës, në një përpjekje titanike e cila të kujton murgjit e habitshëm e madhështorë të pergamenave të kishës së krishterë, që përpunuan dijet e trashëguara nga epoka klasike greko-romake dhe ua dhanë njerëzimit teksa verboheshin qelave; gjestin e rrallë dhe tejet mallëngjyes, krejt i fisëm prej shkodrani, të Pjetër Gacit që i kërkonte leje të shoqit të vashës së “marakut” të tij, për ta publikuar këngën kushtuar asaj, këngë që u bë një nga perlat e muzikës qytetare shkodrane: “Kur kalon rrugës me naze/ si lule zambak”; dashurinë e pabëzaj, të një dimensioni elegjiak, që veç në romanet e mëdha e gjen, të kompozitorit të shquar, krijuesit të operës së parë shqipe, Prenk Jakovës.

Dhe pastaj një Shkodër “tjetër”, që turrej mbrëmjeve në fundvitet ’60 e fillimvitet ’70 dhe mbushte ato fare pak shtëpi që kishin një televizor, “syrin magjik”, dhe ndiqnin si të magjepsur Kanconisiman italiane me këngëtarët e mëdhenj, Çelentanon, Morandin, Minën, Ranierin etj., që na sollën prej brigjeve matanë të Italisë pak parfum dhe aromë arti, lirie, bukurie, aventure, mrekullie. Dhe Shkodra e vockël, e gjymtuar, qesharake, meskine e njerëzve truzbrazur nga ideologjia shkretane e kohës, me gjithfarë tipash, spiunë a servilë, kodoshë e kokoroshë, syvëngër, burma e bullona të “bindur” të mekanizmit të diktaturës me mokrat që të shkërmoqnin brinjët, fjalët, zemrën, të tridhnin trurin; Shkodra me të burgosurit dhe frikën, me klishetë dhe sloganet, me urinë dhe zbrazëtinë, por edhe me humorin që digjej gacash nën hi e leqendiste në cepbuze zezonën, e cila kishte mbuluar dritën e njëhershme të këtij qyteti rilindës.
libri
Një Shkodër që mban frymën pezull, me gazin përbrenda, gjer aty kur Enver Hoxha vdiq dhe qyteti tinëz e kishte marrë lajmin çlirues: mortin e kuçedrës që kishte zënë burimet, me episodin prekës dhe fare të vërtetë, kur autori, Stefani, takon të atin me motor, i kthyer herët nga puna, krejt “ndryshe” nga rituali i tij, dhe me një fije buzëqeshje cepave, i tha se “Enveri ka vdekur, shko në shtëpi!”. Dhe krejt ky lajm mëpastaj, që i jep edhe titullin romanit, daja Gjon me intuitë apo i kumtuar s’dihet se si e s’dihet se nga, i verbër prej vitesh, u ngrit nga krevati gjysmë i zhveshur, mustak-qeshur, dhe po thoshte krejt në hare se i “kishin ardhur sytë”, se ai ishte, më në fund, te Kisha e Madhe!… Ndoshta një Jezus kishte mbërritur në trurin e tij: Liria! Po kush tha se “secili çmendet sipas mënyrës së vet”?! Kush tha se daja Gjon ishte “çmendur” dhe i kishin ardhur sytë nga dora mrekullibërëse e një Krishti-metaforë: Lirisë?! Enver Hoxha kishte vdekur! Koha e tij po vdiste rrëmujshëm, nën gravitetin e urisë dhe meskinitetit, një cung i kalbur, pa një gjethe. Por bisku i ri, klorofila e kohës që po vinte, do të mbushte nesër mungesën dhe do gjelbëronte shkretimin, për ta rinisur jetën e qytetit atje ku ai kishte mbetur, para ardhjes së komunizmit: me sytë kah Perëndimi. Mos ia hiqni Shkodrës dijen, krijimin, humorin! Sidomos lirinë! Ja, kjo është ëndrra e shkruar në formë romani e Stefan Çapalikut. Ëndrra e një brezi. Ëndrra që çliron kujtesat dhe i shndërron ato në estetikë…
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb