E dëgjoni sa duhet trupin tuaj? Ndon jëherë ai lëshon disa zhurma të lehta për të treguar se diçka nuk shkon mirë. Ja cilat janë ato sinjale që nuk duhen neglizhuar asnjëherë.

FISHKËLLIMA NË MUSHKËRI
Ndjeni një si fishkëllimë në mushkëri kur merrni ose kur nxirrni frymën? Kjo zhurmë mund të jetë sinjal i një infeksioni pulmonar, i një astme apo i një bronkiti. Për fëmijët e vegjël mund të jetë edhe shenjë që ai ka gëlltitur një trup të huaj.

KËRCITJA E ARTIKULACIONEVE E SHOQËRUAR ME DHIMBJE
Shpesh artikulacionet kërcasin dhe kjo është gjë normale, por kur kjo zhurmë bëhet shpesh dhe shoqërohet me dhimbje, duhet pasur kujdes, për më tepër kur jeni mbi 45 vjeç. Bëni grafi, sepse mund të bëhet fjalë edhe për probleme artroze.

FISHKËLLIMA NË HUNDË
Nëse nuk jeni me rrufë apo me grip dhe ndieni shpesh një fishkëllimë në hundë, bëni kujdes. Ndonjëherë mund të bëhet fjalë për një pengesë, mbase mund të keni mish të huaj.

LEMZA E SHPESHTË
Në përgjithësi lemza nuk është e rrezikshme, por kur ndodh shpesh dhe pa arsye, mund të jetë sinjal i një irritimi të nervit pneumo-gastrik ose i nervit frenik. Bëni sa më shpejt vizita te specialistët.

QETËSIA E PLOTË E BARKUT
Gërhitjet e barkut që ndonjëherë ju bezdisin, në fakt janë shenjë që gjërat funksionojnë si duhet në organizëm. Qetësia nga ana tjetër duhet t’ju shqetësojë. Kjo qetësi mund të pasohet me dhimbje barku, të vjella, mosçlirim të gazrave dhe jashtëqitjes etj. Duhet bërë një vizitë te specialisti që ai të gjejë shkaktarët.

KËRCITJA E DHËMBËVE
Kërcitja e dhëmbëve dhe lëvizja e pakuptueshme e nofullave mund të jetë shenjë e mosfunksionimit si duhet të artikulacionit temporo-mandibular. Disa mund të kenë edhe dhimbje nofulle, dhimbje koke etj. Këshillohuni me dentistin tuaj.

SHUSHURITJA NË VESH
Ndjeni fishkëllimë të lehtë, rrahje, apo një zhurmë tjetër në vesh gjatë gjithë kohës? Kujdes, sepse mund të bëhet fjalë për një arterie të zgjeruar, ose për një hipertension arterial. Nuk duhet të shqetësoheni nëse këto zhurma ndodhin pas një ekspozimi në ambient me zhurma të forta.

GËRHITJA E FORTË
Shumë njerëz gërhasin natën, por jo të gjithë mund të kenë probleme shëndetësore. Kur kjo gërhitje bëhet gjatë të gjithë kohës dhe është e fortë, kur lind nevoja shpesh për urinim, kur gjatë ditës ka dhimbje koke, kur ka mungesë përqendrimi etj., mund të bëhet fjalë për një problem serioz me shëndetin, i cili nuk duhet neglizhuar.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: