NGA: FATMIRA NIKOLLI
Është shkarkuar dje në orët e vona të pasdites, Melsi Labi, prej vitit 2013 drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Kulturës, ndërsa motivacioni sipas kësaj të fundit ka qenë: “Për mosrespektim të përsëritur të marrëdhënies së punës, duke shkaktuar dëm institucional dhe duke cenuar rëndë parimin e përgjegjshmërisë dhe mirëbesimit institucional”. Asnjë koment tjetër nuk ka ardhur nga ministria, ndërsa Labi është vetëm një nga drejtorët e ikur të kësaj ministrie, pas dorëheqjes së bujshme të Ilir Kernit në gusht, apo dorëheqjeve si ajo e ‘Trashëgimisë’, Zhuljeta Harasani, Shpend Bengu apo emrave të tjerë si Brikena Krasta, Artan Puto, këshilltarë apo punonjës të tjerë me më pak peshë mediatike, por jo pa peshë në ministri. Duket se në fund të mandatit të parë si ministre, Mirela Kumbaro nuk ka më përkrah emrat e ekipit me të cilin e nisi këtë udhë në vitin 2013. Vetëm tri ditë më parë, në një intervistë për një portal, Labi “sulmoi” drejtpërdrejtë Ministrinë e Kulturës.

“Buxheti për 2017-ën nuk ka dalë ende, por pritet të jetë 13 ose 14 milionë lekë të reja. Ndërkohë, nevojat e menjëhershme të Muzeut, për 70 milionë lekë të reja minimale. Na kanë futur në një betejë për mbijetesë. Ndërkohë harxhohen miliona euro në hapjen e muzeumeve si Bunk’arti etj., ku privati merr lekët dhe i fut në xhep. Ndërsa këto pasuri kombëtare që i kemi, nuk i ruajmë. Është detyrë e ministrisë ta mbajë Muzeun, sepse janë lekët e taksapaguesve”, pati thënë Labi. Deklarata erdhi pas ankesash të vazhdueshme për mungesë fondesh nga Muzeu Kombëtar, projekte të mbetura në sirtar, por edhe kundërshtish për Ligjin e ri të Trashëgimisë.

BINDJET POLITIKE
Emrat e sipërpërmendur të ikur nga ministria nuk kanë qenë të angazhuar politikisht, paçka bindjeve personale që kanë pasur. As Kerni, as Krasta e as të tjerë nuk kanë folur publikisht. Në shumicën e rasteve as nuk e kanë atakuar publikisht ministren, as jo publikisht. Së fundmi, ish-drejtori i Operës, përmes statuseve në “Facebook” nuk ka ngurruar të kritikojë ministrinë, ashtu si edhe Harasani. Megjithatë, ndryshe prej të tjerëve, Labi pavarësisht motivacionit zyrtar të ministrisë dhe kritikës së fundit publike, është edhe i angazhuar politikisht. Ai erdhi në krye të Muzeut Historik Kombëtar si përfaqësues i LSI-së, njëra prej forcave politike të mazhorancës, që drejtohet nga PS dhe kryeministri Edi Rama, që ka emëruar ministre Mirela Kumbaron. Nuk dihet nëse ky shkarkim ka të bëjë me përplasjet e fundit brenda mazhorancës.

Kujtojmë se Ylli Manjani pak ditë para shkarkimit kritikoi ashpër projektligjin e ri të trashëgimisë. Raportet ministrimuze deri më tani kanë qenë të qëndrueshme, asnjë përplasje publike. MHK pavarësisht buxhetit për të cilin ka ankesa çdo institucion, iu nënshtrua një lloj restaurimi, për çfarë u bë shkas vizita e Papa Françeskut. Kumbaro si ministre ka qenë aty e pranishme në ngjarje të mëdha, si në çdo institucion tjetër. Rasti i fundit ishte çelja e ekspozitës me ikonat e sekuestruara të Gjergji Thimios. E megjithëse Labi ishte ende në krye të institucionit, në hapje atij nuk iu dha fjala.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: