Nga: KIÇO BLUSHI*

Kur hipin në majë, kur kapin kulmin e pushtetit, kur u hyn vetja në qejf, një dukuri e përsëritur te të gjithë krerët tanë karizmatikë të 25 viteve pluralizëm, vihet re: përdorimi i humorit, i sarkazmës, i talljes, i cinizmit, i përçmimit dhe i përsëndyerjes si mjet efikas (asgjësonjës e poshtëronjës) politik jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe ndaj vartësve, bashkëpunëtorëve më të ngushtë, madje edhe ndaj qytetarëve të thjeshtë, të cilët, ngaqë konsiderohen si enë bosh, ca militantë e ca zgjedhës të bindur e të palëkundur përdoren si “material për humor”. Veriorët, kur duan të mallkojnë dikë, i thonë: “Të hyftë vetja në qejf!” Sepse i dehuri me vetveten me sa duket e gjen vetë, nëpërmjet bumerangut të përçmimit dhe talljes të të pabarabartëve, rrugën e dështimit. Nuk ka ves më të ndyrë njerëzor se kur i ngopuri tallet me të uriturin, i pasuri me të varfrin, i pushtetshmi me të pambrojturin e të dobëtin. Në shoqërinë tonë, kjo lloj “aftësie” që buron nga pabarazia quhet talent, politikë, mençuri, burrëri, karizmë.
“Mjeshtër” i fjalës shpotitëse, sarkastike, të hidhtë dhe shpartallonjëse mbahej, në kohën e vet, Nano. Ai e kishte qëllim në vetvete batutën e beftë dhe shumëkush ia vlerësonte këtë si një dhunti, madje edhe si një shenjë të thekur zgjuarsie të lindur. Nën shembullin e Nanos u përpoq, jo pa sukses, edhe Berisha. Prej bindjes se në këtë kinse demokraci ballkanadolle lipsej të shkëputej nga “këmisha e forcës” e udhëheqësit autoritar të tipit “sekretar i parë”, Berishës iu desh të tjetërsonte gjuhën e drunjtë të sloganeve e të citateve, për të pasuruar fjalorin me metafora e etiketime të padëgjuara, shpesh edhe me fjalë të padenja, për t’u dukur edhe ai një “artist” i pakrahasueshëm i artit të fjalës therëse. Aq shumë nisi t’i pëlqente kjo “armë” populiste e çudibërëse, sa ndodhte të mos e kontrollonte veten e t’i shpërthente, padashur, e qeshura nga hundët, para se sarkazma dhe tallja të mbërrinte e të bënte efekt te dëgjonjësit.
Ndërsa Rama, me sa duket, e mban veten ku e ku më të zotin, më të talentuarin e më të suksesshmin në këtë lloj qasjeje “origjinale” me publikun, pasi nuk lë rast, fjalim, podium dhe komunikim pa e kaluar cakun e etikës më minimale, duke hedhur shpoti e romuze, rëndom edhe jashtë standardi.
***
Nuk ka dyshim që tallja para kamerave ka dobi të atypëratyshme politike, pasi nëpërmjet të qeshurës dhe përçmimit, përdoruesi, – sidomos ai që ka pushtet të pakontrolluar e të pakufizuar, – kujton dhe beson se kësisoj do ta vërë përfund kundërshtarin, duke e shpartalluar nëpërmjet përbaltjes e talljes, pa qenë e nevojshme të sjellë argumente dhe alternativa. E sigurisht, jo vetëm kundërshtarin. Qesëndisja, leqendisja, përgojimi, cinizmi, etiketimet, batutat vulgare që sendërtojnë talljen, shërbejnë për ta trullosur dhe vënë nën narkozë opinionin publik më lehtë e më shpejt se sloganet, premtimet, idetë, platformat dhe argumentet. Kjo sepse, besohet që mjeti politik i poshtërimit publik të kundërshtarit ka një vlerë të pallogaritshme në shoqëritë patriarkale, veçanërisht në ato ballkanike, ku folklorizmi, nofkat dhe thashethemet vazhdojnë të kenë fuqi e ndikim më shumë se e vërteta.
I talluri dhe i përqeshuri publikisht, duke u gjendur i papërgatitur për një përgjigje të denjë (më zi kur është burrë namuzli, por akoma më zi kur dëshmon se ka frikë dhe drojë të përgjigjet, ngaqë e di që do të ndëshkohet e do ta paguajë shtrenjtë guximin), automatikisht do të quhet i dobët, i thyer, i mposhtur, i mundur, i zhvlerësuar, i nxjerrë jashtë loje.
Ashtu si në monarkitë e shekujve të kaluar kur mbretërit mbanin pranë oborrit një lolo zyrtar, që sovrani të derdhte mbi të talljen, që të trembte oborrtarët e ai vetë të bindej se ishte sipëror, edhe në diktaturat kishte patjetër nga një “Pilo”, mbi të cilin Njëshi zbrazte ironinë e vet asgjësonjëse, me të cilën bindte veten se ishte i padiskutueshëm dhe, për më tepër, edhe “i përjetshëm”.
Me sa duket, edhe në demokracitë bajraktarore, si kjo e jona, krerët kanë sajuar jo vetëm lolot e partive, por duke qenë se edhe ata dëshirojnë të ndihen e të mbeten sundimtarë të pakonkurrueshëm e të pazëvendësueshëm të mediave (kupto: të popullit), e përdorin talljen si mjet nënshtrimi për këdo që u del përpara: edhe për “armiqtë”, edhe për ata që i votojnë dhe i urojnë nëpër mitingje me zë: “Të na rrojë partia me në krye shokun Edi Rama!”…, edhe për ata gjynahqarë që marrin një legalizim apo teserë partie… Politika aktualisht është kthyer në një skenë të mirëfilltë “Portokallie”, ku nuk përqeshen cenet dhe veset e të pushtetshmëve, por janë këta që tallin, nga podiumet, spektatorët.
Krerët tanë janë të vetmit që nuk e kanë frikë opinionin publik, as kundërbatutën, ngaqë janë më se të bindur se në shoqërinë tonë, edhe ata që kanë sadopak dinjitet e respekt për veten do të detyrohen ta kapërdijnë talljen e të plotfuqishmit për hir të frikës, ndëshkimit e përfitimit. Nuk ka gjë më gërryese për një shoqëri demokratike sesa ky lloj komunikimi i pabarabartë e poshtëronjës mes të plotfuqishmit dhe qytetarëve të pambrojtur, mes podiumit dhe sallës, mes ekranit televiziv dhe konsumatorit të lajmeve.
Batuta humorndjellëse nëpërmjet talljes e poshtërimit vlerësohet si një ushqim i pëlqyeshëm, i tretshëm kollaj, i shijshëm, me efekt të shpejtë e të dobishëm për trushpëlarjen masive të konsumatorit “mbarëpopullor”. Ende besohet se qytetari shqiptar nuk është shkëputur nga klisheja e udhëheqësit të fortë, të bukur, të gjatë, mbi të gjitha hazërxhevap, domosdo fodull e mendjemadh, harbut, kokorroç dhe agresiv, tallës e përçmonjës, deri në atë shkallë sa atij të mos guxojë kush t’i dalë përpara… Të tillët janë bërë të pazëvendësueshëm e të papërballueshëm nëpër të gjitha partitë. Sot e kësaj dite kujtohen etiketimet e Nanos në kohën e katarsisit, falë të cilave ai i vuri në gjunjë të gjithë. Berisha nuk lë rast pa e përdorur gjuhën e talljes, të sulmit total në Kuvend, edhe pse është i dorëhequr nga kreu i partisë, sepse e di që fjala poshtëronjëse për kundërshtarin nuk vlen vetëm për mësymje dhe për nëpërkëmbje, por edhe për imunitet vetjak. Kurse Rama mund të quhet kampion i përdorimit me efikasitet të fjalës tallëse e përçmonjëse, së cilës, më shumë se kushdo nga pararendësit, ia ka parë hairin.
Besoj se nuk e vë kush në dyshim se, pa këtë “armë”, Rama zor se do të ishte bërë kryetar partie dhe kryeministër. Fuqia e tij gjendet te gjuha e tij. Ndaj nuk lë rast e ditë pa dalë në ekran, pa e shpotitur e pa e telendisur cilindo që guxon t’i dalë përpara.
***
Por tallja publike e kundërshtarëve dhe e publikut nuk ka vetëm qëllim politik. Kjo dukuri duhet vështruar edhe nga aspekti psikologjik.
Kështu, krerët tanë nuk e besojnë dot se sa “të mëdhenj” janë bërë, se si kanë mundur të zotërojnë e të bëjnë zap një popull të tërë. Të rrethuar nga puthadorë të panumërt që qeshin edhe kur nuk u qeshet (sepse duhet të provojnë në çdo rast se e adhurojnë kryetarin), krerët gjithsesi nuk ndihen plotësisht të sigurt e të qetë. Kjo do të thotë se ata njëkohësisht dyshojnë se mos kundërshtarët dhe ndjekësit e zhgënjyer papritur e pa kujtuar do t’i shembin. Ndaj, nëpërmjet amplifikimit të talljes publike, duke e përdorur këtë “mjet çudibërës” në një rreth akoma më të madh se rrethi i vartësve, servilëve dhe partiakëve që presin të hyjnë ose të mbeten në listën e kryetarit, ata përpiqen të mbajnë gjallë ndikimin dhe fuqinë e tyre nëpërmjet sarkazmës totale. Kjo është arma që i tremb vartësit, që i mban të bashkuar rreth udhëheqësit, por besohet se është edhe çelësi kopil që do të hapë dyert e lavdisë dhe historisë.
Por skena e politikës nuk është si skena e teatrit të estradës, pasi biletat nuk janë si votat, edhe kur këto të fundit shiten e blihen në tregun e zi. Të dehurit me vetveten (me pushtetin) nuk e kuptojnë se, pikërisht këtu qëndron edhe varri i “profesionistëve të talljes”, pasi nuk ka bumerang më të pamëshirshëm sesa kur tallja dhe përçmimi që u bëhet të tjerëve, – të pabarabartëve, – të kthehet një ditë kundër e nuk shërben as për qefinin e harresës. Kështu ka ndodhur tejemot në historinë njerëzore: fillimisht këto lloj personazhesh kthehen në anekdota, më pas në personazhe skeçesh, me të cilat nuk qesh më njeri.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: