Nga: MIMOZA KOÇIU

Prej tri ditësh, shkollat kanë rihapur dyert pas një pushimi të tejzgjatur të fundvitit me urdhër të
qeverisë. Arsyetimi ishte virusi i gripit të stinës dhe pretendimi se grumbullimet nëpër shkolla mund ta kthenin në një epidemi problematike. Madje, për t’i bindur qytetarët se ky ishte shkaku, pati një kujdes të posaçëm që në lajmet e atyre ditëve të spikasnin kronika televizive mbështetëse të arsyetimit të qeverisë, me qytetarë që mbanin radhën nëpër qendrat e kujdesit shëndetësor e spitale, e me mjekë të intervistuar që flisnin për simptomat e jepnin këshilla për mbrojtjen apo kujdesin ndaj këtij virusi. Në fakt kjo është një panoramë që mediat e përcjellin çdo herë në stinën e ftohtë, ashtu si pothuaj të gjithë e kalojmë virusin e gripit çdo dimër, më lehtë a më rëndë, në varësi të kujdesit, moshës a gjendjes shëndetësore. Çka pamë këtë herë ishte se në fund të ditës e javëve pushim, “shkaktari” i mbylljes së shkollave, mbeti i zakonshmi grip, që kishte nisur prej javësh, jo vetëm në Shqipëri. Që ishte krejt i zakonshëm, kjo u duk sërish në edicionet e lajmeve, ku ndaluan kronikat televizive, e munguan edhe dëshmitë e të prekurve në rrjetet sociale, për ndonjë situatë më të jashtëzakonshme se ajo që kemi parë ndër vite. Për pasojë, suksesi i parë e i prekshëm i mbylljes së shkollave ishte largimi i mësuesve nga kërkesa e drejtë për mosmarrjen e shpërblimit të fundvitit, e ndihmuar nga dhënia jo në kohë e pagës së radhës, e jo vetëm. Por kjo është një çështje që u takon vetë arsimtarëve, pra deri ku ata do pranojnë të vetësakrifikohen.
Ana tjetër e medaljes, ajo që nuk iu tregua asnjëherë publikut, edhe pse ky i fundit e merr me mend lehtësisht, janë kushtet e ngrohjes në institucionet e edukimit publik në vend. Pikërisht për shkak të atyre kushteve, personalisht mirëprita vendimin e mbylljes së shkollave. Kushdo që ka një fëmijë në shkollat publike, e kupton qartë referencën e një realiteti që klith mu në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë, jo vetëm në qytete a rrethe periferike të vendit. Klasa të akullta ose të ngrohura me mjete elektrike të siguruara nga prindërit janë ato që dominojnë, edhe kur ka kaldaja të instaluara e funksionale. Të njëjtët prindër që paguajnë taksat e bashkisë, përfshi taksën e infrastrukturës arsimore të vendosur vitin e kaluar nga Bashkia e Tiranës. Si prind, si qytetare, si gazetare, nuk do e kisha imagjinuar kurrë që kjo periudhë ndërprerjeje e mësimit të mos përdorej nga Bashkia e Tiranës për të bërë një skanim të situatës në çdo institucion arsimor publik, e për të hartuar një plan financiar ndërhyrjeje, që do t’i jepte fund fenomenit mizor të klasave pa ngrohje për fëmijët tanë. E ka bërë dhe nuk e ka ndarë me publikun, siç bën për çdo vijëzim rrugor në kryeqytet? E ka bërë, e po punon për ta zgjidhur? Si do ndërhyhet e në çfarë afatesh? Asnjë nga këto nuk po shohim. Përkundrazi, pamë të paimagjinueshmen: kryetarin e bashkisë në një nga kronikat vizive që i prodhon në zyrat e bashkisë me taksat tona, duke na thënë se vetëm 2% e shkollave në Tiranë qenkan pa ngrohje. Nëse ka pasur një inspektim serioz, kryetari dhe stafi i tij e di që kjo nuk është e vërtetë. Sepse, për shembull, nuk quhet e zgjidhur ngrohja në një shkollë si “Fan Noli”, pak metra larg Bashkisë së Tiranës, ku kaldajat ndizen herët në mëngjes për pak kohë dhe pastaj mbahen të fikura gjithë kohën. E të mos flasim për ngrohësit elektrikë, ata që janë blerë nga prindërit, që nuk lejohet të përdoren, sepse “energjinë që shpenzohet e paguan nga xhepi drejtoria e shkollës”!!!! Situatë për të qeshur e për të qarë, e konstatuar në vitin 2017, nga dikush që dy fëmijët i ka edukuar në sistemin arsimor publik. E njëjtë situata ishte edhe një vit më parë, por ngrohësit elektrikë të siguruar nga prindërit, e zbusnin të ftohtin në klasa, në pritje që bashkia të bënte punën e saj për vitin e ardhshëm. Por këtë vit situata duket më e rëndë: kaldajat funksionojnë, por, me sa duket, elementi furnizues i tyre përdoret me kursim. Dhe ky është detyrim i Bashkisë Tiranë, që parashikon një fond të posaçëm çdo vit për ngrohjen në institucionet arsimore. Fatkeqësisht, kur flitet për shërbim publik, pritshmëritë tona mbeten më të mëdha se puna që bën bashkia. E kam fjalën për “punën” që montohet në zyrat e bashkisë, sepse mjaftuan disa investigime të thjeshta të gazetarëve në terren, për të treguar përmes gojës së fëmijëve të veshur e ngjeshur, por edhe të mardhur në shkolla të ndryshme, realitetin, krejt i kundërt me atë që na tha me zë e figurë kryetari i bashkisë.
Në rastin konkret të ngrohjes së munguar në shkolla kemi një nihilizëm cinik në veprim dhe komunikim, një kosto e panevojshme besueshmërie për kryetarin Erion Veliaj. Që realiteti që prodhohet në zyrat e bashkisë, nuk është gjithnjë ai që shohim përditë, kjo nuk do ndonjë investigim të thellë për këdo që jeton në Tiranë. Në rastin e shkollave, janë rreth 200 të tilla në Bashkinë e Tiranës, siç tha kryetari Veliaj, me nxënës, mësues, prindër, gjyshër e të afërm të tjerë, pra një komunitet jo aq i vogël, që dëgjon kryetarin e bashkisë teksa u thotë se ka siguruar ngrohjen në 98% të shkollave në Tiranë, por që nuk identifikon dot shkollat e 2%-shit problematik, e as jep një afat se kur do ua zgjidhë situatën e ngrohjes. Për pasojë, edhe sikur të ishin shifra të besueshme, deklarime të tilla mbeten demagogjike, por jo prova pune. Modeli që po përdor kryetari Veliaj edhe për këtë çështje është komunikimi në pozita sulmi me referenca opozitën. Ky model mund të jetë një punë që i vlen politikisht në raport me partinë që e ka zgjedhur, por aspak me qytetarët, prindërit, të afërmit e vetë ata fëmijë që nga ora 8 e mëngjesit, e nisin ditën në klasat pa ngrohjen e nevojshme.
Nga ana tjetër, po aq e pabesueshme duket heshtja e 61 anëtarëve të këshillit bashkiak, përfaqësuesit e qytetarëve të Tiranës. Të mos kenë fëmijë apo të afërm në arsimin publik që përballen me një situatë të tillë? As votues që përdorin arsimin publik? Përveç ndonjë reagimi në “FB”, nuk kemi parë të shkruar a të deklamuar zyrtarisht nga këshilltarë të djathtë a të majtë, ushtrimin e së drejtës që u njeh ligji, marrjen e një informacioni mbi gjendjen e shkollave në Tiranë. A nuk kanë krijuar këto temperatura kaq të ulëta, një gjendje të pazakontë, që duhet ta sjellë kryetarin e bashkisë përpara këshillit për të raportuar konkretisht se si po e përballon bashkia ngrohjen e shkollave? Sa është fondi i ngrohjes së shkollave për këtë vit? Si po përdoret ai? Cilat janë shkollat problematike dhe çfarë mund të bëhet për to? A mjafton fondi i parashikuar, apo duhet rritur?
Kjo do ishte një mënyrë normale e ligjore komunikimi që do sillte bashkëpunimin e parashikuar edhe në ligj, përtej ngjyrave politike, të kryetarit me këshillin bashkiak. Në vend të kësaj lexojmë denoncime në rrjetet sociale, dëgjojmë kryetarin e bashkisë të thotë se po e sulmokan politikisht e se ai qenka kryetari i njerëzve të punës. Në fakt, realiteti që na dëshmon çdo ditë, me kronikat vizive që përgatit në zyrat e tij, është ai i njeriut të monologëve, që nuk e kupton se është kryetar i çdo taksapaguesi në kryeqytet, pavarësisht nëse ka votuar apo jo për z. Veliaj. Investimi në monologë është ai që i rrëzon çdo lloj pune që bën, pasi në ta lexohet më fort meraku për t’u dukur, sesa detyra e kryer, ajo që në fakt është funksioni bazë i një administratori vendor. Fshehja e problematikës mbi mungesën e ngrohjes në institucionet arsimore është një “punë” që, pa dyshim, mbahet shënim nga qytetarët, pasi fëmijët e mirëqenia e tyre janë arsyeja e investimit të jetës të çdo prindi, në politikë apo jashtë saj.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: