Na ndan vetëm një javë nga eventi i “Top Channel”, “Top Awards”. Ky event është një ngjarje që ecën paralel me emra botërorë, si “MTV Music Awards”, “EMA”, “VMA”, “Grammy’s” etj. Artistët më në zë të muzikës shqiptare do të përballen në një garë të fortë, ku fitojnë cilësia, tendenca, risia etj.

“TMA” do të sjellë më 24 qershor një shfaqje spektakolare, ku nuk do mungojnë performancat ‘live’, teknologjia e lartë, dhe ku do të akordohen 12 çmime muzikore për artistët më të mirë të trevave shqipfolëse. Megjithatë, edhe në këtë kompeticion nuk kanë munguar të pakënaqurit. I pari që foli rreth kësaj çështjeje ishte 2PO2.

Besnik Canolli i “2Po2” ka reaguar i pakënaqur për faktin se emri i këngëtarit Flori Mumajesi ishte vendosur përpara emrit të tij në nominime. Menjëherë pas reagimit të tij, faqja zyrtare e “Top Awards” në “Facebook” ka komentuar në post, duke vlerësuar artistin dhe duke u bërë thirrje të gjithëve që të votojnë për këngën e tij. “Përshëndetje dhe faleminderit për ndihmën! Mendojmë që ju jeni artist më i madh se kaq, për të vënë re një lapsus (që ne e korrigjojmë pa statuse fyese dhe pa zhurmë).

Suksese të mëtejshme në bashkëpunimet tuaja! Dhe fansa të 20 viteve, mos harroni të votoni 2PO2 ft. Flori Mumajesi – ‘Gone Girl’”. Po ashtu edhe Genta Ismajli nuk do të marrë pjesë në këtë kompeticion. Ka qenë menaxheri i saj që ka reaguar ndaj eventit të organizuar nga “Top Media”. “Pasi analizuam çdo gjë, vendosëm që paraprakisht t’u bëjmë me dije atyre se kënga është materiali më i dëgjuar i momentit në çdo vend ku shqiptarët jetojnë”, – thotë ai, duke iu referuar organizatorëve të eventit.

“Kjo gjë është fakt, në dallim nga disa këngë të tjera, të cilat shtyhen me presion, me interesa personale apo që tentojnë të imponohen me çdo kusht nga mekanizma të caktuar. ‘Shake it’ është pranuar në masë jashtëzakonisht të madhe vetëm nga vullneti i lirë i njerëzve dhe nga dëshira e tyre për ta konsumuar sa më shumë.

“Pasi pamë mungesën e këngës, atëherë e kuptuam si konflikt personal ndaj nesh dhe vazhdojmë t’i qëndrojmë kësaj ideje deri në momentin që nga ana e tyre nuk ka sqarime. Nga një kontakt që kam pasur me Ledion Liçon, ai më ka thënë shkurt: ‘Thjesht nuk mendojmë se ka arritur atë pikë mjaftueshëm”.

Në një lloj forme ata kanë fyer mbarë publikun shqiptar duke shpërfillur shijet e tij apo edhe mediat e tjera, të cilat i kanë dhënë këngës hapësirë të jashtëzakonshme. Gjithsesi, ne vazhdojmë t’i trajtojmë me respekt”, – kanë qenë fjalët e menaxherit, i cili shprehet i zhgënjyer nga kjo gjë. Gjithashtu, mbrëmjes së madhe do t’i mungojë edhe Tuna, e cila nuk merr pjesë. Dhurata Dora është një tjetër e zhgënjyer nga ky kompeticion që ka vendosur ta bojkotojë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: