Nga MIRON ÇAKO
Tatuazhi ose “tatoo”  si term vjen nga gjuha polineziane nga fjala tatou, që do të thotë të dekorosh trupin, me anë të inçizimit në lëkurë nëpërmjet shpimit me gjilpërë. Ai quhet sot edhe “body art” (arti i trupit). Njerëzimi që në lashtësi duke qenë një qenie supersticioze ka besuar  në fuqi të mbinatyrshme  të “zotave“, këto sipas tij, të mishëruara në fuqitë e natyrës si te zjarri, gurët, drurët, kafshët. Njeriu që t’i bënte të tijat këto fuqi, ose të mbrohej prej tyre, me anën e aftësisë së tij artistike i stilizoi në imazhe simbolike,  duke i vendosur në trupin e tij me teknika të ndryshme,si inçizimi me shpim, prerje, stampim, zakonisht me bojë të zezë por edhe me ngjyra. Pothuajse të gjithë popujt paganë ranë në këto praktika që kishin karakter okult, d.m.th. lidhje me “perënditë“. Simbolika kishte të bënte me objekte të ndryshme  si p.sh. me diellin, hënën, yjet (shenjat zodiake), me dragoj, kafshë dhe këto lloje tatuazhe quhen “toteme”. Tatuazhi kishte dhe karakter njohës për t’u dalluar një fis nga fisi tjetër, dhe këto lloj tatuazhesh quhen tribale. Por edhe kur tatuazhi është përdorur me karakter  estetik gjithmonë ka qenë i pandarë nga  okultizmi. Shtrirja gjeografike e praktikimit të tatuazhit ishte pothuajse në të gjithë ato vende ku jetonin grupe njerëzish si fise, tribu dhe më vonë në qendrat e qytetërimit të lashtë, si në Egjiptin e Vjetër, Indi, Azi, Kinë, Japoni etj.Tatuazhi është praktikuar edhe në Iliri, në fise të ndryshme. Tek ilirët siç dëshmojnë historianë të lashtësisë si Herodoti (484-425 prK), përdoreshin tatuazhe okultike me origjinë totemike si p.sh. gjarpëri me krahë ose kafshë si kaprolli.Këto tatuazhe dallonin një fis nga një fis tjetër dhe tregonin kultin që çdo njeri dhe fis besonte.

Ndalimi i bërjes së tatuazhit.

I vetmi popull në lashtësi që nuk e aplikoi më tatuazhin ka qenë populli i Izraelit, i cili  1500 vjet pr. Kr. u ndalua me anë të një urdhërese nga vetë Zoti Perëndi,nëpërmjet profetit Moisi.Kjo urdhëresë  gjendet në Bibël tek Libri i Levitikut. “Nuk do të bëni prerje të mishit tuaj për një të vdekur, nuk do të bëni asnjë tatuazh mbi trupin tuaj” (Lev. 19:28).Pra çdo lloj gërvishje apo shenje në trup ishte e ndaluar për hebrenjtë,  sepse kjo praktikë e gabuar  i lidhte hebrenjtë me kultet pagane, që kishin të bënin me botën e të vdekurve, të nëndheshme, praktika okulte shumë të përhapura në Egjiptin e Lashtë  që në Bibël cilësohet si shtëpia e magjisë. Sipas Biblës perënditë e kombeve janë idhuj dhe demonë: “Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.” (Ps. 96:5)

Edhe me ardhjen e Krishtit si Zot-Njeri te populli I Izraelit i cili tha për veten e tij: “Mos kujtoni  se erdha të prish ligjin apo profetët por të përmbush“ (Math. 5:17), kjo urdhëresë e ligjit që ndalon të bërit e tatuazhit, vazhdon të jetë në fuqi edhe për të krishterët, populli i ri i Zotit i përbërë nga Izraelitët dhe kombet. Në krishtërim kjo urdhëresë ndaluese mori një kuptim më të plotë, jo vetëm që tatuazhi nuk duhet të bëhet sepse ishte një veprim okultik ndaj idhujve në trupin e njeriut, por kur një njeri bashkohet me Krishtin me anë të besimit dhe pagëzimit: “Sa u pagëzuat më Krishtin më Krishtin u veshët, Aliluia“(Gal. 3:27),  trupi i të krishterit tashmë nuk i përket më atij por është gjymtyrë e  Krishtit, tempull i Perëndisë ku banon Shpirti i Shenjtë. Këtë gjë e ka sqaruar shumë qartë apostulli i kombeve Pavli, duke thënë: “Trupi është për Zotin” ( I Kor. 6:13) “Trupi juaj është tempull i Shpirtit të Shenjtë” (I Kor. 6:19) “A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit“ (I Kor. 6:15).

Prandaj ata që besojnë tek Krishti si Zot dhe e quajnë veten të krishterë, nuk u lejohet asnjë tatuazh  në trupin e tyre edhe kur kjo kërkohet të bëhet me simbole të krishtera si kryqi, pëllumbi, fytyra e Zotit, e Shën Marisë etj. Bërja e këtyre simboleve të krishtera në trupin e njerëzve përveçse është e gabuar dhe e ndaluar, kalon shpesh në kufirin e blasfemisë, sepse shenjat dhe simbolet e krishtera bëhen në vende të papërshtashme të trupit që njeriu me dije ose pa dije mund t’i përdhosë.  P.sh. bërja e kryqit në këmbë është e ndaluar dhe blasfemi.Ose një rast tjetër bërja e kryqit në një parakrah në pamje të parë duket korrekte, por  kur parakrahu ngrihet sipër, kryqi shkon me kokë poshtë dhe kjo është një shenjë satanike dhe blasfemi e dënueshme.

Por jo vetëm tatuazhet simbolike nuk lejohen, por as edhe ato estetike në pjesë të trupit,si floreale,emra etj,  sepse bërja e një tatuazhi edhe me karakter estetik, është një fyerje për vet mjeshtrin e madh Zotin Krijues, sepse është si t’i thuash Zotit se krijesa që t’i ke bërë ka nevojë për një lloj retushi estetik nga ana njerëzore. Mendoni se si do të ndihej Leonardo Da Vinçi kur dikush do ta quante veten më të aftë se ai dhe do të guxonte të retushonte figurën e Mona Lizës. Mendoj se jo vetëm Leonardo si autor do të reagonte negativisht, por çdo njeri i arsyeshëm nuk do ta lejonte këtë ndërhyrje , në këtë kryevepër arti  të bërë nga dora e njeriut. Por sa më shumë e gabuar do të tingëllonte kjo gjë kur ndërhyhet tek njeriu, kjo kryevepër e Perëndisë. Prandaj çdo ndërhyrje me karakter estetik të panevojshëm, përveç rasteve kur janë në ndihmë të shëndetit, është një arrogancë dhe fyerje për Zotin, krenari egoiste, që është shkaku i parë i mëkatit dhe i çdo rënieje njerëzore, siç shkruhet:“Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare” (Fj. Ur. 16:18)

Prandaj të krishterët janë thirrur të përlëvdojnë Perëndinë në trupat e tyre (1 Kor. 6: 19-20) dhe të gjitha t’i bëjnë për lavdinë e Perëndisë (1 Kor. 10:31) dhe “të mos konformohen me botën“ (Rom. 12:2)“Se miqësia me botën( e mëkatit) është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që do të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.”( Jak 4:4)

Tatuazhi rrezik për shëndetin.

Shumë e rëndësishme për ta theksuar është se ,ligjet e Zotit të dashurisë dhënë popullit të tij dhe gjithë njerëzimit, kanë karakter të dyfishtë, si për të mbrojtur shpirtin nga mëkati por edhe trupin nga sëmundjet. Sot shkencërisht është vërtetuar se tatuazhet janë një nga shkaktarët kryesorë e përhapjes së sëmundjeve infektive si Hepatiti C, Hepatiti B, Tuberkulozi, Sida dhe sëmundjet kancerogjene të lëkurës etj. Mjekët dermatologë thonë se njerëzit me tatuazhe të mëdha dhe të zeza janë më të rrezikuar nga melanoma(kanceri i lëkurës). Sipas dermatologëve australianë, tatuazhet e mëdha dhe të zeza mund të krijojnë përmbërës kancerogjene kur ekspozohen ndaj rrezeve të diellit. Po ashtu edhe ngjyrat përmbajnë kimikate të dëmshme dhe ende nuk është gjetur asnjë dëshmi se ngjyrat me të cilat vizatohet trupi janë të sigurta, sepse ato përmbajnë elementë kimikë si nikel, arsenik dhe plumb dhe këto ngjyra të cilat hyjnë brenda lëkurës, e dëmtojnë lëkurën. Por jo vetëm mjekët e huaj por edhe ata shqiptarë i quajnë tepër të dëmshme për lëkurën tatuazhet dhe pirsing, por edhe për të gjithë organizmin.

Tatuazhi një problem social dhe ekonomik.

Një shqetësim tjetër që po kthehet në problem social është kur personi pendohet për tatuazhin që ka bërë dhe kërkon ta heqë nga trupi i tij. Arsyet  mund të jenë të shumta, si p.sh. tatuazhi zbehet, i kalon moda, ose nuk i përshtatet moshës dhe ndryshimit të  gjendjes shoqërore. Ndryshe mendon dhe vepron njeriu  kur është i ri dhe pa përvojë, duke u drejtuar më shumë nga instikti dhe opinioni i të tjerëve dhe ndryshe kur rritet dhe udhëhiqet më shumë nga arsyeja, duke menduar më tepër për të mirën e vetes. Një ndër katër amerikanë të moshës 18-30 vjeç duan të heqin tatuazhet .Kjo është diçka e vështirë dhe asnjëherë nuk është 100 % e sigurtë se tatuazhi mund të largohet si një shenjë e dukshme nga trupi,duke mbetur si një njollë e të kaluarës me gabime, apo ngjarjeve dhe persona që nuk do më ti kujtosh.

Por vihet re se përveç biznesit në rritje për bërjen e tatuazheve, një tjetër biznes në rritje është ai i heqjes së tatuazhit. Zakonisht më efikase është përdorimi i rrezeve lazer me disa seance, ose edhe me operacion e lëkurës. Kështu ata që bien në fillim viktimë të dëshirës për të bërë një tatuazh dhe më shumë, duke dururar dhimbje dhe harxhuar para, bien përsëri në vështirësi duke përballuar dhimbje dhe kosto financiare, për heqjen e tatuazhit duke e futur  veten në një rreth vicioz.

Rishfaqja e tatuazhi në kohën e sotme.

Me ardhjen e krishtërimit si doktrinë dhe moral në të gjithë botën pagane, praktikimi i tatuazhit u zvogëlua, madje u zhduk pothuajse.  Tendenca për  tatuazh filloi të rishfaqet në rrethet shoqërore aristokrate të Anglisë në shek. XIX. Duhet të dimë se në këtë shekull sidomos në Angli dhe pastaj në të gjithë Europën u përhap ateizmi i frymëzuar nga teoria e Evolucionit dhe përqafimi i kësaj teorie filloi të shfaqë një frymë rebelimi ndaj ligjeve dhe moralit strikt dhe  prej shekujsh të krishtërimit.

Mbas Luftës së Dytë Botërore dhe tronditjes që pësoi njerëzimi, duket një zbehje e bërjes së tatuazhit, por duke filluar që nga viti 1960-70 kemi një rishfaqje të kësaj praktike sidomos midis grupimeve rebele të të rinjve hippie, grupet muzikore rrokiste, ose grupet motoriste, etj. Edhe  lëvizjet feministe që kërkonin të fitonin një pavarësi të gruas  në  marrëdhëniet familjare dhe shoqërore, të cilat donin liri të bënin çfarë të donin me trupat e tyre deri tek ligjërimi i abortit, ndikuan që tatuazhi të përhapej edhe tek femrat, ku më përpara e mbanin të fshehur ca gra aristokrate rebele dhe të zbuluar vetëm prostitutat. Mbas viteve 90 tatuazhi u bë pjesë e kulturës së përgjithshme  në Amerikë e Europë, p.sh. në SHBA statistikat 2013 tregojnë se rreth 42% e njerëzve  kanë një tatuazh, në Kanada 38 %, në Irlandë 36 %, në Britaninë e Madhe 29 %, pra një në pesë kanë imazhe “tatoo” në trup, dhe ka një tendencë që të rritet numri i femrave dhe grave që bëjnë tatuazh në trupat e tyre.

Një ndër arsyet që tatuazhi po bëhet kaq i shpeshtë dhe masiv, është se tatuazhi po bëhet trendi (moda) e njerëzve modern, e vipave të artit, kinemasë, sportit, edhe të tjerë njerëz që ndikohen nga shkëlqimi i jetës, pushtetit, famës së  tyre, duan t’i imitojnë, prandaj duan ta kenë këtë shenjë në trupin e tyre sepse sipas tyre pa tatuazh do duken demode dhe të rëdomtë përpara të tjerëve. Prandaj tatuazhi është bërë sot emblema e “modernizmit”, që në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse  rikthim në primitivizëm, paganizëm, idhujtari. Kjo nuk duhet të na çudisë sepse Bibla si fjala e Zotit për të shkuarën, për të sotmen dhe për të ardhmen, na paralajmëron: “Edhe Fryma thotë qartë se në kohët e mëpasshme disa do të mohojnë besimin, e do t’ua vënë veshin frymërave mashtruese, edhe mësimeve të demonëve, që flasin gënjeshtra me hipokrizi, që e kanë ndërgjegjen e tyre të djegur” (1 Tim. 4:1-2).

Mesazhi, që trendi i tatuazhit po na përcjell sot!

Kjo frymë rebele do të amplifikohet gjithnjë e më tepër dhe do të arrijë kulmin ku njerëzit do të largohen aq shumë nga Perëndia sa do adhurojnë haptas djallin dhe antikrishtin (lideri botëror) ashtu siç na ka thënë dhe apostull Pavli: “Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrekullish të rreme dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar. E prandaj Perëndia do t`iu dërgojë atyre një gënjim që do t`i bëjë të gabojnë, që t`i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan të vërtetës, por përqafuan ligësinë!” (II Sel. 2:9-12)

Me vendosjen e rendit të antikrishtit në botë, për  të gjithë ata që do të jenë nën kontrollin e tij, në fund të  Biblës  tek Zbulesa na thuhet: “Veç kësaj bëri që të gjithëve, të vegjël e të mëdhenj, dhe të pasur dhe të varfër, dhe të lirë dhe skllevër, t`iu vihet një damkë mbi dorën e tyre të djathtë ose mbi ballin e tyre dhe që askush të mos mund të blinte ose të shiste, po të mos kishte damkën ose emrin e bishës ose numrin e emrit të saj. Këtu është urtësia. Ai që ka mend, le të bëjë llogari numrin e bishës, sepse është numër njeriu; dhe numri i tij është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.” (Zb. 13: 16-18).

Duke patur këto profeci të Biblës, trendi i  tatuazhit që po  bëhet gjithnjë e më tepër global me të gjithë problematikat e tij, po na tregon një mesazh të qartë për ata që kanë sy për të parë, se ditët janë të këqia dhe njerëzimi po i afrohet haptas adhurimit të  djallit (njerivrasës që nga fillimi), i cili është duke punuar me një strategji afatgjatë, me një axhentë dhe një qëllim të përcaktuar, që përveç frymës ateiste, rebele, amorale, perverse, të ringjallë tek njerëzit tatuazhin i cili në zanafillën e tij ka patur karakter okult dhe është i ndaluar nga Zoti. Në këtë  mënyrë i ligu do ta ketë më të lehtë t’i largojë njerëzit nga Perëndia i vërtetë, t’i bashkojë me veten dhe demonët t’i vulosë me damkën e antikrishtit  666 që do të thotë e keqe pa kthim. Por kujdes  në Zbulesë thuhet edhe kjo: “ Edhe një engjëll i tretë shkoi prapa tyre, duke thënë me zë të madh: “Kush t’i falet bishës dhe ikonës së saj, edhe të marrë shenjën mbi ballin e tij ose mbi dorën e tij, 10 edhe ai do të pijë nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij; edhe do të mundohet me zjarr e me squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit. 11 Edhe tymi i mundimit të tyre ngjitet në jetë të jetëve; edhe s’kanë prehje ditë e natë ata që i falen bishës e ikonës së saj dhe ai që merr shenjën e emrit të saj.” (Zb.  14: 9-11)

Zoti të na ndriçojë  që të mohojmë të keqen, sa nuk është vonë!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: