NGA JETON SELIMI

Prej vitit 2018, Shqipëria dhe Kosova do të mar rin pjesë edhe në një kompeticion tjetër, përveç kualifikueseve të Europianit apo Botërorit. UEFA ka vendosur të organizojë një turne zyrtar për kombëtaret, të quajtur Nations League, që do të zhvillohet çdo dy vjet. Sipas formatit, edicioni i parë i Nations League do të zhvillohet nga shtatori deri në nëntor 2018 dhe turneu final me 4 kombëtare do të zhvillohet në qershor 2019.

56 kombëtaret e UEFA-s do të ndahen në 4 liga (A, B, C, D), pra turneu do të funksionojë si kampionat: 3 Liga me 4 grupe, me 3 skuadra secili, ndërsa Liga D do të ketë 4 grupe, me nga 4 skuadra secili grup. Në Ligën A, që është elita do të marrin pjesë 12 skuadra të ndara në 4 grupe me fituesit e çdo grupi që shkojnë në turneun final, për të luajtur për fitimin e trofeut.

Gjithashtu, Nations League do të shërbejë për të çuar në play-off të Kampionatit Europian kombëtaret që kanë sukses në Nations League, por dështojnë në kualifikuese, çka mund të kishte ndihmuar ndonjë ekip si Holanda në kualifikueset e shkuara, nëse do të luhej Nations League. Ndërkaq, skuadra e fundit në secilin grup të Ligës A do të bjerë në Ligën B, prej ku do të ngjiten lart fitueset e grupeve e kështu me radhë për të gjitha grupet. Ndarja do të bëhet në bazë të renditjes së kombëtareve në UEFA, ndaj Shqipëria do të përballet me skuadrat që ka rreth vetes në renditjen e UEFA-s, ndërsa Kosova për momentin do të ndeshet me kombëtaret e vogla, duke qenë se sapo është anëtarësuar në UEFA.

Është një lajm i shkëlqyer për disa arsye: evitohen miqësoret, ku shpesh përballë vihen ekipe modeste me ekipe shumë të forta; kombëtaret nuk vuajnë më për të rregulluar ndeshje miqësore; të ardhurat janë të garantuara, sepse e drejta televizive do të menaxhohet nga UEFA dhe do të shpërndahet në mënyrë të barabartë, ndaj Shqipëria do të ketë përfitime të mëdha; impenjimi i lojtarëve dhe vëmendja mediatike do të jetë shumë më e madhe, sepse do të jetë një organizim si kampionat, ku ka gjithmonë një arsye për të luftuar, në çdo ndeshje, duke qenë se vendi i parë shkon një kategori më lart ose në turneun final, ndërsa vendi i tretë në grup bie nga liga ku bën pjesë. Nations League në vitin 2018 do të luajë fazën e grupeve në muajt shtator, tetor e nëntor (6 ndeshje vajtjeardhje për çdo kombëtare, në Ligën përkatëse, përveç Ligës D, ku kombëtaret do të luajnë 8 ndeshje secila në total, me sistemin vajtje-ardhje).

Në mars do të luhen ndeshjet e para kualifikuese për “Euro 2020” dhe do të vazhdojnë në shtator, tetor e nëntor. Ndërkaq, qershori i vitit 2019 do të rezervohet për turneun final mes 4 kombëtareve, që do të luftojnë për trofeun e Nations League, ndërsa në mars të vitit 2020 do të luhen ndeshjet play-off për në “Europianin 2020”, ku mund të marrin pjesë edhe një apo më shumë kombëtare nga Nations League, në rast se kanë shkuar në turneun final të Nations League, por nuk janë kualifikuar për në Europian.

I njëjti diskutim vlen edhe për periudhën 2020-2022: pas “Euro 2020”, në shtator deri në nëntor do të luhen ndeshjet e Ligave të Nations League, që do të zhvillojë turneun final në qershor 2021, vit kur do të zhvillohen kualifikueset e Kupës së Botës 2022, në muajt mars, shtator, tetor e nëntor. Për sa i përket transmetimit televiziv, Nations League do të luajë nga e mërkura deri të martën, pa ndërprerje, me shumicën e ndeshjeve në orën 20.45, por të shtunën dhe të dielën do të luhet edhe në oraret 15.00 e 18.00, si në “Euro 2016”. Në total do të jenë rreth 20 ndeshje që Shqipëria do të luajë në periudhën 2018-2022, mes Nations League e kualifikueseve, natyrisht pa llogaritur ndonjë kualifikim të mundshëm në fazat finale të kompeticioneve.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: