NGA: ALBERT FRASHËRI
Humbja e papritur e artistit të shquar Bujar Lako, është një ngjarje që trondit nga pikëpamja afektive shoqërinë, të afërmit dhe miqtë. Unë jam një nga qytetarët e kësaj shoqërie, por edhe një kushëri i afërt dhe mik i lashtë i tij. Jemi rritur pranë njëri-tjetrit duke lutur prindërit të na lejonin të flinim në shtëpinë time apo të tijën, të hanim me nxitim e të futeshim në të njëjtin shtrat për t’i rrëfyer njëri-tjetrit dëshirat dhe ëndrrat që kishin filluar të zinin shtat te secili nga ne. Ai u rrit në një familje me prindër të shkolluar mirë e të emancipuar që nuk i ndërhynin fëmijës në zgjedhjen e udhës së jetës. Bujari ëndërroi në heshtje e në vite derisa, pas shkollës së mesme, konkurroi dhe fitoi të drejtën për t’u formuar si aktor në Institutin e Lartë të Artit Dramatik të Tiranës. Jetën artistike të Bujos, siç e quanim në familje që nga fëmijëria e hershme, e njohin të gjithë, talentin, shkëlqimin dhe parabolën e ndritur të krijimtarisë së tij. Unë nuk desha të flas për këtë pamje të jetës së Bujar Lakos, por për atë çka na lidh me krijimtarinë e artistit në përgjithësi e me artin, si nevojë jetike të çdo individi e të shoqërisë. Janë pikërisht parabola dhe vdekja e artistit, dramaticiteti i jetës së tij që nuk dua të anashkaloj, sepse ato na ftojnë të gjithëve të meditojmë për disa të vërteta të ndrydhura nga heshtja e fajshme e secilit prej nesh. Pak vite pas rënies së regjimit totalitar, takova në Romë aktorin e madh të teatrit e të filmit shqiptar, Kadri Roshin.

Ishte fillimi i viteve ‘90. Qindra janë rolet e krijuara nga ai qytetar i madh i Shqipërisë. Kaluam një mbrëmje së bashku, që nuk do ta harroj, sepse krahas kënaqësisë që gjendesha në shoqërinë e atij artisti të shquar, pësova një tronditje të thellë e të paharruar. Ai artist që i kishte shërbyer kombit të vet me krijime magjistrale për rreth 40 vite, jetonte me dinjitet të rrallë varfërinë e tejskajshme, edhe pse kjo lëndonte shpirtërisht jetën e tij. Pikërisht ky mendim më shkaktoi dhimbje por, nga ana tjetër, në sytë e mi u lartësua figura e këtij artisti dhe njeriu të madh. Mendova që në udhën e demokratizimit të vendit kjo gjendje do të ndryshonte shpejt. Natyrisht gabova. Moxarti vdiq i varfër dhe nuk pati një varr. Kufoma e tij përfundoi në një gropë bashkë me fukarenj të tjerë, bash në qendër të Vjenës. Ky ishte një turp i asaj kohe. Nuk di a rrezikojmë edhe ne po atë përfundim për intelektualët, artistët dhe njerëzit e shquar të kombit. Artistët e vërtetë janë njerëz thellësisht të pavarur. Bujo ishte fjalëpak dhe në thelb njeri i mbyllur. Verën e shkuar isha në Tiranë dhe hëngrëm së bashku dy dreka. Një në shtëpinë e së motrës, Diana bujare e palodhur, dhe tjetrën në një restorant jashtë qytetit. E trajtonim njëri-tjetrin më shumë si miq të rinisë sesa si njerëz të një familjeje. Miqësia e hershme dhe nevoja për t’u parë i mbushën me emocione ato dy ditë. Ai fliste pareshtur, gjë jo e zakonshme për Bujon. Ndjenjat dhe mendimet për ngjarjet dhe kohën tonë, instinktivisht, ia fshehëm vetes. Por… kur marrëdhëniet mes njerëzve, përveç mendimeve, kanë edhe afeksione të përbashkëta, atëherë çuditërisht dhe pa fjalë, të vërtetat thelbësore depërtojnë njëri-tjetrin. Ndoshta aktori i madh Bujar Lako ia fshihte vetes dramën e artistit të kohës sonë.

Ai kishte një fole ku lumturohej me shoqen e tij të jetës, Mirën dhe me djalin e tij të mrekullueshëm, këngëtarin Bojken Lako. Mira, mësuese e talentuar e violinës që në rininë e saj. Foleja e tyre: një dhomë e një kuzhinë prej 35 vitesh!!! Këto mendoja këto ditë… Me sa duket, humbja e papritur e njeriut të vyer e trondit ndjeshmërinë tonë dhe ne perceptojmë dhe rijetojmë disa të vërteta që i njihnim edhe më parë, por ndaj të cilave kemi qenë indiferentë. Kjo e dyta është drama jonë, d.m.th. e qytetarit dhe e mbarë shoqërisë. Ishte pikërisht kjo arsyeja për të cilën përmenda artistë të tillë si Kadri Roshi dhe Moxarti. Pavarësisht nga dinjiteti i njeriut dhe gjenialiteti i muzikantit, varfëria e tij bashkë me kufomën përfunduan në një gropëvarr të përbashkët të njerëzve të vobektë bash në qendër të Vjenës. E pabesueshme… por e vërteta nuk mund të braktiset në mëshirën e hipokrizisë. Shoqëria mund të shpërblejë me medalje e tituj krijimtarinë artistike të bijve artistë të saj dhe, nga ana tjetër, t’i braktisë në kushte të papranueshme të jetës individuale e të krijimtarisë. Nuk mjafton një medalje apo titull për të praruar gjoksin e artistit. Në kohën e Molierit, artistët kur jepnin shfaqje në oborret mbretërore hanin së bashku me shërbyesit e pallatit. Kanë kaluar shekuj nga ajo kohë. Artistët tanë, gjithashtu mbeten njerëzit më të varfër të shoqërisë, duke qenë më të pasurit nga ana shpirtërore dhe në pikëpamje të krijimtarisë individuale. Mendimi i lirë e i pavarur përbën forcën e tyre, pavarësinë e ideve e të veprimit. Pa artin, kombi nuk ka të ardhme dhe zbeh ndjeshëm natyrën njerëzore të ekzistencës së tij. Kujtoni fillimin e shekullit XX.

U shembën dy perandori: austriake dhe turke. E para vazhdoi të përparojë si një nga vendet më të zhvilluara të Europës. E njëjta gjë nuk mund të konfirmohet për të dytën. Mendoj që arsyeja e kësaj diference do kërkuar në pamjet kulturore dhe shkencore të dy perandorive. E para krijoi kontribute të shquara në art e në shkencë. E dyta jo. Pra vetëm diferenca e madhe kulturore shpjegon prosperitetin e njërës dhe prapambetjen relative të tjetrës. Historia është një nga fushat e dijes njerëzore. Ajo përpiqet të dokumentojë e të shpjegojë të shkuarën, dhe kjo na ndihmon të kuptojmë më mirë të sotmen. Pa këtë ne ecim kuturu kah e ardhmja, pa ide të qarta e jo të pajtueshme me universin kulturor e filozofik të kombit. Por njohja e historisë nuk është e mjaftueshme për të kuptuar pikërisht rolin dhe vendin e njeriut në procesin historik të formimit të idealeve e të traditave kombëtare. Këtë e bën arti dhe asgjë nuk mund ta zëvendësojë atë dhe as njerëzit e saj. Ne njohim njeriun e lashtë, karakterin, sjelljet dhe pasionet e tij përmes poemave të Homerit, të Virgjilit apo të Dantes, përmes filmave që ringjallin në vetëdijen tonë jetën e individit e të shoqërisë duke filluar nga lashtësia. Ne e njohim më mirë të shkuarën tonë përmes vargjeve të Naimit e të Migjenit, të Fishtës e të Mjedës, sepse në veprën e tyre kemi njohur vuajtjen dhe përpjekjet titanike të njeriut gjatë ekzistencës së tij. Mendoni se si Migjeni në prani të mjerimit dhe ligështimit të shpirtit i lutet Perëndisë t’i japë një simfoni. Shërimin e vuajtjes njerëzore ai e kërkon te muzika, te arti. Asnjë poet në historinë e letrave të të gjitha kohërave nuk e ka shprehur me kaq art shpirtin e madh të poetit. Këto janë vargje monumentale që shprehin një të vërtetë themelore të jetës sonë: e Bukura si thelb i qenies njerëzore. Ne njohim përmes filmave shumë aspekte të Rilindjes shqiptare.

Kujtoni, ju lutem, filmin “Udha e shkronjave” dhe interpretimin magjistral të aktorëve Bujar Lako, Sandër Prosi e Ndrekë Luca. Në sajë të veprës së tyre ne arritëm të përjetonim atë histori të dhimbshme e të lavdishme të kombit tonë. Ajo është e lavdishme sepse, sikundër thekson edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shqiptarët janë kombi i vetëm që ka dëshmorët e tij për mbrojtjen e gjuhës së lashtë të tij. Aty, këta artistë të rrallë skalitin monumentin e idealit, vuajtjes dhe sakrificave të njeriut të Rilindjes. Interpretime magjistrale, prekëse e të paharruara që ndihmojnë qytetarin të përjetojë emocione të thella e ideale të larta. Ky është arti që shndërron në urtësi të vërtetat themelore të historisë njerëzore. Ai brez aktorësh e artistësh themeloi shkollën kombëtare të artit dramatik, të filmit, të muzikës së kultivuar e të arteve figurative. Ngriheshin në 4 apo 5 të mëngjesit për të blerë një litër qumësht për fëmijët e tyre. Ata e jetuan me dinjitet këtë poshtërim. Shprehem kështu sepse te kafsha, uria përbën një dhimbje fizike. Përkundrazi, te njeriu ajo sjell një dhimbje shpirtërore të pamasë pikërisht sepse fyen dinjitetin njerëzor për padrejtësinë që pëson. Ai brez do të mbetet në historinë e artit kombëtar si një kometë që e ndriçoi universin shqiptar, edhe pse diktatura e kufizoi ndjeshëm lirinë e krijimtarisë artistike. Atij brezi i përket figura e madhe e Bujar Lakos, Bujos – sikundër shprehet edhe Edi Rama. Në këto momente të humbjes së një artisti të vyer të kombit unë dua të besoj që do të vijnë kohëra më të mira nëse njerëzit që na qeverisin e ndjejnë nevojën e artit për mbarë shoqërinë. Nga pikëpamja intelektive, diferenca mes njeriut dhe kafshës qëndron në vetëdijen dhe në thelbin e ekzistencës vetjake. Njeriu, madje jo të gjithë, është i vetëdijshëm për ekzistencën e vet, për zgjedhjet dhe veprimet e tij. Cili do të ishte thelbi i ekzistencës sonë? Me siguri kërkimi dhe krijimi i së bukurës përbën një thelb universal të jetës njerëzore. Pikërisht kjo lidhet me të gjitha format e artit. Natyra e ka ngjizur në qenien tonë këtë instinkt të kërkimit të së bukurës, deri edhe te dashuria, që ne e identifikojmë me të bukurën.

Çdo akt i krijimit përbën artin, idealin e ekzistencës sonë. Oscar Wilde shkruante: “Të gjithë kemi lindur në baltë, por disa nga ne vështrojnë yjet.” Me siguri ai kishte ndërmend artistin. Arti prej mijëra vjetësh është ylli polar i jetës njerëzore. Pa vetëdijen e së bukurës si formë dhe ideal të ekzistencës sonë, të shumtën do të mbushnim barkun me bukë. Duke qenë kështu, si ta kuptojmë gjendjen e vështirë të artistit thuajse në të gjitha rendet shoqërore të së kaluarës dhe në disa rajone të kohës sonë? Vështirësitë e artistit burojnë nga liria dhe pavarësia e tij. Ai jeton dhe krijon në hapësirën mes qytetarit dhe pushtetit apo regjimit. Nga njëra anë qytetari, nga ana tjetër pushteti, forcat e errëta të shoqërisë, e në shërbim të tyre mediat. Qytetari e formon mendimin e pavarur të tij nën ndikimin e artit, në kuptimin e gjerë të fjalës, dhe të propagandës. Arti ka fuqi depërtuese të konsiderueshme. Për këtë arsye, të gjitha format e totalitarizmit, dhe jo vetëm ato, përpiqen ta shndërrojnë artin në një instrument të propagandës. Kjo përbën konfliktin më të madh që vërehet mes artistëve dhe propagandës pushtetare. Artistët janë viktimat e para të çdo regjimi e në çdo kohë. Kjo ndoshta ka edhe një shfaqje në një formë tjetër. Ideja e totalitarizmit të të majtave në Europë e mbajti pushtetin për një kohë të gjatë, duke u ndarë qytetarëve në mënyrë të barabartë mjerimin e skajshëm që brezi ynë njohu që në fëmijërinë dhe rininë e vet.

Thuhej si një batutë metropolitane: Forca e diktatorëve qëndron në varfërinë e madhe të qytetarëve. Ndoshta sepse varfëria na skllavëron e… pastaj na nxin edhe shpirtin. Artisti ynë vazhdon të jetojë si një nga qytetarët më të papaguar të kohës sonë. Është gjendja ekonomike që i jep dinjitet dhe liri krijimtarisë artistike. Jo medaljet, dhe as titujt. Ndoshta korrupsioni i madh i kohës sonë ua err sytë atyre që përcaktojnë parametrat ekonomikë të jetës së qytetarit. Warren Buffett, financieri më i shquar amerikan thotë: “Mund t’i besosh një detyrë një individi nëse ai ka dy cilësi: e para, duhet të jetë i aftë për detyrën; e dyta, duhet të ketë integritet moral të lartë. Nëse nuk e ka cilësinë e dytë, ajo e para nuk ka asnjë vlerë.” Bujar Lako pësoi një goditje të papritur në zemër. Sistemi i Urgjencës, i njoftuar me detaje, erdhi pa asnjë rezervë oksigjeni që mund t’i kishte shpëtuar jetën Bujos. Ai mbylli sytë përjetësisht dhe mori me vete zhgënjimin e një jete të vështirë, pa ua besuar as miqve dëshpërimin e tij. Heshtja elokuente dhe dhimbja që fshihej pas saj nuk ia zbehën shpirtin por, me sa duket i robëruan zemrën. Le të urojmë që vdekja e artistit të na ndriçojë vetëdijen dhe kuptimin e qartë të rëndësisë që arti ka për shoqërinë. Unë dua të shpresoj që vdekja e artistit të madh të na e zbulojë zvetënimin dhe hipokrizinë me të cilat kemi fyer idealin e tij për demokracinë.
* Terni (Itali)
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: