Nga: KLODIANA HAXHIAJ*
KAVAJE- Një ditë pas masakrimit me sëpatë të 68-vjeçares Shazivare Dervishi, dyshohet se krimi makabër i ndodhur në qendër të plazhit të Golemit ka qenë i planifikuar më parë. Burime pranë grupit hetimor dje bënë me dije se autori i vrasjes, Veli Dervishi ka vepruar me gjakftohtësi dhe se pas kryerjes së testit të alkoolit, nuk ka rezultuar që ai ka qenë i dehur kur ka goditur për vdekje nënën e tre fëmijëve të tij. Sipas hetuesve të çështjes, 73-vjeçari duke fajësuar gruan për shkakun e vrasjes, përpiqet të justifikohet para familjes dhe opinionit publik.

Dyshimet për një vrasje të paramenduar kanë marrë shkas dhe nga dëshmia e dhënë nga i moshuari Dervishi nga Tirana. Gjatë marrjes në pyetje në polici ai ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa është shprehur se gjithçka ka ndodhur nga xhelozia dhe se ishte i bindur që e shoqja e kishte tradhtuar. “Gruaja e kishte mbushur kupën. Ajo më ka tradhtuar gjithë jetën, ndërsa më bënte skena xhelozie. Nuk mund ta duroja dot më, pasi më ngrinte nervat dhe më acaronte sa herë më pyeste se ku isha e me kë isha. Kështu bënte gjithmonë, ndaj më erdhi në majë të hundës”, – është shprehur Veli Dervishi.

Gjithashtu, ai ka pohuar para bluve se “mbrëmjen e së dielës, unë kisha dalë e po bëja xhiro bregut të detit. Shëtita derisa u errësua. Kur u ktheva në shtëpi, gruaja më ngriti nervat. Filloi të më pyeste: Ku ishe? Me kë ishe? Kë takove? M’i ngriti nervat në kulm, ndaj i thashë ta qepte gojën se e kishte mbushur kupën, por ajo nuk po pushonte. I thashë të shkonte pak në depo se kisha lënë diçka atje. Kur shkoi atje, e vrava me sëpatë. E godita në kokë. Më pas shkova dhe bëra denoncim në polici. Ajo më tradhtonte, dhe për këtë nuk kisha dyshime. Më ka tradhtuar që kur ishim të rinj e deri tani”.

DJALI I VIKTIMES
Bashkëshortët Dervishi, të cilët banonin në një apartament në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, kanë tre djem, dy prej të cilëve janë emigrantë në Angli dhe Itali. Djali i vogël i çiftit, i cili jeton në Tiranë, ka thënë në polici se prindërit e tij, edhe pse të moshuar, grindeshin vazhdimisht për xhelozi dhe se kjo ishte arsyeja që ai nuk ishte martuar, por jetonte vetëm.

Nga ana tjetër, mësohet se nga ekspertiza mjeko-ligjore ka rezultuar se Shazivare Dervishi është goditur tri herë me sëpatë në kokë (pranë veshit), duke i shkaktuar thyerje të kafkës. Trupi i pajetë i viktimës u tërhoq vetëm nga pjesëtarët e familjes së saj, ndërsa nuk kanë qenë të pranishëm në morg të afërmit e bashkëshortit.

BANORET
Vrasja e 68-vjeçares Shazivare Dervishi ka tronditur banorët e plazhit të Golemit, të cilët thanë se viktima dhe bashkëshorti i saj jetonin gjatë verës aty që prej 17 vitesh. Fqinjët na treguan dje shtëpinë dykatëshe të bashkëshortëve Dervishi në plazh. Banesa ishte funksionale vetëm në katin e parë, ku çifti jepte me qira 4 dhoma, ndërsa kati i dytë është ende i papërfunduar.

Në oborrin e zbukuruar me lule gjendeshin bosh dy karrige. Kati i dytë ishte ndërtuar vetëm si karabina. Në krah të shtëpisë gjendet një depo e vogël, ku mbahen materialet apo veglat e punës. Pikërisht në këtë vend u masakrua nëna e tre fëmijëve. Pas vrasjes, pushuesit që kishin marrë dhomat me qira ishin larguar, ndërsa banesa ruhej nga një polic.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: