Gjykata e Tiranës dënoi me 14 vite burg Artan Markun, i cili akuzohet për vrasjen e shtetasit Arben Kanina, ngjarje kjo e ndodhur në shkurt të këtij viti, në një nga ishgodinat i Institutit Bujqësor, në Kamëz. Gjatë seancës gjyqësore, i pandehuri ka pranuar autorësinë e krimit duke shpjeguar edhe rrethanat e ngjarjes.

Para togave të zeza, Marku ka treguar se e kishte qëlluar viktimën me sende të forta, pasi ai i kishte treguar se kishte ngacmuar seksualisht një vajzë 10-vjeçare. Duke pranuar fajësinë, autori i krimit të rëndë përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, ku me 1/3 e uljes së dënimit, ai do të vuajë 9 vite e 4 muaj burgim.

Ngjarja në fjalë u shënua më datë 27 shkurt të këtij viti. Viktima dhe autori ishin miq me njëri-tjetrin dhe ndanin qiranë së bashku. Në atë kohë, të dy këta persona ndodheshin në gjendje të dehur. Këtë fakt e ka pohuar edhe vetë Artan Marku, i cili ka pohuar se të dy ishin nën efektin e alkoolit kur Kanina i tregoi se kishte ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur. Ndërsa sherri mes tyre kishte nisur sepse, pasi Marku kishte dëgjuar historinë, e kishte quajtur mikun e tij “pedofil”.

Pikërisht për këtë fjalë kishte nisur edhe debati mes tyre deri në momentin që Marku kreu aktin e rëndë, duke e qëlluar Kaninën me sende të forta dhe me një shkelm në fyt. Ditën e ngjarjes, policia mori në pyetje edhe babain e vajzës për të cilën viktima pretendonte si e kishte ngacmuar seksualisht, por ai e kishte mohuar automatikisht diçka të tillë. Sipas babait të vajzës së mitur, kjo gjë është thënë nga autori për të justifikuar krimin që kishte kryer.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: