Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Islam Cani: Nė mbledhjen e Partisė, Berisha mbrojti mjekun Neziri qė iu arratis i vėllai
» Dėrguar mė: 07/07/2011 - 08:14
Lajme te ngjashme
Si i lexon Kastriot Islami masat qė janė marrė nė buxhetin e ri nga qeveria "Rama"
• Datë: Nov 19, 2014
Ermelinda Hoxhaj

Themelet për mbrojtjen e konsumatorit shqiptarë janë hedhur nga dr.Islam Cani. Ai ka qenë personi i parë, i cili ka folur për të drejtat e kësja aktegorie që në viteve ‘90-të, duke themeluar Shoqatën e Konsumatori Shqiptar SHKSH. E cila, në vitin
1993 u bë anëtare e Organizatës Botërore të Mbrojtjes së Konsumatorëve. Por në këtë intervistë Islam Cani tregon jo vetëm për shtysat që e çuan drejt themelimit të Shoqatës së Konsumatorit, por dhe për punën e tij si mjek kardiolog, ku një prej kolegëve të tij ka qenë edhe kryeministri Sali Berisha.
“Një njeri i drejtë, korrekt po shumë këmbëngulës, donte që gjithmonë të dilte e tija. Këto vazhdon t’i ketë edhe tani që është në pozicionin e kryeministrit. E vetmja gjë që ka ndryshuar në karakterin e tij janë aleancat” - shprehet Cani për sa i përket ish-kolegut të tij të viteve të largëta `77-`80-të.
Zoti Cani pas një pune 40 vjeçare në fushën e mjekësisë, çfarë ju shtyu të merrnit një vendim për të hapur shoqatën e parë për konsumatorin?
Kam qenë inspektor sanitar, higjienist dhe epidemiolog në rajonin në Kombinat në rajonin nr. 2. Kohët e fundit kur ndodhën ndryshimet autoriteti i inspektoratit humbi. Ligjet nuk njiheshin nuk zbatoheshin. Ishte viti ‘90-‘91, atje ku shkoje nuk kishte procesverbale, akte kontrolli nuk liheshin se asgjë nuk zbatohej. Tregu pësoi një çarje. Nga tregu totalitar dhe i komanduar në një treg të pakontrolluar. Të parët ato që bënin tregti ishin romët, ishin trima, guximtar, të shkathët, njerëz që ta prishnin mendjen. Fillimisht tregtia nisi me çamçakëza nga Jugosllavia, trikot kanatieret erdhën nga Turqia. Mbaj mend që ka qenë një shqiptar nga Kosova që jetonte në Stamboll që i ka sjell Habo Guden. U shitën në të gjithë Tiranën po më shumë në Kombinat. Por fundin e vitit ‘90-të u fut në mas alkooli, që shitej si raki por ishte alkool me ujë të distiluar, nga kjo gjë gjetën vdekjen disa persona.
Sa persona kanë humbur jetën?
Duhet të kenë qenë 25 persona, por helmimet kanë ardhur jo vetëm nga alkooli, por edhe nga sallamet, qofte, pije freskuese këto ishin të pakontrolluara dhe kryesisht të falsifikuara. Ndaj nga helmime me këto produkte gjetën vdekjen disa persona.
Ça probleme kishte tjetër në vitet ‘90-‘91 veç këtyre që përmendët?
Gjatë kësaj periudhe kohe nuk klorifikohej më uji, ka pasur shumë persona me infeksione intestinale siç janë diarreja, sidomos te fëmijët mosha e tretë dhe gratë shtatzëna, që nuk kishin rezistencë. U shtuan helmimet dhe sëmundjet infektive. Gjatë kësaj kohe isha inspektor i Drejtorisë së Shërbimit Shëndetësor të Tiranës. Nga këto ngjarje më vrau ndërgjegjja si mjek dhe këto ishin shtysat që me bënë të krijoja Shoqatën e Konsumatorit Shqiptar, SHKSH. Një tjetër shtysë ka qenë dhe leximi i një artikulli në gjuhën ruse, që më bëri një miku im kimist me të cilin kemi punuar së bashku në ndjekjen e sëmundjeve profesionale në Kombinatin e Tekstileve. Personalisht kisha një eksperiencë si të mbroheshin të drejtat e konsumatorit, por dhe kur lexova që ky artikulli rus bënte fjalë, për të drejtat të miratuara në Hagë, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara OKB dhe se ekzistonte një shoqatë botërore në Londër dhe avokatia në SHBA në Filadelfia, për mbrojtjen e konsumatorit atëherë vendosa që të krijohej dhe një shoqate në vendin tonë. Më 15 mars 1990 krijuam shoqatën dhe në shtator të ‘91 u miratua me ligj.
Me pak fjalë doktor Cani, ju jeni ‘babai’ i konsumatorit shqiptar. Po hapat e parë të kësaj shoqate cilat kanë qenë?
Mbrojtja jonë nisi me mbrojtjen e atyre që vdiqën nga alkooli, uji i pijshëm dhe pijet e falsifikuara. Në vitin 1991 ne kemi botua 11 artikuj në gazetën ‘Tirana’, ‘Bashkimi’ ku porositëm qytetarët për të pasur kujdes me produktet që ata konsumonin dhe publikuam se ishte hapur një shoqatë për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit. Më pas nisëm me anëtarësimin e qytetarëve.
Sa është numri i të anëtarësuarve deri më tani?
Anëtarë në përgjithësi janë mbi 60 mijë, por ata që janë më aktivë janë 5 mijë, ndërsa ata që paguajnë kuotë ose bëjnë punë vullnetare janë 25 mijë. Punët vullnetare kanë të bëjnë me shpërndarjen e fletëpalosjeve ku ka njohuri për konsumatorin dhe mënyrës së si të ruhen. Ndërsa, pagesa që bëjnë anëtarët është 100-500 lekë të vjetra.
Është e vërtet që gjatë kohës që keni punuar në kardiologji keni pasur koleg edhe kryeministrin Berisha?
Po. Edhe shef klinike kam pasur Ylli Popën. Tre vjet kemi qenë në një klinik.
Keni pas marrëdhënie miqësore apo thjesht koleg?
Jo thjesht koleg, Berisha ka një karakter të ftohtë dhe i rezervuar. Ka qenë një njeri shumë korrekt, punonte në spitalin e përgjithshëm në klinikën universitare të kardiologjisë. Kontaktin e parë me Sali Berishën e kam pasur në Kombinat, kur vinte te Tahir Mala, ekonomist dhe kryetar i degës së planit të tekstilit. Kishte miqësi me të dhe aty e kam njohur fillimisht. Më pas e kam takuar në leksionet e fispatologjisë. Më vonë kam punuar tre vite në klinikën e kardiologjisë, në vitet 1977-1980.
Ishte pjesëtar i grupit drejtues për mjekët specialist për kardiologjinë, jepte dhe leksione. Gjatë asaj kohe ai ka qenë edhe Sekretar i Byrosë të Klinikës Universitare. Berishën e kam njohur gjithashtu edhe në mbledhjen e Partisë së Universitetit që mbronte bashkë me Petro Canin mbronin doktorin e higjienës dhe të okulistikës Sabri Nezirin dhe ishte këmbëngulës në mbrojtjen e tij. Sabri Neziri akuzohej sepse i vëllai që kishte ushtarak kishte ikur jashtë vendit. Saliu ishte këmbëngulës që ai nuk kishte faj për arratisjen e të vëllait. Me këtë gjë dua të them se ai ka qenë një njeri i drejtë dhe shumë këmbëngulës. Gjatë kohës që kam punuar në klinikë, mbaj mend se të gjitha problemet që ngrinte donte t’i çonte deri në fund, pavarësisht se çfarë pasoja do kishte. Nuk kishte zakon të pinte kafe, nuk ulej me shokët kolegët e punës, raste shumë të rralla mund të pije kafe më të.
Po ju a keni pirë kafe ndonjëherë me të?
Me të veçmas jo, por kur kemi qenë një herë të gjithë bashkë ka ardhur të pijë kafe me ne.
Çfarë ju ka lënë më shumë mbresa nga zotin Berisha?
Ishte tej mase shumë studiues po t’i kërkoje ndihmë të jepte, por në forma të prera dhe të shkurtra si telegram. Por ishte një njeri i saktë.
Por pas viteve ‘90-të keni pasur kontakte me të?
Për problemet e shoqatës kam dërguar letra, por përgjigjet i kam marrë nga sekretari i përgjithshme i ministrave. I kam dërguar letër Presidentit, parlamentin për ligjin për mbrojtjen konsumatorit kam marrë përgjigje se do bëhet ligji dhe në shkurt të vitit 1997, në një situatë shumë të vështirë ligji për herë të parë u miratua. Dhe unë u ftova në grupin parlamentar dhe parlament si palë e interesuar. Më pas nuk kam patur më kontakte.
Si e shihni sot, a ka ndryshime nga personi që ju njihnit?
Ndryshime ka bërë në aelanca dhe në grupe bashkëpunimi, por për sa i përket natyrës dhe temperamentit e ruan sidomos në vendimarrje. Pra për atë që njoh, që kur ka qenë më i ri shkonte fjala e tij dhe merreshin vendimet, që ai donte dhe dëgjon më pak ata që bashkëpunon. Ruan atë karakter të mëparshëm.
Duke parë daljen e tij në skenë në grevën e studentëve, e kishit menduar se do arrinte këtu është sot?
Kam patur djalin e vogël Arbenin në grevën e studentëve. Ai ishte në vitin e dytë në fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Dhe me pyeti a e njeh Sali Berishën? Po i thashë. Ndërsa ai më dha dha përshtypjen e tij për të se ai ishte orator, i vendosur dhe impulsivë. I thashë që gjëra të tilla i ka, por me sa e njoh është një njeri korrekt, se kështu e mbaj mend në kohën që kam punuar me të. Tempramenti që ka patur të linte përshtypjen se është një kërkues për lider dhe në shumë detyra që ka mbajtur ka qenë drejtues. Më ka shkuar mendja se do arrinte në krye, ai këto i shprehte dhe vetë me karakterin e tij që do të drejtoi. Si të gjithë malësorët ai ishte krenar për vendimet dhe iniciativat e tij.
Njihni ndonjë familjar tjetër të zotit Berisha?
Njoh Milica Ramën, vjehrrën e tij, të ëmën e zonjës Liri kur kam punuar në Kombinat, ajo ishte infermiere. Ajo ka qenë një grua shumë e zgjuar, shumë inteligjente. Njoha dhe burrin e sajë Rexhep Rama, kish qenë oficer dhe më pas ishte liruar dhe merrej me sporte të rënda. Milica ishte shumë komunikuese të dëgjonte me vëmëndje shërbimin e kryente në mënyrë të përsosur në nivelt që i ishin caktuar. Ishte shumë e dashur me kolektivin.
Veç Shkëlqimit që është një figurë publike dhe Arbenit që e përmendët më sipër, keni fëmijë të tjerë?
Po kam dhe një vajzë, Zanën, ajo jeton në SHBA. Ndërsa, djali i vogël Arbeni jeton në Kanada. Fëmijët janë krenaria ime. Të tre kanë tituj shkencor. Shkëlqimi siç e thatë është i njohur se ka qenë dhe zv/ministër dhe Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Vajza është pedagoge në Denver, Kolorado, ndërsa djali i vogël punon në bursë në Toronto. Dhe vetë fëmijët kanë shprehur dëshirën që të vinë, por edhe unë me gruan atë duam, se do i kemi pranë por që të japin kontribute për vendin e tyre.
Po nipër e mbesa sa keni?
Zana ka dy vajza, ato kanë dal me rezultate të shkëlqyera dhe Presidenti i SHBA-së u ka dhënë fletë lavdërimi, dhe të dyja mbesat punojnë në NASA. Ndërsa Beni i ka tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, djali i vogël ende nuk e ka mbushur vitin.
Po bashkëshortja juaj a ju ka mbështetur gjatë këtyre viteve me shoqatën?
Bashkëshortja Aleksandra më ka mbështetur përherë dhe për hapjen e shoqatës ajo më ka ndihmua ekonomikisht. Por edhe fëmijët më më mbështesin ekonomikisht pasi ne nuk kemi marrë prej 10 vitesh asnjë projekt.
Është e vërtet që i thërrisni gocë? Dhe çfarë simbolizon Aleksandra për ju?
‘Hajde moj gocë hajde’, këtë shprehje përdor shpesh (qesh). Për mua gocë do jetë përherë. Aleksandra simbolizon gjithë jetën time. Absolutisht që ajo është më e mirë se unë. Është njeriu më i afërt më komunikuese me mua. Është shumë e dashur, i do shumë fëmijët, çdo lloj fëmijë jo vetëm fëmijët tanë, është me e kujdesshme, më e qetë.
Nga jeni me origjinë doktor?
Unë jam nga Dibra nga fshati Çidhna, nëna ime është nga fshati Sin ku është muzeu i Skënderbeut, sepse aty ka lindur. Nuk ka pasur asnjëherë kufi për martesat me fe të ndryshme. Fshati Çidhn ka shtatë kisha, është në kufi me Lurën. Në vitin 70 është gjetur një thesar dhe iu dha muzeut të Dibrës ishte me lekë bizantine. Ka shumë pika arkeologjike dhe kisha të vjetra, që në kohën e Ilirëve. Çidhna është krahinë e madhe. Edhe historiani Kristo Frashri ka bërë një libër për historinë e Skënderbeut. Por ende se ka botuar sepse nuk ka fonde. Bashkë më Shkëlqimin po përhiqemi ta ndihmojmë në gjetjen e donatorëve. Në luftën me Turqinë janë vrarë 850 burra nga kjo krahinë dhe gratë me sëpata kanë vrarë me mijëra turq. Bëhet fjalë për vitet 1480.
Ndiheni i lodhur pas kaq shumë vitesh punë, do të hiqni dorë nga drejtimi i shoqatës?
Nuk do heq dorë nga mbrojtja e konsumatorit deri sa të më vi ora të vdes. Jam i lidhur me këtë profesion, sepse mjekësia ka lidhje me ushqimin dhe konsumatorin.
Pengu i jetës?
Kam dashur përherë të ndërtoi shtëpi në Chidhna, që t’i ngjajë një kalaje. Por jeta është para dhe ende nuk kam hequr dorë. Aty është një pikë turistike përrallore. Nëse nuk arri ta bëjë dot unë, do t’ua lë detyrë fëmijëve ta bëjnë, ata më dëgjojnë ndaj kam besim se do e realizojnë.
Flisni me një dashuri të madhe për jetën. E doni vërtet kaq shumë apo pas disa vitesh jeta bëhet më e dashur?
E kam dashur shumë përherë, nuk më është shtuar dashuria për të nga mosha. Unë kam lënë sytë duke lexuar, dhe do të vazhdoj deri në orën e fundit të jetoj dhe të lexoj madje dhe të shkruaj. Kam bërë katër libra për mbrojtjen e konsumatorit, por kam ndërmend që të nisë të shkruajë për vendlindjen time Çidhnën dhe historinë e saj.
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.