Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Rudina Magjistari: Dashuria?! Mungesė qė do doja tė mė pėrmbushej
» Dėrguar mė: 06/11/2011 - 13:46
Lajme te ngjashme
Shkollat, 'Save the Children': Mungesė e stafit shėndetėsor
• Datë: Nov 17, 2014


E ëmbël si gjithmonë dhe e përpiktë në çdo gjë që bën. Nëse e merr përsipër diçka, ajo realizohet deri në fund e përmbushur deri në detajin më të vogël, përndryshe, nuk quhet më një punë e bërë nga Rudina Magjistari. Këtë herë, në faqen e suplementit tonë vjen e mirënjohura e ekraneve shqiptare, prezantuesja Rudina Magjistari, e cila na zbulon jetën që po jeton si dhe angazhimet që ka më për zemër. Nga mëngjesi deri në darkë me prezantuesen simpatike, e cila na përfshin në labirintet e jetës së vet profesionale dhe private.
Një ditë me Rudinën nga mëngjesi deri në darkë. Ku fokusohet më tepër vëmendja jote?
Besoj se përgjigja nuk do të ishte ndonjë kuriozitet i madh, sepse puna që unë bëj është në sy të të gjithëve. Dhe të realizosh një program të përditshëm, i cili për çdo ditë duhet të sjellë një temë të re, një informacion të ri, nuk është e thjeshtë. Kërkon një përkushtim maksimal dhe përqendrim shumë të lartë. E nëse me teleshikuesin takohem vetëm 60 min çdo ditë, përgatitjet për atë takim, për çdo takim, kanë filluar ditë më herët. Që nga konceptimi i temës, kërkimi i ideve për ta sjellë në mënyrë sa më të veçantë, kontaktet me njerëzit, organizimi i punës me stafin, xhirimet në terren, e më pas përcaktimi i të ftuarve në studio, duke vazhduar me montazhin e me përgatitjet finale të daljes në transmetim me temën. Dhe kjo finale është e përditshme! Ndërkohë, ju siguroj që munda të përmbledh shumë pak nga intensiteti dhe volumi që ka në realitet. Të kthehet në një stil jetese ky lloj programi. Të përfshin aq shumë, të zë mendimet e tua, duket sikur jeton me të dhe për të. Duke filluar që në mëngjes e derisa mbyllet dita. Por nga ana tjetër, kënaqësia që të jep është shumë e madhe. Je çdo ditë në kontakt me njerëz të ndryshëm, sheh dhe flet çdo ditë për gjëra të reja dhe interesante, të mpreh shumë aftësitë e tua vëzhguese, të jep mundësinë të jetosh intensivisht dhe bukur.
Cilat janë momentet kur shkëputesh nga emisioni? Çastet e pushimit?
Mbrëmja është koha që pushoj. Edhe pse në shtëpi kthehem vonë relativisht, pasi edhe pas programit vijoj të punoj. Megjithatë, kam përcaktuar një ritual të pushimit tim, duke e parë si të domosdoshëm edhe në funksion të programit. Kur kthehem në mbrëmje, përpiqem të merrem me diçka tjetër në shtëpi, për të krijuar një farë shkëputjeje. Momentet më të bukura të kësaj kohe, janë ato kur zhytem në ndonjë libër dhe në një botë tërësisht ndryshe nga ajo e përditshmja. Mëngjesi, gjithashtu është një moment shumë i rëndësishëm në regjimin tim ditor. Është një proces, që më pëlqen ta marr ngadalë, me qetësi, të shmang çdo lloj stresi, sepse e konsideroj si një moment shumë të mirë për të organizuar idetë. Është një formë relaksi për mua, gjithashtu, edhe përgatitja e mëngjesit. Dhe pastaj, zakonisht të dielave, edhe pse gjithmonë ka përjashtime, mundohem të kem një ditë të plotë pushimi. Tashmë, ky program ka hyrë në sezonin e tij të tretë dhe kur nisi në fillim, më dukej pushimi si kohë e humbur. Por pas kaq shumë programesh e kaq shumë temash që kemi trajtuar (edhe në ato ku flitet për rëndësinë e të pushuarit), është e domosdoshme përfshirja në axhendë e pushimit, si një moment i rëndësishëm për të rifreskuar idetë, për t’u ringarkuar me energji, në mënyrë që të vijohet më tej me të njëjtën cilësi pune.
Ndërkohë aktiviteti fizik vijon? E frekuenton më palestrën? Palestrën e frekuentoj sistematikisht çdo ditë, edhe pse aktualisht kam pasur një shkëputje dy-javore. Më bën të ndjehem në formë të shkëlqyer fizike dhe shpirtërore. Shkoj në mëngjes herët, sapo zgjohem, e pasi kam pirë një lëng frutash. Kur kthehem nga palestra, filloj jetoj atë mëngjesin tim të dytë, aq të qetë, siç e përshkrova edhe pak më parë.
Jeton vetëm?
Po, jetoj vetëm. Është komode në një drejtim. Me jetën që unë bëj aktualisht është idealja. Ndoshta do ta kisha më të vështirë po të kisha edhe përgjegjësi të tjera. Por s’është çudi që mund edhe të ma lehtësonte të gjithën. Kur njeriu është i dashuruar, humbet nocioni i forcës së gravitetit dhe gjërat sikur e humbasin peshën apo presionin e tyre. Thënë ndryshe, mes gjërave që do, njeriu e gjen gjithmonë balancën e duhur. Duke e parë pozitivisht faktin e të jetuarit vetëm, e shoh si një avantazh për t’iu dedikuar një programi që e dua fort, që kërkon përkushtim e që duhet gjithmonë të ruajë nivelin më të lartë, si për sa i përket audiencës, ashtu edhe cilësisë dhe vlerave që përcjell.
Pra në shtëpi gjendesh vetëm në darkë. Gatuan? Dhe si është regjimi yt ditor i të ushqyerit?
Mua më pëlqen shumë të gatuaj. Është një proces shumë kreativ që mua më relakson. Nuk gjej dot rast për të gatuar gjatë ditës, sepse jam në punë. Përpiqem të dielave në drekë, ritual i cili më kënaq pa masë. Po kështu, mëngjesi të cilit i kushtoj kohë në përgatitje, është një vakt ku unë nuk gatuaj, sepse konsumoj ushqime të thjeshta. Mëngjesi im i preferuar dhe më i shpeshtë janë drithërat me kos dhe me fruta te freskëta. Dhe kur dal nga shtëpia, nuk harroj asnjëherë të marr dy-tre fruta me vete, ose edhe fruta të thata, për t’i konsumuar gjatë momenteve të vogla të urisë gjatë ditës. Drekën e konsumoj zakonisht rreth orës 16.30. Kam filluar ta zbatoj këtë rregull me shumë disiplinë, sepse fillimisht, sezonin e kaluar ndodhte pothuajse çdo ditë ta konsumoja vaktin e drekës rreth orës 8 të mbrëmjes. Kjo sepse kulmi i punës çdo ditë është në intervalin 14.00 – 19.30. Duke e neglizhuar regjimin në ushqim, fillova të mos ndihesha mirë dhe të më ndryshonte pesha. Regjimi i ri, vazhdon në mbrëmje, pas programit, vetëm me fruta, ose me ndonjë ushqim tjetër shumë të lehtë, gjë që ndihmon shumë edhe në të bërit e një gjumi të mirë. Ky lloj regjimi më ka bërë të ndihem mirë, të ruaj linjat, po kështu të humbas shumë më thjesht dhe natyrshëm edhe ato kilogramët, që kam luftuar gjithmonë. Qëkur kam nisur këtë program, duke jetuar me të, duke lexuar pafund e duke sjellë këshillat dhe orientimet më të shëndetshme për teleshikuesin në lidhje me mënyrën e të jetuarit, edhe stili im i jetesës ka ndryshuar tërësisht. Kujdesem shumë për mënyrën time të të ushqyerit, marrjen me aktivitet fizik, apo përkujdesje të tjera ndaj vetes dhe, sinqerisht, kam parë rezultate të jashtëzakonshme e ndjehem shumë në formë. E them me bindje që ky program të ndryshon jetën.
Dhe në të vërtetë sa janë kilogramët që ke humbur?
Ka vite që nuk peshohem, sepse nuk më intereson pesha në vetvete. Nuk kam asnjë lloj tundimi ndaj peshores, përveçse mendoj se është një objekt që të streson jetën. Të qenurit mirë e ndjej nga zhdërvjelltësia më të cilën lëviz, me pamjen time në pasqyrë apo me xhinset e preferuara të cilat më bëjnë akoma. Këta janë indikatorët e mi, që më ndihmojnë të kuptoj se ku jam me peshën. Dhe peshore, s’kam ndërmend ndonjëherë të blej në jetën time.
Qendrën tuaj të relaksit “Velur Spa”, sa e frekuentoni gjatë kësaj periudhe?
Është vendi i vetëm që më relakson si me magji. Mjafton të hyj aty, qoftë edhe për një orë, dhe qetësia, shplodhja, rigjenerimi që përjeton janë të çmuar. Muzika, aromat, masazhet e ndryshme, banjat turke tani në të ftohtë, mënyra e të shërbyerit, do të bënin këdo të ndjehej i përkëdhelur, jo vetëm mua. Sapo gjej kohë, përfitoj të shkoj në “Velur Spa”, për të kryer të gjitha shërbimet, që çdo grua duhet t’ia bëjë vetes, për të zgjatur sa më shumë rininë e vet, për t’u ndjerë më e bukur fizikisht dhe shpirtërisht, për t’u ndjerë në harmoni me botën.
Nga sa shihet, koha për miqtë dhe të afërmit është tejet e kufizuar apo jo?
Të them të drejtën ndihem në borxh me të gjithë, sepse kaloj shumë pak kohë me ta. E vetmja ditë, mbetet e diela, por ajo është e pamjaftueshme për të kaluar mjaftueshmërisht kohë të bukur me miqtë apo me të dashurit, aq sa unë do kisha dëshirë. Më mungojnë dhe e di që u mungoj. Përpiqem ta rekuperoj duke u fokusuar tek cilësia e kohës që kalojmë së bashku.
Është dikush në jetën tënde? Është në një lidhje sentimentale Rudina?
Po të kisha ndonjë gjë të re për të ndarë me publikun, do ta kisha thënë, pasi tashmë njihemi aq shumë dhe ndjehem aq e afërt me publikun, me njerëzit, sa më duket normale të flas edhe për ngjarjet e jetës sime private. Kur të vijë ai moment, patjetër që do të jemi në kontakt bashkë.
Të mungon kjo gjë?
Është një mungesë, e cila do doja të më përmbushej. Mendoj që është e nevojshme për të pasur një jetë të plotë. Një dashuri, është gjëja më e bukur që mund të të ndodhë. Aktualisht, ndihem mirë shpirtërisht, por ende nuk kam të re në jetën time për të ndarë me publikun.
Sa vëmendje i kushton zhvillimeve politike?
Politika në përgjithësi nuk më tërheq. E ndjek, si çdo qytetar që është i interesuar dhe duhet të dijë se çfarë ndodh në vendin e tij, aq më tepër në Shqipëri, ku çdo ndryshim politik, pasqyrohet dhe ndikon në jetën e gjithsecilit. Mendoj se është detyrë qytetare të qenit i angazhuar me zhvillimet politike në vend, qoftë për t’i mbështetur ato, apo edhe për të reaguar sipas situatave.
Si do t’i cilësoje gjithë ngjarjet politike në vend që kanë ndodhur së fundmi?
Më vjen keq ta them, por politika jonë i ngjan një telenovele, që pavarësisht se përditësohet virtualisht çdo ditë, po humb gjithnjë e më shumë kontaktin me njerëzit e realitetin. E ndërpret në një seri të caktuar dhe kur e kap pas 100 të tjerash, ndjen që s’ke humbur asgjë, dhe ata janë po aty ku ishin. Janë ndarë, janë bashkuar, kanë tradhtuar, janë martuar, kanë humbur, janë bërë gazi i botës, dhe ti ndërron kanal se të kanë ardhur në majë të hundës. Është e vakët, aspak frymëzuese, dhe duket si e zhveshur nga idealet. Pragmatizëm dhe hipokrizi, këto janë mesazhet qe përcjell më së shumti. Të shtyn t’i largohesh, nuk ka asnjë forcë tërheqëse dhe mendoj që ka nevojë të shkundet mirë.
Si qytetare e Tiranës, tashmë Bashkia ka një drejtim të djathtë pas tre mandatesh që kaloi zoti Rama. Cili do të ishte komenti yt?
Të presim, të shohim.
Referuar natyrës tënde, nervozohesh shpesh?
Momentet e nervozizmit në punë, janë të pashmangshme, sepse është një ritëm pune që ka shumë stres dhe presion. Pastaj unë jam shumë perfeksioniste si natyrë, i kuroj gjërat deri në fund, sepse detaji bën diferencën. Kjo gjë më bën të jem shumë kërkuese edhe ndaj stafit tim. Por paralelisht, ne kemi krijuar së bashku marrëdhënie shumë të mira miqësie, duke mos i personalizuar asnjëherë debatet, dhe duke pasur të gjithë si qëllim final, realizimin e një programi sa më të mirë.
Mban inat?
Për fat të mirë jo. Jam natyrë që kam ato momentet e mia por më kalon shpejt,pasi mendoj që një gjë mbaron aty ku ndodh, dhe s’ke pse ligështon apo rëndon veten dhe të tjerët më tepër se ç’duhet.
Imazhi yt vijon të mbetet i njëjtë. Ke menduar ndonjëherë të ndryshosh?
Është çështje natyre dhe stili. Jam përgjithësisht klasike dhe nuk preferoj të bëj ndryshime të forta. Ndihem mirë me look-un tim, i cili është në harmoni me brendësinë time. Në momentin që njeriu e gjen këtë lloj ekuilibri, s’ka pse ndryshon look, ka gjetur balancën. Në fakt, të kujdesurit për look-un nuk është nga prioritetet e mia, sepse mendoj se është pjesa më e parëndësishme në krahasim me pjesën tjetër që unë jap. Por ime më, mendon se e kam gabim, dhe më duket se ka të drejtë.
Për veshjet kujdesesh vetë?
Në televizionin ‘Klan’ ka një departament imazhi, i cili kuron me shumë kujdes figurat e këtij ekrani. Çdo detaj mendohet me kujdes, që nga veshja, aksesorët, duke kaluar më pas tek mjeshtrit e grimit, të cilët janë artistë të vërtetë,në mënyrë që të ketë një harmoni me temën në program, që jam duke trajtuar atë ditë. Bëhet vërtet një punë e specializuar.
Ke ndonjë figurë televizive pikë referimi për veten?
E kam ndjekur gjithmonë me shumë vëmendje, punën e Oprah Winfrey-t, të cilën e kam si referencë shumë të madhe në llojin e programit që bëj. Programi i saj, edhe pse tashmë e ka mbyllur ciklin e vet, ka qenë nga më të ndjekurit, jo vetëm në SHBA. Oprah është unike dhe nga ajo mund të mësohet shumë.
Planet për fundvitin?
Ah, fundviti është larg shumë. Për momentin dua të planifikoj ditët e pushimit, se sa ditë do shkëputem dhe kur. Festa e Vitit të Ri më duket një mbrëmje shumë familjare, dhe kryesisht preferoj ta kaloj në shtëpi. Kur më ka ndodhur të lëviz, s’e kam shijuar shumë. Preferoj të udhëtoj jashtë gjatë vigjiljes së festave ose qoftë edhe kur kanë kaluar. Më duken ditë aq të dashura dhe të ngrohta, sa vetëm në një atmosferë shtëpie mund të kalohen aq bukur. Më vjen keq t’i humbas hoteleve apo darkave në restorante. Diçka të tillë mund ta realizosh kurdo gjatë vitit. Kurse festat familjare, shijohen plotësisht vetëm pranë njerëzve të dashur dhe në vendin më të dashur.
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.