Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Kompleksiteti i Zogut, Enverit dhe Berishės dhe shqiptarėt
» Dėrguar mė: 22/01/2012 - 10:31
Intervistoi Ben Andoni

Duhet të jetë e vështirë në ditët tona, që në këtë situatë të ngarkuar ekonomike, një studiues i zakonshëm, të japë një përcaktim për shqiptarin si kategori shoqërore. Por, për sociologët kjo është gjëja më e thjeshtë. Një nga disiplinat më bashkëkohore të shkencave që merren direkt me qenien humane, Sociologjia mëton jo vetëm të hedhë dritë, por të përcaktojë dhe shkak-pasojat, si edhe elementët e ndryshëm që lidhen me zhvillimet shoqërore në kohë dhe në hapësirë. Po sa e vështirë është të bëhet gjithsesi kjo?! Për sociologun e respektuar z. Fuga është tejet e vështirë: “Shqipëria nga pikëpamja e studimeve sociologjike është ndofta jo tërësisht e virgjër, po të përdor fjalën e bukur që keni përzgjedhur, por pothuajse e virgjër. Nuk them se nuk ka pasur aty këtu ndonjë studim të vërtetë sociologjik, por kur flas për rrjetën e studimeve sociologjike kjo është tjetër gjë. Ka qindra arsye për të shpjeguar se përse ndodh kështu. Kush merret me to ti numërojë. Por, po përpiqem të them diçka : Nuk ka studime sociologjike sepse shoqëria nuk është më një realitet pak a shumë autonom”.
Dhe në të njëjtën gjatësi është edhe sociologu tjetër i njohur z.Tarifa: “Pa dyshim që është, çka i bën edhe më të domosdoshme studimet në këtë fushë. Nuk them asgjë të ekzagjeruar dhe nuk bëj nihilistin nëse pohoj se, deri më sot, asnjë studim i mirëfilltë sociologjik serioz nuk është kryer në vendin tonë për asnjë dukuri sociologjike dhe për asnjë nga problemet sociale me të cilët ndeshet shoqëria shqiptare. Kur nisëm të kultivojmë këtë disiplinë dhe këtë fushë studimesh rreth njëzet vjet më parë, shpresonim që në pak kohë të merrnim produkte të begata dhe që sociologjia shqiptare të arrinte të krahasohej me atë të vendeve të tjera të rajonit”.
Në këtë intervistë, të dy këta personazhe të njohur rrëfejnë Shqipërinë nga objekti i studimit të shkencës së tyre, problematikën e saj sociologjike, si edhe më shumë akoma personazhet që kanë drejtuar fatet e saj në këto 100 vjet.

Z. Tarifa, juve jeni personalisht ndër themeluesit e sociologjisë shqiptare. Në çfarë stadi është ajo në ditët e sotme? Sa ka ndikuar fakti që në periudhën e socializmit shtetëror sociologjia konsiderohej një tabu, pra sa ka ndikuar mungesa së saj të gjatë në studimet shqiptare?
“Si një fushë studimesh dhe si një disiplinë shkencore e veçantë, Sociologjia ka një histori relativisht të re. Origjina e sociologjisë lidhet me Iluminizmin Evropian, por lindja e saj u kushtëzua drejtpërsëdrejti nga revolucioni industrial në Angli, në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën kontinentale. Në Shqipëri, sociologjia ka “hyrë” shumë vonë, rreth 25 vjet më parë, ndërkohë që kjo disiplinë bëri vend për të parën herë në një universitet shqiptar vetëm në fillim të viteve 1990. Mungesa e traditës, me të cilën shpjegohet edhe mungesa e sociologëve shqiptarë, mangësitë e shumta në njohjen e teorive dhe të metodologjisë sociologjike bashkëkohore, padija dhe moskuptimet që kanë shoqëruar zhvillimin e kësaj shkence dhe rolin publik të saj gjatë dy dekadave të fundit, vendi dhe roli i pamjaftueshëm që zënë sociologjia dhe nëndisiplinat e saj në kurrikulat universitare dhe ato pasuniversitare të universiteteve tona, shkalla mjaft e ulët e njohjes së zhvillimeve ndërkombëtare bashkëkohore në këtë fushë, si edhe mungesa thuajse e plotë e bashkëpunimit me institucione akademike, shoqata profesionale të sociologëve, revista sociologjike dhe sociologë të huaj, kanë bërë që kjo disiplinë teorike dhe studimet empirike në kuadër të saj në Shqipëri të kenë mbetur shumë pas”.

Nëse do të përdornim konceptin homos albanicus për të drejtuar objektin sociologjik tek individi, si e shihni ju shqiptarin e ditëve tona, në kuadrin e zhvillimeve sociologjike në këtë sistem të ri ekonomiko-shoqëror?
“Koncepti partikularist homos albanicus (apo “njeriu shqiptar”) është i pasaktë nga pikëpamja sociologjike, pasi ai e redukton gjithçka humane dhe sociale tek çdonjëri nga ne në tipare natyrore, thuajse primordiale, të një grupi etnik apo racor “krejt të veçantë”. Them “racor”, pasi në një libër mbi racat që kam lexuar, kur studioja në Shtetet e Bashkuara, shqiptarët klasifikoheshin si një racë më vete, ndër 13 racat e species humane, për të cilat flitej në atë tekst, gjë që, sigurisht, është krejt absurde. Sidoqoftë, shoqëria shqiptare ka veçoritë e saj, të formuara historikisht, nën veprimin e shumë faktorëve politikë, ekonomikë, kulturorë, gjeografikë etj. Veçanësia e shqiptarëve shprehet, para së gjithash¯dhe kryesisht¯në kulturën (me K të madhe), e cila, krahas kulturës së tyre materiale relativisht të dallueshme nga ajo e popujve të tjerë ballkanikë, mishëron edhe traditat, normat, mënyrën e jetesës, psikologjinë dhe vlerat kolektive të tyre. Duke qenë historikisht e përcaktuar, kultura e popullit tonë, ashtu si edhe kultura e çdo populli tjetër, është, gjithashtu, në evolucion të vazhdueshëm. Shqipëria dhe shqiptarët e sotëm nuk janë ata të 100, të 50 apo të 20 vjetëve më parë. Edhe pse Shqipëria vazhdon të jetë ekonomikisht një vend në zhvillim dhe kultura politike e shqiptarëve nuk është zhvilluar ende si një kulturë demokratike, njëzet vitet e fundit kanë sjellë ndryshime të jashtëzakonshme në jetën e popullit tonë, sidomos të brezit të ri, si në sferën materiale, ashtu edhe në atë kulturore e shpirtërore. Megjithatë, përpos asaj çfarë shihet dhe dëgjohet në kontaktet tona të përditshme dhe në mediat tona, këto ndryshime shumë pak janë bërë objekt i studimeve sociale në vendin tonë. Shoqëria shqiptare e sotme, me transformimet që po pëson dhe me problemet e shumta të saj, pret, si një laborator i madh, të studiohet pikërisht nga ata që fushë të veprimtarisë së tyre shkencore kanë shoqërinë, në radhë të parë nga sociologët, antropologët, studiuesit e politikës, ekonomistët, psikologët etj”.

Edhe pse sociologjia zhvillohet tashmë si një lëndë e veçantë në shkollat e mesme dhe në universitetet tona, kam përshtypjen se atë e japin njerëz, të cilët sociologjinë e përdorin shpesh si komardare shpëtimi të kulturës së tyre të munguar. Çfarë mund të ndryshonte në këtë drejtim?
“Konstatimi juaj është i saktë, por më shumë akoma, shqetësues. Për shkak të interdiktit që i kishte venë sociologjisë regjimi komunist, për të cilin sociologjia sishte veçse një “shkencë borgjeze”, në vitet 1990, kur sociologjia nisi të jepej mësim në universitetet shqiptare, në Shqipëri nuk kishte asnjë sociolog të mirëfilltë, i cili të kishte studiuar dhe të ishte diplomuar në këtë fushë. Ata që u bënë pedagogët dhe mësuesit e sociologjisë në universitetet dhe në shkollat e mesme të vendit tonë vinin nga degë të ndryshme, kryesisht nga filozofia, dhe sa hap e mbyll sytë u konvertuan në “sociologë”, njëlloj sikundër njerëzit që ndërrojnë fenë (ose partinë politike ku bëjnë pjesë, ose të cilën përkrahin). Por ndërsa feja është një çështje besimi dhe besimi mund të ndërrohet nga kushdo, pa qenë e domosdoshme të arsimohesh dhe të specializohesh në besimin e ri, sociologjia është shkencë dhe sociolog nuk mund të bëhesh pa mësuar bazat e kësaj shkence dhe pa u specializuar në studimin e jetës dhe të dukurive të shoqërisë. Fatkeqësisht, edhe sot, një pjesë e mirë e atyre që japin sociologji në universitetet shqiptare dhe pjesa më e madhe e mësuesve të sociologjisë në shkollat e mesme të vendit nuk janë sociologë. Një rrethanë e tillë e bën më të domosdoshme dhe më urgjente konsolidimin e departamenteve të sociologjisë në universitetet shqiptare, shtimin e numrit të studentëve që diplomohen në profesionin e sociologut dhe, mbi të gjitha, përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë akademike (të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor) në këtë fushë”.

A është shoqëria shqiptare ende e virgjër për studimeve sociologjike? Si rezulton ajo që nga studimet tuaja të para sociologjike?
“Pa dyshim që është, çka i bën edhe më të domosdoshme studimet në këtë fushë. Nuk them asgjë të ekzagjeruar dhe nuk bëj nihilistin nëse pohoj se, deri më sot, asnjë studim i mirëfilltë sociologjik serioz nuk është kryer në vendin tonë për asnjë dukuri sociologjike dhe për asnjë nga problemet sociale me të cilët ndeshet shoqëria shqiptare. Kur nisëm të kultivojmë këtë disiplinë dhe këtë fushë studimesh rreth njëzet vjet më parë, shpresonim që në pak kohë të merrnim produkte të begata dhe që sociologjia shqiptare të arrinte të krahasohej me atë të vendeve të tjera të rajonit. Transformimet e thella politike, shoqërore dhe ekonomike që nisën të kryhen në vitet 1990 ishin dhe mbeten një terren shumë pjellor për studime sociologjike. Mungesat në këtë fushë janë aq të mëdha, sa është urgjente edhe nevoja për të zënë kohën e humbur”.

Si mund ta konsideroni në aspektin sociologjik, mënyrën e mendimit të shqiptarëve të sotëm?
“Nuk ka një mënyrë të vetme, ose “tipike” mendimi të shqiptarëve, siç nuk ka një realitet “të vetëm” shqiptar, apo një mënyrë jetese “të vetme” shqiptare. Si çdo shoqëri moderne, shoqëria shqiptare është mjaft e diversifikuar. Nëse përdorim termat e njohur të sociologut gjerman Ferdinand Tönnies, Gemeinschaft dhe Gesellschaft, realiteti shqiptar është një mozaik i tillë, në të cilin gjen si tiparet e komuniteteve rurale tradicionale, ashtu edhe ato të një komuniteti urban dhe kozmopolit, pra edhe format përkatëse të asociimit apo të solidaritetit (mekanik dhe organik), për të cilat flisnin Simmel dhe Durkheim, edhe mënyrat e të menduarit dhe të sjelljes që karakterizojnë shoqëritë tradicionale dhe ato moderne. Në Shqipëri gjen si individë dhe familje që jetojnë në kushte të mjeruara, madje tepër primitive, ashtu edhe individë dhe familje që jetojnë në një luks dhe vanitet të paparë; gjen edhe njerëz që mendojnë në mënyrë primitive, edhe njerëz që kanë marrë arsimin më të mirë perëndimor dhe arsyetojnë si qytetarë dhe intelektualë të një demokracie liberale perëndimore. Realiteti shqiptar është, pra, kontradiktor dhe duhet studiuar sociologjikisht si i tillë”.

Pse, sipas jush, shqiptarët janë të hapur dhe krejtësisht të nënshtruar ndaj autoriteteve totalitare?
“Të hapur” dhe “krejtësisht të nënshtruar” nuk mund të qëndrojnë bashkë. Madje, pikërisht sepse shoqëria shqiptare ka qenë tradicionalisht një shoqëri e mbyllur, jo e hapur, ka ndodhur që në radhët e saj të krijoheshin dhe të mbizotëronin mentalitete dhe mënyra jetese e sjelljeje patriarkaliste dhe paternaliste. Këto, në një masë të madhe, vazhdojnë edhe sot¯patriarkalizmi i kuptuar si sundim i burrit mbi gruan (në familje, në shoqëri, në politikë), ndërsa paternalizmi i kuptuar, siç mendonte John Stuart Mill, si varësi nga shteti apo nga lideri i plotfuqishëm që e kufizon dhe e pengon zhvillimin e barazisë morale dhe të një karakteri të pavarur. Unë mendoj se nuk është e drejtë që shqiptarëve t u atribuohet si një veçori kolektive e tyre të qënurit të nënshtruar ndaj totalitarizmit.
Nga ana tjetër, nëse do të jemi të saktë në përdorimin e termave, totalitarizmi është diçka e ndryshme nga autoritarizmi. Një personalitet politik mund të jetë autoritaritarist, por jo totalitarist. Totalitarizmi, siç e përkufizonte atë Giovanni Amendola në vitet 1920 dhe siç kuptohet ai sot në sociologjinë politike dhe në shkencën politike, është atribut i sistemeve politike. Sisteme politike totalitariste janë ata, në të cilët shteti ushtron kontroll të pakufizuar (total) mbi çdo aspekt të jetës publike dhe individuale të njerëzve. Fashizmi në Italinë e Musolinit, Socializmi Nacional në Gjermaninë e Hitlerit, Socializmi shtetëror në Bashkimin Sovjetik të Stalinit apo në Shqipërinë e Enver Hoxhës ishin sisteme totalitaristë. Sot, në Shqipëri nuk ka totalitarizëm; metodat e qeverisjes së sotme në vendin tonë janë autoritariste. Ndryshe nga sistemet totalitaristë, të cilët karakterizohen nga një ideologji zyrtare e caktuar, nga një shkallë e lartë karizme, nga një kontroll total i shtetit mbi individin dhe mbi shoqërinë, nga mungesa e plotë e pluralizmit politik dhe nga një nivel i ulët korrupsioni, sistemet autoritaristë nuk mbështeten në ndonjë ideologji zyrtare; ata lejojnë pluralizmin politik dhe një shkallë relativisht të gjerë lirie individuale dhe kanë një shkallë më të lartë korrupsioni”.

Nga këndvështrimi i shkencës tuaj, si i vlerësoni Ahmet Zogun, Enver Hoxhën dhe Sali Berishën?
“Këta tre personalitete janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe shumë kompleksë. Zogu ishte një monark i pailuminuar dhe jonacionalist. Hoxha ishte një diktator nacionalist ksenofob, jo komunist, i ngjashëm me Stalinin, Maon dhe Kimët e Koresë së Veriut, jo me Gierekun, Dubçekut apo Kadarin (të gjithë këta komunistë reformatorë); Berisha është një politikan makiavelist, karizmatik, demagog dhe efektiv (nëse me efektivitet në politikë kuptojmë arritjen e qëllimeve). Këta tre individë kanë esencialisht dy gjëra të përbashkëta: dëshirën për pushtet (të marrë së bashku, por secili në mënyrën e vet, ata kanë dominuar shoqërinë shqiptare në 70 prej 100 viteve të shtetit të pavarur shqiptar) dhe mungesën e vizionit historik. Nga këta tre personalitete, Zogu ka qenë figura historike më pak e rëndësishme; ai iu shmang historisë sonë kombëtare në një moment vendimtar për popullin shqiptar, të cilin, si mbret i vetëshpallur i tyre, duhej të udhëhiqte në luftën kundër pushtuesit fashist dhe jo ta grabiste e ta braktiste atë. Dy të tjerët, Hoxha dhe Berisha, u bënë protagonistë kryesorë në momente përmbysjesh historike të mëdha për fatet e popullit shqiptar”.

Pse ndodh që ju vetë jeni shumë më i njohur jashtë vendit sesa brenda tij?
“Të jetë kështu vërtetë? Nëse është kështu siç thoni ju dhe duke e lënë modestinë mënjanë, arsyet, ndoshta janë këto: gjatë 20 vjetëve të fundit unë kam jetuar dhe punuar jashtë Shqipërisë për 16 vjet, kam kryer studimet doktorale në një ndër universitetet amerikane më të mira, kam dhënë mësim në disa universitete amerikane dhe në Holandë, kam botuar më shumë se dhjetë libra në anglisht jashtë vendit dhe mbi 50 artikuj në revista akademike ndërkombëtare të referuara, kam marrë pjesë në dhjetëra kongrese dhe konferenca akademike ndërkombëtare, kam themeluar dhe drejtuar si kryeredaktor i saj një revistë sociologjike ndërkombëtare, si edhe kam bërë dhe bëj pjesë në shumë organizata dhe shoqata profesionale shkencore amerikane dhe ndërkombëtare. Këto, të marra së bashku, ndoshta e kanë ekspozuar veprimtarinë time akademike më shumë jashtë vendit sesa brenda tij, edhe pse këto tre-katër vitet e fundit, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara, kam botuar në Shqipëri mbi dhjetë libra dhe mbi 100 artikuj studimorë, analitikë dhe publicistikë në disa prej revistave dhe gazetave të vendit. Përsa i përket postit të ambasadorit të Shqipërisë që kam mbajtur për 3 vjet në Hagë dhe për 4 vjet në Uashington, ky nuk besoj të ketë qenë një faktor, pasi, si rregull, ambasadori i një vendi të vogël, si Shqipëria, i akredituar në vendin më të fuqishëm të globit, pra në Shtetet e Bashkuara, do të duhej të njihej dhe të vlerësohej më shumë në vendin e tij, sesa në vendin pritës apo diku tjetër”.

Fushë e studimeve tuaja është edhe sociologjia politike. Si e shikoni tranzicionin shqiptar dhe ndikimin e tij në strukturën dhe në marrëdhëniet e familjes shqiptare?
“Tranzicioni shqiptar: i tejzgjatur, shumë i vështirë dhe shumë i dhimbshëm. Familja shqiptare: edhe ajo vetë në një tranzicion të vështirë, i cili po transformon rrënjësisht marrëdhëniet tradicionale martesore e familjare, marrëdhëniet burrë-grua dhe, sidomos, raportet midis brezave, raportet individ-shoqëri, traditat dhe mënyrën e jetesës, etikën dhe sjelljen seksuale të njerëzve, veçanërisht të të rinjve, etj. Si problemet e shumta politike, sociale dhe ekonomike të tranzicionit, ashtu edhe dukuritë e reja në marrëdhëniet martesore e familjare, si edhe ato që kanë të bëjnë me etikën dhe sjelljen seksuale në shoqërinë e sotme shqiptare, përbëjnë një sferë të gjerë dhe shumë të rëndësishme për studimet tona sociologjike”.

A kanë të ardhme në vendin tonë mendimi sociologjik dhe shkenca që e përpunon atë?
“Pa dyshim që po, pasi në thelbin e vet, siç ka venë në dukje sociologu i njohur amerikan Peter Berger, mendimi sociologjik është “një mënyrë tipike moderne dhe perëndimore e të menduarit”. Sa më moderne dhe sa më perëndimore të bëhet shoqëria shqiptare, aq më shumë do të ndihet nevoja për sociologjinë dhe studime sociologjike. Për këtë unë nuk kam asnjë dyshim”.

Së, fundmi, a mund të dimë se çfarë keni në dorë dhe çfarë botimesh mund të presë prej jush publiku shqiptar?
“Projekti më i rëndësishëm për këtë vit është një vëllim (Compagnion) mbi shkencat që studiojnë shoqërinë, si bashkëpunim me 25 sociologë amerikanë, ndër të cilët bëjnë pjesë edhe sociologë të tillë të shquar si Immanuel Wallerstein, Amitai Etzioni, Randall Collins, Bryan Turner, Arne Kalleberg etj. Së shpejti pres të botohen njëherësh tri vëllime, të cilët përmbajnë analiza sociologjike të zhvillimeve të sotme globale. Kam në duar, gjithashtu, librin Afrimi i madh, i cili përmban memoaret e Uashingtonit nga koha kur shërbeva si ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Së fundmi kam nisur të punoj njëherësh me dy monografi: e para është, si të thuash, një rikthim nostalgjik në “dashurinë” time intelektuale të parë të periudhës studentore, një studim mbi filozofinë e natyrës të Lukrecit. E dyta është një studim sociologjik mbi ndryshimet në etikën dhe në sjelljen seksuale të shqiptarëve pas viteve 1990, të cilën mendoj ta titulloj Erosi dhe Demokracia”.

Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.