Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Guro Zeneli: Ramiz Alia mė ka lėnė detyrė tė verifikoja ankesat pėr Fahri Balliun
» Dėrguar mė: 02/04/2012 - 10:33
Lajme te ngjashme
Vildane Zeneli provokon sėrish, kėtė herė bėn ‘belfie’
• Datë: Oct 19, 2014
Nga Fatos Veliu

(Vijon nga faqja 19)

Jam shumë kurioz zoti Zeneli, të di se si është historia e Fahri Balliut, për të cilin me sa më kujtohet, më keni shprehur se dikur kur ishte gazetar i "Zërit të Popullit", Ramiz Alia, ka bërë një ciklim të posaçëm mbi një letër informacioni për të. Sensi i atij shënimi ka pasur karakter kritik?
Ka qenë një histori disi e veçantë nga të tjerat, për problemin që trajtonte. Këtë e them, se ndryshe nga çdo problem që mund të mbërrinte te Ramiz Alia në lidhje me mitmarrjet e kuadrove të spikatur, rrallë mund të kishte raste që të dilnin probleme për mitdhënie. Kjo ndodhi me Fahri Balliun. Në atë kohë, siç e thatë edhe juve, ka qenë gazetar i "Zërit të Popullit", që ishte jo pak, por organ i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Si ishte puna e mitdhënies për të dhe si mund të mbërrinte kjo gjë kaq e vogël deri te Ramiz Alia?
Problemi i Fahri Balliut ishte, se si ai u përcoll te Ramiz Alia. Dhe pikërisht ai kishte të bënte, se Fahriu korruptonte njerëz të nomenklaturës, kryesisht me ata të cilët ai kishte interes. Kuptohet këtu, që ata ishin kryesisht shefa të tij, me të cilët e lidhte puna e përditshme.
Thatë se ishte gazetar i "Zërit të Popullit"?
E saktë. Ai ishte gazetar i "Zërit të Popullit". Më konkretisht, mbulonte si korrespodent, rrethet e Elbasanit dhe Pogradecit.
Jam kurioz të di, apo më mirë të them, lexuesi është i interesuar për detaje më të hollësishme, kështu që po ju pyes, se kë korruptonte nga shefat e tij Fahri Balliu ose të themi, se për kë citohej në informacionin që i shkoi Alisë?
Kishte dalë problem se korruptonte p.sh Kryeredaktorin, shefin e shtypit në Komitetin Qendror etj.
Po si doli ky problem dhe pse u bë aq shqetësues, sa të mbërrinte siç thoni ju, në tavolinën e Ramiz Alisë?
Ai u bë problem, se ishte dërguar letër nga një grup njerëzish apo më mirë të themi nga një grup punonjësish nga Pogradeci. Ata informonin se Fahri Balliu merrej me dërgim pakosh, për të korruptuar njerëz të rëndësishëm të shtetit. Në atë letër nuk hezitohej të përshkruheshin edhe raste konkrete, për sasi dhe lloje asortimentesh ushqimorë të përdorur nga Balliu, për t'ua shërbyer shefave të tij, kryesisht atyre të rëndësishmëve. Jo vetëm kaq, por flitej edhe për emra njerëzish, se kujt i shkonin këto asortimente ushqimorë.
Jam kurioz, nëse në atë informacion 'alla shqiptarësh'- të cilët me sa shihet e dëgjohet e dinë mirë punën e raportimeve të fshehta,- përmendeshin llojet e asortimenteve që përdorte ai, për të korruptuar administratën që ju cituat më lart?
Thuhej se Fahri Balliu përgatiste peshqeshe me raki moskat, peshk, verë Pogradeci, arra... etj.
Ju duket normale, që një problem i tillë, që mua më duket i vogël, të mbërrinte në zyrën e njëshit të shtetit?
Duhet të përfytyrosh disi mënyrën e funksionimit të shtetit të djeshëm, që të kuptosh idenë apo si të thuash, thelbin e asaj që ngrihej si shqetësim. Fahri Balliu edhe në atë kohë që flasim ishte një person me një integritet të caktuar, se ishte gazetar i gazetës së partisë, që ishte konsideruar drejtuese dhe udhëheqëse e të gjithë jetës dhe veprimtarisë së vendit. Gazetarët e saj duhej të ishin shembull dhe të mishëronin cilësitë ideale të shoqërisë, që konsiderohej se ndërtonim. Kështu që kur vinte një letër informacioni për një gazetar të rëndësishëm si Fahri Balliu, ki parasysh se nuk ishte një denoncim apo informacion për një njeri dosido.
E çfarë bëri Ramiz Alia pas marrjes së informacionit?
Ai ka lënë mbi letër shënimin "Të verifikohet nga njerëz të pakorruptuar".
Dhe çfarë ndodhi?
Tani, pas shënimit të lënë nga Alia, duhej që dikush të merrej me patjetër me verifikimin e problemit dhe të sillej raport me shkrim. Me këtë dua të them, që ta kuptosh paksa mënyrën e funksionimit, se shënimet e shefit do të thoshin, të lëviznin vartësit dhe t'i raportonin për çka kishte lënë detyrë. Pra, me një fjalë ishin urdhër. Kështu ndodhi dhe pasi na la shënimin për verifikimin e Fahri Balliut, i cili në rastin konkret m'u caktua mua.
Pse?
Po e vërteta është, se unë as që e prisja, por u ndjeva mirë për një gjë, se në ndjekjen e asaj detyre unë kalova direkt me porosi të Ramizit. Dikush nga kabineti i ndihmësve i tha atij, se çfarë donte të thoshte dhe për kë e kishte fjalën, kur shënonte mbi letrën informative për Fari Balliun, " të verifikohet nga njerëz të pakorruptuar"? Ai kishte buzëqeshur dhe kishte thënë: Po dërgoni Guron, për kë mund ta kem fjalën!
Thatë që u ndjetë mirë?
Nuk u ndjeva mirë që u dërgova për verifikim, por u ndjeva mirë, për faktin që Ramizi kishte krijuar përshtypje shumë të mira për mua, gjë që kishte shumë rëndësi. Kush nuk do të njihet për mirë te shefi i tij, aq më shumë kur punon çdo moment me një zell të përkushtuar.
Si vepruat?
Fillimisht takova shefin e shtypit në Komitetin Qendror, Miti Tomën, për t'u konsultuar dhe ta vija në dijeni për problemin që kishte dalë në kuadrin e sektorit që ai vetë mbulonte. Bëhej fjalë që e kisha mik të ngushtë, por që gjithsesi nuk do t'i thoja kurrsesi që problemi i korruptimit kishte mbërritur deri te Ramiz Alia.
Çfarë të tha?
Ai e kuptoi menjëherë, se vajtja ime atje nuk ishte nga mendja ime, siç ia thashë unë, por ishte veç porosi e Alisë, kështu që u ndje keq.
Fahriun, e takuat?
Për të do të më duhej të nisesha me shërbim në drejtim të Pogradecit, prej nga kishte ardhur edhe letra në fjalë, e cila na kishte vënë në lëvizje. Ashtu bëra. Me vete mora dhe Skënder Dukën, i cili ishte gazetar në revistën "Rruga e Partisë".
Shkuat?
Këtu është gallata më e madhe. Sa shkuam në Pogradec, hymë në hotel "Turizëm" të çlodheshin dhe të pinim një kafe, pasi ndiheshin goxha të lodhur prej rrugës. Por ç'të shikojmë?! Në hollin e saj, në aneksin e Vipave ishte pikërisht Fahri Balliu, i cili e kishte shtruar me vetë Sekretarin e Parë të Partisë së Pogradecit, Belul Lufon.
Çfarë i thatë?
Çfarë do t'i thonim. Shkuam u takuam dhe me të qeshur i treguam, se ne kishim shkuar për të verifikuar atë, ndërsa tani e gjenim që e kishte shtruar me vetë kreun e partisë së rrethit. Kjo donte të thoshte, që a ka verifikim më të mirë për problemin në fjalë?!
Ndenjët shumë në Pogradec dhe çfarë verifikuat?
Po çfarë do verifikonim. Ato çka thuheshin, diheshin dhe mësoheshin thjesht. Aq më shumë që ne takuam Sekretarin e Parë të Rrethit aty.
Çfarë i raportuat Ramizit?
Sipas rregullit, kur i çonim informacionin, i çonim edhe shkresën ku kishte bërë shënimin dhe i tregonim për detyrën që kishte lënë, me qëllim që ai të orientohej për se po i raportohej. Kështu bëmë dhe për informacionin që kishim bërë për Fahriun. I thamë si ishte puna dhe për çfarë na kishte lënë detyrë. Ndërkohë që i thamë, se takuam edhe Sekretarin e Parë, ndërkohë që problemet që ngriheshin ishin ato të punës rutinë të Fahriut, që nuk përbënin ndonjë peshë të madhe, por që i thamë akoma, se i vumë në dijeni të shqetësimit të ngritur dhe se duhet të shikonin me përgjegjësi atë problem …etj.
Reagoi Ramizi?
Të them të drejtën, e pamë që priti një raportim kalimthi, duke lëvizur në tavolinë, si për të treguar padurim për të kaluar në një temë tjetër. Pas kësaj, ai para se të nisej në temë tjetër, na tha si për të mbyllur oratorinë e nxituar tonën: Lëreni Fahriun, se i di vetë punët e tij ai, madje mirë, por shikoni për problemin X, që unë nuk e mbaj mend për se ishte fjala. Kështu u mbyll ajo punë, gjë që ne pamë edhe një herë, se Fahri Balliu gëzonte një simpati të veçantë te Ramiz Alia.
Po pse e la shënimin për verifikim, kur gëzonte simpati?
Sepse diçka do të shkruante, pasi letra ishte protokolluar, që kishte hyrë në zyrën e tij. Kështu që ishte një shënim rutinë për të thënë, që e pashë letrën dhe lashë detyrë.
Le të kalojmë zoti Guro në një detaj tjetër, që ma keni treguar paraprakisht, por që mua më është dukur interesant, prandaj e kam shënuar edhe në bllokun tim për ta bërë në formën e pyetjes e për ta shtjelluar. Ajo që doja të pyesja, ka të bëjë me atë se si ndodhi që Liri Belishova u rrezikua për në burg, ndërkohë që dikur ishte internuar në Cërrik, ku në ato momente vazhdonte të vuante dënimin?
Mbaj mend që ka qenë viti 1983. Atëherë ka dalë libri i Enver Hoxhës "Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë". Në atë libër, ndërmjet të tjerash, lakohet shumë Mehmet Shehu dhe veprimtaria e tij armiqësore në dëm të partisë dhe integritetit të shtetit.
Mehmet Shehu u akuzua për veprimtari agjenturore?!
Patjetër. Atë po them. Në atë libër, bashkë me disa emra të tjerë përmendet edhe emri i ish-anëtares së Byrosë politike, Liri Belishovës, e cila në atë kohë ishte përjashtuar nga të gjitha funksionet shtetërore dhe partiake dhe ishte dërguar e internuar në zonën e Cërrikut. Me sa më kujtohet, duhet të ketë qenë ajo periudhë, kur nga një sëmundje e rëndë asaj i kishte vdekur edhe vajza, gjë që kishte bërë të kishte një gjendje shpirtërore të shkatërruar.
Deri këtu, pak a shumë dihet nga opinioni. Por më tej, si është e veçanta e jetës së saj?
Pikërisht pas daljes së librit qëndron e veçanta. Në atë kohë ishte bërë normë që, kur dilte një vepër apo mbahej një fjalim i Enver Hoxhës, ku në të lakohej një emër, aq më shumë kur etiketohej, pra akuzohej për një veprimtari antiparti, menjëherë organet përkatëse fillonin të lëviznin. Kështu ndodhi edhe me Liri Belishovën.
Çfarë i bënë pas internimit?
Menjëherë pas daljes së librit, ku ishte goditur veprimtaria armiqësore e Mehmet Shehut dhe ishte etiketuar si bashkëpunëtore në veprimtarin e tij armiqësore edhe Liri Belishova, filluan hetimet në mënyrë të menjëhershme. Kuptohet, me hetime do të thotë që të kompletosh dosjen, për të bërë arrestimin e saj. Por procedura e hetimit të saj u shoqërua edhe me një lumë akuzash publike, që rifilluan ta shoqëronin Liri Belishovën në atë kohë. Pas hetimit sekret, u nis menjëherë në drejtim të Cërrikut, ku ajo ishte e internuar, vetë Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe.
Përse ?
Ai dhe strukturat që e qarkonin, do të bënin menjëherë arrestimin e saj, për t'i atashuar edhe akuzat e reja që kishte nxjerrë në dritë, nëpërmjet librit të tij, Enver Hoxha.
E arrestuan?
Pikërisht këtu qëndron e veçanta, se ajo u tregua shumë e "shkathët" në atë moment. Kuptohet, fjalën "e shkathët" kam dëshirë ta përmend unë, sepse në të vërtetë ishte një koincidencë, që ndikoi shumë në fatin e saj të atyre ditëve. Ajo jo se e dinte që do të vinte ndoshta ndonjë ndihmë konkrete, por bëri përçapjen e dëshpëruar dhe energjike, që e shpëtoi nga mynxyra e mëtejshme.
Konkretisht?
Konkretisht, ajo kur pa sërish akuzat e reja që filluan t'i ngjiteshin publikisht, e parandjeu një farë rreziku, si të thuash, atë që i përgatitej. Për këtë, ajo bëri një letër shumë të dhimbshme, duke thënë: Më lini të qetë në jetën time të zezë.
Kujt ia dërgoi letrën?
Ia dërgoi Ramiz Alisë, si Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kemi parasysh që jemi në vitin 1983, kur Enver Hoxha ishte akoma gjallë, madje kishte promovuar edhe librin në fjalë, ku citonte Liri Belishovën. Ndodhi që letra erdhi pikërisht në momentin që Zëvendësministri i Brendshëm ishte nisur për të bërë arrestimin.
Kush e mori Letrën?
Letra, sigurisht sipas rregullit, erdhi në dorën time. Unë si e lexova, të them të drejtën u preka pa masë. Aq më shumë që ajo ishte e shkatërruar jo vetëm nga internimi, por edhe nga vdekja e vajzës. Në rastin më të parë, shkova në zyrën e Ramizit dhe i tregova si ishte puna. Ndërkohë, i lexova vetëm një frazë të Lirisë "Më lini të qetë në jetën time të zezë".
Reagoi Ramizi?
E pashë që u prek, por sigurisht nuk e dha veten dhe as u shpreh, por veproi menjëherë. Mori Hekuran Isain, që ishte Ministër i Brendshëm dhe i tha: Dëgjo shoku Hekuran. Liri Belishovën e ka gjykuar njëherë Partia. Lëreni të qetë. Mos vini dorë mbi të. Do të bisedoj edhe me shokët.
- Po e ka cilësuar shoku Enver bashkëkomplotiste me Mehmet Shehun shoku Ramiz,- ia ktheu Hekurani.
- Mirë, mirë, - vijoi Ramizi,- por mos harro se kujtimet nuk janë dokumente për në gjyq. Kaq dhe e mbylli.
Për kë e kishte fjalën, kur tha se do të bisedonte edhe me shokët?
Mendoj se mund ta ketë pasur për Enver Hoxhën. Se kështu u shprehej zakonisht anëtarëve të udhëheqjes, kur do të diskutonte apo të vinte në dijeni Enver Hoxhën. U thoshte se do ta bisedonte me shokët.
Dhe Liria shpëtoi, apo jo?
Sigurisht. Ajo shpëtoi vetëm prej Ramiz Alisë, sepse të gjithë donin ta "fshinin". Do të përfundonte në burg dhe sot nuk do të ishte më. Por kuptova që pas internimit, domethënë në vitet e demokracisë, ajo s'e kishte mësuar akoma se nga kush i kishte shpëtuar prangave.
Pse e thoni këtë?
Këtë e them, sepse filloi të fliste kundër Ramiz Alisë. Të paktën asaj personalisht nuk i takonte të fliste, se siç të thashë, ai i kishte shtrirë dorën, në momentin më të vështirë të jetës.
(vijon në faqen 22)
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.