Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Uran Butka: Kristo Frashėri shtrembėroi tė vėrtetėn pėr 50 vjet me radhė
» Dėrguar mė: 24/04/2012 - 16:04
Lajme te ngjashme
Prishet aparatura e mamografisė, gratė: Kemi tri ditė qė presim nė radhė
• Datë: Oct 31, 2014
Uran Butka

Si autor dhe bashkautor i teksteve të historisë së Shqipërisë, për gjysëm shekulli, Kristo Frashëri prodhoi një histori të politizuar, të ideologjizuar dhe të falsifikuar, siç e kërkonte regjimi komunist dhe klika e Enver Hoxhës. Ai deformoi dhe tjetërsoi për interesa politike e pushtetare, jo vetëm historinë e Luftës së Dytë Botërore dhe të periudhës së socializmit, por edhe periudha të tjera të rëndësishme si atë të Pavarësisë e të Mbretërisë, duke glorifikuar ngjarjet e figurat e lidhura me komunizmin dhe duke përbaltur ngjarje e figura kombëtare. Madje, edhe trajtimin e periudhave më të hershme, ai e bëri në optikën e teorisë marksiste-leniniste të rolit të masave në histori, të luftës së klasave dhe të prejardhjes, sipas së cilës klasat e pasura e pinjollët e tyre nuk e donin dhe e zhbënin Shqipërinë, ndërsa vegjëlia, opinga e bënte historinë. Shembulli më tipik ishte trajtimi antihistorik i Lëvizjes së Haxhi Qamilit, për të cilën u vlerësimi "historik" u vendos në zyrat e sekretariatit të KQ-së të PPSH-së dhe historianët puthadorë të regjimit, përfshirë e dhe K.Frashërin, e futën në histori si një lëvizje revolucionare të turmave, ndërkohë që haxhiqamilët luftonin për ta kthyer Shqipërinë pas, nën sovranitetin e sulltanit, me flamurin turk dhe me parullën "O babën, o barin!" dhe rrëzuan themelet e shtetit të pavarur shqiptar, vranë atdhetarët, dogjën shkollat si edhe u hapën udhën pushtuesve serbë e grekë.
Po kështu, veproi edhe me historinë e Luftës NÇ dhe të pasluftës.
Nuk i mjaftoi ky dëm i pallogaritshëm që Kristo Frashëri u shkaktoi historisë dhe jetës së një kombi, për të cilin nuk ndien pikë përgjegjësie, por edhe në këta 20 vjet të rendit demokratik, kur historia ka nisur të drejtshkruhet, nuk reshti së mbrojturi atë produkt të historiografisë komuniste, pjesë e së cilës i përket, por edhe së përgojuari figura të shquara, kundërshtare të komunizmit dhe së sulmuari përpjekjet e historianëve bashkëkohorë. Madje, edhe historianët i ndan në ballistë dhe komunistë, siç ndan edhe pjesët e shoqërisë e të politikës. Për mendimin tim, vlera e historianët përcaktohet nga raporti me të vërtetën. Bie fjala, Beqir Meta, i cili nuk ka asnjë lidhje me komunizmin, as me ballizmin, por me të vërtetën, qenka historian ballist, pse pranon luftën civile?! Kristo Frashëri, që ka shtrembëruar për gjysmë shekulli të vërtetën, duke mashtruar e falsifikuar, nuk ka moral t'u mësojë të tjerëve sesi shkruhet historia! Ai edhe sot e kësaj dite njeh vetëm Luftën NÇ, duke e monopolizuar luftën e popullit shqiptar, ndërkohë që edhe forcat e tjera kanë luftuar dhe kontribuuar në luftën kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Lufta NÇ është një pjesë e luftës antifashiste, ajo që drejtohej nga PKSH dhe ku ka marrë pjesë edhe Kristo Frashëri. Por, duke pranuar vetëm Luftën antifashiste NÇ, mohohet lufta antifashiste e nacionalistëve, bie fjala e Abas Kupit në Durrës më 1939, në Krujë e në Mat, lufta e Hysni Lepenicës që u vra bashkë me 36 luftëtarë balliste kundër italianëve në Grehot të Gjirokastrës, lufta e Skënder Muços që u vra nga nazistët në Bubullimë të Lushnës, lufta e nacionalistëve të Mallakastrës: Jashar Cakranit, Rauf Fratarit, Tefik Cfirit etj, kundër italianëve e gjermanëve, lufta e Muharrem Bajraktarit në Lumë e në Kukës kundër gjermanëve, ndërkohë që komunistët i binin pas shpine, lufta e Mustaf Dervishit, Jup Kazazit dhe Faik Qukut në Shkodër e gjetkë, lufta e Gani Kryeziut në malësinë e Gjakovës kundër gjermanëve etj. Pra, duhet korrigjuar jo vetëm përmbajta e Luftës, por edhe terminologjia dhe për mendimin tim duhet emërtuar: Lufta antifashiste e popullit shqiptar, ku secila forcë, lëvizje apo person dha ndihmesën e vet. Unë kam respekt e devocion për luftëtarët e lirisë, qoftë partizanë, qoftë ballistë, qoftë legalistë, qoftë të pavarur që luftuan kundër pushtuesve, si edhe për dëshmorët e kësaj lufte antifashiste. Por jo si partiaku i vjetër, Kristo Frashëri që konsideron dëshmorë e heronj vetëm ata të Luftës NÇ, një pjesë e madhe e të cilëve, u vranë në luftën civile ndërmjet shqiptarëve, ndërsa të tjerët që ranë për liri, i quan tradhtarë! Siç dihet, kanë dalë në pah dokumente të reja, të panjohura më parë, në arkivat shqiptare dhe të huaja, që e bëjnë të domosdoshme trajtimin e ngjarjeve historike dhe të personaliteteve nën dritën e këtyre dokumenteve, por edhe të një interpretimi objektiv shkencor, larg interesave dhe mendësive politike. Por, K.Frashëri mendon se historia e shkruar një herë dhe nuk mund të ndryshohet, se ajo është monopol i një force të vetme politike, të cilës ai i shërbeu, se ajo ua ka vënë kurorën një herë e përgjithmonë "fitimtarëve" dhe vulën e tradhtisë kundërshtarëve politikë etj. Edhe ndonjë retushim të vogël duhet ta bëjë vetëm ai. Ai mund t'i vërë pikat mbi "i". Kështu, dy vite më parë, ai deklaroi bujshëm se kishte ruajtur Aktin origjinal të Pavarësisë, kur kishte në dorë asgjë më shumë se një kopje të Aktit të Pavarësisë të botuar nga Lef Nosi më 1937, si edhe të ekspozuar qysh në vitin 1992 në Arkivin Qendror, në Muzeumin e Vlorës e atë Kombëtar dhe në tekstet e historisë. Kur e dispononte këtë Akt, përse vendosi apo lejoi të vendosej mbi emrat e firmëtarëve "të padëshiruar" nga regjimi komunist foton e ndërtesës ku u ngrit flamuri, për t'i fshirë apo mbuluar firmëtarët dhe të vërtetën historike?!
Një nga këto figura është edhe Mid'hat Frashëri, firmëtar i Pavarësisë.
ROLI I MIT'HAT FRASHERIT
Në tekstet e historisë së shkruara nga Kristo Frashëri, Mit'hat Frashëri nuk zihet fare në gojë për kontributet e tij në histori të paktën si kryetar i Kongresit të Manastirit për alfabetin dhe çështjen kombëtare, si ideator i Kongresit të Elbasanit për themelimin e shkollave shqipe dhe të Normales së Elbasanit, si delegat i Kuvendit të Vlorës dhe ministër i qeverisë së Ismail Qemalit, si kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare, si diplomat i shquar dhe një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe historisë shqiptare të periudhës së Pavarësisë. Tashmë, këto vlera të pamohueshme dhe të dokumentuara të Mit'hat Frashërit, Kristo Frashëri nuk i atakon dot më, por thekson, edhe në shkrimin e fundit botuar në "Gazetën Shqiptare", se Mit'hat Frashëri është edhe atdhetar, edhe tradhtar. Një taktikë perfide për ta goditur sërish. Sipas logjikës së tij, tradhtar, sepse ka qenë kryetar i Ballit Kombëtar, ka luftuar kundër PKSH e Luftës NÇ dhe ka "bashkëpunuar" me okupatorët. Kjo ka qenë logjika e propaganda e dalëboje e PPSH dhe e historianëve puthadorë të saj, si Kristo Frashëri.
Balli Kombëtar u themelua si një alternativë antifashiste e demokratike dhe këtë e ka shprehur në dokumentet themeltare programorë "Nacionalizma shqiptare - Balli Kombëtar, 1939" (shih Arkivi i Shtetit) dhe "Dekalogu i Ballit Kombëtar", 1942. Por, edhe në luftën, tashmë të dokumentuar, kundër pushtuesve fashistë në një sërë luftimesh të rëndësishme. Madje ka pasur edhe beteja të përbashkëta të ballistëve e të partizanëve kundër italianëve, si lufta e Gjormit, lufta e Pocestës, lufta e Qafë Shtamës, lufta e Reçit etj. Nëse nuk do të ishte një organizatë atdhetare dhe antifashiste, s'kishte sesi të bashkëpunonte partia e K.Frashërit, madje të bëhej edhe Marrëveshja e Mukjes, (gusht 1943) për një luftë të përbashkët kundër okupatorëve, në krah të Aleatëve të Mëdhenj Antifashistë.
KONFERENCA E LABINOTIT
Në Konferencën e Labinotit të PKSH, mars 1943, nga diskutantët u vu në dukje rritja e influencës së B.Kombëtar dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit me të si organizatë patriote. (Shih, AQSH, Konf. Labinotit , mars 1943) . Nuk u tha asgjë e keqe për B.Kombëtar, përkundrazi. Edhe në Mbledhjen e përbashkët të Tapizës (korrik 1943) u bisedua për një luftë të përbashkët kundër okupatorit, po ashtu edhe në Kuvendin e Mukjes, ku u krijua edhe Komiteti i Përbashkët për drejtimin e luftës me emrin "Për shpëtimin e Shqipërisë". Madje, u zhvillua edhe një betejë e përbashkët e organizuar nga Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë në Qafë Shtamë, , 4-5 gusht 1943, nën komandën e Abaz Kupit, ku u zu rob edhe komandanti Italian Scarpa. (shih Arkivi i Shtetit, F.270, d.69, v.1943) .
Marrëveshja e Mukjes është një nga ngjarjet më kulmore të historisë së popullit tonë, një kompromis i madh ndërmjet të djathtës e të majtës për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike. Një model edhe për sot, kur kërkohet kompromisi për çështjet madhore të shtetit, të integrimit euro-atlantik dhe të çështjes kombëtare. Me marrëveshjen e Mukjes zgjidhej drejt çështja e luftës së përbashkët kundër okupatorëve, në krah të Aleatëve Antifashistë dhe e pasluftës, kur me zgjedhje të lira të përgjithshme të përcaktohej pushteti demokratik dhe forma e regjimit.
Marrëveshjen e Mukjes dhe luftën e përbashkët kundër pushtuesve aktualë dhe eventualë, e prishi PKSH, e nxitur nga emisarët Jugosllavë, të cilët historiani K.Frashëri nuk i zë fare në gojë. Ishte kjo marrëveshje kombëtare, ishte kjo luftë e përbashkët përmbi interesat partiake, ishte kërkesa për zgjidhjen e çështjes së Kosovës mbi parimin e vetëvendosjes së kombeve, që i trembën dhe i tërbuan udhëheqësit komunistë jugosllavë, që e kishin nën vartësinë e tyre PKSH-në. Është i dokumentuar roli Titos dhe i emisarëve jugosllavë M.Popoviç, D.Mugosha, S.Tempo, B, Jovanoviç, etj në drejtimin e PKSH dhe të Luftës NÇ dhe, veçanërisht ndikimi mbi E.Hoxhën.
"Traktati i Konferencës së Mukjes shkaktoi një turbullimë të madhe, - shkruante Dushan Mu-gosha. Organizata e Partisë në Vlorë, nën direktivën time, shkroi traktatin dhe ua drejtoi të gjitha njësive të Ballit Kombëtar, ku thuhej shkurt e qartë: "Kush nuk dëshiron me ne, është kundër nesh".
Miladin Popoviçi i raportonte Titos: "Kemi ndikuar në PKSH dhe në Luftën NÇ, që gjithsesi të prishim Marrëveshjen e Mukjes", ndërsa KQ të PKJ i shkruante: "Kemi biseduar me KQ të PKSH dhe studiuar çështjen, situatën atje dhe atëherë vendosëm që të mos njihet mënyra e organizimit të Komitetit për shpëtimin e Shqipërisë dhe as funksionimi i tij si instancë më e lartë e Luftës". (Autonomia Kosovo, Beograd 1985)
ROLI I ENVER HOXHES
Enver Hoxha, nën diktatin e jugosllavëve e prishi marrëveshjen e Mukjes dhe bashkëpunimin në luftë, dhe qysh më 8 gusht 1943 u dërgon qarkore komiteteve të PKSH-së që "ta çjerrin aktin e marrëveshjes së Mukjes dhe të mos flitet më për të" (Aqsh F.14 d.11, v.1943) .
Kjo është tradhtia kombëtare e E.Hoxhës dhe e PKSH dhe jo e Mit'hat Frashërit dhe e Ballit Kombëtar, zoti Kristo!
Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, me urdhër të E.Hoxhës (shih qarkoret e datës 1 tetor 1943) nisi lufta civile në Shqipëri, luftë që K. Frashëri e mohon për arsye që kuptohen lehtësisht.
Në Konferencën e dytë të Labinotit, 4-8 shtator 1943 u vendos, gjithnjë në prani të emisarëve të Beogradit, shpallja e luftës së armatosur kundër Ballit Kombëtar, për ta likuiduar atë dhe u vendos gjithashtu "marrja e pushtetit me çdo kusht e me çdo mjet". Në Labinot u hodh teza "Ta hedhim Ballin dhe nacionalistët në krahun e okupatorit, për ta luftuar dhe asgjësuar".
Hibbert, oficer britanik theksonte: "St-rategjia politike e PKSH-së ishte që nacionalistët të dilnin njëlloj, si bashkëpunëtorë të italianëve dhe të gjermanëve". (Hibbert, Fitorja e Hidhur).
Dejvid Smajl shkruante: "Taktika e komunistëve ishte t'i shpallnin armiq ata që s'mendonin njëlloj apo ata që nuk bashkoheshin me ta". (D.Smail, Me detyrë në Shqipëri). Lufta civile në Shqipëri (1943-1945) e nxitur nga Jugosllavët për interesat e tyre ndaj Kosovës dhe ndaj Shqipërisë dhe e shpallur dhe provokuar, e nisur dhe e përfunduar nga PKSH dhe E.Hoxha, për të marrë pushtetin "me dhunë dhe me gjak", si edhe për të vendosur një regjim komunist në Shqipëri ishte një luftë e brendshme, e organizuar, e armatosur dhe e përgjakshme ndërmjet palëve kundërshtare: PKSH dhe Ballit Kombëtar, më pas edhe ndaj Legalitetit si dhe formacioneve të tyre ushtarake, përfshirë edhe masat popullore që i mbështesnin ato, një konflikt ushtarak ndërmjet të djathtës e të majtës, me pasoja tragjike për Shqipërinë, për atë kohë, por edhe më vonë. Lufta NÇ, e udhëhequr nga Partia Komuniste, një parti terroriste e tipit bolshevik dhe nga drejtues kriminelë si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koci Xoxe, Shefqet Peçi, Haxhi Lleshi etj. E ndikuar nga emisarët jugosllavë, të cilëve iu interesonte lufta civile në Shqipëri duke u gërshetuar, siç pranon vijimisht edhe E.Hoxha, me detyrat e revolucionit komunist për marrjen e pushtetit me dhunë, sipas udhëzimeve të Kominternit, e humbi karakterin e saj fillestar patriotik e çlirimtar dhe u përfshi në një luftë të ashpër e të pamëshirshme civile, që shkaktoi mijëra viktima nga të dy palët ndërluftuese, por edhe nga Legaliteti, krerët e Veriut e deri në Kosovë. Masakrat përgjatë Luftës civile, që shkaktuan mijëra viktima nga të dyja anët, si lufta vëllavrasëse në Jug të Shqipërisë, si në Libohovë, Devoll, Kolonjë, Korçë, Dumre, Lushnjë, Dukat, Martanesh, Lumë, Kukës, Malësi e Madhe, Postribë, Mirditë, Mat, Dibër etj. Vetëm beteja e Tamarës, në janar të vitit 1945, ndërmjet forcave të Korparmatës III dhe të Brigadës I, me në krye Mehmet Shehun kundër forcave nacionaliste dhe mbrojtëse të Preng Calit , zgjati një muaj ditë, u përgjak lumi Cem dhe u vranë qindra luftëtarë nga të dy anët. Në Malësinë e Madhe në atë kohë nuk kishte as italianë e as gjermanë, ishin vetëm shqiptarët që luftonin në një luftë civile, që s'kishte ndodhur më parë. Vetëm kur Brigada I doli në Jugosllavi dhe prej andej e sulmoi Vermoshin, nga veriu dhe nga jugu, vetëm atëherë u thye qëndresa e Preng Calit dhe e malësorëve. A nuk është luftë civile kjo, zoti Kristo?
LUFTA CIVILE
Kjo luftë dokumentohet katërcipërisht nga dokumentet e arkivave shqiptare dhe të huaja si edhe nga studiues e historianë shqiptarë e të huaj. Lufta civile dëshmohet nga të gjithë oficerët britanikë që ishin gjatë luftës në Shqipëri, si D.Smajl, J. Emer, Deivis, Kemp, Hibbert, etj. Por, edhe historianët e sotëm si B.Fisher, i cili në intervistën që i dha televizionit "AS", theksoi: "Duke u bazuar në përkufizimin tradicional të luftës civile, do të thoja që lufta 1939-1944 në Shqipëri ishte një luftë civile". (Intervista e B.Fisher,tel."AS" prill 2012) .
Ndërkohë, nuk ka asnjë dokument, as në arkivat shqiptare, as në ato të huaja, që Mit'hat Frashëri, si kryetar i ballit Kombëtar, apo edhe si person, të ketë bërë ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me pushtuesit gjermanë. Madje, forcat e Ballit Kombëtar kanë zhvilluar disa luftime kundër gjermanëve (shih promemorien e Mit'hat Frashërit dhe Lec Kurtit drejtuar konferencës së Paqes në Paris, 1946 dhe dokumentet e AQSH, F.14 dhe 270) te kthesat e Barmashit, 8 gusht 1943, në Llogara, nëntor 1943, në Borizanë, shtator 1944 etj. Të vënë midis dy zjarreve, zjarrit nazist dhe zjarrit komunist, nacionalistët për të mbijetuar por edhe për të mos shkatërruar Shqipërinë, e kufizuan luftën kundër gjermanëve, që i quanin kalimtarë në Shqipëri dhe e përqendruan luftën në qëndresën ndaj mësy-mjes komuniste. Në këto kushte, përballë rrezikut të dyfishtë, Mit'hat Frashëri, më datën 7 tetor 1943, porosiste komitetet krahinore të Ballit Kombëtar për një pezullim të përkohshëm të veprimeve luftarake kundër ushtrisë gjermane: "Meqenëse vendi ynë sot ka nevojë më të ngutshme për rregull dhe disiplinë, gjithë komitetet, komandat dhe çetat e Ballit Kombëtar porositen që me të arritur kjo qarkore, të pezullohet çdo operacion luftarak kundër forcave gjermane tash për tash. Më vonë do t'ju dërgohen edhe direktiva të tjera".
Ky dokument veç të tjerash dëshmon se, deri në atë moment ka vazhduar lufta e nacionalistëve kundër gjermanëve. Fjalët "të pezullohet" dhe "tash për tash" dëshmonin se ndërprerja ishte e përkohshme, ishte një taktikë.
Ky dokument është publikuar dhe komentuar për 50 vjet rresht si komprometues për Mit'hat Frashërin. Për këtë arsye ai është akuzuar nga krerët e PPSH dhe historiografia komuniste si bashkëpunëtor me gjermanët. Vazhdon edhe sot nga K.Frashëri. Përse nuk është akuzuar Lenini si kolaboracionist, kur bëri paqen e Brest-Litovskit me gjermanët, apo Stalini kur bëri marrëveshje me ta për mossulmim në vitin 1939, apo Gjin Marku kur bëri kompromisin e Beratit me gjermanët, apo Enver Hoxha kur kolaboroi me jugosllavët? Mit'hati nuk lidhi as marrëveshje, as paqe me gjermanët. Ai i pezulloi përkohësisht ( hë për hë ) për t'i vazhduar pak më vonë aksionet kundër gjermanëve, që ishin thyer në të gjitha frontet dhe po tërhiqeshin drejt Gjermanisë. Ndërprerja e përkohshme e luftimeve kundër tyre dhe jo ndalimi i tyre, nuk mund të konsiderohet akt bashkëpunimi, as akt tradhtie. Në këtë moment, Mit'hat Frashëri përcaktonte si rrezik të momentit atë të mësymjes komuniste që ishte hedhur në ofensivë kundër nacionalistëve dhe gjithë forcave të djathta, për t'i asgjësuar dhe për të marrë pushtetin.
Nëse Mit'hat Frashëri do të ishte kolaboracionist, nuk do të zgjidhej nga aleatët anglo-amerikanë si kryetar i Komitetit "Shqipëria e Lirë" me qendër në Nju York. Madje, vetë Mit'hati vuri si kushte për pjesëmarrjen në Komitetin Shqipëria e Lirë: "Të mos kenë bashkëpunuar me fashizmin dhe të mos kenë bërë krime kundër njerëzimit. (Shih AQSH, fondi M.F) . Si do të vinte kushte të tilla përjashtuese Mit'hat Frashëri, po të ishte vetë i komprometuar me nazifashizmin dhe të kishte bërë krime kundër njerëzimit, siç pretendon Kristo Frashëri?
Kristo Frashëri të reflektojë mbi kolaboracionizmin e mjaft figurave të Luftës NÇ me nazifashizmin, si edhe bashkëpunimin e PKSH dhe të Luftës NÇ me Jugosllavët në Shqipëri dhe veçanërisht në Kosovë ku bashkëvepruan për goditjen e qëndresës shqiptare atje, për ripushtimin jugosllav të Kosovës dhe masakrat si ajo e Tivarit, ku u vranë mijëra shqiptarë të pafajshëm të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare.
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.