Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Mos ikni nga parajsa!
» Dėrguar mė: 26/05/2012 - 13:19
Nga Dritan Hila

Dy vajzat nga të aksidentuarat në Himarë ikën për kurim në Austri. E tha Petrit Vasili. Një rugë e dy punë: bëri dhe reklamën e “Raifaisen Bank” që kishte sponsorizuar udhëtimin e tyre. Një ministri e një shteti që nuk ka para të financojë mjekimin e dy shtetasve të tij! Dhe i merr para një banke, e cila ka ndër interesat më të larta të kreditimit. Dhe këtë bankë duhet ta kontrollojë shteti shqiptar. Por shteti nuk ka para se i harxhon me tenderat e ilaçeve. Ilaçe që kalojnë nga tenderat e Petritit, por nuk shohin dyert e spitaleve, pasi të sëmurët e shtruar vazhdojnë i blejnë me lekë në dorë. Dhe shteti ja pranon bankës. I bën trombë e fanfarë për ato që vijnë nga xhepat e shqiptarëve. Të gjithë kënaqen: Petriti që nuk prek paratë e tenderave; banka që bën reklamë e nuk kontrollohet; Sala që gjen rast e fryhet. Po pse i largon vajzat nga Shqipëria, Petrit? A nuk thua çdo ditë ti dhe kryeministri, që kemi sistemin më të mirë shëndetësor?! A nuk e tha këtë edhe e dërguara e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që ishte për vizitë në Tiranë? Se ose ne jemi më të mirët, ose ti, dhe kryeministri jeni ca pisa gënjeshtarë, dhe ajo e OBSH-së një bibë që ja kanë hedhur ditën për diell, ose merr paratë për projekte që nuk zbatohen. Xhaxhai i njërës prej të plagosurave, akuzonte se për kurimin e syve të mbesës së tij, po i blinin ilaçet në farmaci, pasi spitali nuk kishte. Pse nuk e përgënjeshtroi Ministria e Shëndetësisë? Pasi ose ai gënjen, ose ti dhe kryeministri jeni lloji i sharlatanit më të madh të qeveritarit në botë. Një vajzë tjetër të plagosur, nuk e pranon spitali i vendlindjes në Berat. Të paktën kështu thonë prindërit. Tani, ose pushoni nga puna drejtorin e spitalit, ose drejtoria ta përgënjeshtrojë dhe hedhë në gjyq këtë familje si shpifëse. Dy të vërteta nuk ka. Gënjen e aksidentuara, ose administrata juaj është rryshfetxheshë, e pashpirt dhe militante. Ndoshta vajza ka të drejtë. Përndryshe nuk ka si shpjegohet që njëra palë është e lirë të vdesë, ndërsa tjetra që çuditërisht është gjithmonë ana juaj, nuk i hyn ferrë në këmbë.
Shoferi doli se kishte pasur gjithë fajin. Ai që nga fotoja dukej babaxhan dhe që punonte për 200 dollarë në muaj, pa sigurime, që nuk pinte alkool dhe duhan, e nuk do marrë asnjë kacidhe dëmshpërblim për jetën që humbi, paska qenë një serial killer që nuk e paskëshim ditur. Bravo policia e shtetit që e zbuloi, ndonëse pas vdekjes. Gënjen kush thotë se policët rrinë të fshehur ferrave e skutave, më detyrën e vetme të mbledhin gjobat e fakirave që kapin gafil, dhe vonohen me orë të tëra të shkojnë në vendngjarje. Gënjen kush thotë se ky nuk është shteti i së drejtës në shërbim të qytetarit; se ky vend është një plaçkë lufte që fituesi i zgjedhjeve e rrjep mesa ka në dorë. Ky është vendi ku administrata e tij konkurron atë gjermane për nga korrektësia; ku videot e marrjes së ryshfeteve funksionojnë allasoj nga ato të botës; ku rrugët janë të standarteve botërore, por ne nuk dimë të ecim; ku autoshkollat nxjerrin shoferë cilësorë, por që prishen më pas; ku automjetet janë cilësore dhe certifikimi i tyre nga shoqëria e kolaudimit i standarteve europiane. Gjithçka është drejt këtu. Të vetmit të shtrembër jemi ne, shtetasit e këtij vendi.
Sokol Olldashi, ministri i Transporteve tha se rruga është brenda standarteve. Nëse këtë nuk e kanë kuptuar shqiptarët, e di Sokoli dhe shefi i tij. A nuk mbushet vendi cep më cep me europianë e amerikano-veriorë; me makinat e tyre që çajnë rrugët dhe autostradat shqiptare; që zihen duke zënë radhën të shijojnë mrekullitë e natyrës së virgjër e të pa prekur të Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës? Sokoli është gjithmonë i saktë dhe institucional. Si atëherë për 21 janarin kur tha që demonstruesit e kishin mbushur me tritol atë karakatinën benz dyqindedyzeç që përplasën tek hyrja e Kryeministrisë.
Kryeministri qau para kamerave. Lotët e tij prekën të madh e të vogël. Ca thoshin se nuk i shkon e qara. Armiq gjithmonë do të ketë. Por lum si ne që jetojmë nën hyqmin e këtij humanisti. Ai nuk qau për baxhanakun që u hodh në erë në Gërdec, ku e kishte lënë të numëronte arkat e municioneve se mos ja hidhte Delijorgji. Por u mbush në lot për vajzat e Himarës. Kot nuk i thonë “Baba i Kombit”. Ai mendon me parë për ne, se për familjen e tij. Edhe nëse kur udhëton në aeroplan një pjesë e biletës shkon në xhepat e tij. Edhe nëse klikon në internet, një pjesë e parave shkon në xhepat e tij. Edhe nëse shtrohesh në spital privat, një pjesë e parave shkon në xhepat e tij. Edhe në ilaçet që pi; në rrugët ku shkel, në gjithçka prek e shikon, ka aksionet e tij, kjo vjen nga dashuria që gjithmonë të jetë prezent në administrimin e shërbimeve që na afrohen. Ka merak Sala jonë që të shërbehemi mirë.
Pse nuk e kuptojmë parajsën që jetojmë? Na tremb nxjerrja sa nga duart e sa nga këmbët që ju bënë të aksidentuarve nga helikopteri? Nuk ishte shembull i injorancës së ekipeve të shpëtimit. Janë teknikat e reja të Petrit Vasilit që të dallojë kush është gjallë e kush ka vdekur. Është pjesë e parajsës që jetojmë, e që mesa duket do ta gëzojmë edhe në mandatin që vjen. Se në fitofshin socialistët, do ti kenë përkrah specialistët e LSI-së me në krye Ilirin që t’ju mësojë teknikat e metodat. Të mbijetesës, të kuptohemi, jo të hajdutllëkut. E në fitoftë prapë Sala, vazhdimësia e parajsës është e sigurtë. Pesëdhjetë mijë shqiptarëve ikin çdo vit nga sytë këmbët nga ky vend. Ata nuk e kuptojnë që janë në parajsë. Ata mendojnë se ky vend nuk ka më shpresë, pasi askush nuk mendon të sjellë ndryshimin, por si ta mjelë e qethë për hesap të vet. Po ky nuk është faji i klasës politike. Nuk është faji i qeverisë. Faji është i atyre që nuk kanë syze të shohin parajsën.

Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.