Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Drejtoresha:Ndryshimet nė marrėdhėniet mėsues-nxėnės
» Dėrguar mė: 13/06/2012 - 13:07
Lajme te ngjashme
Basha: Ndėrpresim marrėdhėniet me strehėn e krimit
• Datë: Jul 11, 2014
Abedin Kaja

Edhe pse nuk ka shumë dëshirë të rrëfejë për pjesën e suksesit në punën e saj, duke filluar nga adoleshenca, shkolla e lartë apo edhe tani që është drejtoreshë në gjimnazin “Bab Dud Karbunara”, më e madhja shkollë dhe një nga më të mirat në qytetin-muze, në një intervistë për suplementin “Gjimnazistët”, Fitore Sulejmani nuk ngurron të rrëfejë disa detaje të jetës në kohën kur ajo ka studiuar në shkollën e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Fitore Sulejmani, drejtoreshë e gjimnazit “Bab Dud Karbunara”, njihet jo vetëm si një nga mësueset më të mira të gjuhës angleze, por edhe si një drejtuese e zonja. Shkolla e Gjuhëve të huaja në Tiranë, ku ajo ka studiuar, ka qenë një “shkollë shumë kompetitive, kërkonte mesatare shumë të lartë notash. Aty ishin mbledhur shumë fëmijë byroistësh, ambasadorësh dhe pushtetarësh të lartë. Dukej se donin të krijonin një shkollë elitash, sidomos një që të furnizonte radhët e diplomatëve të ardhshëm, dhe pastaj të përkthyesve e mësuesve”, - kujton Torja. Në shkollë, “mësova jo vetëm të dua e të respektoj, por edhe të jem e drejtë dhe e drejtpërdrejtë. Mësova të jem diplomate dhe me takt, mirëkuptuese dhe empatike. Jetonim me problemet dhe shqetësimet e njëra-tjetrës dhe bënim psikologun e njëri-tjetrit”, - tregon më tej Torja, siç e thërrasin ndryshe mësuesen e respektuar nga të gjithë. Veç një gjimnaziste shembullore dhe studente shumë e mirë, mësuese Fitorja ka qenë edhe një këngëtare dhe sportiste shumë e mirë. Ajo kujton dhe flet me shumë respekt për mjeshtrin e famshëm Robert Radoja, i cili kishte përgatitur kompleksin vokal të shkollës së Gjuhëve të Huaja, ku bënte pjesë edhe Torja, dhe që shoqëroi disa këngë në Festivalin e 9-të të Këngës në Radiotelevizion. “Prof. Kreshnik Tartari kujdesej shumë që jeta sportive e shkollës të ishte gjithmonë e gjallë e me variacione. Ai ishte atëherë trajner i klubit të volejbollit për femra, “Dinamo”, dhe në ekip kishte edhe vajza nga Gjuhët e Huaja”, - flet e përmallur për kohën e saj të shkollës, mësuesja, tashmë drejtoreshë shkolle. Ndërsa bën një krahasim të brezit të saj të shkollës së mesme dhe kohës së sotme, pyetjes se çfarë ka ndryshuar ajo i përgjigjet duke thënë “asgjë dhe gjithçka”. Po kështu, ajo flet edhe për marrëdhëniet mësues-nxënës, marrëdhëniet mes shoqesh dhe shokësh, merakun e prindërve për fëmijët e tyre larg familjes, vështirësitë dhe sfidat për të cilat thotë se “sfidat i dua, i kërkoj, sepse ato përbëjnë testin dhe provën se sa rritemi”.
Si ka qenë fëmijëria tuaj?
Ka qenë një fëmijëri normale, pa shumë ngjarje të bujshme apo interesante, por me shumë ëndrra. Ëndërroja si çdo fëmijë, që shpesh ëndërron t’ia sjellin hënën në dorë...
Po jetën në shkollën e mesme si e kujtoni dhe si ishte niveli i nxënësve në shkollën ku ju keni studiuar?
Shkollën e mesme e kam kryer tek Gjuhët e Huaja në Tiranë. Ishte shkollë shumë kompetitive, kërkonte mesatare shumë të lartë notash. Aty ishin mbledhur shumë fëmijë byroistësh, ambasadorësh dhe pushtetarësh të lartë. Dukej se donin të krijonin një shkollë elitash, sidomos një që të furnizonte radhët e diplomatëve të ardhshëm, dhe pastaj të përkthyesve e mësuesve. Jetoja në konvikt, me shumë shoqe dhe ca shokë, që numëroheshin me kokrra. Konvikti kishte disiplinë të fortë, edhe pse ne disa herë e kemi kapërcyer murin rrethues pas shkollës për të shkuar në kinema dhe teatër. Të vetmet aktivitete të organizuara që mbaj mend ishin mbushjet e sallave për “Mrika”, ose për “Halili dhe Hajria”. Mbaj mend që në atë kohë operën “Mrika” e kam parë nja katër herë. Për të shkuar në teatër, të cilin e dashuronim, merrnim leje duke sajuar ndonjë gënjeshtër të vockël. Në rininë time, teatri kishte audiencë tepër të zgjedhur, me shume shije e sqimë, dhe ne përpiqeshim të bëheshim pjesë e kësaj.
…marrëdhëniet mes shoqesh e shokësh?
Ne jetonim larg familjeve tona, dhe në mungesë të nënës, vendin e zinte shoqja. I besonim njëra-tjetrës sekretet e para, simpatitë dhe dashuritë e para. Kalonim shumë kohë bashkë, mësonim shumë nga njëri-tjetri. Në atë kohë kam mësuar shumë rregulla të bashkëjetesës në konvikt. Mësova jo vetëm të dua e të respektoj, por edhe të jem e drejtë dhe e drejtpërdrejtë. Mësova të jem diplomate dhe me takt, mirëkuptuese dhe empatike. Jetonim me problemet dhe shqetësimet e njëra-tjetrës dhe bënim psikologun e njëri-tjetrit. Mbaj mend një herë, që njëra nga shoqet tona bëri një aksident me makinë, ne jemi gdhirë me ditë të tëra jashtë ambienteve të spitalit, kemi dhënë gjak, duke pritur që shoqja jonë të dilte nga koma. Prindërit shqetësoheshin se mos unë “bija në gabime”, por larg tyre unë mësova përgjegjshmërinë, pavarësinë, lirinë, fillova të rritem shumë intelektualisht, lexoja shumë, mësoja shumë, që të shpërbleja jo vetëm shqetësimin dhe interesin e tyre, por edhe paratë që dilnin çdo muaj nga buxheti familjar. Gjithmonë kisha mall për familjen, vitin e parë, kur isha vetëm 14 vjeçe, kam qarë shumë. Dimensionet e jetës në atë kohë nuk ishin këto të sotmet, distancat ishin shumë të mëdha, edhe pse Shkodrën (ku jetonte familja ime në atë kohë) të njëjtat kilometra e ndanin nga Tirana si edhe sot.
Mund të flasim pak për aktivitetet në shkollë...
Shkolla e Gjuhëve të Huaja kishte vajza shumë të bukura, por edhe të mençura e artiste, që aktronin dhe këndonin shumë bukur. Edhe unë këndoj shumë bukur. Më pëlqen zëri im, sepse është përpunuar nga mjeshtri i famshëm Robert Radoja, i cili kishte në patronazh gjithë jetën artistike të shkollës. Kompleksi vokal i shkollës së Gjuhëve të Huaja, ku unë bëja pjesë, shoqëroi disa këngë në Festivalin e 9-të të Këngës në Radiotelevizion. Kishte edhe grup teatror, i cili disa herë ka fituar në olimpiadat teatrore mes shkollave të mesme. Gjithmonë konkurrent të fortë kemi pasur “Politeknikumin” e asaj kohe. Jepnim koncerte nëpër reparte ushtarake, në uzina, në fabrika e nëpër shkolla jashtë Tiranës. Në rininë time ecej shumë, lëvizej shumë, jo me makina, por në këmbë. Çdo muaj ngjiteshim në Dajt, ose në Kalanë e Petrelës. Prof. Kreshnik Tartari kujdesej shumë që jeta sportive e shkollës të ishte gjithmonë e gjallë e me variacione. Ai ishte atëherë trajner i klubit të volejbollit për femra, “Dinamo”, dhe në ekip kishte edhe vajza nga Gjuhët e Huaja. Bënim shumë mbrëmje vallëzimi, kërcënim shumë bukur, në çifte, dora e djalit vënë me delikatesë në belin e vajzës dhe dora e vajzës mbështetur lehtësisht në supin e djalit, në një sensualitet dhe elegancë të admirueshme. Saksofoni ishte instrumenti i modës dhe bashkë me të bateria, formonin një “duo” të parezistueshme.
Cilat kanë qenë vështirësitë e asaj kohe?
Vështirësitë?! Personalisht, vështirësitë dhe sfidat i dua, i kërkoj, sepse ato përbëjnë testin dhe provën se sa rritemi, ato përbëjnë adrenalinën dhe tregojnë se jemi gjallë dhe jetojmë, sepse jo gjithmonë të jesh gjallë do të thotë se nuk ke vdekur...Kur kthehem pas në rininë time, kujtoj vetëm romantizmin dhe vrullin e të qenit i ri, kur bota të duket e sheshtë dhe “gjithçka që fluturon hahet”. Nuk dua ta ndryshoj këndvështrimin tim për atë kohë, sepse kam qenë dhe mbetem idealiste e patjetërsueshme dhe dua ta kujtoj rininë time me të gjitha ngjyrat, edhe pse ngjyrat ishin të pakta.
Çfarë ka ndryshuar nga koha kur ju keni qenë në shkollën e mesme, me atë sot?
Çfarë ka ndryshuar? Asgjë dhe gjithçka. Atëherë kishte nxënës që mësonin shumë, edhe sot ka të tillë. Ne ëndërronim të bëheshim diplomatë e përkthyes, edhe sot ka nxënës të tillë. Kanë ndryshuar shumë mundësitë dhe hapësirat. Atëherë as që bëhej fjalë të udhëtoje, as të lidheshe me ndonjë fije me botën e jashtme. Sot, të udhëtosh e të studiosh, madje edhe të jetosh jashtë Shqipërisë, është nga gjërat më normale e të zakonshme. Bota është zvogëluar shumë, distancat po ashtu, qytetarët e globit janë më afër se kurrë pranë njëri-tjetrit, falë edhe komunikimit virtual, që në vitet e rinisë sime dukej një film fantashkencë i vitit 5000. Dhe, Shkodra do vetëm një orë e gjysmë të kapet nga Tirana.
Po marrëdhëniet mësues-nxënës si kanë ndryshuar?
Marrëdhëniet mësues-nxënës gjithmonë mbajnë vulën e kohës. Atëherë mësuesin e konsideronim njeriun e ditur. Personalisht i shihja si të mistershëm, sepse pak komunikohej me ta. Dukej sikur detyrat ishin të ndara, ata të jepnin mësim, ne të mësonim. Sot? Mësuesi nuk ka më të njëjtin pozicion. Ka rënë nga piedestali i kohës, për shumë arsye, por mbi të gjitha se nuk është më njeriu që nxënësve u mëson gjithçka dhe di gjithçka. Unë i konsideroj marrëdhëniet mësues-nxënës si çdo lloj marrëdhënieje tjetër, një këmbim i pandalshëm energjie, një dhënie dhe marrje të pandërprerë. Të rinjtë e sotëm bartin vlera krejt të ndryshme nga rinia e kohës sime, ata i kanë ridimensionuar vlerat e brezit tim. Të rinjtë e sotëm argëtohen ndryshe, kërcejnë ndryshe, pëlqejnë muzikë të ndryshme, kanë qëndrim tjetër ndaj shkollës dhe librit, por askush s’mund t’i penalizojë për këtë. Çdo brez ka sistemin e vet të vlerave, të cilat duhen respektuar. Dikur ne e respektonim mësuesin dhe nuk përpiqeshim të gjenim arsye pse nuk duhej respektuar. Sot? Sot duhet të kalosh në “skanerin” e gjykimit të nxënësve që ta meritosh respektin.
Çfarë do t’u sugjeroni nxënësve të gjimnazit dhe studentëve në përgjithësi?
Të jetojnë rininë me të gjitha ngjyrat që ajo ka, por pa hequr dorë asnjëherë nga mësimet dhe edukimi.
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.