Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Kalaja e harruar e Skėnderbeut nė Kepin e Rodonit...
» Dėrguar mė: 21/08/2012 - 13:12
Fatmira Nikolli

E strukur diku në Kepin e Rodonit, kalaja e Skënderbeut është lënë pothuajse në harresë. Nga Tirana me makinë drejt saj, duhet rreth 1 orë apo 1 orë e 30 minuta. Rruga me makinë shkon deri tek kisha e Shën Ndout, që mendohet të jetë ndërtuar nga apostulli i Krishtit. Prej aty, për të mbërritur deri tek kalaja, duhen rreth 20 minuta kohë, me rrugën anës detit dhe po aq edhe me rrugën nëpër kodër. E ndërtuar nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452, në Kalanë e Rodonit janë bërë punime plotësuese edhe në vitin 1463, kur heroi solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit. Sot, gjendja e saj lë shumë për të dëshiruar. Muret e rëna, që thonë se ka shumë vite pa u vënë dorë mbi të, të ngjallin një ndjesi të trishtë. Sa pak vlerësim e respekt për historinë! E si të mos mjaftonte kjo, një det i mbytur nga mbeturina shtrihet pranë kalasë. Shishe plastike pa fund, herë-herë edhe këpucë, një ndotje e turpshme ndanë saj, ia zbeh ato 500 e ndoca vite që ka mbi supe, shtuar këto lënies pas dore të objektit. Ky është 100-vjetori i Pavarësisë, me projekte pa fund nga i ashtuquajturi mbrojtës i kësaj trashëgimie: Instituti i Monumenteve të Kulturës. Zona ka bukuri natyrore dhe vlera historike pa fund. Tek lokali i vetëm në ato anë që mban emrin "Kepi i Rodonit" na thonë se janë polakët, ata që e vizitojnë më së shumti këtë kala. Veç vlerave historike që lidhen me betejat dhe qëndresën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, kepi mbart si toponim vlera që përkojnë më mitologjinë ilire. Redoni, sipas mitologjisë ilire ishte hyji i detit, njëlloj si Posedoni i grekëve apo Neptuni i romakëve. Për një kohë të gjatë studiuesit janë përpjekur që të gjejnë elemente që të vërtetojnë se emrin e Redonit e mban sot Kepi i Rodonit. Me këtë problem janë marrë në të kaluarën arkeologët tanë, mes tyre Prof. Hasan Ceka dhe Moikom Zeqo. Sipas këtij të fundit, Redoni ka qenë Perëndia kryesore zyrtare e shtetit Ilir (M. Zeqo, Motive arkeologjike fq.146-150, Tiranë 1990). Ai ka qenë i vlerësuar nga ilirët dhe figura e tij ishte përjetësuar në tempuj, emra njerëzish dhe simbole monedhash, si ato të qytetit të Lisit, të fiseve ilire të Labeatëve, Daorsëve dhe monedhat e mbretit ilir Gent (M. Zeqo. Panteoni Ilir).
Kalaja
Pas vdekjes së Skënderbeut kalaja u mor nën kontroll nga Venediku, i cili në vitet 1500, kur Durrësi nisi të kërcënohej nga osmanët, ndërmorën punime për rindërtimin e saj. Qëllimi i ndërtimit të kësaj kalaje nga Skënderbeu ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga venecianët, të cilët gjithmonë e shikonin politikën e Skënderbeut me dyshim. Ndërkohë, kalaja do të shfrytëzohej ndoshta edhe si stacion i fundit i Skënderbeut për t'u larguar drejt Italisë, në rastin e një sulmi fatal turk. Për këtë qëllim, në 22 janar 1462 në bisedimet e zhvilluara në Raguzë midis Ambasadorit të Skënderbeut, Andrea Gazuli dhe Republikës Dalmate, Skënderbeu kërkoi ndihmë detare. Kjo gjë u sigurua në traktatin e 4 shkurtit 1462 ku Raguza në rast lufte do t'i vinte në shërbim Skënderbeut limanet dhe flotën e saj për qëllime të luftës kundër turqve.
Vite më vonë, pasi u pushtua prej turqve, kalaja e Rodonit nuk u shfrytëzua më për qëllime ushtarake. Për t'u mbrojtur ajo kërkonte punime plotësuese por ishte edhe pre e lehtë për t'u goditur nga artileria e anijeve të luftës (Gj. Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, Tiranë 1981, fq. 183-185). Kështu, ajo u braktis për t'u quajtur një relike e kohës së shkuar, u la jashtë kujdesit për t'u shndërruar në rrënojë.
Kalaja e Rodonit ndodhet në kepin e Rodonit. Princi Karl Topia dëshironte ta kthente këtë vend në një kantier detar, ndërsa Skënderbeu, duke synuar që të kishte një dalje të afërt në det, ngriti këtu një kështjellë. Kjo kala filloi të ngrihej mbas rrethimit të parë të Krujës, në vitin 1450. Përfundimi i saj mendohet të jetë rreth vitit 1452. Muri i kështjellës së Rodonit arrinte në një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e saj kishte kulla të rrumbullakëta. Në vitin 1500 kalaja u pushtua nga Venediku. Si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. Pranë kalasë ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit, të cilat konsiderohen nga banorët si vend i shenjtë.
Nisma
"Tirana Ekspres" dhe "Smart Tourist Albania" www.smart tourist. al kanë themeluar klubin "Rojat e Kepit". Ky organizim synon të ndërmarrë në datat 24-26 gusht një aksion konkret për të parandaluar degradimin e një prej zonave më piktoreske dhe të veçanta të bregdetit shqiptar: Kepit të Rodonit. "Degradim nga ndotjet. Kepi i Rodonit është një zonë bregdetare pa ndërtime të vona të dy dekadave të tranzicionit urbanistik. Gjithashtu kjo zonë shtrihet larg akseve të rrugëve nacionale", vëren klubi "Rojat e kepit". Megjithëse jo i populluar dhe i frekuentuar, Kepi i Rodonit ka ndotje të theksuara nga mbetjet urbane dhe inerte. Shkak i kësaj janë prurjet e lumenjve dhe deltave ujore, të cilat përdoren si vende për depozitim dhe shkarkim të mbetjeve të zonave të banuara. Përkatësisht mbeturinat shkarkohen në lumenjtë Ishëm dhe Mat. "Me lumin Ishëm lundrojnë drejt Kepit mbetje urbane që shkarkohen në Tiranë (Lana dhe Lumi i Tiranës bashkohen në Kamëz dhe më tej bëhen pjesë e Lumit Ishëm në afërsi të fshatit Tërkuzë); Laknas; Rinas; Prezë dhe e gjithë Malësia e Ishmit. Me lumin Mat lundrojnë drejt Kepit mbetje të hedhura në luginën e lumit që nga zona e Fanit; Krahina e Matit e më tej Milot; Kurbin; Fushë-Krujë; Fushëkuqe etj", bëjnë me dije organizatorët e kulbit "Rojat e Kepit" .
Sipas "Tirana Ekspres" dhe "Smart Tourist Albania", këto tonelata mbetjesh të cilat lundrojnë drejt grykëderdhjeve të deltave depozitohen në brigjet piktoreske të Kepit të Rodonit. Ato shtojnë se aktualisht ky kep me vlera natyrore dhe historike është shndërruar në një kosh gjigand mbeturinash.
"Aksion pastrimi tek Kepi i Rodonit" është një nismë qytetare për aktivizimin e vullnetarëve të cilët në datat 24 deri 26 gusht do të pastrojnë bregun duke mbledhur dhe dërguar në depot e riciklimit mbetjet përkatëse. Gjithashtu ky aksion synon sensibilizim dhe presion qytetar për të ndërprerë hedhjen dhe depozitimin e mbetjeve urbaneve të bashkive dhe komunave përgjatë lumenjve dhe përrenjve që derdhen në bregun e Adriatikut. Grupi iniciator synon të edukojë publikun mbi rëndësinë e grumbullimit të mbetjeve për riciklim, si zgjidhje e duhur për problematikën e ndotjes.
Kepi i Rodonit, njohur ndryshe si Kepi i Skënderbeut, ndan Gjirin e Rodonit nga Gjiri i Lalzit. Si vazhdim i kurrizit kodrinor të Rodonit, kepi bie thikë mbi det duke formuar një breg piktoresk. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis Gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit.
Printo Dėrgo me e-mail
 


Shkėlqimi i paralajmėruar i Ermonelės
• Nga Eno Koēo
Makthi i vetmisė
• Nga Kujtim Morina
Paralele “pėrthyerjesh”
• Nga Valbona Nathanaili*
|| Tani në PDF
Milosao
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.