Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Tanush Mulleti: Qazimi ishte pjesėmarrės nė atentatin kundėr Zogut nė Vjenė
» Dėrguar mė: 08/09/2012 - 14:25
Lajme te ngjashme
Komshinjtė e Ardian Bitrajt: E dinim qė luante lloto, ishte njeri korrekt
• Datë: Jul 27, 2014
Tragjedia, Fatmira Fiqi: Kunati bėri krim tė 3-fishtė se dyshonte nė atėsinė e fėmijės
• Datë: Jul 26, 2014
Nga Fatos Veliu

Në këtë dëshmi të radhës, nipi i njeriut më publik të Shqipërisë së luftës, Qazim Mulleti, për herë të parë sjell faktet më surprizë mbi atentatin e bujshëm që donte të merrte jetën e Ahmet Zogut në Vjenë.
* Si ka ndodhur ngjarja më e rëndë e Europës, kur në orën 21:15 minuta të 20 shkurtit të vitit ’31, u trondit kryeqyteti austriak, kur mbi të u qëllua me plot 15 plumba pistolete.
* Çfarë parandjeu mbreti shqiptar, që la lozhën luksoze 15 minuta para se të përfundonte shfaqja e operas “Pagliaçi”, ndërkohë që atentatorët e organizuar nga Hasan Prishtina, kishin bllokuar tri hyrjet kryesore që të nxirrnin te makinat e tij, parkuar në rrugën “Operngasse”.
* Çastet kur Qazim Mulleti me pistoletë në xhep, dalloi mbretin, të shoqëruar nga ministri Ekrem Libohova, që po merrte për te dalja e mesit, ku e priste atentatori tjetër, Azis Çami.
* Plumbat që vërshuan mbi mbretin në çastet që po hidhte këmbën në makinë dhe vërsulja e adjutantit Topallaj, për t’i pritur me trupin e tij.
* Arrestimi i Azis Çamit dhe Ndok Gjeloshit, ndërkohë që Qazim Mulleti mundi të ikte vetëtimthi për të mbërritur në “Kafe Pristol”, ku njoftoi me dhimbje Hasan Prishtinën për atentatin e dështuar.
* Si u zbulua Qazim Mulleti nga policia e Vjenës në momentin që hyri në tualetin e sallës së patinazhit dhe arrestimi spektakolar i tij, ku u dënua së bashku me Hasan Prishtinën dhe Azis Çamin.
* Çfarë bëri mbreti Zog pas atentatit, kur shkoi në hotelin “Imperial” ku ishte vendosur, dhe çfarë shkruajtën atë natë gazetat e njohura të Europës, për atentatin dramatik ku mbeti i vrarë adjutanti Topallai dhe u plagos ministri Libohova.

Zoti Tanush. Xhaxhai juaj, me sa jam në dijeni, pas rrëzimit të Nolit nga pushteti dhe rikthimit të Zogut në fron, ka tentuar personalisht nëpërmjet një atentati të vrasë Ahmet Zogun. Kjo ka ndodhur pikërisht në atentatin e njohur që u bë kundër tij në Vjenë, të cilin tashmë e njohim si fakt, ndërkohë që dimë akoma se në atë atentat të dështuar, ku u qëllua me plot 15 plumba mbi Zogun, ngeli i vrarë vetë adjutanti i tij, që e mbuloi mbretin me trupin e vet. Është e vërtetë se Qazim Mulleti ka qenë personalisht në atë atentat, madje me pistoletë në dorë?
Është shumë e vërtetë, se në shkurtin e vitit 1931, Qazim Mulleti me disa patriotë të tjerë, organizuan atentatin kundër mbretit Zog në Vjenë.
Kush ishin patriotët që kanë organizuar atë atentat kundër mbretit?
Në atë atentat ka marrë pjesë Azis Çami, i cili përfaqësonte Shqipërinë e Jugut; Ndokë Gjeloshi, i cili përfaqësonte Shqipërinë e Veriut dhe Qazim Mulleti, i cili përfaqësonte Shqipërinë e Mesme. Azis Çami njihet si komandant i trupave ushtarake shqiptare kundër grekëve në Himarën e vitit 1914. Ai ishte ushtarak. Ndërkohë që, Ndokë Gjeloshi ka mundur që në 1914-ën të ngrejë në Shkodër flamurin shqiptar.
Pse, s’ishte ngritur në ‘12-ën?
Jo. Shkodra në atë kohë ishte akoma nën sundimin e Fuqive të huaja. Ndokë Gjeloshi, me porosi të At Gjergj Fishtës dhe kundër vendimeve të Fuqive të Mëdha, e vendosi flamurin mbi kompanielin e kishës së FRETERVE. Kështu quhet ajo kishë në Shkodër.
Le t’i rikthehemi momentit të atentatit kundër mbretit. Kush ishte organizatori kryesor i tij?
Organizatori i atentatit ka qenë Hasan Prishtina. Në kohën që ishte planifikuar atentati, ai rrinte me disa shokë në kafe “Pristol”, e cila binte përballë sallës së teatrit të operas së Vjenës. Atentati do të korrespondonte me çastin kur do të përfundonte shfaqja e operas, të cilën po e ndiqte Ahmet Zogu, që kishte shkuar aty për t’u kuruar
Dhe si vijoi ngjarja?
Ka qenë një situatë e tillë: Salla nga do të dilnin spektatorët ka pasur tri dyer në radhë. Te çdo derë ndenji njëri prej këtyre që prisnin të dilte Zogu. Dy dyert e para ishin shumë afër njëra-tjetrës, ndërsa dera e tretë ishte më larg. Te dera e parë, në pritje të Zogut ka ndenjur Ndokë Gjeloshi, në derën e dytë ndenji Azis Çami, ndërsa te dera e tretë ka ndenjur Qazim Mulleti. Zogu doli nga dera e dytë dhe ndërkohë u qëllua mbi të, por mbeti i vrarë i ndjeri Llesh Topallai, i cili ishte adjutanti dhe bodiguardi i tij, ndërsa ai shpëtoi falë ndërhyrjes energjike të Topallit, që dha jetën e vet.
Sigurisht, akti i tij është shumë heroik, në mbrojtje të jetës së mbretit. Në këtë kohë, u arrestuan menjëherë Azis Çami dhe Ndokë Gjeloshi.
Si u arrestuan?
Atje ishte një situatë e pamenduar, sepse vetë shitësi ambulant i cigareve, që ishte jashtë dyerve të teatrit ku u bë atentati, nuk ishte tjetër veçse një oficer i shërbimit të fshehtë, kështu që në çastin e atentatit ai menjëherë u hodh me energji të çuditshme mbi Azis Çamin dhe Ndokë Gjeloshin. Me ndërhyrjen në çast të policisë ata përfunduan në mënyrë të rrufeshme në pranga.
Po Qazimi, çfarë bëri në atë kohë?
Në këtë çast, Qazim Mulleti, kur pa skenën e atentatit dhe largimin e menjëhershëm të Zogut, ndërkohë që u adresuan dy shokët e tij, u nis menjëherë për te kafja përballë ku ishte Hasan Prishtina, “Kafe Pristol”, për ta njoftuar për dështimin e atentatit dhe arrestimin e dy kolegëve. Sa shkoi te Prishtina, ai iu shpreh me një frymë: “Atentati dështoi”. Por të nesërmen u arrestua edhe Qazim Mulleti.
Si u arrestua Qazim Mulleti, kur atë natë shpëtoi paq?
Pas atentatit, policia austriake nisi verifikimet për të mësuar se kush tjetër mund të fshihej pas emrave të vrasësve. Ata kaluan në sitë çdo shqiptar që gjendej në Austri, qoftë rezident apo i përkohshëm. Pas këtyre verifikimeve, ata kryen edhe një sërë arrestimesh të tjera, që mendohet të kishin lidhje me atentatin. Kështu, nga dita në ditë numri i të arrestuarve erdhi duke u shtuar. “Ëiener Neuse Nachrichten” përmendi emrat e kësaj liste, ku përveç Azis Çamit dhe Ndok Gjeloshit, në qeli përfunduan edhe Hasan Prishtina, Qazim Mulleti, Rexhep Mitrovica, Menduh Angoni, Angjelin Suma, Luigj Shkurti dhe Sejfi Vllamasi.
Është një detaj shumë interesant dhe i çuditshëm njëkohësisht, i cili e ka vënë në pranga Qazim Mulletin.
Po? Si u arrestua Qazimi?
Kjo ka ndodhur të nesërmen, në një pistë patinazhi. Qazimi, për të humbur gjurmët, ka hyrë në tualet dhe ka dalë menjëherë pa ndenjur fare brenda. Ky detaj u ka rënë në sy oficerëve të shërbimit të fshehtë të Vjenës, që ishin me shërbim në atë sektor ku ndodhej Mulleti. Atje, pasi kanë vlerësuar faktin, kanë bërë arrestimin e menjëhershëm të Qazimit, teksa patinonte në akull në pistën e posaçme
Po pse do ta vrisnin Ahmet Zogun, kush ishte mëkati i tij, sipas tyre?
Ata kurrsesi nuk mund të binin dakord që Zogu të bëhej mbret, pasi sipas tyre kjo ishte një ngjitje shumë e parakohshme dhe tepër artificiale. Duhet të dini se ata ishin njerëz të vendosur dhe për çështjen e Shqipërisë nuk donin të dinin as për vete, prandaj edhe kishin menduar të rrinin pa martuar kur kishin bërë betimin në organizatë.
Po çfarë të ishte Zogu sipas tyre, që qenkëshin irrituar deri në këtë masë, që, pa pasur inat personal morën guximin e një atentati të tillë ndaj tij?
Ata personalisht i kanë kërkuar që ai të mos ishte mbret, por të ishte regjent. Kjo, për faktin që si mbret njihej Princ Vidi, i cili ishte miratuar nga Lidhja e Kombeve dhe Fuqitë e Mëdha. Dhe çfarë është më kryesorja, ata i kanë kërkuar Zogut të ishte regjent dhe jo mbret, sepse edhe Kongresi i Lushnjës kishte e kishte miratuar që Shqipëria të ishte Regjenturë dhe jo Mbretëri.
Ku ishte e keqja, pasi Zogu u bë mbret?
Ata i kishin rekomanduar që ai të bëhej regjent, sipas miratimit të formës së qeverisjes nga Kongresi i Lushnjës, ndërsa siç u bë, ai e largonte Shqipërinë nga Europa dhe vendoste çështjen personale mbi atë të atdheut. Pas kësaj analize dhe situate, ata që i thoshin vetes patriotë të devotshëm dhe të betuar, nuk mund të heshtnin dhe të rrinin duarkryq.
Dhe pas arrestimit, çfarë dënimi morën tre atentatorët?
Azis Çami dhe Ndokë Gjeloshi u dënuan me nga 2 vjet burg të rëndë.
Çfarë quhej ‘burg i rëndë’?
Që brenda jetonin vetëm me bukë dhe ujë. Asgjë tjetër nuk u jepej, për aq kohë sa do të vuanin dënimin.
Po Qazimin, me sa e dënuan?
E dënuan me gjashtë muaj burg. Pas burgut ai shkon në Paris. Por në këtë kohë, veç dënimit që morën në Vjenë, Ahmet Zogu, sa erdhi në Shqipëri, hapi gjyq të rreptë kundër të gjithëve dhe i dënoi ata me vdekje. Kështu që, Qazimi kur ishte në Paris, ishte i dënuar nga Zogu me vdekje. Jo vetëm kaq, por Zogu dënoi dhe familjarët e tyre, madje duke mos kursyer as gratë, por i akuzoi ato si bashkëpunëtore në krim. Sigurisht, ato nuk u dënuan me vdekje. Madje Qazimit i dënoi dhe të vëllanë, Hysniun, pavarësisht se ai ndodhej në Paris dhe s’kishte lidhje fare me atentatin. Jo vetëm kaq, por ai do të vinte dorë dhe mbi pronat e tyre, të cilat do t’i konfiskonte përfundimisht.
Për shembull?
Ai vuri dorë mbi pronat e Mulletëve, që për kuriozitet po të them që janë pikërisht pronat në kodrën e njohur “Kodra e Mulletit”, - siç njihet sot vendi ku është Pallati i Brigadave dhe lokalet që e shoqërojnë deri te ai pallat. Ato kanë qenë pronat tona dhe na i sekuestruan, duke na prishur shtëpinë ekzistuese për nevoja të vendit, se do të bëhej, - siç thuhet në procesverbalin e sekuestrimit të cilin unë e disponoj në origjinal, - një shtëpi e vogël për mbretin. Tashmë ata e kërkojnë prapë atë pronë, ndërkohë që është saktësisht prona jonë, e Mulletëve.
Sa u dënua Hysniu?
Hysniu, që siç e di është xhaxhai im, nuk u dënua me vdekje, por gjithsesi ai u dënua rëndë, si bashkëpunëtor, por që më mbrapa u fal, për arsyen se nuk do të gjendej asnjë fakt për akuzën ndaj tij. Pra, kur kërkoi rigjykimin e çështjes, ai u fal.
Pronat e kujt konfiskoi konkretisht?
E të gjithë grupit që të përmenda. Të Qazimit, Hasan Prishtinës, Sumës, Gjeloshit, etj. Pra, të gjithëve që i dënoi me vdekje ua sekuestroi ndërkohë edhe pronat, si dhe vijoi dënimin e familjarëve të tyre. Por në atë kohë familja Mulleti e ka hedhur në gjyq mbretin, për konfiskim të padrejtë të pronave.
(Vijon nesër)

JETA E QAZIM MULLETIT PARA PUSHTIMIT ITALIAN
Qazim Reshit Mulleti Lindi në lagjen “Sulejman Pasha” në Tiranë, më 20 dhjetor të vitit 1893.
Studimet e para i kreu në Manastir, i vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kreu studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit, me medalje ari.
Ai ishte poliglot. Dinte turqisht, osmanisht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht dhe greqisht.
Hobi i tij ishte hipizmi, koleksionimi i suvenireve, - ku në shtëpinë e vet, një kat e kishte shndërruar në muzeum të posaçëm, - si dhe patinazhi në akull.
Në 1912-ën, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë.
Në 1914-ën është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty, me ndërhyrjen direkte të mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës.
Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, Mytesim Këlliçit, Abdi Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë).
Më vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin më të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. (Tirana, de jure u bë Kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925).
Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë.
Më 25 Prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia–Zgjimi”, së bashku me z.Hafiz Ibrahim Dalliu dhe z.Musa Maçi, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe z.Avni Rustemi të shoqërisë “Bashkimi”.
Në Qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan Nolit, pati një detyrë të rëndësishme, si prefekt në Dibër.
Mbas dështimit të Revolucionit largohet nga Shqipëria. Në fillim vendoset në Zara të Jugosllavisë, ndërsa më vonë në Vjenë, ku ndenji si emigrant politik deri në vitin 1931. Kur ishte në Vjenë, pikërisht në vitin 1929, ai martohet me Hajrie Kusin, me të cilën pati vetëm një djalë. Reshiti, bashkë me të ëmën, Hajrien, vuajtën për 45 vjet në kampet e përqendrimit të Tepelenës, Savrës, Gradishtit, Porto Palermos, etj. Zj.Hajrie vdiq në vitin 1980, kur ishte në kampin e përqendrimit në Savër të Lushnjës.
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.