Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
PERANDORIA OSMANE, ISLAMI dhe SHQIPTARĖT
» Dėrguar mė: 02/10/2012 - 16:44
Nga Dritan EGRO

Pyetja që rëndom bëhet sa herë që diskutohet tema e pavarësimit së shqiptarëve nga Perandoria Osmane është: pse u shkëputëm të fundit në Ballkan ? Për hir të së vërtetës duhet thënë që kjo pyetje deri më sot nuk ka gjetur një përgjigje bindëse; por përtej kësaj, kjo pyetje që bëhet në mënyrë krejt “naive”, për forcë zakoni brenda saj gjithmonë ka pasur edhe një gjysmë përgjigjeje, më së shumti me natyrë disfatiste: sepse shqiptarët, përkundër fqinjëve sllavë e grekë, kanë qenë të paaftë për tu pavarësuar nga Perandoria Osmane.
Sa herë që më bëhet kjo pyetje më shkon ndërmend që gazetarit intervistues ti përgjigjem me një tjetër pyetje që mendoj se dëgjuesin/lexuesin mund ta fusë më shumë në hullitë reale të historisë osmane: cili ishte populli myslyman që u shkëput i pari nga Perandoria Osmane e cila vetë ishte myslymane, dhe cilat ishin pasojat gjeostrategjike të shkëputjes së shqiptarëve për sundimin disashekullor osman në nivel rajonal ballkanik ?
Roli dhe pesha e shqiptarëve në historinë osmane kërkon veçse njohje dhe aspak paragjykim. Ndërsa gjatë shek. 20 studimet, sidomos në shkencat sociale, kanë kërkuar kontributin shqiptar në qytetërimin perëndimor, mendoj se tashmë duhet mësuar më shumë edhe mbi pozicionin e shqiptarëve në Perandorinë Osmane dhe kontributin e tyre në qytetërimin osmano-islam.
Është më se e vërtetë se elementi shqiptar, i identifikuar me emrin arnaut, qysh kur osmanët vizituan për herë të parë viset e Ballkanit perëndimor përbën një nga komponentët më të rëndësishëm etnikë që shoqëruan këtë perandori qysh prej fillimit dhe deri në momentet e fundit të saj. Kontaktet e para që paralajmëruan shekujt e mëpasëm të sundimit osman duket se kanë filluar qysh në dekadat e para të shek. 14 dhe intensiteti i tyre gjatë këtij shekulli ka ardhur në rritje, ndërsa rritej shkalla e dobësimit të Perandorisë Bizantine.
Sot është një fakt i padiskutueshëm se shkalla e përfaqësimit të popujve të Ballkanit sidomos në fushat e administrimit të shtetit dhe në strukturat ushtarake osmane dominon në krahasim me shkallën e përfaqësimit të popujve të Lindjes së Mesme apo rajoneve që Shteti Osman sundonte në lindje të Stambollit. Statistikat e mbështesin këtë argument, madje e tillë kjo situatë mbeti deri në fund të jetës së këtij shteti. Arsyet se pse sulltanët osmanë preferuan më së shumti elementin ballkanas në drejtim të perandorisë janë disa:
së pari, Ballkani më parë nuk e kishte njohur sundimin perandorak të ndonjë shteti myslyman; pra për pasojë, shkalla respektive e njohjes ishte e kufizuar. Vendasit në shërbim të sulltanëve do të ishin nëpunësit idealë që do të amortizonin diferencat kulturore dhe fetare midis sunduesit dhe të sunduarit;
së dyti, Ballkani ishte lehtësisht i provokueshëm nga shtetet evropiane që kërkonin të frenonin vërshimin osman, i cili si ambicie përfundimtare kishte zgjerimin drejt Evropës Perëndimore, dhe,
së treti, elementi ballkanas duke qenë kulturalisht dhe fetarisht pjesë e Evropës Perëndimore, kishte një njohje më të mirë për Evropën dhe Krishtërimin. Ky kontigjent drejtuesish potencialisht mund t i shërbente më me efikasitet shtetit osman në përmbushje të ambicieve të veta politike dhe ushtarake, madje edhe jashtë territoreve ballkanike.
Kurse aspektet që duhen njohur kur bëhet fjalë për rolin që ka luajtur në historinë e kësaj perandorie ky apo ai element etnik, së pari, kanë të bëjnë me mekanizmat që çdo formacion perandorak instalon për të marrë nën garanci maksimale fillimisht zgjerimin e më pas jetëgjatësinë e tij dhe, së dyti, proceset specifike me të cilat u përball dhe përjetoi çdo grup etnik gjatë periudhës osmane.
Në përputhje me praktikat osmane të organizimit ushtarak, trupat sulmuese nuk paguheshin nga buxheti qendror, por mbaheshin vetëm falë të ardhurave që siguronin nga shitja në treg e plaçkës së luftës, ku një vend të rëndësishëm zinin edhe robërit që vinin nga viset ku ata kryenin inkursionet. Kronisti bizantin Dukas shprehet se si pasojë e këtyre sulmeve: “popullsia shqiptare e madhe në numër, u pakësua”. Kronikat bizantine dhe osmane që përshkruajnë ngjarjet e fundshekullit 14 dhe të dekadave të para të shekullit 15 informojnë se shqiptari Bajazit Pasha, krahu i djathtë i sulltan Bajazitit I dhe bijve të tij ka luajtur rol dominant në lojën politike të kohës, asaj midis osmanëve dhe Bizantit. Qysh prej kësaj kohe prezenca e shqiptarëve në strukturat shtetërore dhe ushtarake, madje duke synuar edhe shkallët më të larta, do të jetë e rregullt dhe e qëndrueshme.
Krahas robërve, sistemi osman i devshirme-së (grumbullimit periodik të djelmoshave jomyslymanë) në fakt ishte mekanizmi legal që i hapi rrugë integrimit të elementit shqiptar në të gjitha strukturat e shoqërisë osmane. Duke filluar qysh nga fillimi i shek. 16, në lojë hyri edhe një faktor tjetër i cili përcaktoi në një masë të madhe edhe integrimin e elementit ballkanas për pasojë edhe atij shqiptar në Perandorinë Osmane: kalimi i osmanëve në Otranto (1480/1) dhe rënia e Durrësit në duart e osmanëve (1501) ishin ngjarje që shkaktuan një traumë psikologjike tek popujt e Ballkanit, pasi u kuptua se tash e tutje në lojë nuk ishte më fati politik i Ballkanit, por ai i vetë Evropës Perëndimore. Kjo e fundit tani duhet të mendonte më shumë për tu mbrojtur vetë nga osmanët, sesa për të ndërmarrë ndonjë fushatë kryqtare për të çliruar Ballkanin. Që nga ky moment Ballkani mbetej të ishte një vatër potenciale provokimi sa herë që shtetet evropiane kërkonin të hapnin konflikte të armatosura me Shtetin Osman. Për këto arsye osmanët e kishin në qendër të vëmendjes.
Ndryshe nga popujt fqinjë, shqiptarët ishin i vetmi popull në rajon që u konvertua masivisht në fenë islame. Falë këtij procesi shqiptarët ridimensionuan pozicionin e tyre në rajon. Procesi i islamizimit masiv që viset shqiptare njohën në shekullin 17-18 i hapi rrugë një shkalle të veçantë të integrimit të shqiptarëve në strukturat civile shtetërore dhe ushtarake të shtetit osman.
Konvertimi gradual dhe masiv i shqiptarëve në Islam, veç të tjerash shënon një hap pragmatik të shqiptarëve për të shfrytëzuar në maksimum mundësitë që u ofronte ky shtet islam, madje për të mbërritur deri në pozicionin e dytë për nga rëndësia, pas atij të sulltanit. Madje, falë këtij realiteti të ri historik Qyprilinjtë nga fshati Rroshnik i Beratit u bënë e vetmja dinasti jo turke, e cila de facto drejtoi në tre breza perandorinë, për më shumë se gjysmë shekulli. Duke pasur një fuqi të tillë jo vetëm Qyprilinjtë, por edhe të tjerë shqiptarë para dhe pas tyre, “pa sfiduar” vëmendjen që duhet ti kushtonin problemeve të perandorisë, u kujdesën veçanërisht për të vendosur shqiptarë në poste kyçe të perandorisë, në qendër dhe nëpër provinca.
Procesi i islamizimit masiv dhe i integrimit të territoreve shqiptare në orbitën osmane i hapën rrugë stabilitetit ekonomik dhe politik që vendi njohu në shekujt 17-18, i cili u shoqërua me lindjen e familjeve të mëdha shqiptarë, tashmë myslymane dhe nën ombrellën osmane. Tipike është familja dinastike Vlora, drejtuese tradicionale e sanxhakut të Vlorës me qendër në Berat, jo vetëm se nxori nga gjiri i saj drejtues lokalë, porse emri dhe pesha e saj ishte e ndjeshme deri në Stamboll.
Në historinë e Perandorisë Osmane pashallëqet ishin institucionet, të cilat arritën të rroknin shkallën më të lartë të autonomisë brenda Shtetit Osman. Krerët shqiptarë, Bushatllinjtë dhe Ali Pashë Tepelena, ishin të vetmit në Ballkanin osman që arritën një pozitë të tillë. Çdo përpjekje e mëtejshme e tyre do të shënonte shkëputjen e viseve shqiptare nga Perandoria Osmane, hap të cilin osmanët nuk ishin gatshëm ta hidhnin, pasi ai do të shënonte edhe fundin e sundimit osman në Ballkan. Për osmanët një gjë e tillë do të ishte shumë e hidhur pasi shqiptarët që e aspironin këtë realitet të ri në rajon ishin në masë dërrmuese myslymanë ashtu si edhe vetë ata.
Ngjitja e shqiptarëve në këto nivele të papara më parë kishte me vete edhe koston e asaj që ata individë, qysh disa shekuj më parë, duhet të mendonin globalisht, pra si persona përgjegjës për fatet e një shteti me interesa botërore për kohën. Këtu fillon të shfaqet edhe dyzimi midis të qënit shqiptar dhe nëpunësit të devotshëm të një perandorie botërore. Me këtë realitet mund të shpjegohet edhe pozicioni i atit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, i cili falë mbiemrit dhe njohjeve familjare u ngjit në poste nga më të lartat e Perandorisë, por nga ana tjetër mori përsipër edhe përgjegjësitë e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, kur e kuptoi se shkatërrimi e Perandorisë Osmane mund të çonte në copëtimin përfundimtar të viseve shqiptare.
Nga ana tjetër, konvertimi masiv në Islam ridimensionoi jo vetëm pozicionin e shqiptarëve në raport me sunduesin myslyman, por ky realitet i ri fetar mes shqiptarëve i hapi rrugë një identifikimi të ri të tyre nga ana e Fuqive të Mëdha. Popullsinë myslymane shqiptare dhe territoret që historikisht ata kishin banuar, Fuqitë e Mëdha të krishtera i paragjykuan si të tilla, i barazuan me atë turke dhe me territoret osmane, dhe më pas shqiptarët do ti konsideronin si mbetje të osmanëve në Ballkan, që më së paku politikisht nuk duheshin përkrahuar në aspiratat e tyre për pavarësi, kurse në rastin më të mirë duheshin zhdukur nga harta e Ballkanit.
Ishte pikërisht Rusia e Pjetrit të Madh ajo që, qysh në vitet e para të shek. 18 filloi të nxisë lëvizjet separatiste të popujve të Ballkanit për tu shkëputur nga Perandoria Osmane. Projekti i saj ekspansionist kishte për objektiv përfundimtar marrjen e Stambollit osman dhe ringjalljen e Bizantit. Ndërhyrja e Rusisë në zhvillimet politike evropiane, në vitin 1696, në favor të shteteve të Evropës Perëndimore ndërsa Vjena ishte e rrethuar nga osmanët, ishte një nga faktorët që përcaktoi prishjen e ballancës së fuqisë në Evropë.
Qysh në vitin 1712, malazezët i propozojnë carit Pjetër i Madh një aleancë politike kundër Shtetit Osman bazuar në besimin ortodoks dhe në prejardhjen e përbashkët sllave. Në vitin 1756 ishin shkodranët katolikë e ortodoksë që iu drejtuan careshës ruse për ndihmë. Me këto veprime të karakterit separatist shënohen hapat e parë politikë të popujve të Ballkanit për tu shkëputur nga Perandoria Osmane.
Kalimi i shqiptarëve në Islam ridimensionoi edhe pozicionin e shqiptarëve në raport me fqinjët. Sidomos në shekullin 19, në kohën e lëvizjeve nacionale, ishin pikërisht ata që kërkuan të vendosnin shenjën e barazimit mes fesë dhe kombësisë për të shtënë në dorë të gjitha ato territore që banoheshin nga popullsi të krishtera shqiptare, pra që ndanin të njëjtin besim fetar me ta.
Duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit 19 edhe brenda Perandorisë Osmane kishin filluar të shfaqeshin tendenca liberale drejtuar kundër sundimit me dorë të fortë të sulltanëve osmanë. Fillimisht lëvizja neo-osmane dhe më pas ajo e turqve të rinj, apo siç njihet me emrin lëvizja xhonturke, në vetvete ofronin qasje alternative që për objektiv kishin modernizimin e perandorisë, por dilnin edhe kundër qeverisjes së centralizuar të sulltanëve.
Natyrshëm që shqiptarët jo vetëm do të ishin mbështetës të këtyre lëvizjeve, por edhe protagonistë të tyre, ndonëse decentralizimi i një perandorie tradicionalisht të centralizuar ishte i pamundur. Lufta, në të vërtetë, ishte vetëm për pushtet, pasi kushdo që do të vinte në fuqi nuk mund ta mbante në këmbë perandorinë veçse me politika centralizuese. Dhe këtu sërish që viktima do të ishin shqiptarët, që më një anë kërkonin autonomi nën suazën osmane, kurse nga ana tjetër mbrojtjen që ofronte Perandoria e shihnin si të vetmen mbrojtje të natyrshme përballë kërcënimeve të ardhura nga fqinjët, të mbështetur fort nga Fuqitë e Mëdha.
Në fillim të dekadës dytë të shek. 20, fqinjët po shfrytëzonin politikisht dhe ushtarakisht çdo moment dobësimi të shtetit osman. Luftrat ballkanike që po shfaqeshin në horizont duket se do ti jepnin fund sundimit osman në Ballkan, por njëkohësisht do të shtronin për zgjidhje përfundimtare problemin, në se do të kishte Shqipëri të Pavarur apo tokat shqiptare përfundimisht do të ishin pre e fqinjëve sllavë e grekë, politikë që fqinjët e kishin filluar qysh prej një shekulli më parë.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, si akt i lartë politik i përfaqësuesve të popullit shqiptar ndonëse politikisht arriti të siguronte ekzistencën e popullit shqiptar nën një entitet politik të pavarur, nuk arriti të ndalte gjymtimin që iu bë tokave shqiptare.
Pavarësimi i Shqipërisë ishte akti i fundit që legalizoi fundin e sundimit perandorak osman në Ballkan, por shënoi edhe shkëputjen e parë të një populli me shumicë dërrmuese myslymane nga një perandori po myslymane. Islami në Ballkan u rrudh dhe pushoi së qëni feja e sunduesit shekullor. Përpjekjet e Shqipërisë për të ngritur shtetin e saj në shek. 20 do të jenë fort të lidhura me modelin evropian të shtetndërtimit.
Shqipëria pavarësinë e fitoi në një nga momentet më të vështira të historisë së saj. Kjo ngjarje i dha fund një procesi kërkimi të drejtash politike nga shteti osman, proces që kishte filluar qysh një shekull më parë, por në fund ai rezultoi në rrudhjen maksimale të trojeve që do të kishte në dispozicion Shteti i Ri Shqiptar. Si produkt i momentit kur filluan Luftërat Ballkanike, Shteti i Pavarur Shqiptar ishte projektuar të ishte i cunguar. Ndryshe nga fqinjët, shqiptarët mbetën të vegjël dhe pa përkrahje.
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.