Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Zonja Klinton iku. Po tani?
» Dėrguar mė: 04/11/2012 - 09:59
Kiēo Blushi

Nuk mbeti shqiptar që nuk pa dhe nuk dëgjoi live me sa dashuri, adhurim, përdëllim, përkushtim dhe nderim u prit
zonja Klinton në Tiranë nga krerët e këtushëm. Them nga krerët, se populli ishte i përjashtuar nga masat e papara të sigurisë jo vetëm të policëve tanë, por edhe të marinsave amerikanë. Është e vështirë të besohet që, si amerikane, si një shtetare e nivelit të lartë botëror, me tjetërlloj klasi e mendësie, në mungesë të kontaktit direkt me popullin, zonja Klinton të ketë pikasur jo vetëm servilizmin tipik ballkanik, por edhe hipokrizinë, aq të dukshme, të parafinuar e të tejsforcuar të liderëve tanë. Ajo do ta ketë pasur të vështirë të dallojë, në një kohë aq të shkurtër, - as katër orë qëndrim, - shtirjen e fodullëve ballkanikë, të cilët u sollën me të sikur ajo dhe ambasada e saj në Tiranë kanë në dorë përzgjedhjen, lavdinë, qëndrimin apo largimin e tyre nga pushteti, dhe jo vota e popullit, si theksoi, më se një herë, në fjalën e saj. Për këtë arsye nuk u mjaftuan të mbjellin lule te kryeministria një natë para vizitës, të montojnë bust të ish-presidentit amerikan, t’i dalin përpara në sallën e vipave në Rinas që të fiksohen së paku në një foto me të, të mos ia lëshojnë dorën, ta quajnë vizitën e saj “historike”, një “xhevahir” i çmuar dhe i rrallë në gjerdanin e 100-vjetorit të Pavarësisë, të bëjnë grimasa entuziazmi dhe ekstaze të papërmbajtur teksa ajo ligjëronte në Kuvend… Jo se përnjëmend ashtu e ndjejnë dhe e mendojnë, porse ishin vënë në garë si e si t’i bënin qejfin, t’i tërhiqnin vëmendjen, t’i rrëmbenin një buzëqeshje a duarshtrëngim më shumë, që populli të bindet e të besojë se ja, shikoni dhe binduni o shqiptarë se si këtë/këta/ato i do dhe i përkrah Amerika!
Afërmendsh, nëse do të ishin udhëheqës që kanë besim te vota e lirë e popullit, nuk do të silleshin me aq përunjësi ndaj zonjës Klinton, a thua se është ajo që e përcakton se kush do ta qeverisë nesër Shqipërinë. Në një shoqëri të lirë dhe demokratike populli nuk i zgjedh dhe nuk i voton krerët, sado i prapambetur të jetë, me këtë kusht: I do apo nuk i do ata një shtet i madh, qoftë edhe si SHBA? Kushti i vetëm dhe i padiskutueshëm i zgjedhjeve të lira është: Sa janë të gatshëm, të besueshëm e të aftë ata që duan të drejtojnë vendin drejt një të ardhmeje më të mirë?
Zonja Klinton e di këtë, ndaj e tha shqip e troç: Më së pari dhe mbi gjithçka krerët duhet të duan vendin dhe popullin e tyre! Prandaj nuk ka nevojë për një dashuri të tillë kaq të shtirur për ndërkombëtarët, sepse ajo (e jo vetëm ajo!) nuk ka nevojë për “prova” të tilla servilizmi për t’u bindur që në Shqipëri nuk ka shfaqje të antiamerikanizmit, se populli shqiptar ia di për nder SHBA-ve përkrahjen, pavarësisht kush ka qenë President, një republikan apo një demokrat, Bill Klinton apo Xhorxh Bush… E megjithatë puthadorësia e shpifur e krerëve u fiksua nëpër kamerat televizive jo dhe aq për të përforcuar e dëshmuar këtë mirënjohje të natyrshme ndaj SHBA-ve, se sa për të zhvlerësuar, duke e paraqitur në sy të botës proamerikanizmin tonë si një shfaqje të rëndomtë servilizmi të ca udhëheqësve rajonalë, periferikë e kompleksivë, të cilët nuk paskan pikë dinjiteti dhe integriteti prej shtetari serioz.
Sidomos në Ballkan e në vendet e ish-Lindjes vihet re kjo dukuri flagrante, e cila me siguri nuk njihet dhe për më tepër ngjan e vështirë, për hir të dallimeve në mendësi e në komunikim, të kapet nga udhëheqësit dhe aleatët euro-amerikanë. Ata e kanë të vështirë me sa duket të besojnë se krerët e ish-Lindjes, sa harbutë, intolerantë, të vetëkarfosur dhe autokratë sillen me popullin e vet, aq më kollaj e paskan të shfaqen parveny e jesmenë të pafytyrë e pa dinjitet me më të mëdhenjtë e botës. Kjo duket si një absurd i pabesueshëm, por, mjerisht, është e vërtetë!
Për të kuptuar falsitetin e kësaj dukurie, të servilizmit për më të madhin, le të kujtojmë qëndrimin e krerëve pas ikjes nga Tirana të zotit Barrosso, të Fyles apo edhe të zonjës Klinton: A janë marrë në konsideratë, pas ikjes së tyre nga Tirana, porositë e tyre dhe premtimet e krerëve vendorë? Nëse vizita e zonjës Klinton ka shërbyer për t’i hedhur hi syve asaj dhe nëpërmjet asaj edhe qeverisë amerikane, si ka ndodhur jo në pak raste me përfaqësuesit e lartë të Brukselit, do të duket në shembujt që do të jepen për bashkëpunimin, për dialog dhe sidomos për vënien e klasës politike në shërbim e në interes të vendit, para ambicies për pushtet vetjak. Po a ka kush besim se mendësia dhe politikëbërja e krerëve tanë ka për të ndryshuar mbas sodit?
***
 “Uroj që ky mesazh të lexohet gjerësisht nga forcat politike për të përmbushur detyrimet tona në procesin e integrimit… Ju ftoj, votoni tre ligje demokratike që konsolidojnë shtetin ligjor, administratën publike dhe rregullat në parlament. Atëherë pse nuk votohen? Unë e ftoj z.Rama në frymën e kësaj vizite, të kësaj thirrjeje, këtij mesazhi të punojmë për integrimin… Mesazhi i sekretares Klinton për shqiptarët në 100-vjetorin e Pavarësisë ishte një thirrje frymëzuese që të bashkohen për interesat kombëtare. Ajo e ilustroi këtë thirrje frymëzuese me aspekte personale të karrierës së saj të shkëlqyer. Unë dua ta garantoj se kjo qeveri do bëjë gjithçka për të gjetur konsensusin më të madh me opozitën, me të gjithë faktorët, në mënyrë që të konsolidojmë më tej vlerat që ne u besojmë”…
Këto janë disa nga fjalitë dhe premtimet solemne të Berishës në mbledhjen e qeverisë, të nesërmen e ikjes së zonjës Klinton nga Tirana. Teksa ministrat e tij kokulur përpinin me vëmendje fjalimin e kryeministrit, në Itali ndërroi jetë  Lirak Bejko, i vetëdjeguri në grevën e urisë së ish-të përndjekurve për shkak të mospërfilljes kriminale për dialog të qeverisë me grevistët… (Fatkeqësisht edhe i ndjeri Bejko po përdoret për luftë të ndërsjellë e vulgare politike: Kush e burgosi në diktaturë dhe kush e dogji me mospërfillje në demokraci?)… Por le të mbetemi te “konsensusi më i madh me opozitën e me të gjithë faktorët” dhe te sinqeriteti i kësaj deklarate, të cilën e kemi dëgjuar kushedi sa herë nëpër konferenca shtypi përkrah personaliteteve të larta  të mirëseardhura e të pritura me po aq temenara në Tiranë.
Citimi i mësipërm i marrë nga BallkanWeb, me një lexim të shpejtë, pa e njohur klasën politike shqiptare dhe konkretisht sjelljen sa tradicionale, aq edhe tipike të Berishës në këto 20 vjet, me sytë dhe me veshët e çdo diplomati ndërkombëtar normal do të duket një sjellje korrekte prej “burri shteti” që mban përgjegjësi për fjalët që thotë. Sipas gjykimit të tyre në distancë, derisa kryeministri po deklaron publikisht vullnetin e tij të palëkundur për konsensus e për dialog “sa më të gjerë”, me siguri ai dhe qeveria e tij kanë për t’u qëndruar besnikë kërkesave të zonjës Klinton, sepse ja, shikoni: Ai publikisht po e garanton edhe një herë zonjën Klinton dhe opinionin publik se “kjo qeveri do bëjë gjithçka për të gjetur konsensusin më të madh me opozitën”…
Nuk ka dhe nuk gjen dot kurrkund shembull tjetër të ngjashëm në Evropë ku zbatohet me kaq pafytyrësi e guxim parimi primitive oriental: tjetër thuaj e tjetër bëj! Kjo quhet politikë e suksesshme. Ky quhet lider i vërtetë: Të jesh i aftë të dish  t’i hedhësh sa më shumë hi syve, me demagogji, gënjeshtra e premtime të pambajtura jo vetëm opinionit  të këtushëm publik (i cili, sa më shumë shpërfillet e nëpërkëmbet, sipas liderëve ballkanikë, aq më shumë të besoka, derisa të voton!), por edhe ndërkombëtarëve të nivelit të lartë! 
E shqipëruar kjo do të thotë: Nëse opozita nuk i voton tre ligjet problematike, atëherë del që opozita nuk e do konsensusin dhe integrimin, e bashkë me to as interesin e përbashkët të shqiptarëve… Është i njëjti ultimatum haxhiqamilist që është artikuluar më se një herë para ardhjes së zonjës Klinton: Ose votoni këto ligje që duam ne, ashtu si i duam ne, si na lipsen neve si qeveri, që të mbetemi në pushtet, pasi kemi uzurpuar të gjitha pushtetet, ose ju opozitarë jeni kundër integrimit dhe BE-së! Ku është dialogu e marrëveshja, ku ta kërkojmë të sendërtuar thirrjen e sinqertë të zonjës Klinton se liderët duhet të vënë interesin e Shqipërisë e të shqiptarëve mbi interesin vetjak, partiak e politik? Kurrkund! Asnjë ndryshim, asnjë lëshim, asnjë dialog. Në të vërtetë pakkush ka pasur besim se pas ikjes së zonjës Klinton këtu do të mbinte një tjetër klimë. Absurdi madje ka shkuar edhe më tej, që të nesërmen: Nuk mjaftonte sherri për 28 dhe 29 Nëntorin, duke i festuar festat kombëtare të ndarë më dysh, jo vetëm në Shqipëri, po edhe në diasporë, tani marrëzia e klasës së sotme politike po ndan më dysh edhe ditën e Flamurit, Tiranën me Vlorën, Ismail Qemalin dhe Ahmet Zogun, shqiptarët me shqiptarët… Do të ketë pra, dy kremtime për 28 Nëntorin, dy protokolle, dy festime, dy qytete, dy fjalime, dy krerë, një i pozitës dhe një i opozitës… Dy festa për një! Por të ndarë në llogore armiqësore!
E pra, kjo rropamë morale, kjo ndarje e përçarje edhe e Flamurit jo me thikë, por me hanxhar, nuk ka ndodhur mes shqiptarësh as në kohën e pushtimit nazist e fashist! Gjeni një tjetër vend ku mund të bëjnë vaki të tilla ububura të padëgjuara! E pra, zonja Klinton dhe liderët e botës e kanë tejet të vështirë ta kuptojnë dhe ta besojnë këtë, edhe pse, kur ikin nga Tirana, marrin me vete premtime “të sinqerta” për zgjedhje të lira, për dialog, për thellim të demokracisë, për standard... e për çfarë të duan ata! Por ama ne që jetojmë këtu e dimë se nuk ka si të ketë ndryshim, sa kohë peshku ka qenë dhe ka mbetur i qelbur nga koka!
Mos vallë jemi fajtorë më së pari ne si qytetarë që nuk e ndjejmë erën e qelbur, pasi tashmë jemi të mjedisuar e të përditësuar? Apo mos i duam kaq shumë ndërkombëtarët ngaqë presim prej tyre të na e thonë më shkoqur: Përse dhe nga kush mbushullon në Shqipëri, edhe pas 100 vjetësh me shtet të mëveçëm,  kjo erë e qelbur antidemokratike?
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.