Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Zbardhen telegramet, si u organizua shpallja e Pavarėsisė
» Dėrguar mė: 13/11/2012 - 10:42
Prof. Kristo Frashėri

(Vijon nga numri i djeshëm)

Akti i shpalljes së Pavarësisë përmban këto nënshkrime: 1. Ismail Kemal, 2. (Dom Nikollë) Kaçorri, 3. Abdyl Aziz Vehbi (Agolli), 4. I(brahim) Karbunara, 5. Elmaz Boce, 6. Veli Harçi, 7. Qazim Kokoshi, 8. I(ani) Minga, 9. Rexhep (Mitrovica), 10. D(himitër) N. Tut(ulani), 11. A(ristidh) Ruçi, 12. Abdi Toptani, 13. Abas Dilaver (Çelkupa), 14. Midhat Frashëri, 15. Shefqet Dajiu, 16. Zihni Abbas Kanina, 17. Xhelal Ko(prencka), 18. Hajredin Cakrani, 19. Qemal (Karaosmani) Elbasani, 20. Iljas Vrioni, 21. Salih Gjuka, 22. Dh(imitër) Berati, 23. Dhimitër Emmanuel, 24. Dhimitri Zografi, 25. Murad Toptani, 26. Pandeli Cale, 27. Luiz Gurakuqi, 28. Bedri Pejani, 29. Spiro T.Ilo, 30. Thanas V. Floqi, 31. Qem(al) Mullaj, 32. Lef Nosi, 33. Dr. H. Myrteza, 34. Nuri (Sojliu), 35. Mustafa Asim Kruja, 36. M. Ferid Vokopola, 37. Ymer Deliallisi, 38. Xhemalydin Deliallisi, 39. Nebi Sefa Lushnja, 40. Zuhdi Ohria.
Dëshmi të kuvendarëve që shpallën Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912.
Pjesë nga fjala e Luigj Gurakuqit mbajtur në Vlorë, në përvjetorin e parë të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1913.
E atëherë kur armiqtë tanë na kishin dënuar për vdekje e po pregatitnin ta ndanin copa copa Atdheun tonë të shtrenjtë, ata që ushqenin ndër zemrat e tyre idealin e pavarësisë, rrokën flamurin kuq e zi në dorë dhe pa vrojtuar të këqia dhe rreziqe, u mblodhën këtu në Vlorë, ku delegatët e ardhur nga të gjitha viset tona, nxorën Shqipërinë në vete, të lirë dhe të bashkuar... Nga kujtimet e Mithat Frashërit botuar më 1928. Delegatët që kishin telegrafuarë arritjen e tyre në Durrës dhe dëshirën e një mbledhjeje në Vlorë, kishin një premtim dhe një shpresë. Po vendi vet ishte pa nonjë ngushëllim të tillë. Hapat e parë ishin bash për të gjeturë nonjë dritare shprese. Delegatët e zgjedhur në vent, tani po shtoheshin edhe me numurin e atyre të ardhurë nga viset e veriut dhe të lindjes së tokave shqiptare, të cilët të gjithë së bashku 47 veta, formojnë kongresin e 28 Nëntorit 1912.
* * *
Telegram
nga Vjena
(Tel.Nr. Fjalë 32, Origj. Turq.)
Vjenë, 27 Vjeshta e dytë, 1328
- 9 Nëntor 1912
(Kopjes së këtij telegrami i mungon adresa. Por dihet se i qe dërguar parisë së Vlorës). Me vaporin e parë po arrij. E ardhmja e Shqipërisë është siguruar. Ju porosis që duke iu mbështetur fatit të Atdheut, të punoni së bashku e si vëllezër, të merreni me rregullimin e punëve të përgjithshme edhe të ruani qetësinë. Jepuni rretheve lajmin e gëzuar! Ju faleminderit të gjithëve atërisht!
Ismail Qemali
* * *
(Tel. Nr. 2839-2869 Fjalë 87
O.T.)
Vlorë, 5 Vjeshta e Tretë
1328-18 Nëntor 1912
Kryetarëve të bashkive, të klubeve, parisë dhe popullit të ndershëm të Janinës, Gjirokastrës, Filatit, Reshadies (Gjumenicës), Tepelenës, Delvinës, Përmetit, Marglliçit, Leskovikut, Kolonjës, Korçës, Dibrës, Manastorit, Resnës, Kosturit, Strugës, Ohrit, Beratit, Pogonit, Skraparit, Lushnjës, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Tiranës, Krujës, Matit, Shkodrës, Peqinit, Fierit. Kopje Përpara të premtes jam atje. E mbledhura e përfaqësuesve në Durrës ose në Vlorë është krejt e nevojshme. Tirrini të gjithë! Derisa të arrij unë, mbani qetësinë e bashkimin! Çështja jonë politike u sigurua fare. Ismail Qemali Kopja e telegramit që u mor sot nga Ismail Qemal Beu u tregua sipër. Lutemi për shpëtimin e Atdheut, që përfaqësuesit në fjalë, duke e bërë natën ditë, të gjenden në Mbledhjen e Përgjithshme Kombëtare që do të bëhet këtu në Vlorë. Me shkak të kabllos telegrafike, edhe telegramin e nisjes së tyre e presim me të shpejtë. Në emër të të gjithëve Xhemil Bej Vlora, Elmaz Kanina, Leonidha Bezhani
* * *
(Tel. Nr. 2249 Fjalë 20 O.T.)
Elbasan, 6 Vjeshta e Tretë
1328-19 Nëntor 1912. Xhemil Beut e shokëve të tij të ndershëm. Vlorë. Përfaqësuesit u zgjodhën. Nesër do të nisem për Vlorë. Siguroni punën nëpër qytetet e tjera! Aqif Pashë Biçakçiu
* * *
(Tel. Nr. Fjalë 30 O.T.)
Elbasan, Vjeshta e Tretë
1328-Nëntor 1912
Kryesisë së Bashkisë Starovë (Pogradec - K.F.) Meqënëse në Vlorë mund të komunikohet me kabllo (jashtë Shqipërisë), atje po mblidhet Kuvendi. Nga çdo anë po zgjidhen e po çohen përfaqësues. Edhe ju aty lutemi të zgjidhni dy përfaqësues, njërin mysliman, tjetrin të krishterë edhe nisini për në Vlorë!
Aqif Pashë Biçakçiu
* * *
(Tel, Nr. 2870 Fjalë 93 O.T.)
Vlorë, 6 Vjeshta e Tretë
1328-19 Nëntor 1912
Shkëlqesisë së Tij Aziz Pashës dhe shokëve të ndershëm. Berat.
E ardhmja e Shqipërisë u sigurua. Shkëlqesia e Tij Ismail Qemal Beu me shokët e tij të ndershëm janë nisur prej Budapestit drejt për këtu, që të gjenden në Mbledhjen e Përgjithshme Kombëtare, e cila do të bëhet në Vlorë, dhe kanë lajmëruar telegrafisht se nesër mbërrijnë në Durrës. Në telegramin që erdhi, porosit që të dërgohen atje karroca ose kuaj për të hipur prej Beratit. Ne që këtej filluam të dërgojmë kuaj. Mirëpo, nga shkaku që Vjosa ka ardhur shumë e nuk ka va, karrocat e kuajt, që pa fjalë nesër mbrëma duhet të gjenden në Durrës, shihet nevoja të dërgohen nga Berati. Prandaj lutemi të gjithë kini mirësinë t'i gjeni aty e t'i dërgoni edhe na lajmëroni me të shpejtë!
Bektash Cakrani
* * *
(Tel. Nr. 3475, fjalë 23 O.T.)
Dibër, 7 Vjeshta e Tretë
1328-20 Nëntor 1912
12 ora e mbrëmjes nëpërmjet Ohrit, 7 ora e natës Xhemil Beut dhe shokëve të tij të ndershëm. Vlorë. Përfaqësuesi që u emërua, nesër do të niset së këtejmi drejt për atje. Muharrem Beu i Hysen Beut. Shaqir Bej Jegjenolli, Kryetari i Bashkisë. Behxhet Zihni, Agolli, Sejfydin Pustina
* * *
(Tel. Nr. 2330 Fjalë 21 O.T.)
Elbasan, 9 Vjeshta e Tretë 1328-22
Nëntor 1912
Xhemil Beut e shokëve të Tij të ndershëm. Vlorë. Nesër po nisemi së bashku me përfaqësuesit e Elbasanit. Përfaqësuesit e Ohrit e të Strugës/ Dr. Myrtesa. Nuri Bakalli. Zyhdi...
* * *
(Tel.Nr. 2904 fjalë 19 O.T.)
Vlorë, 9 Vjeshta e Tretë 1328-22
Nëntor 1912
Mahir Beut, prefektit të Durrësit. Durrës Jam shëndoshë. Lutem të më lajmëroni telegrafisht shëndetin tuaj dhe nisjen e Ismail Qemal Beut! Oficer i rezervës Vehxhi...
* * *
(Tel.Nr...Fjalë 38 O.T.)
Durrës, 10 Vjeshta e Tretë
1328-23 Nëntor 1912
...ora e ...
Vëllait tonë të dashur Behxhet Beut. Çermë. Sot po nisemi dhe po vijmë aty. Jemi më tepër se njëzet vetë. Pra, përgatituni dhe na bëni vend te Dervish Beu ose në shtëpinë tuaj. Në dashtë Zoti në mbrëmje jemi aty. Vëllai yt Qemal- Namik Karaosmani
* * *
(Tel.Nr...Fjalë 13 O.T.)
Berat, 11 Vjeshta e Tretë
1328-24 Nëntor 1912
...ora e natës...
Aqif Pashës e Shefqet Beut. Elbasan Ismail Qemal Beu nesër është në Vlorë. Dërguat përfaqësues, apo jo?
Azis Pashë Vrioni
* * *
(Tel.Nr. 1444 Fjalë 18 O.T.)
Fier, 12 Vjeshta e Tretë
1328-25 Nëntor 1912
Dalip Peshkopisë. Vlorë. Ju bëj me dije se Shkëlqesia e Tij Ismail Qemal Beu me gjithë shokët e Tij të ndershëm tani urdhëruan këtu shëndoshë. Telegrafisti- Ymer Shëmria.
* * *
(Tel.Nr. .. Fjalë 112 O.T.)
Elbasan, 12 Vjeshta e Tretë
1328-25 Nëntor 1912
...ora e ...
Zotërisë Dervish Bej Biçakçiut. Peqin./ Elbasani emëroi përfaqësues Mit'hat Frashërin, Shefqet Dainë e Lef Nosin dhe pardje u nisën për në Vlorë. Pasi zotëria juaj jeni zgjedhur përfaqësues nga Peqini, natyrisht, jo Elbasanin, por edhe gjithë prefekturën e përfaqësoni. Pasi po ju zgjedhim edhe në emër të Elbasanit, veproni së bashku. Myfti Efendiu, përfaqësuesi i Dibrës, sot në mëngjes u nis nga këtu për në Vlorë. Mehmet Pashë Dëralla prej Kallkandelje, Isa Bej Boletini dhe Ajdin Beu, i vëllai i Nexhip Bej Dragës, bashkë me shokët e tjerë do të nisen edhe ata prej këtej. Është nevoja që edhe zotëria juaj të niset nesër. Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci, Kryetari i Bashkisë Alush Rushdi Saraçi, qehajai i Esnafit sheih Mahmut Guma, zëvendës i mitropolitit Papa Dhimitër Dhimitruka, Emin Haxhiademi, Kryetari i Klubit "Bashkimi" Rrapush Demeti
* * *
(Tel.Nr... Fjalë 55 O.T.)
Tiranë 13 Vjeshta e Tretë
1328-26 Nëntor 1912
3ora e natës
Përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Shkëlqesisë së Tij Ismail Qemal Beut. Vlorë. Tani shpallëm Pavarësinë në emër të Shqipërisë. Kërkojmë, lutemi të ruhen të drejtat e pamohueshme të Pavarësisë sonë. Nga përfaqësuesit e gjithë popullit të Tiranës: Fuat Bej Toptani. Nga përfaqësuesit e gjithë popullit të Tiranës: Refik Bej Toptani, Abdullah Gjinali, Xhelal Bej Toptani, Myderris: Sulejman..., Sheih Ahmet Pazari, Isuf Aqif Banka, Myderris: Hysen..., Myslim Beshiri, Selim Petrela, Papa Nikolla Papajani.
* * *
(Tel.Nr..., Fjalë 34 O.T.)
Tiranë, 13 Vjeshta e Tretë
1328-26 Nëntor 1912
...ora e ...
Refik Beut e Myslim Agës. Tiranë. Populli i Elbasanit, myslimanë e të krishterë, me një zë iu përgjigj Ismail Qemal Beut se e pranon ftimin e tij dhe i dërguan përfaqësuesit. Ashtu edhe përfaqësuesit e Shqipërisë së Sipërme shkuan për në Vlorë.
Shefqet Bej Vërlaci
* * *
(Tel.Nr. 7098, Fjalë 65 O.T.)
Tiranë, 13 Vjeshta e Tretë
1328-26 Nëntor 1912
8 ora e natës
Popullit të ndershëm të Lushnjës, Peqinit, Beratit, Gjirokastrës e të gjithë Shqipërisë. Ju japim lajmin e gëzuar se sot Tirana ngriti Flamurin Kombëtar dhe shpalli Pavarësinë në emër të gjithë Shqipërisë. Për t'i prerë hovin rrezikut të madh në të cilin ndodhemi, me të shpejtë shpalleni Pavarësinë edhe aty, edhe t'i drejtoheni konsujve të Shteteve të Mëdha në Durrës. Presim me padurim ta shpallni shpejt dhe të na jepni lajmin tuaj të gëzuar.
Përfaqësuesit e popullit: Fuat Bej Toptani, Myderis: Sulejman..., Xhelal Bej Toptani Myderris: Hysen..., Myderis: Ismail Ndroqi, Myslim Beshiri, Jusuf Elezi, Ali Shyqri..., Hysen..., Nikollë Nishku, Papa Nikolla Papajani.
* * *
(Tel.Nr. 2 Fjalë 104 O.T.)
Elbasan, 13 Vjeshta e Tretë
1328-26 Nëntor 1912
3.45 ora e natës
Kryesisë së Kongresit të Pavarësisë së Shqipërisë. Vlorë
Ju bëjmë me dije se edhe Qemal Beu i Shehsyvar Beut, që është nga paria, u emërua delegat, për të bashkëpunuar me delegatët e tjerë të Shqipërisë.
Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci, Hasan Bej Biçakçiu, Myderris Haxhi Hafëz Sulejman Kungulli, Abdullah Bej Tirana, Sheih Mahmut Guma, Sheih Xhaferr Pasmaqja, Papa Beniamin Deliana, Rrapush Demeti, Ismail Daiu, Nazif Dibrani, Serafin Jorgaqi, Beniamin Nosi, Mehmet Kothere, Hysen Dakli, Hysen Zaimi, Hasan Xhani, Ismail Abdurrezaku, Ibrahim Bërzhuta, Haxhi Curri, Beqir Plangarica, Besim Hasani, Taq Buda, Hysen Kryemadhi, QazimLeka, Imami i lagjes Daut-Beje Hysen Efendi Dorzi, Ibrahim Bumçi, Mahmut Hakani, Petër Dodbiba, Demir Zenelhoxha.
* * *
(Tel.Nr. 13300, Fjalë 95 O.T.)
Durrës, 13 Vjeshta e Tretë
1328-26 Nëntor 1912
7.30 ora e ditës
Popullit të ndershëm të qyteteve: Elbasan, Berat, Janinë, Delvinë, Gjirokastër, Lushnjë, Korçë, Starovë, Vlorë, Përmet.
Ju japim lajmin e gëzuar se me hirin e të Lartit Perëndi, tani shpallëm Pavarësinë, në emër të kombësisë tonë të shenjtë e të gjithë Shqipërisë. Nga memorandumet që shkruan, njëri iu dha konsullit të Austrisë, tjetri konsullit të Francës, edhe i treti po atij të Austrisë, si përfaqësues të shtetit italian. Ju bëjmë me dije se nesër do të bëhet ceremonia e zakonshme. Myderris Isuf Ramë-Zoti, Myderiz Abdyl Qerim Kurti, Myderis Hysen Mulla-Alushi, Myderis Ali Kuli, Myderiz Hafëz Jusuf Gjoni, Ismail Benja, Mahmut Benja, Hysen Dakoli, Hasan Tartari, Ismail Usta Sula, Rexhep Abdurrahman Berberi, Hysen Peni, Filip Sereqi, kryeplaku i katolikëve Aqif Çelkupa, Bahtiar Dervishi, Aleks Duka, Kristaq Rama, Sotir Veveçka, Hamza Tahir Himi, Muhamet Qepaxhiu, Ymer Lutfi Mallkuçi, Musa Milaqi.
* * *
(Tel.Nr. 4, Fjalë 12 O T.)
Kavajë, 14 Vjeshta e Tretë
1328-27 Nëntor 1912
5 ora e mbrëmjes
Shkëlqesisë së Tij Ismail Qemal
Beut. Vlorë. Ju bëjmë me dije se sot, me ndihmën e Perëndisë u shpall Pavarësia e Shqipërisë.
Zëv. I Nënprefekturës së Kavajës
Shehsivar Alltuni
* * *
(Tel.Nr.... Fjalë 14 O.T.)
Durrës, 14 Vjeshta e Tretë
1328-27 Nëntor 1912
...ora e ...
Shkëlqesisë së Tij Ismail Qemal Beut. Vlorë. Ju bëjmë me dije se tani e shpalli edhe Kavaja Pavarësinë. Telegrafisti Xhemal
* * *
(Tel.Nr. 4184, fjalë 64 O.T.)
Lushnjë, 14 Vjeshta e Tretë
1328-27 Nëntor 1912
6 ora e ditës
Parisë së popullit të ndershëm të Durrësit e të Tiranës. Edhe kazaja jonë nxitoi të shpallë Pavarësinë në emër të gjithë Shqipërisë, duke nderuar kombësinë tonë e duke bërë ceremoninë e zakonshme. Ju përgjigjemi dhe ju bëjmë me dije me gëzim se iu drejtuam të ndershmëve konsullave të Mbretërive të Mëdha. Ju falënderojmë dhe ju përgëzojmë!
Myftiu: Sheih Ibrahim Haki Karbunara, Myderris: Sulejman Arapi, Kadri Bej Karbunara, Emin Bej Vokopola, Halid Efendi Gramshi, Shaqir Bej Lushnja, Papa Jovan, Sulejman Korreshi, Llambi Xoxi, Haxhi Bej Imshta, Fejzullah Bej Imshta, Thanas Paftali.
* * *
(Tel.Nr. 1146, Fjalë 98 O.T.)
Peqin, 14 Vjeshta e Tretë
1328-1912
11 ora e natës
Shkëlqesisë së Tij Ismail Qemal
Beut dhe të ndershmëve përfaqësues të Kongresit të Shqipërisë. Vlorë.
Ju bëjmë me dije se mbrëmë më 6 ora e natës, me dëshirën e gjithë popullit, Nënprefektura e Peqinit shpalli Pavarësinë në emër të Shqipërisë. Flamuri Kombëtar u ngrit nëpër ndërtesat zyrtare dhe po merremi me emërimin e nëpunësave të nevojshëm. Lajmërohemi se ushtria e Serbisë, që i ka shpallur luftë vetëm Mbretërisë Osmane, është afruar në anë të Quksit në qoftë se nuk merren masa për të ndaluar, mund të hidhet edhe këndej. Me gjithë që është nevoja të kërkoni me të shpejtë nga Mbretëritë e Mëdha moscënimi i pavarësisë sonë zotëria juaj bëni si ta dini.
Në emër të të gjithë popullit. Kadri Beu i Demir Pashës, Izet Beu, Myftiu: Abdyl Baki Biça, Sheil: Tahsin Gjinishi, Myderris: Sulejman Kuçi, Kryetar i Bashkisë: Ahmet Kaziu, Arsllan Ballhysa.
* * *
(Tel.Nr. 20 Fjalë 60 O.T.)
Durrës, 14 Vjeshta e Tretë
1328-27 Nëntor 1912
7 ora e...
Shk. Tij Ismail Qemal Beu. Vlorë. Shkëlqesia juaj e di që
Durrësi me gjithë nënprefekturat e shpalli pavarësinë. Prandaj, pasi edhe shumë nëpunës kanë hequr dorë, shihet nevojë e madhe të sigurohet me të shpejtë vazhdimi i zyrave. Nga rëndësia e punës, lutemi të na komunikoni tani për tani rregulloren e duhur që i përket edhe zyrave të tjera./ Zëvendësprefekti i Durrësit/Hamit Toptani
* * *
(Vlorë, 14 Vjeshta e Tretë 1328-27 Nëntor 1912
...ora e ...
Zotit Cilka)
Nesër në mëngjes kongresi do të shpallë Pavarësinë e Shqipërisë dhe do t'ua njoftojë shteteve të mëdha; do të formohet Qeveria e përkohshme e do të zgjidhen anëtarët e saj. Austria, Gjermania, Italia e Rumania janë zotuar ta njohin Qeverinë Shqiptare pasi të shpallet Pavarësia. Edhe Anglia po këtë rrugë po ndjek. Nga lajmet e ardhura këtu, merret vesh se në shumë qytete të Shqipërisë është shpallur Pavarësia. Ndihma e ushtrisë së Janinës u sigurua, sepse gjithkush e kuptoi se përveç Pavarësisë nuk ka tjetër mjet shpëtimi. Ushtarët e vullnetarët që janë në Himarë ngritën flamurin shqiptar kundrejt armikut.
Lef Nosi
* * *
(Tel.Nr. 6 Fjalë 33 O.T.)
Vlorë, 15 Vjeshta e Tretë
1328-28 Nëntor 1912 8 ora e natës.
Të Ndershmes Kryesi të Qeverisë së Përkohshme. Elbasan. Kongresi u hap. Pavarësia u shpall. Ismail Qemal Beu u zgjodh kryetar. Sonte do t'u komunikohet Shteteve të Mëdha me kablo. Ju urojmë!
Lef Nosi, Mit'hat Frashëri, Qemal Bej Karaosmani/ Sekretarët e kongresit: Shefqet Daiu, Luigj Gurakuqi
* * *
(Tel.Nr. Fjalë 15 O.T.) Vlorë, 15 Vjeshta e Tretë 1328-28
Nëntor 1912 ...ora e ... Durrës. Më bëni me dije për shëndetin tuaj. Pavarësia u shpall. Ju uroj.
Jahja Ballhysa
* * *
(Tel.Nr. 1 Fjalë 70 O.T.)
Vlorë, 15 Vjeshta e Tretë 1328-28 Nëntor 1912
...Ora e ditës...
Tepër urgjente. Kryetarit të Qeverisë Hamit Beut. Durrës. Sot u hap kongresi i përbërë nga përfaqësues nga e gjithë Shqipëria dhe vendosi proklamimin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe formimin e Qeverisë së Përkohshme. Kryesia e Qeverisë dhe Këshilli m'u ngarkua mua. Ju lutem, shpalleni në Qendra e në nënprefektura dhe ua komunikoni zyrtarisht konsujve të atyshëm, duke na e bërë me dije edhe neve.
Ismail Qemali
* * *
(Tel. Nr. 2-3 Fjalë 58 Origj. Turq.)
Vlorë, 15 vjeshta e tretë 1328 - 28 Nëntor 1912
..........ora e ..........
Kryesisë së Bashkive të Elbasanit dhe të Beratit. Shkëlqesisë
së Tij Aziz Pashës dhe të parëve të tjerë të vendit. Sot u hap Kuvendi dhe pasi u vendos shpallja e Pavarësisë, që është i vetmi mjet shpëtimi për ne, u ngrit flamuri. Kryesia e Qeverisë së Përkohshme që do të formohet m'u ngarkua mua. Lutem, shpalleni aty, nëpër nënprefektura e krahina dhe përpiquni të siguroni mirë qetësinë e vendit. - Ismail Qemali.
Fjalë 101
Qendrave Deklarata e shkruar më poshtë, të përkthehet shqip dhe të ngjitet nëpër mure në emër të Qeverisë së Përkohshme, shkruar në njërën anë turqisht e në anën tjetër shqip. Veç kësaj, duhet që dhe me mjete të tjera, të pëlqyeshme, t'i komunikohet e t'i njoftohet gjithë popullit. - Ismail Qemali.
Nënprefekturave e krahinave Ngaqë situata e sotme u keqësua, u shfaq nevoja për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Sot çdo shqiptar është i shtrënguar dhe i detyruar njerëzisht e politikisht, të ruajë qetësinë e bashkimin me njëri-tjetrin dhe si me turqit, si me të huajt, me çdo element që të jetë, duhet të shkojë si vëlla me të gjithë, duke siguruar e forcuar harmoninë.
I lutemi gjithë popullit të ndershëm, të sillet me nder e me urtësi se është nevoja. Ndryshe, deklarojmë e shpallim se guximtarët do të dënohen me dënimin më të rëndë. - Ismail Qemali.
Njoftimi i Ismail Qemalit
drejtuar nga Vlora më 28 Nëntor 1912 gjashtë Fuqive të Mëdha mbi shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë
(Tel. Nr. …. Fjalë…. Origj. Frëngj.)
Vlorë, 15 vjeshta e tretë 1328 - 28 Nëntor 1912
…………..ora e………..
Ministrave të Punëve të Jashtme: Romë, Vienë, Paris, London, Berlin, Petrograd
Kuvendi Kombëtar, i përbërë nga delegatë të të gjitha viseve të Shqipërisë, pa dallim feje, të mbledhur sot në qytetin e Vlorës, tashti sa shpalli Pavarësinë politike të Shqipërisë dhe formoi një Qeveri të Përkohshme, të ngarkuar për t'i dalë zot të drejtave të qenies së popullit shqiptar, të kanosur me shfarosje prej ushtrive serbe, e të çlirojë truallin kombëtar të shkelur prej ushtrive të shteteve aleate (Ballkanike - K. F.)
Duke i njoftuar Shkëlqesisë Suaj çfarë është bërë, kam nderin që t'i lutem Qeverisë së Madhërisë së Tij, mbretit të Britanisë së Madhe, që të ketë mirësinë ta njohë këtë ndryshim të jetës politike të kombit shqiptar. Shqiptarët duke hyrë përsëri në familjen e popujve të Evropës Lindore, në të cilën mburren se janë më të moçmit e duke mos ndjekur veçse një qëllim të vetëm: për të jetuar në paqe me gjithë shtetet ballkanike e për t'u bërë një element ekuilibri, janë të bindur se Qeveria e Madhërisë së Tij, ashtu edhe gjithë bota e qytetëruar do t'i presë me sy të mirë, duke mbrojtur qenien e tyre kombëtare nga çdo agresion dhe tokën e tyre nga çdo copëtim. - Kryetari i Qeverisë së përkohshme, Ismail Qemali.

* * *
Njoftimi i Ismail Qemalit
drejtuar nga Vlora më 28 Nëntor 1912 monarkive ballkanike mbi shpalljen e
Pavavrësisë së Shqipërisë
(Tel. Nr........ Fjalë 151 O. F.)
Vlorë, 15 vjeshta e tretë 1328 - 28 Nëntor 1912
........ora e .......
Ministrave të Punëve të Jashtme: Cetinë, Beograd, Sofie, Athinë.
Po nxitoj t'i njoftoj Shkëlqesisë Suaj një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për jetën kombëtare të shqiptarëve. Delegatët e gjithë viseve të Shqipërisë, të mbledhur sot pa dallim feje në Kuvendin Kombëtar në qytetin e Vlorës, kanë shpallur Pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë formuar një qeveri të përkohshme. Shqiptarët janë të gëzuar që po munden të hyjnë përsëri në familjen e popujve të lirë të Lindjes e duke mos pasur tjetër qëllim, veçse të jetojnë në paqe me gjithë shtetet fqinje, shpresojnë: - se ndryshimi i jetës politike dhe formimi i Qeverisë së Përkohshme do të njihet prej Qeverisë së Tij Mbretërore; se çdo veprim armiqësor nga ana e ushtrive të tij brenda në truallin kombëtar të tyre do të pushojë së vepruari dhe - se gjithë viset thjesht shqiptare të pushtuara sot prej ushtrive të aleatëve (ballkanikë - K. F.) do të lirohen përsëri. - Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali.
* * *
Telegrame nga Vlora më 28 Nëntor 1912 mbi shpalljen
e Pavarësisë së Shqipërisë
(Tel. Nr...........Fjalë 77 O. F.)
Vlorë 15 vjeshta e tretë 1328 - 28 Nëntor 1912
.....Ora e .....
Giornale d'Italia (Roma) - La Tribuna (Roma) - Il Mattino (Napoli) - Corriere della Sera (Milano) - La Stampa (Torin0) - Fremdenblatt (Vienë) - Zeit (Vienë) - Reichspost (Vienë) - Ëiboral Piccolo (Trieste) - Le Temps (Paris) - Echo de Paris (Paris) - Le Mattin (Paris) - Daily Telegraph (London) - Ëestminster Gazett (London). Kuvendi Kombëtar, i përbërë prej delegatësh të të gjithë viseve të Shqipërisë, pa dallim feje, i mbledhur sot në Vlorë, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe formoi një Qeveri të Përkohshme me kryetar Ismail Qemal Beun. - Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Luigj Gurakuqi.
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.