Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Niko Tyto: Mė "riedukuan" pse pėlqeja letėrsinė e Maleshovės
» Dėrguar mė: 11/02/2013 - 05:35


Kam qenë një adhurues i flaktë i poezisë së Sefullait, aq sa isha në gjendje të deklamoja vjershat e tij përmendësh. Si mësues letërsie kam komentu
ar në maturë, plot 30 vjet, prozën e bukur poetike "Zgalemi" të Gorkit dhe me zjarr e pasion kam folur në klasë për meritat e përkthyesit, për gjuhën aq të pasur dhe elegante, për thjeshtësinë e zhdërvjelltësinë e stilit, si dhe për figuracionin artistik aq të goditur. Veç, gjithmonë, kam qenë i tensionuar dhe i shqetësuar, duke iu ruajtur pyetjes nga klasa:
"Cili është përkthyesi i kësaj proze poetike?"...
Po aq i shqetësuar dhe i papërgjegjshëm kam qenë kur kam shpjeguar pikëpamjet e Sefulla Maleshovës në letërsi e në artin e realizmit socialist...
Unë kujtoj vitin 1952, konviktor në Elbasan, në klasën e dytë pedagogjike ku kisha studiuar disa numra të revistës "Bota e Re". Më kishte pëlqyer një recesion i S.Totos për vlerat letrare të Lame Kodrës. Atëherë unë, jo vetëm që i bëra jehonë kësaj recense, por në pushimet e studimit, mes shokësh, deklaroja vjershat "Si e dua Shqipërinë", "Pas tërmetit" etj., etj.
Një ditë, kur unë s'e prisja, në një mbledhje të Organizatës së Rinisë, ish-sekretari i parë i Komitetit të Rinisë së rrethit, S.T., për Elbasanin, theksoi mes të tjerash:
"...Në gjirin tuaj ka njerëz që janë adhurues të armiqve të partisë. N.T. është viktimë e Sefulla Maleshovës..."
Atëherë, djalë i ri, pak e vlerësova këtë kritikë dhe pak nxora mësime...
Kur isha student, më 1957-ën, në leksionin e gjuhës shqipe, kur profesori i lëndës, i nderuari profesor Shaban Demiraj, kërkoi disa historizma nga letërsia jonë artistike, unë solla për ilustrim këto dy vargje, të marra nga poezia "Kënga e Plakut":
"Kur lëftonja si luan,
Me pislloqe e jatagan..."
Një shok i kursit më hoqi mënjanë në pushim dhe me dashamirësi më tha:
-Po ti, i marrë je?! Nuk dije shembuj të tjerë për ilustrim?!
Dhe biseda mori rrugë, për vlerat e poezisë së Sefullait, për penën e tij të fuqishme. Ajo shijohej nga ata që e lexonin, por nuk diskutohej, se ishte "Mollë e Ndalueme".
Më 1967-ën, kur më riedukuan "Si adhurues e nxitës i veprës së Sefullait", më kushtoi shtrenjtë. Ka qenë ky vit, kur disa persona, me "porosi të veçantë" u ngarkuan me detyrë të rëndësishme për të zbuluar enigmat...
Pikërisht në këtë muaj, nga biblioteka ime hoqa me dhimbje të madhe vëllimin "Vjershat" të Lame Kodrës, të dhuruar me aq dëshirë nga miku im Idris Arapi, mësues në Ballsh, në vitin 1961.
Më 1972-in, në dhjetor, kur isha në kursin pasuniversitar për Letërsi në Tiranë, rreth një tryeze ku po pinim raki me poetët D.Agolli, Dh Qiriazi, N.Nikolla dhe ku flitej për vlerat e poetëve tanë, si Lasgush Poradeci, ngaqë poetët ishin të atij pellgu, hodha në trapezë pyetjen:
-Po Sefullai, është poet i vlerave të mëdha?
Përgjigjja ishte e menjëhershme dhe lakonike nga D.Agolli:
-Po, është një poet i vërtetë!
Theksoj se asnjëri nga bashkëbiseduesit nuk e shtjelloi më tej këtë mendim.
Në Këlcyrë, sa e sa herë më është hequr vëmendja nga miqtë e mi..., për të qenë më i kujdesshëm, më i saktë, për të mos u shoqëruar me ata njerëz që janë adhuruesit e Sefullait. Kritika absurde donin të privonin të drejtën që të mos shoqërohesha me mikun tim G.Dade që kishte interesa letrare.
Miku, i ndrittë shpirti, ishte adhurues i flaktë i letërsisë. Ai kishte mendimin krijues, si dhe një pasion të veçantë për të lexuar, me një kujtesë për t'u pasur zili. Gjithashtu, ai kishte një shije të hollë për studim e diskutime letrare dhe me një penë për të shkruar vjersha popullore.
Theksoj se disa këngë për patriotët e Maleshovës mbajnë autorësinë e tij. Me këngët e tij, në këto vargje tetërrokëshe, me atë ritëm e muzikalitet grupi folklorik i vajzave të Maleshovës disa herë kishte zënë vend nderi nëpër festivalet folklorike zonale apo kombëtare. E vërteta është se ne nuk bisedonim për Sefullanë, sepse të dyja palët e ruanim njëri-tjetrin, pasi e dinim të keqen e madhe që na priste. Kur bisedonin, edhe pse rrallë, rreth poezisë së Lame Kodrës, ne bënim thjesht një vlerësim si poet e shqipërues dhe asnjëherë nuk e lakonim si politikan.
Madje, për hir të së vërtetës, mua më vjen keq që sot, kur po shkruaj kujtimet në fjalë, më mungojnë kujtimet e mikut tim, të cilat me kënaqësi do t'i kisha paraqitur në mënyrë indirekte, i bindur se vëllimit do t'i shtoheshin vlerat.
Një ditë udhëtoja me tren me bashkëfshatarin M.Rrumbullaku, një burrë babaxhan, një metrolog popullor, që i ndrittë shpirti ku i prehet! Një i tretë, udhëtar i zakonshëm, ngaqë i pëlqyem në bisedë, na pyeti:
-Nga jeni ju?
-Ne jemi nga Maleshova
-Ju jeni nga Maleshova e Sefullait.
-Sefullai është nga Maleshova, - iu përgjigj bashkëfshatari im i mençur...
Kam qenë më 1987-ën në zyrën e mikut tim, juristit të nderuar Kleanthi Koçi, në Tiranë. Një jurist që ishte aty, mbasi u njoh me mua, nga ç'isha e ç'detyrë kisha, recitoi disa strofa nga poezia e Lame Kodrës. Unë buzëqeshja, kënaqesha, por nuk e shoqëroja.
Si u largua ai, miku im më tërhoqi vëmendjen:
-Çudi e madhe me ty! Tani që duhej të debatoje, se kishe përballë një njeri serioz e të përgatitur, heshte, ndërsa kur shkon në Këlcyrë, flet e debaton aq sa ke krijuar keqkuptime.
Unë, me kënaqësi, iu përgjigja:
-Ke të drejtë, se s'ke rënë nga fiku...
Kam kënaqësinë që pasionin e adhurimin që pata për veprën e ndritur të Sefullait e realizova këto vitet e demokracisë, si në konferencat në Përmet e Këlcyrë, ashtu edhe me artikujt e shumtë e të larmishëm nëpër gazetat e ndryshme, si "Qyteti i jugut", "Java", "Prometeu i Përmetit", "Atlas 1001", "Shekulli", "Dita Jug", dhe shumë numra tek "Fjala sot".
Na kishte qëlluar të debatonim, midis shokësh, se a gëzonte Sefullai simpati ndër fshatarët tanë. Mendimet ishin të natyrave të ndryshme. Disa, duke mbajtur variantin e largimit të tij nga fshati qysh 16 vjeç, mendonin se simpatia e tij ishte e zbehtë. Të tjerët mendonin se edhe në ato pak vite lavdie 1943-1946 që pati, nuk iu dha mundësia për t'u takuar e njohur me bashkëfshatarët dhe si rrjedhim, simpatia diskutohet. Pala e tretë, duke pasur parasysh vitet e fundit të jetës (1947-1971), që i kaloi në hije në Tiranë e i internuar në Myzeqe, shprehte mendimin se simpatia e tij ishte e vakët.
Ka një fakt që u kundërvihet këtyre mendimeve. Në tetor 1992, kur në shtëpinë e kulturës Përmet, u organizua një pasdite letrare për të njohur figurën e madhe të Sefulla Maleshovës, të gjithë bashkëfshatarët që banonin në qytetin e Përmetit e shumë nga Këlcyra, me ta edhe plot qytetarë mbushën sallën e lozhën plot e përplot. Këtë dashamirësi e shprehën edhe bashkëfshatarët tanë nëpër disa qytete, kur kishin parë emisionin e lajmeve që dha televizori ato ditë. Në mbështetje të kësaj dukurie është dhe gatishmëria e dashamirësia e shumë bashkëfshatarëve që dhanë e na nxitën për të shkruar këto kujtime. Ishte mendimi i përgjithshëm fshatarak që të dalë në dritë Sefullai, se diktatura, si një ëndërr e keqe, boll ia bëri jetën të zezë si korbi dhe të ftohtë si akulli.
Kemi qenë aq dashamirës të veprës së Sefullait saqë, çdo herë, kur dëgjonim të flitej për të nga njerëz të ditur, ndjenim kënaqësi shpirtërore.
Edhe tani, në klimën e re, lexojmë e konspektojmë artikuj e gazeta periodike dhe, sa më vjen mirë, aq më vjen keq, që shumë gjëra enigmë deri sot, t'i mësojmë në moshë madhore, sepse jeta e Sefullait ishte një legjendë e vërtetë.
Duke shkruar si adhurues një sërë artikujsh për Sefullanë, më lindi dëshira, duke marrë edhe mendimin e disa intelektualëve përmetarë, të organizoja një sesion shkencor për jetën e veprën e tij të titulluar: "Intelektuali që triumfoi mbi diktaturën". Më 1994 përgatitëm një sërë temash dhe erdhi një moment i rëndësishëm për të kërkuar një shkak, mbasi sipas traditës, viti i lindjes dhe i vdekjes, muajt mars e qershor, kishin ikur.
Një zotnie i lindi mendimi dhe të tjerët e mirëpritën, që të merrnin një propozim nga pushteti në rreth e t'ia drejtonin Qendrës duke caktuar urdhrin, motivacionin, mbas një debati jo fort të lehtë. Së fundi unë dhe ish-deputeti i rrethit, Vasil Gjika morëm një takim me ish-kryetarin e Këshillit të Rrethit. Si i bëra një ekspoze të dëshirës dhe të punës përgatitore, më kujtohet që i thashë këto mendime:
- Sefullai, si personalitet i spikatur, është figura që ka tërhequr më shumë vëmendjen e shtypit të kohës në këto vite, për të mos thënë që çdo gazetë ka shkruar për të. Ai luan rolin e mirëkuptimit dhe të tolerancës midis partive, se në veprën e tij, thuajse shumë parti që kemi ne në rreth, gjejnë pjesë nga programi i tyre. Është në nderin tonë që këtë sesion ta bëjë Përmeti dhe, për të mënjanuar çdo keqkuptim apo keqinterpretim, nga cilido qoftë, ne ju propozojmë që këtë sesion ta drejtoni ju, si pushtet.
E ç't'i thosha më tepër...
Kur mora përgjigjen negative, se këtë veprimtari nuk e bëjmë, se ju në Këlcyrë keni bërë një veprimtari që e dha televizioni, u pezmatova.
U larguam nga zyra, duke u përshëndetur me një mirësjellje diplomatike dhe, duke zbritur shkallët e Komitetit, thosha me vete:
- Sa keq që ende sot, drejtojnë disa njerëz që akoma s'janë emancipuar, dhe më pas i thashë ish-deputetit:
- Sa gjak të hidhur paska ky Sefullai!
"Fatbardhësisht, me rastin e 50-vjetorit të Çlirimit të atdheut, më 1994 Sefulla Maleshova u dekorua me "Urdhrin e Flamurit Kombëtar të Klasit të Parë", me dekret Nr.960.
Nuk është e tepërt që të citohet, madje të lavdërohet, puna plot përkushtim që u bë nga një grup intelektualësh, sidomos të qytetit të Këlcyrës e pastaj të Përmetit, adhuruesit e veprës së Sefullait, më 1996 për të pagëzuar shkollën e mesme të Këlcyrës "Sefulla Maleshova", si dhe më vonë për të vendosur bustin e tij në këtë shkollë. Midis motiveve që u bënë shkak për këtë propozim, ishte dhe ai i qenies së Sefullait titullar i lartë i Ministrisë së Arsimit.
Koha, me drejtësinë e saj, përherë e rreptë në vendimet e saj, i dha vendin që i takonte. Pengesat që nuk ishin as të vogla, as të pakta dhe që kërkuan një kohëzgjatje të madhe, gati dyvjeçare, u kapërcyen me sukses. Thashethemet e dashakeqësitë e ca individëve edhe pse, si gjithmonë ngritën kokë, u avulluan, u tretën si kripa në ujë dhe fitorja, e arritur me mund, na buzëqeshi. Këshilli Popullor e dha vendimin më 10 maj 1996 dhe ceremonia në shkollën e mesme të Këlcyrës, kaloi për bukuri.
Më vjen mirë të kujtoj momentin kur kryetari i veteranëve të bashkuar të rrethit, S.Tahiri na tha në dollinë përshëndetëse:
- Sefullai nuk është vetëm nderi i Maleshovës, i Këlcyrës apo i Përmetit, por ai është i gjithë kombit, sepse atij i këndoi si pena, ashtu dhe pushka. Edhe në përshëndetjet e tjera, si një lajtmotiv i qartë u shpreh mendimi i përgjithshëm se Sefullai ishte i madh dhe se të mëdhenjtë lënë vepra të mëdha dhe se janë veprat që u kanë sjellë dobi të madhe këtyre njerëzve që kanë fituar pavdekësinë e që kanë vlerësuar gjithmonë se e mira e madhe është e mira e përbashkët.
Gjej rast të theksoj se, kur u kremtua 55-vjetori i çlirimit të krahinës së Maleshovës, më 11 nëntor 1997, për herë të parë, mbas shumë e shumë festimesh, në referatin kryesor u bë një vlerësim dinjitoz nga referuesi T.Zyba, i cili i dha vlera dhe vendin e nderit Sefullait si lider i kësaj lufte dhe si bir që ia shtoi më tepër nderin Maleshovës. Pikërisht në koktejin e organizuar, në dollinë përshëndetëse doli ky mendim:
- Krenohemi me këtë figurë madhore, se emri i tij, që e dëgjonim aq shumë në luftë dhe vjershat që aq shumë na pëlqenin e na frymëzuan në beteja, sot e kësaj dite, i dimë dhe tani, që kemi fituar lirinë e fjalës, i them plot entuziazëm".
E quaj normale të shtroj për diskutim edhe një mendim të hedhur nga disa individë, të cilët kanë mendimin se për Sefullanë nuk duhet të tregojnë kujtime apo to shkruajnë në shtyp, ata njerëz që dje, në kohën e zezë të diktaturës së egër, folën keq për atë. Theksojmë se ky mendim nuk na duket i drejtë e, si rrjedhim, as i pranishëm, as logjik. Madje, do thënë se është frenues e jonjerëzor.
Në kohën e diktaturës ogurzezë, jo vetëm që s'mund të flitej e të mbrohej Sefullai, po as që pranohej të shfaqje një simpati për të. Koha e vërtetoi se kur u shfaqën simptomat e simpatisë, shpata e Demokleut ra pa mëshirë. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm se sa e rëndë ishte ajo kohë.
Ne mendojmë se është kënaqësi që Sefullai rron në kujtesën e bashkëkohësve, e fshatarëve dhe nuk është harruar. Këtë mendim e mbrojmë me gatishmërinë që treguan për të dhënë kujtime dhe që shprehën optimizmin dhe entuziazmin e botimit të tyre sa më parë e më mirë.
Ne kemi mendimin se veprohet mirë nga ata njerëz që
aktivizohen, që kanë vullnet, që kanë dëshirë e pasion, që bëjnë gjithçka për Sefullanë e, në këtë kuadër, falënderojmë nismën e mirë të krijimit të Shoqatës Kulturore "Lame Kodra", se sa ata njerëz mbajnë qëndrim strikt dhe nuk aktivizohen. Koha e re, patjetër që ka e kërkon një mendim të ri.
Gjithashtu mendojmë se duhet të jemi të ndërgjegjshëm që kritika duhet të jetë e pranishme dhe efektive për vonesën e këtij materiali, sepse, në fund të fundit, Maleshova ka pena që duhet të kishin rrezatuar më herët.
E ndiej për detyrë e, njëherazi, kënaqësi e nder që i përgatita këto kujtime, duke i qëmtuar e vjelur me kujdes e dhimbje, megjithëse vështirësitë ishin nga më të ndryshmet. Dashamirësit dhe adhuruesit e shumtë që kërkojnë të mësojnë sadopak për personalitetin e spikatur të maleshovitit fatzi, varrvithisurit Sefulla, do ta mirëpresin dhe do ta vlerësojnë këtë përmbledhje kujtimesh,
sa një detyrim, aq dhe një pengnderimi për veprën e tij.
Duke përfituar nga ky ogur i bardhë, me pastërti ndërgjegjeje, me respekt e mirënjohje, shpreh mendimin se të gjithë njerëzit e çdo kategorie qofshin që i thanë, madje dhe ata që s'mundën dot të jepnin, të cilëve iu kërkojmë sinqerisht ndjesë, mbresa dhe kujtimet e tyre, sa të sinqerta, të ngrohta dhe miqësore, që hodhën dritë miqësisht mbi këtë figurë martire, duke nderuar burrin e mençur, eruditin Sefulla, nderojnë njëherazi, kulturën dhe lavdinë përmetare, nderojnë edhe veten e tyre, sepse Sefullai ngjan me trëndafilin, që me aromën e tij josh dashamirësit, ndërsa me gjembat shpon dashakeqësit, shushunjat...
Marrë nga libri i Niko Tytos, "Për Sefulla Maleshovën"
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.