Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Bashkim Shehu:Drejtuesit e diktaturės nderohen ende, Ramizi e Nexhmija gėnjyen nė intervista
» Dėrguar mė: 27/02/2013 - 06:58
Fatmira Nikolli

Flitet shumë, jashtëzakonisht shumë për ish-drejtuesit e diktaturës, me njëfarë kureshtjeje obsesive, që thjesht e mjegullon të kaluarën... E njëjta magjepsje shfaqet edhe ndaj tim eti". Bashkim Shehu, shkrimtar i një sërë romanesh që kanë bërë bujë në mediat shqiptare, e shpreh në këtë mënyrë mosdëshirën për të folur për të atin (Mehmet Shehu), çka në fakt ka qenë një nga të parat fjali të shqiptuara në komunikimet tona të hershme. Ai shkruan për diktaturën, për raportet e regjimit me artistët, me fenë, me njeriun, por këto si shkrimtar. S'para ia ka ënda të flasë as për veten në atë kohë, përpos të folurit përmes penës në vepra. Prej vitesh është përpjekur të dalë para publikut me librat e tij përkrah dhe vetëm për ta, duke refuzuar të komentojë politikën e sotshme dhe të atë të kaluarën. Sa herë lë Spanjën dhe ia beh në Tiranë, është letërsia në mes. Imazhi që do që të lërë tek ne, është vetëm ai i shkrimtarit, asgjë më shumë. Pranon të flasë vetëm për letërsinë, pasion i hershëm e profesion i tij i përtashëm; e megjithatë, po kaq shumë sa ai kërkon t'i largohet politikës, po aq shumë i drejtohen pikërisht si djali i ish-kryeministrit...
Bashkim Shehu, me veprat e sjella para publikut ia ka dalë sot të jetë vetëm Bashkimi, e të njihet si i tillë, pa pasur nevojë të identifikohet si "i biri i", sikundër shpesh ndodh me njerëz që nuk njihen për punën e vet se nuk janë shquar në të, po "si të bijtë e", "a pasardhësit e".
Romani i tij më i ri, "Loja shembja e qiellit" të grish në të para '90-ve. Me një gjuhë të pasur, me fjalë të ëmbla e joshëse, faqet rendin me vrap dhe papritur ia beh në fund të librit. Kritika, nëse nuk kemi parasysh ato që u thanë në promovim, ende se ka thënë fjalën e vet për veprën e fundit, ndërsa për më të hershmet, ka nxjerrë në pah vlerësime.
Në romanin që paraqiti javën që shkoi ndërthuren hakmarrja ndaj së shkuarës, me të cilën nuk janë larë ende hesapet e lënia mënjanë e atyre që vuajtën. Galeria e personazheve është e plotë dhe tabloja që paraqet nuk duket se lë asgjë mangët.
Vetë Bashkim Shehu rrëfen në këtë intervistë të shkurtër se si e nisi librin, si e përjetoi atë, si e sheh ai ndarjen klasore që u bë në Shqipëri, endjet e pafundme e të ish-të përndjekurve dhe "magjepsjen" e shqiptarëve sot për ish-drejtuesit.
Romani juaj më i ri titullohet "Loja, shembja e qiellit". Pse ky titull, ç'është ky qiell që shembet?
Nuk më duket mirë që autori t'i fusë gishtat në sy lexuesit. Parapëlqej që kuptimi i titullit të dalë nga leximi i librit bashkë me nuancat që përmban, e jo që t'ia servirë lexuesit autori.
Në hyrje të tij, ju shënoni se për përndjekjet ndaj fesë, jeni mbështetur, tek kujtimet e At Zef Pllumit. Pse e keni përfshirë këtë fenomen në librin tuaj, çfarë ju ka shtyrë?
Duke lexuar kujtimet e At Zef Pllumit, veçanërisht episodet që lidhen me futjen e armëve nga Sigurimi në Kuvendi Françeskan dhe me torturat që ka pësuar At Zef Pëllumbi, m'u bë sikur ndodheshim së bashku në burg dhe po m'i tregonte mua. Kjo ka qenë edhe nxitja e parë për ta shkruar këtë roman. Më tej, romani u ndërtua rreth një personazhi tjetër, si rindërtim i jetës së këtij personazhi, të cilit një prift në burg i tregon ngjarje që përbëjnë, siç e dini, dy prej kapitujve të romanit.
A e keni njohur nga afër At Zef Pllumin?
At Zef Pëllumbin s'kam pasur rastin ta njoh. Por kemi pasur miq të përbashkët, në burg dhe jashtë burgut.
Kush janë njerëzit që fshihen pas personazheve tuaja si: Patër Shtjefni, Krasta, Luigji C.?
Mbas personazheve të mia, sikurse mbas personazheve të trilluara të çdo autori letrar, nuk fshihen njerëz të caktuar. Letërsia nuk fsheh, ajo zbulon. Por nuk mund të zbulojë askënd tjetër përveç lexuesit. Ajo synon t'i zbulojë lexuesit jo tjetërkënd, por veten e tij në tërësinë veprës letrare, në tërësinë e personazheve dhe të situatave të rrëfyera kur është fjala për një roman. Së paku kështu e kuptoj unë letërsinë. Pra, një vepër letrare synon të hedhë njëfarë drite vetëm brenda lexuesit. Se sa e arrin, kjo është tjetër gjë.
Me këtë vepër, ju i riktheheni raporteve mes individit dhe shtetit në kohën e regjimit. Cili do të ishte mesazhi i romanit tuaj?
Të njëjtën pyetje i kanë bërë një herë T. S. Eliotit për një dramë të tij. Dhe, ashtu si ai, do t'ju përgjigjesha se këtë pyetje duhet t'jua bëja unë juve, e jo anasjelltas.
Ju shkruani: "E vetmja sprovë letrare e Aleks Krastës është një tregim i titulluar 'Guva', rreth pesëmbëdhjetë apo njëzet faqe, shkruar në kohën kur gjendej në kampin e Spaçit". A është shkruar vërtet një pjesë e tillë nga ju a ndokush tjetër mik i juaji?
Jo, nuk është shkruar nga askush. Është një trillim brenda trillimit që përbën romanin.
Ndarja midis kuadrove dhe njerëzve të thjeshtë, ose popullit, a mendoni se ishte ndarja e vërtetë klasore në Shqipëri, sikundër shprehet Aleks Krasta?
Mendimet e personazheve nuk janë doemos edhe të autorit, por në këtë rast edhe unë mendoj se pak a shumë ashtu ka qenë.
A ka shkuar marrëzia e regjimit deri aty sa të marrë nga një muze, armët e dhuruara nga mbreti Zog?
Këtë thotë At Zef Pëllumbi. Dhe marrëzia e atij regjimi ishte e aftë për çdo gjë, nuk njihte kufij.
Procesi i të shkruarit të tij, a ua ka rikthyer ndjesitë e përjetimeve tuaja? A janë disa përshkrime, pjesë e mbamendjeve tuaja?
Procesi i të shkruarit, sigurisht, më ka rikthyer ngjarje të jetuara. Veçse i kam shkruar me qetësi, dhe duke bërë transformime në funksion të së tërës.
Tek cili personazh gjendet më së shumti vetë Bashkim Shehu, jeta, ëndrrat, shpresëthyerjet?
Nuk e di. Ndërkaq, ndihem në një mënyrë apo në një tjetër i njësuar me të gjithë të burgosurit që shfaqen përgjatë romanit. Siç thotë njëri nga personazhet e romanit, konkretisht pater Shtjefni, çdonjëri nga ata njerëz me të cilët ka përkuar në burg ngërthen një libër të tërë për të rrëfyer, dhe të gjitha historitë e tyre bashkohen në një të vetme.
Një gjuhë e këndshme, fjalëformim që vjen ëmbël, përshkrime që të endin në atëbotë...Sa kohë ju ka marrë shkrimi i kësaj vepre, lëmimi i frazës?
Shkrimi i këtij romani më ka marrë dy vjet, nga të cilët një vit kaloi me sprova të dështuara, gjersa munda të gjeja këndvështrimin e duhur, syrin nga i cili rroket krejt rrëfimi. Po edhe paskëtaj m'u desh të punoja ngulmueshëm, duke lëmuar detaje, duke ripunuar episode, ose madje duke bërë ndryshime në kompozicion.
Me këtë vepër, a e quani të shteruar regjimin si sfond për romanet tuaja?
Jo, nuk e quaj të shteruar. Por, me gjasa, romani që do të pasojë do t'i referohet krejtësisht një periudhe tjetër.
Duket, teksa sheh jetën e Aleks Krastës, sikur njerëzit që vuajtën në sistemin e kaluar, e kanë të vështirë të përshtaten në tranzicionin e tejzgjatur që na ka mbërthyer. Ju si e mendoni këtë?
Ky personazh ka veçantinë e tij, ka edhe probleme psiko-logjike individuale. Ndërkaq, është e vërtetë se një pjesë jo e vogël e ish-të përndjekurve janë ende të margjinalizuar. Shteti duhej të kishte bërë më shumë, qysh në fillimet e post-diktaturës. Gjithashtu, kam përshtypjen se edhe shoqëria ka njëfarë ngërçi për t'i integruar ish-të përndjekurit. Në njëfarë mënyre, kjo shfaqet edhe në media, ku pak flitet për vuajtjet e ish-të përndjekurve. Dhe nga ana tjetër flitet shumë, jashtëzakonisht shumë për ish-drejtuesit e diktaturës, me njëfarë kureshtjeje obsesive që thjesht e mjegullon të kaluarën. Zanafilla e kësaj kureshtjeje obsesive ndaj ish-sundimtarëve, çka është një formë nostalgjie të pavetëdijshme, ose magjepsejeje, duket edhe më qartë në intervistat që u janë bërë disave prej tyre. Merrni çdo intervistë që i është bërë Nexhmije Hoxhës apo Ramiz Alisë dhe do të shihni se nuk ka asnjë përpjekje të gazetarit për ta zënë ngushtë të intervistuarin, për të mos e lejuar të gënjejë mbarë e mbrapsht. Përkundrazi, vërehet kësisoj njëfarë nderimi ndaj tyre. Me sa duket hija e tyre prej njerëzish të pushtetshëm vazhdon të rëndojë, madje edhe tek ata që nuk e kanë jetuar diktaturën. Më ngjan se do na duhet edhe shumë kohë gjersa të na dalë e keqja. E njëjta magjepsje shfaqet edhe ndaj tim eti. Jeni nga të paktat gazetare që nuk më kanë pyetur për të, ndërsa të gjitha ose pothuaj të gjitha gazetat e tjera që shkruan këto ditë për librin tim të fundit vunë si titull një gjysmë fjalie që thashë për tim atë, një gjysmë fjalie me të cilën përsërisja pashmangshëm diçka të stërnjohur, që të mos e zgjasja tek po më pyesnin ngulmueshëm. Ndërsa Ramiz Alisë apo Nexhmije Hoxhës nuk u janë adresuar ndonjëherë pyetje që t'i shtynin të dilnin aty ku do gazetari, nëse ky ka dashur ndonjëherë që ata të dilnin diku.
A mendoni se shihen 'vëngër' të bijtë e drejtusve a të të dënuarve të kohës së shkuar në ditët e sotme?
Kam përshtypjen se një pjesë e madhe e njerëzve në Shqipëri i shohin "vëngër" të gjithë njerëzit e tjerë. Nuk e kanë për gjë ta thonë fjalën e keqe për këdoqoftë për të cilin bie muhabeti. Kjo nuk vjen ngase ata që flasin kështu janë njerëz të këqij. Kështu flasin edhe njerëz që janë shumë të mirë, dhe pikërisht kjo është shqetësuese.
Vetëm pak ditë më parë, u mësua se burgu i Spaçit, për të cilin prej kohësh ekziston një projekt që e kthen në muze, po shkatërrohet për skrap. Ç'ju thotë kjo ngjarje?
Po, kam lexuar për këtë, veçanërisht në artikuj të mikut tim Fatos Lubonja. Më duket si një metaforë e dyfishtë e kohëve që po jetojmë: nga njëra anë, si metaforë e trajtimit të kujtesës historike; nga ana tjetër, si babëzi ekonomike e paskrupullt.
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.