Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Si ndikon dhuna nė familje
» Dėrguar mė: 27/03/2013 - 09:24
Lajme te ngjashme
Suedia i refuzon azilin familjes sė Admir Tafilit
• Datë: Oct 23, 2014


Preokupimi më fisnik i njeriut është njeriu. Ai njeri që di të vërë në punë arsyen, nuk e shkatërron familjen. Përkundrazi, ai e konsideron atë si gjënë më të shenjtë dhe e ruan si thesarin më të vlefshëm të jetës. Të shkaktosh dhimbje në familje, do të thotë t’i kesh humbur kufijtë e logjikës dhe të të menduarit; do të thotë mbi të tjera, të mos duash veten... Familja është vatra ku ne ngrohemi, edhe pse jashtë është ngricë apo edhe pse të gjithë njerëzit sillen me ne me një indiferentizëm të ftohtë. Familja është krijuar nga dashuria dhe nga fruti i kësaj dashurie kanë ardhur në jetë lulet e kësaj bote. Fëmija është fruti që nuk të mërzitet kurrë, ashtu sikurse uji është pija që s’të mërzitet kurrë. Ndaj jepini fëmijës më shumë liri: le të vrapojë, le të kërcejë, le të luajë dhe le të argëtohet. Mos i jepni kurrsesi fëmijës dhimbje dhe grushte, sepse ata nuk e meritojnë. Prindër, bëhuni më përgjegjës! Fëmija është i vetmi që e përjeton botën në mënyrë të vërtetë, të gjitha të tjerat janë artificiale. Ata janë gjykatësit tanë të ardhshëm dhe si të tillë nuk meritojnë të gjykohen, qoftë edhe për një veprim të gabuar. Në familjen e harmonishme lumturia vjen vetvetiu, sepse ajo nuk është e kufizuar në asnjë aspekt. Nëse harmoninë e zëvendëson me krimin në familje, do të thotë që lumturinë ta kesh hedhur në ferr dhe vetë të jetosh ferrin në vend të parajsës. Lumturia është çelësi i parajsës, por nëse çelësin e ke humbur, tashmë të ka thithur gremina, e cila është çelësi i rrugës fatkeqe të ferrit. Babai duhet të jetë një shok dhe person i besuar, jo më një tiran i fëmijëve. Vlera e njeriut është kuantiteti i energjisë morale, intelektuale dhe fizike që gjenden në kraharorin e tij, sepse nuk është e vështirë të bëhesh baba, por e vështirë është të jesh i tillë. Dashurinë në tokë e krijoi nëna, ndaj ajo në bashkëpunim me babain duhet të mënjanojnë fatkeqësitë në familje, duhet të lënë pas dhunën dhe mizorinë kundrejt atyre qenieve të krijuara nga po vetë ata. E tërë ajo që është e bukur tek njeriu, është krijuar prej rrezeve të diellit dhe prej qumështit të nënës dhe kjo na mbush me dashuri dhe me jetë. Jeta bashkëshortore është një varkë që mban dy njerëz në mes të një deti me shtrëngatë dhe, në rast se njëri nga ata të dy do të bëjë qoftë edhe një lëvizje të vrullshme, varka do të fundoset. Ndaj për të mos u fundosur, ndiqni ndjenjën më fisnike të zemrës, që është dashuria, dhe jetojeni jetën në harmoni. Jeta është e vetmja mundësi dhe si e tillë ka vetëm një shans, por gjithsesi ajo nuk jetohet vetëm. Pa familje dhe pa shtëpi njeriu është një i verbër, edhe pse me sy shikon atë që duhet parë dhe ndjen atë që duhet ndjerë. Nëse shtëpia është kështjella, familja për njeriun është mbretëri që s’mund të sundohet, por mund të mbështetet. Natyra e vërtetë e një shtëpie është kjo: vendi i qetësisë, strehimi për t’u mbrojtur nga çdo padrejtësi, nga çdo frikë e çdo dyshim.
Elina Spiro
***
Në radhë të parë, situata të dhunës në familje kemi me shumicë, që do të thotë se kjo është një plagë e dhimbshme që mbizotëron në shoqërinë shqiptare. Përshtypja që duket sikur ne perceptojmë dy lloje dhune, një dhunë të keqe, pra ajo e dënueshmja, e papranueshmja, për të cilën ne protestojmë. Ndërkohë që ka dhe një dhunë tjetër në Shqipëri, e cila është e dukshme, por që askush me sa duket nuk e sheh, dhe që ka të bëjë me dhunën e përditshme me të cilën hasen dhjetëra qytetarë shqiptarë, kryesisht gra dhe fëmijë. Dhe është ky perceptim i dyfishtë që më duket shumë dëshpërues. Po dhuna ndaj dhjetëra grave dhe fëmijëve në Shqipëri, a nuk do të ishte kaq e dënueshme? Vërtet atyre nuk u është cenuar e drejta për t’u shprehur lirisht, por akoma dhe më keq iu është cenuar e drejta për të jetuar lirisht. Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve në Shqipëri, për fat të keq duket se është shumë e përhapur në të gjitha shtresat shoqërore. Ne dëgjojmë një rast më shumë në media dhe themi: “Ja dhe një tjetër, normale, s’kemi ç’të bëjmë” etj., etj. Ky perceptim dhe këto shprehje ‘të pafajshme’, në fakt nuk janë aspak të pafajshme, sepse mbajnë brenda tyre gjithë perceptimin tonë, që, për sa kohë që dhuna nuk më prek mua, nuk është e keqe. Dhe ç’është më e keqja, mbart perceptimin dhe paragjykimin se dhuna ndaj grave është çështje private e familjes, dhe jo e publikut. Duke harruar ose duke bërë sikur nuk kuptojmë që kjo dhunë na ka prekur të gjithëve, gjithë shoqërinë dhe nuk mund të jetë kurrsesi një “çështje private”. Ka me dhjetëra gra dhe fëmijë anonimë që dhunohen shpesh ose sistematikisht, por më e pakta, askush nuk i mbron këta persona, dhe më e shumta, rastet e tyre do të përbëjnë kronika lajmesh ose pjesë të ndonjë emisioni sporadik në vorbullën thithëse të emisioneve politike në Shqipëri. Dhe jo vetëm kaq, por paragjykimet vazhdojnë dhe riprodhohen edhe brenda trajtimeve që i bëhet fenomenit të dhunës (në më të shumtën e rasteve) në media apo takime të tjera publike. Vëmë re shpesh se pasi jepet ndonjë rast dhune fizike ndaj një gruaje apo fëmije (ose dhe vrasjeje - sepse edhe vrasjet tani kanë filluar të na duken normale), menjëherë shoqërohet me arsyet, që janë, gjendja e rëndë depresive ose xhelozia. Madje, kjo e dyta sikur është kthyer në justifikimin e parë ekselent të vrasjes apo dhunimit të grave dhe vajzave. Në Shqipëri, për xhelozi (dhe për nder) nuk të falim! Duke mos dashur të futem në një shpjegim më filozofik të konceptit “nder”, do të thosha se në Shqipëri vrasin për të ruajtur nderin, por nuk e dinë se sa nder i mbetet një njeriu që vjen dhe i merr jetën tjetrit. Megjithatë, duke u kthyer tek trajtimi simplest dhe paragjykues që ne i bëjmë dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, do të doja të sillja dhe një rast tjetër. Nëse do të na binte rruga nga burgu i grave në Tiranë, dhe për të takuar ndonjë nga të dënuarat aty, do të mjaftonin shumë pak biseda për të parë sesa tragjike është gjendja në vendin tonë. Një grua e dënuar sepse ka vrarë burrin e saj (dhe që shumëkush në vendin tonë do ta etiketonte “kriminele” etj., etj) është dënuar me shumë vite burg. E ka vrarë burrin e saj, sepse për aq gjatë sa ajo do të rrijë në burg (10 vjet ose më shumë), ai e ka rrahur dhe dhunuar në mënyrat më çnjerëzore, e ka goditur me çfarë i ka ardhur në dorë, edhe bark, brenda të cilit ishte fëmija i të dyve; e ka tërhequr nëpër qytet të lidhur pas makinës së tij me zinxhirë; ka rrahur dhe fëmijët në sy të saj. Me plot gojën mund të themi se këto janë raste makabër, që nuk duhen lënë pa u dënuar. Kjo grua e mirë shqiptare vendos që ta denoncojë në polici pasi ka kaluar një mal paragjykimesh, sipas të cilëve, dhuna është çështje private dhe duhet të mbetet brenda familjes. Dhe pasi e denoncon në polici, nga ana tjetër vjen përgjigjja se burri i saj ishte “alamet djali” dhe madje, edhe shok me policët. Dhe një ditë pas disa vitesh të tëra dhune, ajo i kthen dorë dhe e vret. Historia e mësipërme, nuk e zhbën faktin se ka vrarë një njeri kjo grua. Dhe kjo është e dënueshme e për këtë ajo është dënuar. Por, ajo që nuk do të harrojmë dhe nuk do të lëmë pa përmendur sa herë flitet për këto raste, është se ky veprim ekstrem ishte opsioni i vetëm që kjo grua kishte, ky ka qenë opsioni i vetëm edhe në raste të tjera. Opsioni i vetëm që shteti dhe ne, shoqëria, iu kemi ofruar dhe fatkeqësisht vazhdojmë t’iu ofrojmë. Ky është vetëm një rast nga shumë e shumë të tjera të grave dhe fëmijëve në Shqipëri, raste të dukshme, por po e përsëris, të cilat ne nuk i shohim. Fatkeqësisht, për këtë dhunë ne flasim vetëm në Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, më 25 nëntor. Pjesa tjetër e së folurës për këtë dhunë është vetëm gjatë kronikës së zezë, brenda vetëm 60 sekondave lajm. Ne jemi një shoqëri që aspirojmë për në BE, por si mund të aplikojmë në BE kur akoma në vendin tonë ekzistojnë kësi rastesh dhune të pakuptimtë?! Çdo qytetar shqiptar duhet të kontribuojë në uljen e kësaj dhune në familje, p.sh., duke denoncuar çdo rast të këtij lloji në organet shoqërore siç është policia. Shteti nga ana e vet duhet të ndërhyjë më shumë për ta zbutur këtë klimë të vështirë që është brenda familjes, në këtë kohë të vështirë krize ekonomike që i ka prekur të gjithë pa përjashtim. Fillimisht shteti, që të ulë dhunën në familje, duhet që të nxjerrë ligje në mbrojtje të grave dhe fëmijëve nga ky lloj dhune dhe të dënojë ashpër dhunuesit, nga gjoba, deri në heqje lirie për disa vjet. Duke zbatuar këto ligje për një kohë relativisht jo të gjatë, do të jetë e mundur që të hiqet ky ves i keq që ka kapur një pjesë të madhe të shoqërisë sonë. OJF-të nga ana e tyre duhet të bëjnë një punë më intensive në ndihmë të grave dhe të fëmijëve, për t’i ndërgjegjësuar ata se çfarë mund të bëjnë në këto lloj rastesh. Unë si nxënës, iu bëj apel të gjithëve t’i ndihmojnë këta persona të dhunuar duke denoncuar çdo rast të dhunës në familje, sepse nuk mund të lihet në errësirë një problem kaq i madh, që e torturon dhe që e ka torturuar për vite shoqërinë tonë. Ju faleminderit!
Anxhelo Koçiu
***
Dhuna familjare përbën një problem të mprehtë social. Familja është shoqëria në miniaturë, nga mirëqenia e së cilës varet siguria e gjithë shoqërisë së madhe njerëzore. Cenimi i kësaj mirëqenieje përhapet dhe ndihet në çdo aspekt shoqëror, prandaj është detyrë e çdo anëtari të shoqërisë që të japë kontributin e tij/saj kundër dhunës. Më poshtë do përmend disa nga arsyet kryesore që krijojnë dhunë në familje. Mentaliteti i dobët apo i prapambetur ndikon në shumë aspekte të një familjeje. Ka shumë paragjykime për sa i përket asaj pjese të shoqërisë që ecën me hapin e kohës, shumë rregulla apo tabu duhet të ruhen thjesht për të parë se si shoqëria ka evoluar ndër vite e jo të përcaktojnë mënyrën e jetesës brez pas brezi. Në këto familje me të tillë mentalitet, kryetari i familjes vendos për çdo gjë; kjo krijon trysni, kundërshti, frenim të lirisë së shprehjes, të cilat çojnë në mosmarrëveshje a acarime. Kryesisht agresiviteti në familje u drejtohet më të dobëtëve; burri ndaj gruas dhe prindërit ndaj fëmijëve, e zgjidhja e këtyre konflikteve, në sajë të mungesës së mirëkuptimit, është dhuna. Njerëzit që nuk dinë të mendojnë, do të bënin mirë që kohë më kohë të vinin në rregull paragjykimet e tyre. Është e pamëshirshme që brezi i ri të vuajë nga mendësitë e brezave të tjerë, qoftë fizikisht apo moralisht.
Çdo prind dëshiron të mirën për fëmijën, por jo të gjithë mund ta arrijnë këtë me një bisedë normale e të arsyeshme, prandaj ata përdorin dhunën si rrugë për disiplinim dhe shmangie ndaj gabimet apo fajet. Në vendin tonë është mosha e adoleshencës e cila është më e prekura nga ky fenomen. Nënat ushtrojnë dhunë ndaj vajzave të tyre, duke e justifikuar këtë me mendësitë se dhuna është e domosdoshme si mjet detyrimi që vajzat të mos marrin rrugë të keqe, se dhuna ka shpëtuar shumë vajza adoleshente nga degjenerimi e kaosi shoqëror që përjeton Shqipëria, se dhuna ndaj vajzave është pjesë e përgjithësisë dhe e kontrollit të nënave ndaj tyre, se vajzat më mirë të zemërohen me nënat, që i detyrojnë dhe me dhunë të shkojnë në rrugë të mbarë, sesa t’i mallkojnë gjithë jetën për shkarjet nga lëshimet liberale të tyre etj. Pothuajse e njëjta dhunë e baballarëve ndaj djemve justifikohet kështu, përveç faktit se këta të fundit dhunohen edhe që të bëhen të ashpër në jetë e të dinë ta përballojnë të ardhmen. Ata dhunohen sipas stilit spartan të jetesës, që të çajnë përpara..., por sigurisht ky lloj “edukimi” shoqërohet edhe me pasoja negative dhe efekte anësore. Në të ardhmen shumica e palëve të dhunuara do të ushtrojnë të njëjtën “mënyrë edukimi” te familja që do të krijojnë. Të paktë do të jenë ata që do të mund ta kapërcejnë dhunën dhe mendësitë e rrënjosura nga prindërit që e justifikojnë atë, dhe nuk do të mungojnë as ata të cilët do kthehen në kriminelë e dhunues, kjo sepse kanë pësuar trauma ne fëmijëri....
Një arsye tjetër e ushtrimit të dhunës është edhe niveli i ulët socio-ekonomik i familjes. Duke dashur që fëmijët të arrijnë më shumë seç ata arritën në jetë, ata kërkojnë që fëmijët e tyre të mos bëjnë të njëjtat gabime, por të arsimohen dhe të ecin para në jetë. Sigurisht që niveli i kapacitetit është i ndryshëm tek çdokush dhe kjo do të thotë që jo kushdo mund të marrë shkollën e mesme apo të lartë. Fundja fundit, zgjuarsia dhe vullneti janë shpesh të trashëguara. Ky fakt çon në mjaft mërzitje dhe acarime tek prindërit, të cilët shpesh përdorin dhunën si “nxitje” për të mësuar. Megjithatë edukimi nuk merr fund me mbarimin e shkollës dhe pavarësisht përpjekjeve të prindit për ta edukuar fëmijën, ai ka bërë gabimin më të madh, duke i mbjellë atij friken.
Dhuna nuk është asnjëherë reagim i pranueshëm i zemërimit, stresit apo konflikteve të ndryshme. Ekzistojnë mënyra të tjera, përveç dhunës, përmes të cilave mund të zgjidhen problemet. Çdokush që përdor dhunën si zgjidhje, prej kohësh, e ka mjaft të vështirë të heqë dorë prej saj, sidomos ata që kanë qenë objekt dhune në fëmijëri. Këtu qëndron pikërisht hapi që duhet bërë... “Idhnimin e mbramjes leje për n’mjes” është shprehja popullore sipas së cilës nxjerrim dhe tjetrën: “Mendohu dy herë para se të veprosh nji herë”! Të dyja këto shprehje, po t’i shohësh vertikalisht, të përcjellin hapur një mesazh: “Dhuna nuk është zgjidhja!” Askush nuk është objekt dhune dhe çdokush ka të drejtën ta jetojë jetën i pacenuar nga të tilla fenomene! Braktiseni pra dhunën, sepse ajo nuk ju çon para por vetëm hapa mbrapa!
Elena Ndoja
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.