Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Martiro: Pas vdekjes sė Mehmetit, u arrestuam tė gjithė ne hetuesit e grupit tė Ballukut
» Dėrguar mė: 13/05/2013 - 06:55
Lajme te ngjashme
Tėrhiqen “rebelėt” nė PS: Do t’i votojmė gjithė ligjet
• Datë: Jul 30, 2014
Nga Fatos Veliu

(Vijon nga numrat e kaluar)

E ndërpremë intervistën e numrit të kaluar zoti Martiro, pikërisht pas vendosjes së Marjetës dhe Bashkim Shehut në Kryevidh të Kavajës, ku pas kësaj ju mësuat se paski qenë në përpunim të kolegëve tuaj, pasi ishit futur në listat e zeza të 'gjuetisë së shtrigave'. Si vijoi më tej kjo histori paradoksale?
Për t'jua kujtuar jo vetëm juve, por edhe lexuesit që na ndjek, saktësisht ju kam theksuar se në përfundim të përpunimit të Marjetës, sipas detyrës së marrë, së bashku me Bashkimin i vendosëm në një apartament të posaçëm në Kryevidh të Kavajës.
Pikërisht në përfundim të veprimeve, të dy ne që u morëm me këtë punë, pra unë dhe inspektori operativ, u thërritëm në Ministrinë e Mbrojtjes pikërisht në zyrën e ministrit Kadri Hazbiu, ku ishte gjithashtu edhe ministri i Punëve të Brendshme, Hekurani Isai, si dhe kreu i Sigurimit të Shtetit, Rexhep Kolli.
Ne raportuam për përfundimin e veprimeve sipas planit të miratuar dhe eprorët na përgëzuan për punën e bërë.
Por fill pas kësaj, mua më shkëputën krejtësisht nga veprimet operative dhe hetimore në drejtim të familjes së Mehmet Shehut dhe nga hetimet me Skënderin.
Po kështu u shkëput edhe Elham Gjika nga hetimi i Fiqiret Shehut.
Siç u vërtetua më vonë, ne ishim në përpunim në ndjekje, ishim vënë në listën e zezë.
Gjatë kohës që unë merresha me hetimin e Skënder Shehut dhe Elham Gjika me hetimin e Fiqiretit, shkëmbenim të dhënat që dilnin nga hetimi i këtyre të arrestuarve.
Skënderi kishte deponuar aq sa unë kam përmendur më lart, kurse Fiqireti kishte deponuar se Mehmeti kishte pasur rezerva ndaj vijës së Partisë që ndiqte Enver Hoxha, si për politikën e brendshme, ashtu edhe për atë të jashtme. Nuk ishte dakord me masat që ishin marrë në vitin 1966. Nuk ishte dakord për goditjen e kuadrove në ushtri, ekonomi e tregti. I kishte cilësuar këto masa për t'i marrë krahët atij, etj.
Pra, kemi goditjen e nisur në kuadrot e Ministrisë së Brendshme në këtë kohë?
Jua kam përmendur disa herë edhe në intervistat e kaluara dhe sërish po jua rikujtoj se, gjithçka nisi pas largimit nga kreu i Ministrisë së Brendshme të Feçorr Shehut dhe ardhjes në drejtim të saj të Hekuran Isait. Pas kësaj filloi një goditje ndaj kuadrove më të shëndoshë dhe më idealistë të asaj ministrie dhe rehabilitimi i njerëzve spekulativë, servilë, të paaftë dhe që pretendonin se kishin qenë të goditur apo të neglizhuar nga drejtuesit e mëparshëm të ministrisë. Pra, ne që na u drejtua shigjeta konsideroheshim besnikët apo njerëzit e Kadriut apo të Feçorrit.
Nga vinte Hekuran Isai në krye të asaj ministrie?
Hekurani ishte një ish-punëtor në Uzinën e Naftës në Cërrik, që u ngrit nga Enver Hoxha në postet më të larta.
Në çfarë detyrash kishte kaluar?
Kishte qenë në detyrën e Sekretarit të Parë në rrethin e Librazhdit e në atë të Peshkopisë. Më pas ai u bë anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së dhe po ashtu ministër i Punëve të Brendshme.
Ju punuat një farë kohe në atë ministri, duke pasur ministër Hekuran Isain. Si e vlerësoni atë?
Isai ishte i gatshëm të zbatonte pa hezitim e të vinte në jetë çdo skenar të Enver Hoxhës, duke përdorur çdo mjet të kundërligjshëm.
Po në strukturat e tjera drejtuese të asaj ministrie dominante të shtetit të asaj kohe kush u vendos?
Zëvendësministër i parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për anën e Sigurimit u emërua Rexhep Kolli, i cili deri në atë kohë punonte në aparatin e KQ të PPSH-së, ku drejtonte pikërisht aparatin special për të kontrolluar veprimtarinë e organeve të Punëve të Brendshme, kryesisht atë të Sigurimit të Shtetit.
Çfarë ishte ky aparat në Komitetin Qendror?
Ky ishte një sektor i rëndësishëm, e nëpërmjet tij jepeshin e kontrolloheshin direktivat e KQ të PPSH-së në këto organe. Nëpërmjet tij merreshin direktivat për goditjen e personave, kuadrove, që cilësoheshin nga udhëheqja e Partisë "armiq", "antiparti", "sabotatorë" etj.
E çfarë ishte ky Rexhep Kolli, që vjen në krye të Sigurimit famëkeq të Shtetit?
Edhe Rexhep Kolli ishte besnik për të realizuar gjithçka të udhëheqësit të lartë të PPSH-së.
Të dy këta persona si Hekurani edhe Rexhep Kolli filluan punën për të vënë në jetë planin ogurzi që kishte përgatitur Enver Hoxha për likuidimin e kuadrove më të devotshëm, siç kishte bërë edhe më parë, apo për të vërtetuar alibinë e tij për ekzistencën e një "organizate kundërrevolucionare", me në krye "poliagjentët" Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu.
E si do ta realizonin këtë skenar?
Për realizimin e këtij skenari të Hoxhës, ata krijuan dy grupe të mëdha për t'u marrë me punën operative e hetimore.
Kush i drejtonte këto?
Grupin hetimor e drejtonte vetë Hekuran Isai, i cili kishte për detyrë, që me çdo mjet, duke përdorur tortura psikike e fizike, të vërtetonte alibinë e Enver Hoxhës për ekzistencën e një "organizate të madhe kundërrevolucionare". Kokën e të gjitha grupeve të tjera armiqësore që ishin zbuluar nga Partia, domethënë nga Enver Hoxha, e që drejtohej për mëse dyzet vjet nga "poliagjenti" Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu.
Po grupi tjetër?
Grupi operativ, që drejtohej nga Rexhep Kolli, kishte për detyrë të grumbullonte materiale, të dhëna e dëshmi me çdo mënyrë, shpifje e gënjeshtra për personat e arrestuar dhe për ata që duhej të arrestoheshin sipas skenarit të parapërgatitur, e t'ia kalonte këto hetuesisë. Të përgatiste materialet për arrestimin e të tjerëve me qëllim që të zbatonin në praktikë planet e Enver Hoxhës, direktivat e tij, për spastrimin e kuadrove që ai kishte piketuar e që i quante armiq.
Dhe?
Kështu filloi "fshesa e hekurt", "gjuetia e shtrigave" kundër kuadrove në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në sektorë të tjerë.
Nisi?
Normal që do niste. Ishte planifikuar çdo gjë. Kështu, siç ju kam thënë, në darën e saj mes paskrupulltësish të panumërta do të përfundoja edhe unë.
Ku nisi gjuetia?
Por në momentin që po ju them, jemi në shkurt të vitit 1982, kur pikërisht në zyrën e tij në ministri, u arrestua vetë ish-ministri i Punëve të Brendshme, Feçorr Shehu.
Po?
Me pretekstin se kishte bërë gabime të rënda në punën e drejtorisë së Hetuesisë, u shkarkua nga detyra, vetë drejtori i kësaj drejtorie, Elham Gjika.
Pra, nisi në seri kjo goditje?
Po, po. Pas Elhamit u shkarkua nga detyra edhe drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Kadri Gojashi, kuadro këta të aftë, me eksperiencë në punën e Sigurimit.
Zbriti poshtë ministrisë?
Më tej u nxor në lirim kryetari i Degës së Pestë, Dhimitër Bonata, njeri i aftë e me shumë eksperiencë në punën e Sigurimit.
U nxor gjithashtu në lirim kryetari i Degës së Sigurimit të Ushtrisë, Çerçiz Xhelo dhe kuadro të tjerë.
U konsiderua triumf ky lloj spastrimi?
Në këtë situatë të favorshme për ta, filluan të lëviznin e të merrnin flamurin e shpëtimtarit njerëzit më negativë, servilët, të paaftët, karrieristët, ata që ishin kritikuar për gabime në punë siç ishin: Birçët, Kolët, Lakët, Krifcat, Myrdarët, Haznedarët e të tjerë, të cilët shpifën e intriguan gjithçka ndaj kuadrove të aftë e të ndershëm. Pikërisht mbi bazën e intrigave, shpifjeve, shtrembërimit të fakteve e ngjarjeve, falsifikimin e materialeve, nxjerrjen e dëshmive nga të arrestuarit, apo dhe personave të tjerë duke përdorur ndaj tyre dhunë fizike e psikike, që në atë kohë u ligjërua nga ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, filloi arrestimi i kuadrove.
Juve personalisht kur u arrestuat?
Vazhduan në vijim gjërat. Në prill të vitit 1982 më arrestuan mua, në atë kohë kryeja detyrën e kryetarit të Degës së Veçantë në Drejtorinë e Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Elham Gjikën, ish-drejtor i Drejtorisë së Hetuesisë në ministri e pak më pas Lirim Pëllumbin, ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Durrës.
Kush u emërua drejtor i Hetuesisë pas arrestimit të Elhamit?
Drejtor i Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme u emërua Pirro Dauti, ish-punonjës në Prokurorinë e Tiranës dhe kushëri i Kadri Hazbiut.
Kushëri i Kadri Hazbiut?
Kjo ishte politikë e njohur e Enver Hoxhës.
Ai emëroi kushëririn e Kadriut në krye të Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Brendshme, me qëllim që ai të ishte i qetë e të kuptonte se nuk kishte gjë me të, përkundrazi të mendonte se e konsideronte si besnikun e tij.
Pra, juve kuadrot kryesorë u arrestuat?
Nga grupi i hetuesve pjesëmarrës në hetimin e grupit të ushtarakëve, të akuzuar për "puç" e "komplot" dhe atyre të ekonomisë, të akuzuar për sabotim në organizimin shtetëror dhe në ekonomi u arrestuan tre hetues.
Kush ishin përkatësisht hetuesit e ekipit të gjeneralëve?
Për t'jua rikujtuar po ju ripërmend:
Së pari u arrestua Feçorr Shehu, që nëse e mbani mend, ishte pikërisht përgjegjës i grupit të hetimit të ushtarakëve të lartë me Beqir Ballukun.
Elham Gjika dhe unë, Kristofor Martiro.
Po dy të tjerët pse nuk u arrestuan?
Në atë moment hetuesi Rustem Hodo kishte vdekur. Vetëm Piro Dauti, që siç u thash, u ngrit në përgjegjësi. Për skenar të paracaktuar, ai u emërua drejtor i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Pra, kemi vetëm arrestime dhe asgjë tjetër?
Në prill, maj e qershor të vitit 1982 u arrestuan
Llambi Ziçishti, ish-ministër i Ministrisë së Shëndetësisë;
Xhavit Ismailaga, që ishte berber në hotel "Dajti", i cili më mbrapa kishte qethur edhe Mehmet Shehun.
Arrestohet edhe drejtori i Drejtorisë së Dytë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Llambi Peçini, i cili kishte pasur për detyrë pikërisht sigurinë fizike të udhëheqjes më të lartë të Partisë.
Në qershor të po atij viti arrestohet Gani Kodra, i cili ishte kryetar i Degës së Sigurimit të Anëtarëve të Byrosë Politike dhe Anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë.
Në gusht të vitit 1982 u arrestua Mihallaq Ziçishti, që kishte qenë zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e më vonë sekretar i Parë i Komitetit të Partisë në rrethin e Korçës e të Durrësit.
Më 1 tetor 1982 u arrestua Ali Ceno, ish-shoqërues i Mehmet Shehut.
Po në këtë periudhë u arrestua Bashkim Shehu, që ishte djali i vogël i Mehmet Shehut.
Arrestohet Duro Shehu, që ishte vëllai i Mehmet Shehut, i cili kishte qenë sekretar i Komitetit të Partisë në Armën e Aviacionit.
Arrestohet Idriz Seiti, ish-kryetar dege në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Po njerëz jo kaq të spikatur kapi vala goditëse?
Gjatë këtyre muajve të vitit 1982 u arrestuan edhe mjaft kuadro të tjerë, ushtarakë e civilë si:
Nesti Nase, ish-ministër i Jashtëm;
Nesti Kerenxhi, që pas çlirimit të vendit nga okupatorët ishte zëvendësministër i Punëve të Brendshme;
Gjeneral i Sadik Bekteshi, "Hero i Popullit";
Gjeneral Muhamed Prodani, "Hero i Popullit";
Gjeneral Abaz Fejzo;
Gjeneral Arif Hasko;
Gjeneral Vaskë Gjino dhe mjaft kuadro të tjerë të rangjeve të ndryshme.
Po Kadri Hazbiu kur u arrestua?
Më së fundi, më 15 tetor të vitit 1982 u arrestua edhe vetë Kadri Hazbiu, që siç e dini kishte qenë ministër i Punëve të Brendshme, ministër i Mbrojtjes Popullore.
Pse arriti deri te Kadi Hazbiu thoni juve?
Arrestimi i Kadri Hazbiut ishte edhe qëllimi i Enver Hoxhës, për ta likuiduar edhe këtë që i kishte shpëtuar gjallë.
Çfarë u arrit me gjithë këta kuadro të Ministrisë së Brendshme të arrestuar?
Pasi ia arriti qëllimit për arrestimin e tij, Hoxha përdori grupin e hetimit dhe atë operativ, që drejtoheshin nga Hekuran Isai, që me të gjitha mjetet, torturat më çnjerëzore ndaj të pandehurve që ishin arrestuar dhe presionet ndaj dëshmitarëve, të bënin dëshmi të rremë ndaj Kadriut.
Dhe?
Pasi i shtrydhi si limon, ai i flaku Rexhep Kollin e Pirro Dautin. Edhe këta të fundit mund t'i fuste në burg, t'i akuzonte si tradhtarë dhe të provonin ato që ata u kishin bërë të tjerëve.
Çfarë i bëri Rexhep Kollit, që ishte pikërisht kreu i ri i Sigurimit të Shtetit pas eliminimit të grupit tuaj?
Rexhep Kollin, pasi e shtrydhën mirë, e përjashtuan nga KQ i PPSH-së për gabime të rënda. Nuk e futën në burg, e mishëruan për shërbimet që u kishte bërë, por e detyruan që të dilte dëshmitar kundër Kadri Hazbiut, ta akuzonte atë si armik, ndryshe mund të përfundonte dhe ai atje.
Dëshmoi kundër Kadriut?
Gjatë dëshmisë së tij kundër Kadriut, i ra të fikët, pasi Kadriu e vuri me shpatulla pas murit.
Le të kalojmë tek emri juaj zoti Martiro. Thatë se u arrestuat edhe ju. Kur dhe si ndodhi arrestimi, mund ta përshkruani?
Mua më arrestuan pikërisht më 13 prill të vitit 1982, pak pas arrestimit të ish-ministrit Feçorr Shehu.
Ku ju arrestuan?
U arrestova duke punuar në zyrë nga Rexhep Kolli dhe suita e tij.
Qëllimin e këtij veprimi e kuptuat?
Arrestimi im ishte i planifikuar nga lart, me qëllim që nëpërmjet meje, ish-hetuesi i Beqir Ballukut e Kiço Ngjelës të vërtetohej alibia e Enver Hoxhës se në krye të veprimtarisë "armiqësore", "komplotuese" të ushtarakëve dhe "sabotatorëve" në ekonomi ishte "poliagjentët" Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu.

"GJUETIA E SHTRIGAVE" NË MINISTRINË E BRENDSHME DREJTUESIT E RINJ
Hekuran Isai edhe Rexhep Kolli filluan punën për të vënë në jetë planin ogurzi që kishte përgatitur Enver Hoxha për likuidimin e kuadrove më të devotshëm, siç kishte bërë edhe më parë, apo për të vërtetuar alibinë e tij për ekzistencën e një "organizate kundërrevolucionare", me në krye "poliagjentin" Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu.
GRUPI HETIMOR
Grupin hetimor e drejtonte vetë Hekuran Isai, i cili kishte për detyrë, që me çdo mjet, duke përdorur tortura psikike e fizike, të vërtetonte alibinë e Enver Hoxhës për ekzistencën e një "organizate të madhe kundërrevolucionare". Kokën e të gjitha grupeve të tjera armiqësore që ishin zbuluar nga Partia, domethënë nga Enver Hoxha, e që 'drejtohej' për më se dyzet vjet nga "poliagjenti" Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu.
GRUPI OPERATIV
Grupi operativ që drejtohej nga Rexhep Kolli kishte për detyrë të grumbullonte materiale, të dhëna e dëshmi me çdo mënyrë, shpifje e gënjeshtra për personat e arrestuar dhe për ata që duhej të arrestoheshin sipas skenarit të parapërgatitur, e t'ia kalonte këto hetuesisë. Të përgatiste materialet për arrestimin e të tjerëve, me qëllim që të zbatonin në praktikë planet e Enver Hoxhës, direktivat e tij për spastrimin e kuadrove që ai kishte piketuar e që i quante armiq.
SPASTRIMI
Në shkurt të vitit 1982, kur pikërisht në zyrën e tij në ministri, u arrestua vetë ish-ministri i Punëve të Brendshme, Feçorr Shehu.
* * *
Me pretekstin se kishte bërë gabime të rënda në punën e drejtorisë së hetuesisë, u shkarkua nga detyra vetë drejtori i kësaj drejtorie, Elham Gjika.
* * *
Pas Elhamit u shkarkua nga detyra edhe drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Kadri Gojashi, kuadro këta të aftë, me eksperiencë në punën e Sigurimit.
* * *
U nxor në lirim kryetari i Degës së Pestë, Dhimitër Bonata, njeri i aftë e me shumë eksperiencë në punën e Sigurimit. U nxor në lirim kryetari i Degës së Sigurimit të Ushtrisë, Çerçiz Xhelo dhe kuadro të tjerë.
* * *
Në prill të vitit 1982 më arrestuan mua, në atë kohë kryeja detyrën e kryetarit të Degës së Veçantë në Drejtorinë e Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Elham Gjikën, ish-drejtor i Drejtorisë së Hetuesisë në ministri, e pak më pas Lirim Pëllumbin, ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Durrës.

Arrestohen hetuesit e gjeneralëve të lartë
VALA
Nga grupi i hetuesve pjesëmarrës në hetimin e grupit të ushtarakëve, të akuzuar për "puç" e "komplot", dhe atyre të ekonomisë, të akuzuar për sabotim në organizimin shtetëror dhe në ekonomi u arrestuan tre hetues.
HETUESIT
Për t'jua rikujtuar po ju ripërmend: Së pari, u arrestua Feçorr Shehu, që ishte pikërisht përgjegjës i grupit të hetimit të ushtarakëve të lartë me Beqir Ballukun; Elham Gjika dhe unë, Kristofor Martiro. Në atë moment hetuesi Rustem Hodo kishte vdekur. Vetëm Pirro Dauti u ngrit në përgjegjësi, për skenar të paracaktuar ai u emërua drejtor i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
PIRRO DAUTIn
Ai emëroi në krye të Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Brendshme, Pirro Dautin, që ishte kushëriri i Kadriut Hazbiut, me qëllim që ai të ishte i qetë e të kuptonte se nuk kishte gjë me të, përkundrazi të mendonte se e konsideronte si besnikun e tij.
Kjo ishte politikë e njohur e Enver Hoxhës.

Në prill, maj e qershor
të vitit 1982:
*- U arrestuan Llambi Ziçishti, ish-ministër i Ministrisë së Shëndetësisë;
*- Xhavit Ismailaga, që ishte berber në hotel "Dajti", i cili më mbrapa kishte qethur edhe Mehmet Shehun;
*- Llambi Peçini, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Dytë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe që kishte pasur për detyrë pikërisht sigurinë fizike të udhëheqjes më të lartë të Partisë.

Në qershor 1982:
* - Arrestohet Gani Kodra, i cili ishte kryetar i Degës së Sigurimit të Anëtarëve të Byrosë Politike dhe Anëtarëve të Komitetit Qëndror të Partisë.
Në gusht të vitit 1982:
* - U arrestua Mihallaq Ziçishti, që kishte qenë zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brend-shme, e më vonë sekretar i Parë i Komitetit të Partisë në rrethin e Korçës e të Durrësit.
Më 1 tetor 1982:
* - U arrestua Ali Ceno, ish-shoqërues i Mehmet Shehut.
* - Bashkim Shehu, që ishte djali i vogël i Mehmet Shehut.
* - Duro Shehu, që ishte vëllai i Mehmet Shehut, i cili kishte qenë sekretar i Komitetit të Partisë në Armën e Aviacionit.
*- Idriz Seiti, ish-kryetar dege në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Gjatë këtyre muajve të vitit 1982:
*- U arrestuan edhe mjaft kuadro të tjerë, ushtarakë e civilë si:
- Nesti Nase, ish-ministër i Jashtëm.
- Nesti Kerenxhi, që pas çlirimit të vendit nga okupatorët ishte zëvendësministër i Punëve të Brendshme.
- Gjeneral i Sadik Bekteshi, "Hero i Popullit".
- Gjeneral Muhamed Prodani, "Hero i Popullit".
- Gjeneral Abaz Fejzo.
- Gjeneral Arif Hasko.
- Gjeneral Vaskë Gjino dhe mjaft kuadro të tjerë të rangjeve të ndryshme.
15 tetor të vitit 1982
Arrestohet Kadri Hazbiu
Më së fundi, më 15 tetor të vitit 1982 u arrestua edhe vetë Kadri Hazbiu, që siç e dini, kishte qenë ministër i Punëve të Brendshme, ministër i Mbrojtjes Popullore.

Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.