Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Diplomacia e dobėt shqiptare, pėr shkak tė destabilitetit kronik
» Dėrguar mė: 21/12/2013 - 00:05
Sylė Ukshini*

Paskal Milo, historian që ka bërë emër përmes shumë artikujve, veprave dhe studimeve nga fusha e historisë, lexuesit i është njohur edhe si protagonist i diplomacisë shqiptare në një nga periudhat më dramatike për çështjen e Kosovës, në vitet 1997-1999, deri më sot ka dhënë një kontribut të veçantë dhe të shumanshëm në fushën e studimeve historiografike, veçanërisht në fushën e historisë së diplomacisë.
Historiani dhe ish-kryediplomati i njohur shqiptar Paskal Milo në librin e tij analizon dhe qartëson mbi bazën e burimeve të shumta arkivore, se cila ishte politika që ndoqën drejtuesit e shtetit shqiptar që nga themelimi i tij në vitin 1912 deri në fillimin e Luftës se Dytë Botërore në 1939. Argumenton arsyet e pasivitetit të politikës së jashtme shqiptare. Çka ndikoi që politika shqiptare të ishte e pafuqishme për mbrojtjen e çështjeve të Kosovës dhe të Çamërisë? Përse shqiptarët nuk kishin aleatë dhe cilat ishin arsyet e vonesës shqiptare? Për të gjetur përgjigje shkencore këto pyetje dhe çështje me të cilat u ballafaqua diplomacia shqiptare duhet lexuar gjithsesi libri i historianit shqiptar Paskal Milo, "Politika e Jashtme e Shqipërisë".
Lexuesi në këtë libër gjen një histori më ndryshe për të kaluarën historike të Shqipërisë, që është i hartuar mbi burime të pasura të arkivave vendore dhe ndërkombëtare. Ai i bën një analizë tepër origjinale teorike e krahasuese zhvillimit të nacionalizmit shqiptar si pararendës e finalizues i krijimit të shtetit kombëtar shqiptar, si dhe portretizon figura të rëndësishme të asaj kohe. Po ashtu, në kuadër të librit prej afro njëmijë faqësh një pjesë të konsiderueshme zë edhe çështja e Kosovës dhe ajo e Çamërisë.
"Politika e Jashtme e Shqipërisë" është vetëm vëllimi i parë i një studimi të konceptuar në dy pjesë. Pra, autori do të vazhdojë studimin e tij edhe me një vëllim tjetër, duke na ofruar një studim gjithëpërfshirës për të njëqind vitet e politikës së jashtme të shtetit shqiptar. Milo dallohet me një qasje të re metodologjike, me një prirje rezultative edhe për aftësinë e interpretimit të dokumentacionit historik dhe aq më shumë për kapacitetin sintetizues të rezultateve të faktografisë shkencore dhe rezultateve shkencore pararendëse. Në këtë kontekst, autori na sjell një vështrim kritik të mënyrës se si janë konceptuar disa aspekte në zhvillimin historik shqiptar, që dallon nga qasja ideologjike në të kaluarën, duke ofruar një qasje dhe interpretim të ri në lidhje me gjenezën dhe tiparet e nacionalizmit në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri. Në lidhje me këtë, autori konstaton se vonesa shqiptare ishte pasojë e papjekurisë dhe e mungesës së forcës së aksionit politik të nacionalizmit shqiptar për të plotësuar misionin e tij historik, që është determinuar nga "pozita e privilegjuar që patën shqiptarët në raport me kombësitë e tjera të Ballkanit në Perandorinë Osmane",(fq.26).
Autori dëshmon përkushtim dhe angazhim imanent për të vërtetën historike. Pikërisht kjo është akribia shkencore nën të cilën vështrohet procesi historik, vështrohen faktografia dhe dokumentariteti, si dhe zhvillohet akti i interpretimit. Në sajë të kësaj metodologjie, ai arrin të japë një këndvështrim dhe një interpretim më argumentues dhe më realist për rrethanat e lindjes së shtetit të pavarur shqiptar. Një interpretim të tillë e evidentojmë edhe tek portretizimi i figurave historike, me ç'rast autori me sukses i shmangiet mënyrës së rrëfimit romantik dhe ideologjik, duke sjellë një qasje dhe interpretim pak më ndryshe. Kjo është evidente edhe tek trajtimi i figurës së Ismail Qemalit, ku autori me të drejtë dhe pa hezitim konstaton se qeveria e tij kishte veprim të ngushtë dhe të kufizuar, sa për rrethanat e brendshme aq edhe për ato ndërkombëtare.
Milo tezat e veta, që në disa tema dhe procese historike ndryshojnë nga ato të historiografisë pararendëse, i argumenton deri në fund, gjithnjë duke u mbështetur në burime relevante arkivore. Po ashtu, ai në studimin e tij për politikën e jashtme shqiptare, duke ndriçuar paralelisht faktorin e brendshëm kombëtar dhe përpjekjet e të gjitha formave për konsolidimin e shtetit shqiptar, evidenton interferencën e faktorit ndërkombëtar brenda shtetit të brishtë shqiptar. Në këtë kuadër, autori analizon edhe pozicionin e shtetit shqiptar në periudhën e ridefinimit të sferave të interesit, si në Konferencën e Ambasadorëve, në dhjetor të vitit 1912, ku përcaktohej statusi i shtetit të ri nën suzerenitetin e Sulltanit dhe nën garancitë e të gjashte Fuqive të Mëdha. Në këtë kuadër, trajtohet veçanërisht rivaliteti austro-italian në sfondin e anarkisë shqiptare, respektivisht evidentohet angazhimi i Austro-Hungarinë dhe Italinë, si hartuese të projektit për sovranitetin e shtetit të porsalindur shqiptar. Po kaq hapësirë u kushtohet edhe vendimeve të Konferencës së Londrës së 23 korrikut të vitit 1913, ku Shqipëria njihet përfundimisht si shtet nën drejtimin e një princi gjerman, por mbeti thellë e përçarë dhe kjo situatë ishte dhe produkt i rrethanave ndërkombëtare, përkatësisht i rivalitetit të fuqive evropiane. Por, në kohën kur pritej konsolidimi i shtetit shqiptar ndodhi Lufta e Parë Botërore dhe me këtë rast Shqipëria humbi mbështetjen ndërkombëtare dhe Vidi u largua në sfondin e anarkisë shqiptare dhe të Luftës Botërore. Kjo rrethanë edhe determinoi pozicionin asnjanës ndërkombëtar të Shqipërisë, as me Antantën dhe as me Fuqitë e Mëdha. Mirëpo, respektimi i asnjanësisë, konstaton autori, u bë i pavlefshëm, pasi atë e rrënuan vetë Fuqitë e Mëdha, garante të shtetit shqiptar, por tashmë të ndarë në dy blloqe ndërluftuese kundërshtare ato e projektuan zhbërjen e saj me Traktatin e Londrës.
Paskal Milo vëmendje të posaçme i vë periudhës së inkuadrimit të shtetit shqiptar në sistemin e ri ndërkombëtar në vitet 1921-1924, periudhë kur shteti dhe diplomacia shqiptare përballen edhe me presionet jugosllave për shkak të rezistencës së shqiptarëve në Kosovë, që sipas Beogradit ishte e motivuar nga Tirana. Në këtë kuadër, autori përmend reagimin e Qeverisë së Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve, si dhe peticionin e përfaqësuesve të "Komitetit të bashkuar të shqiptarëve irredentë", Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe Bedri Pejani, kundër fushatave represive serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Një pjesë e mirë e librit i kushtohet zhvillimeve gjatë qeverisë liberal-demokratike në marrëdhëniet me jashtë qershor-dhjetor 1924, duke evidentuar sfidat me të cilat përballej qeveria e Nolit në planin e legjitimit ndërkombëtar dhe veçanërisht relacionet e tensionuara me vendet fqinje, sidomos Serbisë, e cila nuk mund ta duronte Tiranën zyrtare për shkak të lidhjeve dhe mbështetjes së saj të irredentës kosovare. Kjo ishte periudha e ndërhyrjeve ushtarake të Beogradit dhe Athinës ndaj shtetit të brishtë shqiptar, i cili po përballej me dobësinë dhe mungesën e stabilitetit të brendshëm politik, gjë e cila reflektohej negativisht edhe në pozitën ndërkombëtare dhe në mbrojtjen e interesit kombëtar si dhe të shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë, që po përballeshin me politika shkombëtarizuese dhe represionin permanent shtetëror grek, serb dhe malazez.
Në vazhdim, Milo merret në gjerësi dhe thellësi me trajtimin e politikës së jashtme shqiptare në kohën e Republikës së Zogut në harkun kohor 1924-1928, periudhë kjo kur Shqipëria fillon të shkëputet gradualisht nga ndikimi jugosllav dhe merr rrugën e afrimit me Italinë, që sipas autorit, Shqipëria kalon nga një lloj protektorati i pashpallur e deri te pushtimi italian. Sipas autorit, kjo lëvizje e Zogut kah Roma determinohet nga ambicia e tij e madhe për ruajtjen e pushtetit, që u çimentua përmes paktit të parë dhe të dytë të Tiranës dhe nga interesi afatgjatë i shtetit italian për dominim gjeostrategjik në pjesën lindore të Adriatikut shqiptar. "Italia fitoi të drejtën legale që të ndërhynte në Shqipëri në rastin kur do të kërcënoheshin interesat e saj gjeostrategjike",(7012).
Mbështetur në burimet e reja arkivore, autori ka dhënë një kontribut të veçantë për të ndriçuar në hollësi çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris 1919-1920, si dhe pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, duke qartësuar pozicionin e Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare, si dhe duke evidentuar pretendimet permanente territoriale jugosllave. Sipas autorit, motoja e jugosllavëve ishte, "më mirë një Shqipëri e vogël e pavarur dhe e paqëndrueshme sesa një Shqipëri nën protektoratin italian që do të kthehej në një bastion të ekspansionit italian".
Milo në kuadër të librit merret me ngjarje relevante, siç është mbetja e Kosovës jashtë kufijve të shtetit, si dhe ndikimi i Kosovës në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, të cilat gjatë gjithë periudhës së monarkisë mbetën të komplikuara dhe u karakterizuan nga një mosbesim tradicional. Të këtij karakteri janë edhe marrëdhëniet shqiptaro-greke, në rend të parë për shkak të tensioneve për Kishën Ortodokse Shqiptare dhe mosgjetjes së një zgjidhje të çështjes së kthimit ose dëmshpërblimit të popullatës së pasurive shqiptare në Greqi. "Në periudhën e monarkisë shqiptare nuk u shënua ndonjë ndryshim cilësor në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Kryesisht vijuan të mbeten në agjendën e tyre të njëjtat çështje si edhe më parë, të cilat në momente të caktuara merrnin përparësi në raport me njëra tjetrën", konstaton autori i librit.
Në kuadër të këtij libri një hapësirë e ndjeshme i është kushtuar çështjes së Kosovës, e cila gjatë gjithë periudhës, madje deri në ditët e sotme, u shndërrua në një sprovë e pakalueshme në relacionet midis Tiranës dhe Beogradit. Krahas pafuqisë së qeverive shqiptare për të mbrojtur shqiptarët nga politikat asimiluese dhe shkombëtarizuese, autori evidenton qëndrimin pragmatik të qeverive shqiptare në raport me Kosovën, veçanërisht me periudhën e Mbretërisë së Zogut, kur diplomacia shqiptare shënoi ngritjen dhe fundin e saj me pushtimin italian. Kjo është koha, që siç thotë autori, kur për shqiptarët riktheu dilemën e ekzistencës kombëtare. Në këtë kontekst, autori me të drejtë konstaton se mungesa e mbrojtjes së subjektivitetit ndërkombëtar më shumë sesa pasojë e veprim pasiv të diplomacisë shqiptare, ishte produkt i rrethanave ndërkombëtare.
Përfundim
Libri "Politika e Jashtme e Shqipërisë" i Paskal Milos, pos një kronike të dokumentuar të diplomacisë shqiptare, është njëkohësisht edhe histori gjithëpërfshirëse e Shqipërisë në harkun kohor 27-vjeçar. Sa qartëson shtratin e krijimit të shtetit shqiptar, po aq edhe orientimin dhe sfidat e politikës së jashtme shqiptare, e cila përgjithësisht ka qenë pasive e modeste për nga shkalla e angazhimeve dhe arritjeve, në rend të parë për shkak të destabilitetit kronik të shtetit shqiptar dhe pafuqisë së tij ekonomike dhe ushtarake.
Nga shqyrtimi i librit "Politika e Jashtme e Shqipërisë", të Paskal Milos, mund të konstatojmë se studimi si për nga struktura dhe nga përmbajtja, nga trajtimi i kujdesshëm i ngjarjeve, i problemeve të ndërlikuara historike, nga shqyrtimi i veprimtarisë së personaliteteve të kohës dhe nga përfundimet e qëndrueshme, paraqet një histori të dokumentuar mirë dhe më gjithëpërfshirëse deri me sot për politikën e jashtme të shtetit shqiptar, që nga krijimi i tij e deri në momentin e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Përmes këtij libri lexuesi arrin të kuptojë më mirë dimensionin real të diplomacisë shqiptare, të identifikojë rolin dhe kufizimet e saj në 27 vitet e para të ekzistencës së Shqipërisë, e cila bëri një rrugëtim të vështirë sa për konsolidimin e brendshëm institucional aq edhe për integrimin në sistemin ndërkombëtar, sidomos në periudhën në mes të dy luftërave botërore. Për më tepër, "Politika e Jashtme e Shqipërisë" e historianit Paskal Milo, me përmbajtjen e tij mund të rangohet lart në mesin e studimeve më të rëndësishme për diplomacinë e shtetit shqiptar dhe për këtë arsye ky libër mund të cilësohet një literaturë e domosdoshme për publikun akademik dhe sidomos për korpusin e diplomatëve shqiptarë.
*Autori është drejtor për
Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.