Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Besnik Bisha: Rruga ime nga kinemaja tek politika
» Dėrguar mė: 13/01/2009 - 07:12
Lajme te ngjashme
Makina del nga rruga, plagosen rėndė nėnė e bijė
• Datë: Nov 17, 2014
Ilda Lumani

Nuk ndodh shpesh që njeriut t’i takojnë në jetën e tij ngjarje të mëdha historike. Ngjarje që dikush i përjeton nga larg; dikush i prek e dikush tjetër është pjesë e tyre. Regjisorit Besnik Bisha i takoi që në atë kohë domethënëse për ndryshimin e rrjedhës së sistemit në Shqipëri, të ishte pjesë e Lëvizjes së Dhjetorit. Çuditërisht, ai nuk u përfshi si të gjithë në politikë. Por vazhdoi karrierën e tij si regjisor e madje, pas atyre viteve realizoi një nga fi lmat më të suksesshëm të kinematografi së shqiptare post-komuniste. Kjo edhe për vet fabulën që trajtonte, devijimi i jetës së një vajze në një prostitutë. Rol që u interpretua nga bashkëshortja e tij Anila Bisha, në fi lmin “Bolero”. Filmi i fundit i tij “Mao Ce Duni” shënoi suksesin e radhës të regjisorit dhe u përfaqësua e vazhdon të përfaqësohet denjësisht në mjaft festivale të rëndësishme në botë. Por aktualisht zëri i tij vjen edhe prej Parlamentit, ku Besnik Bisha qysh prej tre vjet e gjysmë është deputet. Kryetari i Partisë Republikane të Tiranës, Besnik Bisha, në këtë rrëfim për “Bulevardi VIP” tregon lidhjet e tij me politikën... si u bë ai pjesë e saj... si u nda nga P a r t i a Demokratike, e për të kaluar në jetën f a m i l j a r e dhe marrëdhëniet me dy fëmijët e tij
Ju bëni pjesë në atë grupim, që quhet Lëvizja e Dhjetorit. Si vjen në kujtesën tuaj ajo kohë?
Nuk mund të them që kam qenë ndër ata të parët, por jam pjesë e lëvizjes intelektuale të kryeqytetit, duke qenë se vetë Kinostudioja ka qenë pjesë e një lëvizjeje për demokraci. E kujtoj me një lloj nostalgjie sepse ishin vërtet ditë të tilla që ishin plot emocion dhe mund të kalojnë vite dhe të mos ndjesh atë vrull, atë emocion. Vërtet ka qenë vit vendimtar jo vetëm për atë brez, por ishin ditë që vendosën edhe fatin e Shqipërisë, ndryshuan Shqipërinë, rikthyen Shqipërinë në gjirin e Evropës... Sigurisht, ëndrrat janë ëndrra dhe njeriu kur ëndërron, ëndërron edhe ato idealet, gjëra që janë shumë të vështira për t’u realizuar. Në këtë kuptim mund të them se në këto 18 vjet janë realizuar shumë gjëra, më pak sesa ëndërronim, por nëse do të realizohej ëndrra, atëherë nuk do të kishim çfarë të ëndërronim më. Jo për të folur për atë që është bërë, por realisht është bërë shumë. Unë sot jam prind, vajzën e kam në moshën 16 vjeçe dhe ajo nuk e ka njohur këtë periudhë. Ashtu si edhe brezi i 18- vjeçarëve nuk e ka njohur atë pjesë të historisë, ndaj ata nuk mund ta perceptojnë dhe ta kenë të qartë atë periudhë. Dhe kur shohin fotografitë apo filmat tanë, i shohin si një çudi. E keqja dhe e mira është se edhe ne tani ka filluar të na duket pak si çudi: Si është e mundur që ne kemi duruar atë lloj jete, atë lloj varfërie, atë lloj skamjeje, atë lloj diktature, atë lloj mentaliteti?! Sot është ndryshe, është vërtet ndryshe. Frytet e demokracisë ne i ndjejmë; sigurisht nuk janë ato ëndrra që ne menduam se do të arrinim, se të nesërmen që hodhëm bustin e diktatorit do të ishim si Evropa, dhe në këtë aspekt na duhet shumë punë për të arritur nivelin e tyre të demokracisë, nivelin e tyre shoqëror, nivelin e tyre ekonomik, ëndrrat e tyre. Gjithsesi, më vjen mirë që e bëre këtë pyetje, sepse janë momentet që ne e kujtojmë atë ditë. Në jetën e njeriut s’besoj se takojnë shpesh ditë kaq të vrullshme dhe në këtë drejtim them se kam pasur fatin që kam jetuar në një kohë që ndryshoi rrjedhën e historisë së Shqipërisë.
Para pak javësh Partia Demokratike festoi 18-vjetorin e krijimit të saj. Moshë që përkon me atë të adoleshencës së një njeriu. Ju si mendoni, në çfarë moshe është PD-ja?
Tashmë unë besoj se po ta krahasojmë me 18 vjetët, njeriu sipas Kushtetutës së Shqipërisë ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet e një shqiptari të Republikës së Shqipërisë. Edhe PD-ja, tani që është në këtë nivel është një parti që ka bërë një histori të vetën, ka një lidership të përcaktuar, ka një program të vetin të përcaktuar, ka edhe ëndrrat e veta të përcaktuara; në këtë kuptim them që PD-ja është pjekur. Sigurisht nuk është në moshën siç janë partitë tradicionale, të cilat kanë breza të tërë që kanë kontribuar për të, gjithsesi askush nuk mund të thotë që PD-ja është si PD e para 18 vjetëve. Ka ndryshuar ritmi, ka ndryshuar edhe partia vetë dhe anëtarësia e PD-së ka ndryshuar; dëshirat, ëndrrat, të gjitha dhe ajo ftesë i përkiste jo vetëm PD-së, pavarësisht se është ditëlindja e saj, por është 18 vjet mosha e demokracisë në Shqipëri.
Po ju, si u bëtë pjesë e politikës?
Realisht, historia ime është e çuditshme. Në vitet '90 kur të gjithë nisën të bëheshin pjesë e politikës, unë nuk kam dashur fare të merrem me politikën, mbase ishte edhe alergjia e politikës së kaluar ku njerëzit që merreshin me politikë, anëtarët e partisë, sekretarët e komitetit qendror, njerëz që ishin me dy fytyra e me maska, që ndryshe flisnin në një rreth të ngushtë dhe ndryshe në një ambient më të gjerë. Kjo ishte një lloj politike dhe një lloj prezantimi për mua i njerëzve që merreshin me politikë. Kam përshtypjen se jo vetëm unë, por edhe të tjerë intelektualë nuk pranuan të merreshin me politikë. Realisht nuk jam marrë deri në vitin '95, ku nuk kam qenë pjesë e asnjë strukture. Sigurisht kam qenë përkrahës i së djathtës dhe normalisht e kam ndjekur të djathtën, kam qenë njeri i respektuar si nga e djathta edhe nga e majta. Më kanë respektuar me statusin tim civil dhe kjo them që është pjesë e emancipimit të politikës. Mendoj që ai 18-vjeçari ka bërë që gjërat të ndryshojnë dhe të respektohet edhe kundërshtari. Në vitin 1995 pata një propozim dhe joshje për të qenë anëtar i KOP-it të atëhershëm dhe ideja më pëlqeu, pasi m'u duk si një energji që po prodhonte e djathta, si një promovim idesh. Dëshira për të ndryshuar, për t'u përfaqësuar më intelektualisht dhe për të më afruar si pjesë e KOP-it, e ndjeja veten të nderuar për të dhënë kontributin tim në krijimin e programit e objektivave të fushatës së qeverisjes së ardhshme. Ndërkohë, po në këtë kuadër u bënë edhe propozimet e para për t'u bërë anëtar i Partisë Demokratike, ndërkohë që ka qenë një situatë e papërcaktuar në botën time. Më dukej vetja një njeri që i përkiste më shumë shoqërisë civile sesa asaj politike dhe pas kësaj u afrua fushata e zgjedhjeve dhe mua m'u bë propozimi për t'u bërë deputet. Kam pasur mjaft ngurrime dhe nuk doja, nuk mund të them se isha kundër, por nuk e kisha shumë me dëshirë, pasi e mendoja se do ishte diçka që do të më pengonte në jetën time. Jam konsultuar shumë me miq në atë kohë dhe mund të them që kanë qenë disa shokë të mi të Kinostudios që më bënë presion, 'përse të mos bëhesh, duhet të kemi edhe ne përfaqësuesin tonë'. Unë nuk kam qenë njohës i politikës, i përkisja botës civile dhe e respektoja shtetin dhe pranova të bëhesha deputet. Që nga këtu në sallën e Parlamentit gjërat ndryshojnë. Parlamenti, përveç prodhimit të ligjeve ka edhe prodhim politikanësh. Them këtë sepse të bësh politikë, duhet domosdoshmërisht të shfletohen, të njihen problemet. Nuk jam ai që kam qenë kur u futa në politikë, e ndjej se gjithçka tani filtrohet; nuk jam ai emocionali që thosha atë që mendoja direkt. Tani, kur është puna për të dhënë një mendim, për të bërë një analizë, për të parë edhe pasojat më pas, them se tani jam brenda politikës.
Cili ishte motivi që e braktisët më pas Partinë Demokratike, për të qenë pjesë e Partisë Republikane?
Të them të drejtën, shkova tek Partia Republikane sepse më dukej se PR apo programi i saj janë më afër meje. Unë jam pak radikal për sa i përket çështjes së pronave në përgjithësi, mbase jam më i djathtë, por nuk është se PR është një parti që ka diferenca të mëdha me PD-në. Unë zgjodha PR-në më shumë për respektimin e pronës në kuptimin që atyre individëve që u është marrë prona, duhet t'u jepet; është e drejta themelore e njeriut prona, ashtu siç është e drejta për jetën. Gjërat nuk kanë për t'u qetësuar pa u zgjidhur. Në përgjithësi, politika kërkon agjustim problemesh. Jo vetëm zgjidhje, por ndoshta është edhe gjendja civile që më bën të jem më rebel dhe t'i shoh gjërat të zgjidhura. Unë mendoj se e bardha me të zezën duhet të ndahen përfundimisht. Ndërkohë që them se tek Partia Republikane unë e ndjej veten mirë. Jam mirëpritur në strukturën e Partisë Republikane, tashmë më janë ngarkuar detyra të rëndësishme, jam kryetar i PR-së së Tiranës dhe kryetar i Fushatës së Qarkut të Tiranës. Më kanë mirëpritur dhe më kanë ngarkuar vërtet detyra të rëndësishme, të cilat ndjej se janë përgjegjësi e madhe që kam marrë mbi vete, por sidoqoftë unë tani kam filluar të bëj jetën politike ose partiake që ishte një gjë krejt e panjohur për mua dhe që kam pasur alergji dikur, por them se mbase kjo periudhë trevjeçare ka qenë një shkollë dhe ka bërë që të më pëlqejë edhe kjo puna e politikës. Vërtet thuhet shpesh se politika nuk është ajo që flitet, por ajo e nëndheshme që nuk shihet. Unë jam munduar që në figurën time si deputet të përqendrohem në ato gjëra që unë kam të drejtë të flas dhe që sigurisht, më së shumti janë çështjet e artit. Nuk jam përzier kurrë në çështje që s'janë të sferës sime kur ka specialistë për këtë, edhe pse si deputet unë kam të drejtën e votës. Respektoj mendimin e njeriut specialist, kam kontribuar brenda atij komisioni ku bëj pjesë, tek Komisioni i Medias dhe Arsimit dhe aty kam pasur gjithmonë rezervimet e mia, sidomos përpara problemeve të arsimit, përpara njerëzve që janë marrë dhe e njohin arsimin më shumë sesa unë. Në këtë kuadër them se kam kontribuar, nuk them se kam qenë indiferent në parlament; kam folur atëherë kur kam menduar se zëri im i përket për t'u dëgjuar dhe jo thjesht vota ime.
Le të hidhemi tek arti. Ju jeni diplomuar për aktor, por më pas iu dedikuat regjisurës.
Fillimet e punës sime kanë qenë me një përcaktim. Kam mbaruar Institutin e Lartë të Arteve për aktor, ku kam bërë vetëm dy role; shyqyr aq, pasi duke e parë dhe veten nuk mendoja se do të bëhesha i tillë. Fatmirësisht, e ndjej dhe më pëlqen shumë regjia e filmit dhe kështu u mora me regjinë e filmit dhe jo me aktrimin. Pas studimeve të larta kam bërë një kurs specializimi, një shkollë 2-vjeçare. Ka qenë një sistem në atë kohë që nuk quhej pasuniversitare, por një shkollë e mirëfilltë për regji filmi, që drejtohej nga Dhimitër Anagnosti dhe mësim jepnin regjisorët më të mirë të vendit si Kristaq Dhamo, Pirro Milkani, Viktor Gjika etj, pra ajka e regjisë së filmit që u angazhua për të krijuar një brez të ri kineastësh, sepse ishte krijuar një hendek i madh mes brezash, pas tyre nuk kishte më regjisorë të rinj. Fati ynë, që unë bashkë me katër të tjerë, mes tyre Fatmir Koçi, që vazhdon të prodhojë filma dhe dy të tjerë që jetojnë jashtë, patëm mundësinë të bëjmë këtë shkollë dhe u ndihmuam shumë nga "Albafilmi" në atë kohë, që të realizojmë film që në vitin e parë. Ajo u quajt punë kursi, por ishte një film. Përveç kësaj, plus vëmendja e drejtuesve të asaj kohe ishte shumë e madhe, ata donin dhe shpresonin që ne të bëheshim regjisorë. Dhe për këtë investuan. Dhe ky ishte vërtet një fat për ne, sepse nuk i ndodh as një regjisori në botë që të realizojë një film që në vitin e parë të studimeve për regjisurë, dhe në këtë kuptim ishim me fat. Pastaj erdhën vitet e tjera dhe diplomën e kam mbrojtur me një film me metrazh të gjatë. Kanë qenë këto kushtet e punës, dashamirësia sidomos për të na bërë regjisorë. Ndërkohë, filmi i parë të cilin quaj unë që është i imi, ka qenë "Zemra e nënës", një film fatmirësisht i vlerësuar si në Shqipëri edhe jashtë. Dhe më dha mua një ngopje dhe vetëbesim që unë bëj filma, por kjo ishte një gjë pozitive jo thjesht për mua, por edhe për faktin se në ato vite hynë edhe regjisorë të tjerë, sepse u pa që brezi i ri mundej të bënte filma, ishte Gjergj Xhuvani, ishte Artan Minarolli, pak më vonë Petrit Ruka, etj. Kam qenë pjesë luftarake për krijimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Fatmirësisht ne e kuptuam që sistemi i ri nuk funksiononte më ashtu, ai sistem që po ndërtonim nuk mund të vazhdonte më me trashëgiminë, me atë që varej nga shteti, kështu krijuam QKK-në në vitin 1996, një qendër e cila realisht është, mbase në dukje nuk duket, por është promotori i gjithë prodhimit të filmit shqiptar, funksionimi i së cilës ka bërë që një buxhet që merret nga shteti të trefishohet. Sigurisht gjërat nuk janë perfekte, por ai sistem ka funksionuar. Mbase ka ardhur një kohë që gjërat duhen riparë, pasi ka një prirje, një tendencë të bashkëprodhimeve me të huajt, sepse produksioni në Shqipëri është në shkallën amatoreske ende. Fati e solli që filmin tim të fundit e kam bërë 100 për qind shqiptar. Të gjitha proceset e veta të filmit janë bërë nga shqiptarë dhe si vepër është e suksesshme për faktin se ka arritur të hyjë në të tilla sfera konkurrimi që vlen të përmenden. Kam marrë pjesë në konkurrim në festivalin e Moskës, një festival i kategorisë A, që është paralel me Kanën dhe Venecian, Berlinin. Shpeshherë ne e ngatërrojmë, kur nuk merr çmim, nuk vlerësohesh, por në momentin që je përzgjedhur në 12 më të mirët e ke fituar çmimin, një vend është i parë, dhe ai është i zënë gjithmonë.
Ndërkohë, një nga filmat tuaj tepër të suksesshëm është edhe "Bolero", ku roli i protagonistes interpretohet nga bashkëshortja juaj, Anila Bisha. Si shndërrohet marrëdhënia juaj në film?
Me Anilën unë kam punuar edhe më parë se tek "Bolero"; kam punuar tek filmi që kam pasur si temë kursi, "Sinjal dashurie". Po në atë kohë nuk kemi qenë të lidhur. Nuk është filmi që na ka lidhur. Në fakt, të punosh me bashkëshorten ka të mirat dhe të këqijat e veta. Në këtë raport anët e mira janë mbizotëruese, sepse ke mundësi të komunikosh, të kërkosh ca gjëra që sidomos mentaliteti kur është realizuar filmi nuk ka qenë ky i sotmi, pasi filmi është bërë para 12 vjetësh dhe në këtë kohë kanë ndryshuar shumë gjëra. Anila interpretonte rolin e një prostitute, ishte një overturë e asaj që po i ndodhte shoqërisë shqiptare; akoma nuk kishte filluar ajo masakra e madhe me tregtimin e 'mishit të bardhë', që u bë e kobshme. Kjo etapë ka kaluar tashmë. Në Shqipëri nuk është më ashtu, s'është më Shqipëria e atyre viteve. Kur u xhirua ky film, Shqipëria ishte shumë më shumë konservatore sesa sot. Disa lloj skenash që unë i kisha të qëllimshme në film për ta bërë publikun të ndjejë siklet dhe të kishte neveri ndaj së keqes dhe të admirojë të mirën, i kisha bërë edhe skena të vështira, të cilat u quajtën në atë kohë skena seksi, erotike, gjëra që realisht nuk janë të tilla. Unë brenda filmit kam bërë një zhveshje prostitute për ta përdhunosur si koncept dhe të ngjall neveri tek njerëzit, ndërkohë që unë besoj se sot e kësaj dite personazhin kryesor, viktimën, ndonëse është prostitutë, njerëzit dashurohen me të. Shoqëria ndonjëherë mund të gabojë pa qenë orientuar drejt se si mund të funksionojë dhe kjo sjell pasoja. Në këtë koncept unë mendoj që është e ndërtuar edhe "Bolero", kas pasur një spunto edhe nga muzika, një lloj riciklimi të temës që ajo merret dhe përsëritet në ciklin e vet, ashtu si edhe filmi ka ciklin e vet. Dhe në fund të filmit ajo futet në një errësirë dhe jeta e saj nuk mund të jetë si më parë, por gjithsesi është e vetëdijshme për të mbrojtur veten.
Fakti që ju është dashur të merreni me film e politikë, a nuk ju ka larguar disi nga familja?
Përgjithësisht në familje unë jam borxhli ndaj Anilës, ajo u ka kushtuar më tepër vëmendje fëmijëve, shkollimit të tyre, ka sakrifikuar shumë nga vetja dhe nga karriera e saj. Por normale, familja duhet të mbahet, njëri duhet të punonte, dhe unë kam punuar për t'i krijuar familjes një lloj komoditeti. Jam munduar të nxjerr fitimet e familjes. Por tani që fëmijët janë rritur, gjërat kanë ndryshuar. Gjërat nuk janë gjithmonë gati, por brenda këtij viti Anila ka bërë 2-3 role shumë të mira, 2 role në teatër që unë ia vlerësoj dhe që mund të them se jam kritiku më i madh i saj, dhe ka bërë një rol, për mua shumë të bukur, tek "Këmbanat e muzgut", të Teodor Laços, ku ka pasur një personazh shumë tipik dhe tani në teatër po ashtu një rol tek shfaqja e Spiro Dunit "Pushtim në errësirë", një pjesë e vështirë. Dhe në opinionin tim është një arritje në teatrin shqiptar. Sigurisht vërejtje mund të kenë shumë pasi lexon një libër dhe nis e gjykon subjektivisht mbi të, e jo kur sheh një teatër që është më frymore. Apo edhe roli tek filmi i Ylli Pepos, "Dhimbja e dashurisë". Ndërsa mua nuk mund të them se më ka penguar të qenit në politikë për t'iu përkushtuar familjes, por deri sivjet kam bërë edhe mësim në Institutin e Lartë të Arteve për regji filmi. Jemi deri diku bashkë me Gjergj Xhuvanin, themeluesit e shkollës së filmit në degën e regjisë së filmit. Nuk pata mundësi ta vazhdoj më dhe për këtë u kërkoj ndjesë, por tashmë angazhimi im ka marrë një tjetër kah dhe nuk më jepet kohë fizike që ta vazhdoj me përkushtim si më parë. Mendoj se kjo shkëputje nuk do të jetë e gjatë, pasi vitin e ardhshëm besoj se do të kthehem, sepse pas zgjedhjeve gjërat do të qetësohen dhe nuk do të kem më atë ngarkesë.
Fëmijët tuaj merren me piano. Brenda artit, por jo në të njëjtën gjini si prindërit. Ka qenë zgjedhja e tyre?
Të dy fëmijët studiojnë në Liceun Artistik për piano; vajza në vit të dytë, kurse djali në klasë të gjashtë. Fatmirësisht janë fëmijë të mbarë, fëmijë që studiojnë; sidomos pianoja është një instrument që kërkon shumë orë pune, mbi katër orë në ditë, gjë që është shumë e lodhshme, por vajza po ecën shumë mirë. Tashmë mendojmë se ajo ka vendosur dhe është e përcaktuar e ardhmja e saj. Tani besoj se vajza do të bëhet një pianiste shumë e mirë, detyra jonë është për t'i krijuar kushtet që ajo të eci, të studiojë në vendin ku ajo ëndërron, në Vjenë; nuk jam kundra por nëse e fiton konkursin, le të shkojë. Kurse djalin ende nuk e kemi vendosur, është shumë i talentuar, por përveç muzikës është shumë i mirë në të gjitha lëndët e tjera. Ne nuk e kemi perceptuar të ardhmen e tij si prindër, pasi siç dhe thashë pak më lart, ne e dimë se me artin është shumë e vështirë për të jetuar. Mua, duke qenë kryefamiljar, për të krijuar normalitetin e familjes më është dashur të punoj shumë, në një kuptim më është dashur të bëj edhe punë që nuk ishin pjesë e shpirtit tim. Por që ndonjëherë je i detyruar t'i bësh, dhe i kam bërë. Kështu, për të mos shpenzuar për një shofer, unë kam bërë shoferin dhe kam ngarë mikrobusin me stafin e xhirimit. Ndërsa për djalin tim, unë e kam pak të vështirë ta pranoj që edhe ai do të ketë vështirësi të tilla në jetë. Përderisa të dhënat i ka shumë pozitive, mund të zgjedhë një profesion, me të cilin ta ketë më të lehtë të ardhmen e tij.
"Mao Ce Duni" ka qenë një sukses për ju si regjisor. A jeni i kënaqur ju vetë me pjesëmarrjet në festivale dhe rrugëtimin e tij deri më tani?
Filmi është në ciklin e festivaleve, e ka filluar me festivalet e vegjël siç janë ata në krahasim me festivalet e kategorisë A. Ka qenë në festival në Bullgari, prej këtej në Moskë, një nga 7 festivalet më të mëdha në botë. Pas kësaj, në festivalin e Karlovivari-t dhe ka marrë pjesë në kategorinë e filmit Lindje- Perëndim në konkurrim. Ndërkohë është shfaqur në disa festivale të tjera, të cilat unë nuk kam pasur mundësinë t'i ndjek, si në festivalin e Londrës, në Amsterdam dhe së fundi kam qenë me të në festivalin e Kajros, ku filmi im ishte i ftuar nderi dhe ku shfaqeshin filmat më të mirë që kishin konkurruar në festivalet e kategorive A. Ndërkohë, sapo kam marrë njoftimin se filmi ka hyrë në festivalin Tiburon në Kaliforni, në konkurrim dhe pas tij Ankara.
Por ndërkohë, ju edhe pse i ngarkuar, përsëri keni diçka gati në lidhje me filmin..
Unë kam bërë gati një skenar, i cili ka fituar në QKK të drejtën për t'u mbështetur si projekt. E kam pothuajse të përfunduar skenarin, ndërkohë po mundohem të krijoj produksion, është e vështirë e thashë edhe më parë, nuk e di si do të shkojë produksioni, por jam në krijimin e disa kontakteve dhe besoj se nëse gjërat do të ecin mbarë, ky film do të realizohet pas një viti ose më saktë, unë ëndërroj të jetë gati pas një viti.
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.