Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
IRINI QIRJAKO: Ne dikature, parate na i merrte shteti
» Dėrguar mė: 20/01/2009 - 13:51
Lajme te ngjashme
Paratė e “Sudes” ndahen nė shtator
• Datë: Aug 01, 2014
Prokuroria, “hetim” nėpėr kazino pėr paratė e BSH-sė
• Datë: Jul 31, 2014
Aimona Vogli

Më zërin e saj ka prekur shumë nga skenat e botës. Është një ndër këngëtaret më të madha shqiptare, që publiku vërtet e do dhe e adhuron. Pasioni i saj për këngët është aq gjithëpërfshirës, sa edhe pas thuajse 30 vjetëve karrierë ajo nuk ka ndërmend të ndalet. Vlerësimet për të kanë qenë të shumta, por ajo veçon atë më të fundit, që e ka emocionuar shumë. Titulli që komuniteti shqiptaro-amerikan i ka dhënë asaj në 28 nëntor të 2008, si “Njeriu i vitit”, një vlerësim që është i pari për një artist dhe që krahas saj, i është bërë dhe njerëzve të rëndësishëm për botën shqiptare, si Presidentit
të Republikës, Bamir Topi dhe disa kongresmenëve amerikanë. Në një intervistë për “Bulevardi Vip”, këngëtarja Irini Qirjako tregon për karrierën e saj, për dashurinë për këngën, si dhe episode nga turnetë e saj edhe në kohën e diktaturës. Gjithashtu, ajo flet dhe për origjinën e familjes së saj, për bashkëshortin dhe për vajzën, Rivjola, të cilën e adhuron.
Mund të na tregoni paksa për fillimet tuaja në muzikë, kënga për ju ka lindur në gjirin familjar?
Kur kam qenë e vogël, rreth 5 vjeç, këndoja nëpër shtëpi dhe mbaj mend që këndoja me shumë pasion. Kujtoj që më ka dëgjuar një komshia ime, sepse ishim shumë pranë me shtëpi, oxhaku i shtëpisë sime ishte pranë shtëpisë së saj dhe ajo i thoshte mamasë sime: “Moj Dhimtrudha, kjo vajza jote do të bëhet këngëtare e madhe! O zot, çfarë zëri që ka kjo! Sa bukur që këndon!”
A keni pasur ndonjë nga familja që këndonte?
Po, babai këndonte brilant, ka pasur një zë kumbues dhe shumë melodioz dhe kishte shumë pathos. Edhe mamaja
këndonte dhe ishte shumë muzikale, por babai kishte shumë shpirt kur këndonte. Dhe, unë them që atij i kam ngjarë në temperamentin e të kënduarit.
Më pas, si keni vijuar?
Mbaj mend që jam futur në klasë të parë fi llore dhe kujtoj që nuk kisha aspak ndrojtje që të këndoja, ndryshe nga fëmijët e tjerë. Ngrija dorën dhe ngulja shumë këmbë që të këndoja. Kur jam ngritur dhe kam kënduar, mësuesi u mrekullua dhe klasa ishte në qetësi absolute. Mësuesi pastaj iu kthye klasës për t’i pyetur në iu pëlqeu, dhe të gjithë kanë brohoritur: “Pooo”, dhe aty kam ndierë emocionet e para përpara një auditori. Më pas kam vijuar të aktivizohesha me fëmijët, me pionierët, etj.
Në atë moshë të vogël, e kishit të vështirë të përballonit emocionin që ju krijonte publikun?
Kur këndoja, futesha në botën time dhe kisha emocionet e interpretimit, të këngës ku humbisja, jo atë spektatorit. Kjo veçori më karakterizon dhe sot. Futem në emocionet e këngës, dridhem, mbyll dhe sytë dhe futem në botën time e nuk shoh çfarë kam përballë. Shumë personalitete, si muzikologë, gazetarë dhe menaxherë të grupeve private, kur kam qenë nëpër koncerte nëpër gjithë botën, më thoshin që kam një gjë të veçantë që nuk e kanë të gjithë artistët, 'ke një pathos të brendshëm, që është një gjë e rrallë'. Prandaj, them se kur dal në skenë nuk ndiej ankthin e spektatorit, por të këngës. Sigurisht, nisem me mendimin që të kënaq sa më shumë spektatorin, por sa hap gojën, futem tërësisht në botën time. E jetoj këngën të plotë, si një realizim filmi.
Për çfarë i keni mbaruar studimet?
Kam fituar të drejtën e studimit në Akademinë e Arteve dhe kam mbaruar për dirigjente korale, ndërsa kanton e kisha sekondare, diçka të brendshme, që ishte e imja. Kam punuar në Sarandë, në korin e pionierëve, ndërkohë që dhe këndoja. Kur erdha në Tiranë, kam punuar dhe këtu një farë kohe në Shtëpinë e Kulturës të lagjes 8, me korin e pionierëve. E bëja me shumë përkushtim e pasion dhe në 3 muaj punë kam arritur shumë sukses. Një detaj është që kur kam konkurruar për në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku dhe fitova, drejtori i shtëpisë së kulturës nuk donte të më linte të ikja, sepse kisha arritur shumë suksese. Ndërkohë që drejtori i TOB-it, Riza Hajro, i ishte përgjigjur se 'kush pyet për shtëpinë e kulturës, ka nevojë institucioni më i lartë'. Unë kam pasur gjithmonë dëshirë të vazhdoja në opera, por kur më provuan në këngë polifonike, kam kënduar "Këngët e Atdheut tim", të Jani Laçja dhe Lefter Cipës, ky i fundit dhe idhulli im, drejtuesit vendosën për në Ansambël. Në atë kohë në opera kanë qenë njerëz të mëdhenj të muzikës shqiptare, si Çesk Zadeja, Dish Daija, Xhemal Laçi, Panajot Thanaci, Avni Mula, etj, dhe ata vendosën që do të kaloja në ansambël, sepse atyre u nevojitej një këngëtare potente që dinte ta këndonte polifoninë. Kam filluar punë më datë 21 prill, ditën kur kam pasur ditëlindjen. Më kujtohet që kam dalë menjëherë në prova për dekadën e majit, ku kam arritur një sukses shumë të madh, me këngët "Këngë të atdheut tim".
Sa vite pune numëroni në Ansambël?
Kam filluar punë në vitin 1979, dhe po bëj thuajse 29-30 vjet që jam pjesë e tij.
Keni bërë shumë koncerte me Ansamblin dhe gjatë kohës së diktaturës. Kur dilnit jashtë Shqipërisë, si ndiheshit?
Unë për herë të parë jashtë Shqipërisë kam udhëtuar fill 4 muaj pasi kisha hyrë në Ansambël, dhe për mua ishte një privilegj i jashtëzakonshëm. Kemi vajtur në Turqi dhe kujtoj që kemi arritur një sukses të madh. Atë vit nuk e di pse Turqi ishte në shtetrrethim dhe ushtria kishte marrë në dorë shtetin. Më kujtohet që kur kemi dhënë koncert në teatrot në Ankara, Stamboll, Izmir, etj, kishte shumë shqiptarë të hershëm dhe që ishin shumë të pasur. Mbaj mend në një rast që thërrisnin në gjuhën turke për ne, kur në sallë hyri ushtria me bajoneta. Ndoshta nuk kishin asgjë me ne, por donin që të mos kishte zhurma dhe janë kapur dhe janë marrë shumë njerëz.
Po sigurimsat i kishit nga prapa? Mund të na kujtoni ndonjë detaj?
Po, sigurisht. Kemi qenë në Turqi, në një ishull ku kishte shumë grekë që ishin përzënë nga Stambolli. Unë e dija shumë mirë gjuhën greke, por kisha shumë frikë të flisja, sepse kishte spiunë pa pagesë gjithandej. Ruhesha dhe nuk guxoja të flisja, edhe pse dëshirën për të folur e kisha të madhe. Grekët që ishin aty kishin frikë nga shteti turk, ndërsa unë kisha frikë nga shteti shqiptar. Ka qenë shumë paradoks.
Domethënë, ju ruheshit më shumë nga sigurimsat?
Po. Kur kemi qenë në një koncert në Greqi, këtë gjendje e kam përjetuar shumë keq, sepse ma solli në majë të hundës një sigurims që na shoqëronte. Mbaj mend që kishte ardhur nga Janina, një arvanitas dhe kishte rënë në dashuri me mua. Ishte vërtet i çmendur dhe donte të martohej me mua (qesh). Na shoqëronte, para mbrapa nëpër koncerte që kemi zhvilluar në Greqi, deri në Korfuz. Unë kisha shumë frikë. Kujtoj që ishte një balerin, quhej Bashkim Braho dhe ishte me origjinë çame. Ai fliste më lirshëm, ndërsa unë isha më e persekutuar në Greqi, nga frika se njihja gjuhën. Arvanitasi që donte të martohej me mua, i thoshte që 'çfarë do ajo, vetëm të hapë gojë se i plotësoj gjithçka'. Gjithashtu, ai më kishte bërë disa dhurata, por këta të sigurimit nuk m'i dhanë, m'i vodhën. Ai ka ardhur dhe në Shqipëri për mua, në Opera, por unë u fsheha dhe nuk i dola. Kur i kujtoj, janë gjëra të bukura, sepse ai ishte dashuruar me këngën dhe me artin që unë bëja, e ndoshta më pas dhe me personin. Ne artistët përjetojmë gjëra shumë të bukura, por sigurisht dhe të hidhura.
Në atë kohë Shqipëria ishte një vend me shumë pamundësi ekonomike, ju si artistë kur dilnit jashtë dhe shikonit shumë gjëra të bukura, a ju lejohej t'i merrnit?
Jo, nuk i merrnim dot, nuk lejoheshim. Më kujtohet një rast në Gjermani, për herë të parë në vitin 1983, më parë shteti ynë nuk kishte marrëdhënie diplomatike me këtë vend, qe i vetmi vend që përgatit zarfet me para, por nuk na i lanë t'i merrnim. E njëjta gjë na ka ndodhur dhe në Zvicër, ku drejtori ishte i detyruar, sepse e kishin urdhëruar që të na i mblidhte zarfet. Vetëm Vaçe Zela nuk pranoi. "Nuk e jap zarfin, sepse ky na takon ne, kemi nxjerrë gjak nga fyti", - tha ajo. Si shpërblim, kur erdhi në Shqipëri, sapo mbushi 45 vjeç, e hoqën. Ka qenë një sistem shumë i keq. Unë e pranoj që ai sistem më bëri këngëtare të madhe, por që dhe na e kishte nevojën, sepse ne reklamonim vlerat e Shqipërisë kudo në botë, me artin shqiptar, që është unikal në botë. Dhe, duhet të them që kostumet, vallet, këngët orkestrale që ka Shqipëria, nuk i ka asnjë vend tjetër.
Rikthehemi në ditët e sotme. Cilat janë projektet me të cilat po merreni aktualisht, si ato individuale dhe ato me Ansamblin ose me grupin?
Unë tani po përgatitem për koncertin tim recital, në bashkëpunim me drejtorinë e Teatrit të Operave dhe Baletit, ku një këmbëngulje dhe një përkushtim të veçantë ka treguar Zhani Ciko, i cili më ka nxitur shumë. Pas recitalit, kemi me Ansamblin disa premiera të tjera, si një recital i korit dhe një koncert për nder të 80- vjetorit të dirigjentit të madh Miso Vako. Gjithashtu, në angazhimet e mia personale përfshihet një koncert në Greqi, në 7 shkurt, por po punoj dhe për albumet e mia.
Sa albume individuale numëroni në karrierën tuaj?
Albumi i fundit ka rreth një vit e 2-3 muaj që ka dalë dhe që titullohet "Më kërkon portë, më portë", është i katërti që kam nxjerrë në Shqipëri. Gjithashtu, unë kam dhe 2 albume me këngë polifonike që kam publikuar në Francë, që në vitin 1999, kohën kur kam punuar në këtë vend. Këto dy albume janë vlerësuar shumë nga gazeta franceze "Le Monde", ajo amerikan "New York Times" dhe një tjetër revistë kritike londineze, që e kanë vlerësuar zërin tim si një "zë që del nga thellësia e nëntokës".
Duket se me Francën keni një lidhje të veçantë?
Unë kam punuar rreth 10 vjet në Francë, më grupin polifonik "Tirana" dhe marrëdhëniet u ndërprenë në kohën kur ndodhën sulmet e 11 shtatorit, në Amerikë. Dua të them që me grupin kemi realizuar koncerte në të gjithë botën. Franca për mua është djepi i kulturës botërore, ajo është absolutisht vendi që i ka dhënë kulturë gjithë botës. E vlerësoj shumë këtë vend.
Gjatë karrierës suaj keni arritur shumë çmime dhe vlerësime, cilin kujtoni në veçanti?
Të gjitha vlerësimet i çmoj shumë. Unë jam "Qytetare Nderi" e qytetit të Sarandë dhe veç titullit që më ka dhënë Presidenti i Republikë, si "Mjeshtër i Madh", që është baras me "Artis i Populli", mund t'ju them juve për herë të parë që në 28 nëntor të 2008, komuniteti shqiptaro-amerikan më ka akorduar titullin "Njeriu i vitit". Unë jam artistja e parë që e kam marrë dhe më emocionoi shumë. Veç meje, me këtë titull është nderuara dhe Bamir Topi dhe disa kongresmenë amerikanë. Ky titull ishte menduar që të më akordohej për të gjitha koncertet që kam dhënë për publikun e huaj, duke ngritur në këtë mënyrë dhe vlerat e vendit tim. Kujtoj që këtë titull ma ka dorëzuar në dorë një gazetare shqiptare që quhet Mirela Mehmeti, e cila që kohë më parë ka punuar në Radio Tirana dhe tashmë punonte si gazetare në një televizion në Çikago. Ajo më bëri një intervistë shumë të gjatë për këtë kanal, ndërkohë që aty të dyja kemi rikujtuar se jemi takuar shumë vite më parë në Tiranë, kur ajo sapo kishte filluar punë dhe më kishte ftuar për të më intervistuar. Pas kaq shumë vitesh, ishte një gjë shumë e bukur të ritakoheshim përsëri me të njëjtën mënyrë.
Natyrisht, gjatë karrierës suaj keni pasur shumë momente emocionuese. Një ndër to sigurisht ka qenë dhe ai me Michael Dagllas, kur ai ka ardhur në Shqipëri, çfarë mund të na kujtoni?
Po, ka qenë vërtet shumë emocionuese. Aktori i Hollywood-it erdhi në vitin 1998 në Shqipëri, për procesin e grumbullimit të armëve. Kujtoj që është organizuar një koncert i madh në nder të tij, në Odeonin e QNK. Mua më kanë thirrur nga Ministria e Kulturës për të kënduar një këngë polifonike. Në mes të gjithë atij koncerti ku u organizua muzikë bluz dhe xhaz, Michael Dagllas u mrekullua dhe u mahnit pas këngës polifonike. "Ç'është kjo dhuratë e parë e çmuar në jetën time. Kjo ishte surpriza më e madhe e jetës sime", - tha ai. Erdhi më vrap për të më takuar dhe më puthi dhe më përqafoi, bëmë foto, etj.
Flasim pak për origjinën e familjes suaj. Jeni nga një fshat minoritar, apo jo?
Unë jam me origjinë nga Finiqi i Sarandës, e sigurisht jam minoritare.
Je mëkuar midis dy dashurive, për gjuhën greke po dhe për Shqipërinë, na tregoni diçka më shumë…
Gjuha e parë që kam mësuar ka qenë gjuha greke dhe është gjuha e nënës dhe e babait tim. Dhe këngët epirote që kemi ne, i këndoj vërtet shumë bukur, i qaj fare. Është e bukur, sepse pas shumë viteve në karrierë, Zizo Lluci, që është kryerat i komunës së Finiqit, më ftoi në vendlindjen time. Për nder tim grupit polifonik të Finiqit, iu vu dhe emri "Irini Qirjako". Ishte shumë emocionuese të rikthehesha në vendlindjen time pas 29 vjetësh karrierë. U zhvillua një festival me këngë polifonike në Athinë, ku zëri ynë kumboi dhe ku fshati ynë u vlerësua si më i miri, sepse vërtet që fshati ynë, ndër fshatrat minoritarë, është i pari për polifoni. Kujtoj që vjet në verë këndova sërish në fshatin tim të lindjes, në Finiqin tim, ku më kishin ftuar për festën e Shën Marisë.
Sa shqiptare dhe sa greke ndiheni?
Unë nuk mund të përjashtoj asnjërën prej tyre. Sigurisht që jam greke, sepse kam lindur nga një nënë dhe nga një baba që janë minoritarë grekë, por unë nuk mundem kurrë të mënjanoj Shqipërinë. Në këtë vend jam lindur, jam rritur dhe jam bërë artiste e madhe. E dua kaq shumë Shqipërinë, sa nuk e ndërroj me asnjë vend tjetër të botës. Fakti që unë nuk kam ikur prej këtij vendi dhe pse i kam pasur të gjitha mundësinë, tregon këtë dashuri. Mua më ka ftuar Petro Lluka, muzikanti më i madh i Greqisë, në vitin 1994 që më ka kërkuar të shkoj në Greqi dhe të këndoj atje, dhe nëse do të kisha zgjedhur këtë mundësi, do të isha milionere.
Si jeni njohur me bashkëshortin tuaj dhe a mund të na tregoni ndonjë detaj nga familja juaj?
Ma ka prezantuar motra e tij, që ishte violinçeliste. Ai ka qenë ushtarak. Kur e kam njohur, më ka pëlqyer si natyrë dhe si karakter dhe prandaj vendosa të lidhesha me të. Unë kam dhe një vajzë e cila është studente në vit të 6-të për Mjekësi, që quhet Rivjola. Është vërtet shumë e mirë, por në aspektin e këngës nuk më ngjan mua. Në fëmijëri ka qenë shumë e mirë në balet, por unë nuk e kam lënë të angazhohej, sepse sëmurej shpesh dhe unë e kisha shumë merak. Mendoj që kam bërë mirë, sepse në diçka që bën, ose duhet të shkëlqesh ose mos mirë të mos merresh fare. Pastaj, baleti ka dhe një jetëgjatësi shumë të shkurtër, ndërsa për këngëtarët është ndryshe.
A ka qenë e vështirë për ju që të jeni një këngëtare e madhe, por dhe një nënë?
Unë kam lëvizur vërtet shumë, por kam pasur një ndihmë të jashtëzakonshme nga vjehrra ime. Ajo është marrë me rritjen e Rivjolës. Vajza ime, kur ka lindur ka qenë 1 kg e 300 gramë dhe ka qenë binjake, së bashku me djalin, i cili më vdiq pas 3 ditësh. Mbaj mend që ka qenë një dimër i madh dhe atë vit kanë lindur shumë fëmijë prematurë. Për vajzën shqetësohesha vërtet shumë kur ishte sëmurë dhe thuajse 13 herë zgjohesha natën për ta kontrolluar nëse merrte frymë. Me kalimin e kohës vajza u rrit dhe kam pasur fatin që me rritjen e saj më kanë ndihmuar shumë bashkëshorti, vjehrra dhe vjehrri.
Si janë marrëdhëniet tuaja me vajzën?
Me kalimin e viteve, ajo gjithmonë e më shumë e ndjente mungesën time dhe tani më thotë që: "Mami, kur ikën ti më duket shtëpia bosh, nuk duroj dot". Vajzën e konsideroj si shoqe të ngushtë, flasim shumë me njëra-tjetrën, kuptohemi shumë mirë.
Si kujdeseni për paraqitjen tuaj?
Më pëlqen që ta mbaj veten, të blej gjëra të bukura, të modës dhe dyqanet që bëj pazar i kam në Athinë. Shkoj për shoping me vajzën, ose me motrat që kam në Greqi dhe zgjedhim ato që na përshtaten dhe na pëlqejnë. Për fytyrën preferoj shumë të përdor produktet bimore.
Po marrëdhënia me paranë si është?
E shpenzoj (Qesh)! Unë dua që ta shijoj dhe jetoj paranë dhe jo të bëhem skllave e saj. Nëse ka diçka që më pëlqen, e blej pa dyshim.
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.