|
| Dhimiter Xhuvani, Miqtė e skenaristit:Si e kemi njohur Taqon |
| » Dėrguar mė: 20/10/2009 - 12:49 |
Me Dhimitrin jam njohur që kur kam lerë...që në kohët e lashta... që para se të lindnim... Nuk mbahet mend që kur jemi njohur...”. Kështu e nis kujtim-rrëfi min për të madhin Dhimitër Xhuvani, aktori i njohur Rikard Ljarja... është i emocionuar padyshim. Sapo ka dalë nga shtëpia e shkrimtarit dhe skenaristit të ndjerë. Me miqtë e tij është ulur më pas në një kafe për të gjerbur një kafe dhe për të folur për të. Ai është kryefjala e mendimit... atij të shprehur me fjalë apo me heshtje, me psherëtima apo edhe me ndonjë lot të fshehur, brenda shpirtit që tanimë nuk komandohet dot. Ka një njohje të hershme, që nuk ishte vetëm si rrjedhojë e bashkëpunimit nëpër fi lma, një miqësi “e pashkruar”, “e parrëfyer”. Në pak fjali Rikardi tregon atë ditë të fundit kur e ka takuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ku përveç bisedave i ka treguar se vazhdon të punojë si më parë, nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe më tej, imazhi i tij ka mbetur “ai i një njeriu të lodhur” në mendjen e aktorit. Zoti Ljarja, përveç bashkëpunimeve në fi lm ju keni pasur një miqësi me shkrimtarin Dhimitër Xhuvani. Si do ta përshkruanit natyrën e tij? Në fakt e kam pak të vështirë në këtë rast, në sensin që për të do të shkruhej një gazetë e gjithë, por unë do të doja të thosha pak fjalë sot për Dhimitrin. Dhimitër Xhuvani ishte njeriu i butë, me një shpirt të butë... tmerrësisht të butë... i tmerrshëm deri në ekstrem! Ky shpirt i tij i butë u pasqyrua në gjithë krijimtarinë e tij dhe punën në letërsi dhe në kinematografi . Kërkesa për liri, për drejtësi, pra shpirti njerëzor i edukuar nga Elbasani (siç janë edhe ata qytetarë të këtij vendi) u pasqyrua në të gjithë veprën e tij. Ne kemi bashkëpunuar, kemi qenë miq së bashku, na ka lidhur puna, por edhe një marrëdhënie krejt......e veçantë, e pashkruar, e pathënë. Ishte një mik i mirë, për mua është humbje e madhe. Kur jeni njohur me të? Që kur kemi lerë... që në kohët e lashta... që para se të lindnim... Nuk mbahet mend që kur jemi njohur. Largimi nga jeta e një njeriu është i dhimbshëm... si u ndjetë kur morët vesh lajmin? Kur ikën një njeri i madh, gjithmonë thuhet, ishte një humbje e madhe. Është e kotë të përsëris ato fjalë klishe. Por largimi nga jeta i Dhimitër Xhuvanit është vërtet një humbje e madhe për familjen e tij. Ai ka lënë një djalë dhe një vajzë të talentuar. Djali Gjergji, trashëgon nga i ati punën dhe lidhjen me artin. Ai punon mjaft dhe gjithashtu ka një bashkëshorte si Luiza, e cila po ashtu është e angazhuar. Kështu që Dhimitri i vuri pikat mbi I, me pika dhe presje i rregulloi fëmijët e tij. Ne të gjithë kemi lindur, jetojmë dhe do të vdesim një ditë, por Dhimitri la një boshllëk në letërsi, në kinema, në shoqëri, në familje, tek ne të gjithë. Kur jeni takuar për herë të fundit dhe si e kujtoni atë takim? Para ca kohësh jemi takuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kishte dalë për të bërë një shëtitje. Dukej i lodhur, ishte i lodhur në fakt. E pyeta për shëndetin dhe më tha që “nuk jam mirë”. E pyeta nëse vazhdonte të punonte dhe më tha që, “punoj që nga ora 7 e mëngjesit e deri në orën dhjetë... punoj si gjithmonë”. Kjo ishte vetia e tij, vetia e punës, njeriu i punës.
Kumbaro: Nuk të kritikonte para të tjerëve, të ruante personalitetin
Lajmin e humbjes së shkrimtarit dhe skenaristit Dhimitër Xhuvani e merr vesh nga ne gazetarët, që bashkë me momentet e hidhura të largimit nga jeta të një njeriu, përpiqemi të përcjellim edhe kujtimin, emocionet që një personalitet i tillë na ka sjellë gjatë veprimtarisë së tij. Regjisori dhe skenaristi Saimir Kumbaro, pas dhimbjes së kësaj ngjarjeje kujton disa nga karakteristikat e Taqos, ashtu siç e njihnin të gjithë, bashkëpunimin e tij të parë me të, ndihmën që ai i dha si një mësues i mirë dhe më tej disa nga çastet e takimit të tij të fundit me të. Zoti Kumbaro, ju e keni njohur Dhimitër Xhuvanin e madje keni bashkëpunuar me të, si do ta përshkruanit karakterin, punën dhe krijimtarinë e tij? Dhimitrin (Taqon) e kam njohur mbi tridhjetë vjet më parë. I qeshur, modest, xhentil, fjalëmbël dhe mbi të gjitha një familjar shembullor. Taqo ka qenë skenaristi im i parë. Skenaristi Dhimitër Xhuvani shprehu dëshirën dhe gatishmërinë që të bashkëpunonte me ne në filmin "Rrugicat që kërkonin diell". Për mua dhe Rikardin, ky qe filmi ynë i parë që na hapi dyert e një karriere të gjatë. Dhimitër Xhuvani (Taqo), ky shkrimtar dhe skenarist i talentuar kurrë nuk rreshti të ndihmojë të rinjtë. Mjeshtër i tregimit dhe vizatues perfekt karakteresh arriti që me penën e tij të rreshtojë në arkivin e krijimtarisë kinematografike një galeri tipash dhe personazhesh që nuk do harrohen lehtë. Me vdekjen e tij kinematografia shqiptare humbi një nga penat që la gjurmë në historinë e artit të shtatë shqiptar. Dhimitër Xhuvani do mbetet një nga emrat që nuk do harrohet kurrë. Bashkë me kolegët e mi rreshtohemi pranë familjes dhe të afërmeve për të bashkuar dhimbjen tonë për këtë humbje të madhe. Si e kujtoni takimin tuaj të parë me të? Takimi i parë ka qenë me përgatitjet e filmit "Rrugicat që kërkonin diell". Kujtoj se me realizimin e këtij filmi ishte caktuar Hysen Hakani, i cili e la projektin për shkaqe shëndetësore. Drejtoria e asaj kohe vendosi që realizimin e tij t'ua besonte dy të rinjve (Saimir Kumbaro dhe Rikard Ljarja). Ishte në të drejtën e skenaristit ta kundërshtonte këtë vendim, por ai e miratoi dhe vazhdoi një bashkëpunim të gjatë me ne. Puna me skenaristin në fillimin e realizimit të filmit zakonisht ndërpritej, por me Dhimitrin ndodhi e kundërta. Sa herë që na lypej ndihma e tij, ai vinte dhe të tre uleshim dhe diskutonim për episodet e filmit. Nuk u lodh kurrë. Çfarë natyre ishte në punë? I qetë, pa shumë fjalë, më shumë dëgjonte. Edhe pse ne ishim të rinj, na i merrte në konsideratë mendimet, qofshin nganjëherë edhe të gabuara. Me takt na drejtonte ku e lypte dramaturgjia e filmit. Për ne ishte një mësues i devotshëm. Një kritikë apo një këshillë prej tij, a mund të na e kujtoni? Nuk kritikonte, sidomos në sy të të tjerëve. Ta ruante personalitetin. Zakonisht gjërat që nuk i pëlqenin t'i thoshte veçmas. Kishte humor, një humor të hollë me pak dialekt elbasanas. I pëlqenin shakatë, barcaletat dhe historitë e Kinostudios. Më kujtohet shpesh një thënie e tij: "Nuk është serioz një njeri që nuk di të qeshë". A keni diskutuar për kinemanë e viteve të fundit me të dhe cili ishte opinioni i tij për të? Vitet e fundit pati probleme shëndetësore dhe megjithatë arriti së bashku me Gjergj Xhuvanin, të birin, të realizojë një film interesant "I dashur armik", me një mesazh të thellë humanist. Dashurinë për njeriun. Tipar që e karakterizonte Taqon. Kur është hera e fundit që e keni takuar? Herën e fundit me të kam folur kur ishte në spital në Itali. (vuante nga zemra). Ngaqë nuk dilte në ambiente publike (shkak sëmundja e zemrës), i merrnim informatat për gjendjen shëndetësore nëpërmjet të birit, Gjergjit. Herën e fundit u pamë në një premierë filmi.
Mevlan Shanaj:uzëqeshja e Taqos rrezatonte dashuri
Një njohje e rastësishme që në adoleshencë duke shfletuar librat e tij, më pas takimet e punës në shesh-xhirim, darkat mes miqsh dhe vizitat në familje. Përpos këtyre, Mevlan Shanaj nuk mund të harrojë buzëqeshjen dhe dashurinë humane që rrezatonte me të gjithë shkrimtari dhe skenaristi. Largimin e tij nga jeta Shanaj e komenton me një dhimbje të madhe dhe si një ikje jo vetëm për miqtë dhe të afërmit, por një humbje e madhe për kombin. Ai rrëfen se njohja mes tyre ka qenë familjare, duke theksuar se Dhimitër Xhuvani ka qenë ndër redaktorët e parë që ka botuar në gazetën "Drita" tregimet e gruas së tij, Natasha Lako. Si e keni njohur për herë të parë Dhimitër Xhuvanin? Në radhë të parë ju falenderoj për intervistën, pasi për familjen time ka qenë një humbje e madhe, po kaq edhe për kombin. Jam njohur fillimisht me Dhimitër Xhuvanin 40 vjet më parë, duke lexuar librat e tij. I kam prekur ato qysh kur isha ende një adoleshent, pasi vinim nga e njëjta shkollë dhe që në atë kohë kam qenë një fans i librave. Ai ishte një shkrimtar i përmasave të mëdha, i cili me krijimtarinë e tij ishte autori i letërsisë klasike, por shumë komunikues dhe modern njëkohësisht. Cilat kanë qenë bashkëpunimet tuaja në kinema? Kam qenë me shumë fat të punoja me të në filmin "Rrugicat që kërkonin diell", skenari i të cilit ishte i Taqos. Mbaj mend se ai ka qenë në të gjitha shesh-xhirimet e filmit, nga Durrësi në Korçë. Ai ishte një burrë shumë komunikues me të gjithë. Ndërsa darkave nuk mund ta harroj sesi Taqo jepte gjithmonë dashuri, një dashuri njerëzore, që ishte cilësia që e karakterizonte atë...! Si i mbani mend raportet tuaja, personale apo familjare? Kishte një të qeshur që rrezatonte gjithmonë një shpirt të dashuruar me njeriun dhe një shkrimtar që më ka lënë gjithmonë mbresa. Mbaj mend herën e fundit pas botimit të "Tuneli", ai u kthye për t'i tronditur të gjithë, por edhe për të konfirmuar penën e tij si shkrimtar i madh, prandaj dhe them me bindje se ikja e tij ishte e përmasave kombëtare. Raportet tona kanë qenë edhe familjare, pasi Dhimitër Xhuvani dhe Ismail Kadare kanë qenë redaktorët e parë që kanë mbështetur Natashën në botimet e saj të para në gazetën "Drita". Madje, mund të them se Dhimitër Xhuvani ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen që ka dhënë ndaj Bilal Xhaferrit, duke deklaruar që në fillimet e tij se ishte një djalë i talentuar, me të ardhme të madhe...! Çfarë do t'ju mungojë më shumë nga humbja e mikut tuaj? Mendoj se humbja, ikja e tij do të jetë një mungesë e madhe për çdo lexues, pasi ai gjithmonë ka thënë diçka me karakteret e tij, janë ato karaktere që i shoqërojnë në jetë me qindra dhe mijëra lexues, të cilët nuk do të ndihen aspak të qetë. Për ne do të ketë një dhimbje të madhe, pasi do të na mungojë buzëqeshja e tij rrezellitëse që falte gjithmonë dashuri. |
| |
|