Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Si tė parandalojmė aksidentet rrugore
» Dėrguar mė: 26/09/2010 - 14:10
Lajme te ngjashme
Siguria rrugore, PD: Gjoba, baraz me 100 ditė pa bukė
• Datë: Oct 28, 2014
Nga Albert Dervishaj*

Edhe në këto ditë të para të vjeshtës, kur kemi lënë pas verën e nxehtë dhe të mbingarkuar me aksidente rrugore po flitet shpesh për to, si në kronikat e zeza – rrjedhojë e ngjarjeve që sërish janë prezent, ashtu edhe në emisione të ndryshme televizive ku specialistë dhe opinionistë gjithfarë llojesh, përpiqen të japin mendimet dhe argumentet e tyre, herë objektive dhe herë-herë me ngjyrime dhe në konflikt interesi me detyrat që kryejnë.
Natyrisht në këto pak rreshta përsiatje për këtë problem vërtet shqetësues, nuk është se do të them ndonjë gjë të re dhe të panjohur më parë. Dëshiroj të theksoj se pasojat që vijnë prej aksidenteve rrugore, në jetët e njerëzve, dëmtimet fizike dhe morale të tyre, dëmet materiale dhe ekonomike, por dhe pasojat sociale dhe traumat psikologjike që përçojnë tek njerëzit që përfshihen në to, janë shumë të mëdha dhe të ndjeshme edhe për komunitetin në tërësi.
Duke dashur t’i shkëputem trajtimit me ndonjë sfond politik kësaj çështjeje, si dhe për më tepër që shkaqet e aksidenteve rrugore pak a shumë janë të ngjashme në të gjithë vendet e rajonit, dua të tërheq vëmendjen thjesht dhe vetëm në disa drejtime, të cilat sipas mendimit tim, duhen vlerësuar si disa nga shkaqet më determinante të kësaj situate dhe mbi bazën e të cilave institucionet përkatëse duhet të ndërhyjnë dhe korrigjojnë “shënjestrën” e tyre.
Së pari: A janë në rritje aksidentet rrugore? Është një debat që shpesh gjen përgjigje të ndryshme, pohuese dhe mohuese. Duke mos e pranuar realitetin nuk bëjmë gjë tjetër veçse tentojmë të vëmë në gjumë njerëzit që në rrethana apo pozicione të ndryshme janë përdorues të rrugës. E thënë troç, aksidentet rrugore janë në rritje, pasojat e tyre janë të prekshme dhe statistikat e institucioneve zyrtare e vërtetojnë këtë gjë.
Natyrisht që në këtë gjendje influencojnë faktorë objektivë, si: rritja e numrit të automjeteve në Shqipëri, për banorë; dëshirës në rritje të qytetarëve të moshave dhe brezave të ndryshëm për të drejtuar automjete; ardhjes së emigrantëve për pushime në Shqipëri (kryesisht në muajt korrik-gusht dhe muajin dhjetor, ku aksidentet rrugore rriten mbi 60%); sezoni i ngarkuar turistik jo vetëm me qytetarë të vendit tonë, por edhe me bashkëkombës të vendeve rreth nesh apo edhe shtetas të huaj; rikonstruksioni i rrugëve të ndryshme etj. Përveç sa sipër, ka edhe faktorë subjektivë, si: qarkullimi mbi limitin e shpejtësisë së lejuar, ndryshimi i papritur i drejtimit, parakalimi i gabuar, mosmbajtja e krahut, përdorimi i alkoolit, mosvendosja e rripit të sigurimit (apo kaskave mbrojtëse për motoçikletat), amortizimi i automjeteve dhe dalja në qarkullim i tyre jo brenda kushteve teknike, kalimi i rrugëve në befasi dhe me pakujdesi nga këmbësorët etj.
Këta faktorë, në përgjithësi janë edhe shkaqet e aksidenteve rrugore dhe e pasojave të tyre, për 10-vjeçarin e fundit në Shqipëri.
Nga tabela del një konkluzion i qartë për të gjitha institucionet përgjegjëse, për të ushtruar seriozisht dhe me profesionalizëm përgjegjësitë e tyre në parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për përdoruesit e rrugës të cilët duhet të zbatojnë më përpikmëri kërkesat e ligjit.
Së dyti: A është përgjegjëse për këtë gjendje vetëm Policia Rrugore? Kurrsesi jo. Nuk mund të ngarkosh këtë institucion të vetëm me përgjegjësi. Natyrisht që ka një peshë të rëndësishme funksionimi i kësaj strukture në drejtim të mbikëqyrjes së zbatimit të Kodit Rrugor. Mesa duket edhe ndryshimet strukturore te bërë muajt e fundit në Policinë Rrugore, nuk e dhanë rezultatin pozitiv të pritshëm dhe kjo gjë duhet të analizohet.
Pse e them këtë? Sepse shpesh edhe “gjobat” që shërbimi i Policisë Rrugore vendos, nuk japin efektivitetin e duhur mbi kundërvajtësin. Këtë e ilustroj me një rast praktik, që me siguri si ky, lexuesi mund të jetë ballafaquar. Kam qenë duke udhëtuar normal dhe brenda kërkesave të tabelave rrugore me automjet në aksin Lushnjë – Kavajë. Në këtë distancë, tre herë më ka parakaluar një automjet me targa të huaja, drejtuesi i të cilit ishte një djalë i ri. Si për çudi, të tre herët atë e kam parakaluar kur ka qenë i ndaluar nga patrullat e Policisë Rrugore (që ndoshta edhe mund t’i kenë vendosur gjobën përkatëse, sepse radari të cilin këto patrulla e administronin me siguri që ka treguar qarkullimin e automjetit përtej kufirit të lejuar të shpejtësisë). Këtu duhet evidentuar një problem: vlera parandaluese e këshillimit apo gjobës së këtij shërbimi, është efektive apo jo?
Me siguri që raste të kësaj natyre ka plot nëpër rrugët e vendit, ku drejtues automjetesh ulin shpejtësinë kur konstatojnë apo informohen për prezencën e patrullave të Policisë Rrugore dhe e rimarrin po atë shpejtësi, sapo kanë kaluar “rrezikun”?!. Kjo bën që të nxjerrësh konkluzionin se këta drejtues automjetesh nuk reflektojnë aspak në shkeljen nga ana e tyre me të “dy këmbët”, të kërkesave të Kodit Rrugor. Fakti që nga 1465 aksidente rrugore për vitin 2009, 1312 e tyre kanë ndodhur në rrugë me kushte të mira, tregon për mungesën e vëmendjes së drejtuesve të automjeteve pikërisht në këto rrugë, ku në jo pak raste kanë ardhur pasoja fatale.
Së treti: Cili është roli i komunitetit, i drejtuesve të automjeteve apo i vetë këmbësorëve? Mendoj që këtu duhet të gjejmë edhe shkaqet e vërteta të aksidenteve rrugore në Shqipëri. Sipas statistikës për vitin 2009, 78.8% e tyre ndodhin për shkak të shkeljes së rregullave nga drejtuesit e automjeteve dhe 19 % për shkeljen e rregullave nga këmbësorët.
Është fakt që ka mungesë të theksuar të kulturës së zbatimit të ligjit nga përdoruesit e rrugës në vendin tonë, ndaj edhe premisat për aksidente janë në rritje. Nga disa vëzhgime në aksin Tiranë – Vorë, është konstatuar:
- Janë ndërtuar disa mbikalime, që kanë frekuentim të kënaqshëm nga njerëzit. Por në mjaft raste, edhe pse ato janë mbi kokat e këmbësorëve, këta të fundit (meshkuj apo femra), preferojnë të kalojnë trafikndarësin dhe ndërprerë rrymën e trafikut rrugor, duke riskuar jetën e tyre, madje më një çmim shumë të ulët.
- Pamja e dytë është akoma më qesharake: pronari i një kafshe, përpiqet të kalojë lopën e tij nëpërmjet mbikalimit, për t’ia mbrojtur jetën asaj, pasi e shikon atë si një burim të çmuar ushqimi për familjen, veçanërisht në kushtet e gjendjes ekonomike të familjes fshatare.
Mbase dikujt mund ti duket e çuditshme, por ju siguroj se është një realitet dhe aspak fotomontazh. Prej këtej nxjerrim një konkluzion të rëndësishëm lidhur me konceptin që ne kemi për zbatimin e ligjit, i cili fatkeqësisht është mjaft i cunguar. Disa bashkëqytetarë e konsiderojnë mbikalimin si jo të nevojshëm, si rast hipotetik dhe aspak si një rrezik serioz për jetën, mos frekuentimin e tij. Në një rast praktik të një aksidenti rrugor në këtë aks para disa viteve, vendi i ngjarjes me pasojë vdekjen e një personi, i cili tentoi të ndërpriste rrymën e trafikut, ishte vetëm 13 metra larg mbikalimit. Neglizhenca solli pasojën fatale, i kushtoi jetën?!
Së katërti: A do të ndikojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore, ndryshimet e propozuara në Kodin Rrugor? Me gjithë sanksionet “e kripura” që ato parashikojnë, në raport me “xhepat” e qytetarëve shqiptarë dhe mundësitë ekonomike të tyre, mendoj që mbas miratimit nga Kuvendi dhe aplikimit të tyre, do të kenë një efekt pozitiv. Megjithatë, së pari këtu kërkohet që ne të ndryshojmë konceptet tona për zbatimin e ligjit.
Së fundi: Në përmbyllje të këtyre rreshtave, dëshiroj të adresoj një apel të gjithë aktorëve që kanë detyrime për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe në mënyrë të veçantë përdoruesve të rrugës (kryesisht drejtues automjeti dhe këmbësorë), të jenë më të kujdesshëm në zbatimin e Kodit Rrugor, për të mbrojtur jetën e tyre dhe të të tjerëve. Një rol më të madh këtu duhet të luajë veprimtaria e mediave, OJF, organizmave të tjera ndërkombëtare, shkolla etj.
Gjithashtu, në kuadër të integrimit në BE dhe liberalizimit të vizave, mjaft qytetarë shqiptarë do të qarkullojnë edhe në vendet ‘Shengen’ me automjete, gjë që kërkon vëmendje dhe përqendrim në evitimin e aksidenteve dhe respektimin e legjislacionit europian. Konferenca e Ministrave të Transportit të Evropës (CEMT), ka përcaktuar reduktimin në masën 50 % të aksidenteve rrugore, objektiv i cili është përfshirë dhe edhe nga vendi ynë në Strategjinë Sektoriale të Transportit 2008-2013 (pika 5.3).
Por sikurse po duket, kjo po mbetet një iniciativë vetëm në letër. Para së gjithash kërkohet vullnet politik, institucional dhe qytetar për të ndryshuar gjendjen.
* Ekspert për
çështjet e Policisë
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.