Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Genc Pollo, 70 mijė lekė nė muaj pėr dy vajzat
» Dėrguar mė: 10/10/2010 - 12:18


Ministri i Inovacionit, Teknologjisë, Informacionit e Komunikimit, Genc Pollo duhet t’i paguajë ish-bashkëshortes shumën prej 70 mijë lekësh të reja për mirërritjen dhe edukimin e dy vajzave të mitura. Të paktën kështu është rënë dakord mes tyre në aktmarrëveshje, që më pas u miratua në gjykatën e Tiranës, prej nga u zyrtarizua divorci i Genc dhe Dajena Pollos. Në vendimin e zbardhur të divorcit të çiftit VIP, jepen detaje që kanë lidhje me arsyet e ndarjes, me cilin nga prindërit do qëndrojnë dy vajzat, si dhe është vendosur edhe për ndarjen e pasurisë. Sipas vendimit të gjykatës, dy vajzat, Ema dhe Stefania do të qëndrojnë në kujdestarinë e së ëmës. Babai, veç faktit që mund t’i takojë sipas përcaktimeve të gjykatës, duhet dhe të paguajë si pension ushqimor shumën prej 70 mijë lekësh. Më poshtë po zbardhim të plotë vendimin e gjykatës….
Divorci
Gjykata e Tiranës në fund të qershorit të këtij viti firmosi divorcin e çiftit të njohur, Genc Pollo e Dajena Pollo (Kumbaro). Sipas këtij vendimi, kërkuesit Dajena Pollo (Kumbaro) dhe Genc Pollo kanë paraqitur kërkesë të përbashkët për zgjidhjen e martesës së tyre dhe pasojat e saj, duke kërkuar njëkohësisht dhe përfundimin e regjimit martesor të pasurisë së përbashkët, të vënë gjatë martesës. Për këtë shkak kanë paraqitur një akt-marrëveshje të lidhur para noterit për miratim nga gjykata. Nga hetimi gjyqësor ka rezultuar se palët kanë lidhur martesë ligjore më datë 3 shtator 1999, provuar kjo nga certifikata e martesës lëshuar nga zyra e Gjendjes Civile. Gjithashtu ka rezultuar se nga kjo martesë kanë lindur dy fëmijë, (vajza) përkatësisht Ema Pollo, lindur në 2002 dhe Stefania Pollo, lindur në 2004. Kërkuesit, për shkak të problemeve të lindura mbi çështje të ndryshme familjare, janë marrë vesh për zgjidhjen e martesës me pëlqimin reciprok të tyre. Në këtë kontekst ata kanë përpiluar e nënshkruar para nëpunësit publik, noterit akt-marrëveshjen e datës 06.05.2010, që konsiston në rregullimin e pasojave të zgjidhjes së martesës. Divorci është firmosur nga gjykata, e cila ka vendosur dhe për kujdestarinë e vajzave, pagimin e detyrimit për ushqim dhe ndarjen e pasurisë mes çiftit të njohur, sipas akt-marrëveshjes së hartuar dhe firmosur me pëlqim të plotë prej tyre.
Takimi me vajzat
Në vendimin e gjykatës thuhet se bashkëshortët janë marrë vesh që vajzat t’i lihen për rritje dhe edukim nënës, Dajena Pollo (Kumbaro), duke ushtruar të dy përgjegjësinë prindërore. Gjatë kohës që vajzat janë të mitura, vendimet e rëndësishme që kanë të bëjnë me jetën e tyre, do të merren nga të dy prindërit.
Vendbanimi i vajzave do të jetë me nënën e tyre (jepet adresa e plotë), por babai, Genc Pollo ka të drejtë të takojë vajzat si më poshtë:
Babai ka të drejtë të takojë vajzat në çdo kohë, në shtëpinë ku ato do të banojnë;
Babai ka të drejtë të qëndrojë me vajzat çdo ditë të martë ose çdo ditë tjetër (që do të përcaktohet me mirëkuptim mes nënës dhe babait) të çdo jave, nga ora 16:00 deri në orën 19:00;
Babai ka të drejtë të qëndrojë me vajzat fundjavën e parë dhe të tretë të çdo muaji, duke i marrë ato ditën e shtunë në mëngjes në orën 10:00 paradite, dhe duke i kthyer në banesën e nënës ditën e diel, në orën 20:00 pasdite;
Babai ka të drejtë të marrë vajzat një muaj gjatë pushimeve verore, kohë e cila do të përcaktohet me mirëkuptim mes nënës dhe babait.
Babai ka të drejtë, që duke rënë dakord paraprakisht me nënën, të takohet me vajzat gjatë ditëve të pushimit të festave zyrtare.
Për masën e detyrimit për ushqim në favor të vajzave të mitura, dhe për mënyrën e pagimit të detyrimit për ushqim, bashkëshortët kanë rënë dakord si më poshtë:
Bashkëshorti Genc Pollo do të paguajë për vajzat, Ema dhe Stefania një detyrim ushqimor në shumën prej 70.000 lekësh të reja në muaj, e ndarë përkatësisht; 37.000 për vajzën, Ema dhe 33.000 për vajzën, Stefania. Detyrimi për ushqim do të derdhet në datë 10 të çdo muaji në llogarinë bankare të nënës, Dajena Pollo (Kumbaro).
Ndarja e pasurisë
Çifti Pollo kishte përcaktuar në akt-marrëveshje dhe mënyrën se si do të ndanin në bashkëpronësi. Pasuria e vënë gjatë martesës përbëhet nga:
- Apartament (2+1+A), me sipërfaqe 113 m2, regjistruar në ZVRPP Tiranë, me numër pasurie 2/350, zona kadastrale 8270, me numër regjistri hipotekor 314, datë 05.04.2000, me adresë në Rr. “Pjetër Bogdani”, kati i tetë, ap nr.26 në emër të Genc Pollos.
- Apartament (1+1+A), me sipërfaqe 72 m2, regjistruar në ZVRPP Tiranë, me numër pasurie 2/350, zona kadastrale 8270, numër hipotekor 975, datë 07.07.2005, me adresë në Rr. “Pjetër Bogdani”, kati i tetë, ap. nr.27, në emër të Genc Pollos.
Ky apartament rezulton i ngarkuar me barrë në favor të një banke, për garantimin e detyrimeve kontraktuale, të cilat rrjedhin nga kontrata e huasë me nr.269 Rep. dhe nr. 110 kol, datë 23.01.2009, për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 130 m2, Blloku i Vilave nr.2 të ndodhur në Golem, Kavajë.
Apartament me sipërfaqe 130 m2, ndodhur në Golem, Kavajë, Blloku i Vilave, nr.2 (aktualisht i pahipotekuar).
Palët kanë rënë dakord ta pjesëtojnë pasurinë e tyre si më poshtë:
Genc Pollo dhe Dajena Pollo (Kumbaro) do të jenë bashkëpronarë të apartamenteve të poshtëshënuara, me pjesë takuese të Genc Pollos dhe të Dajena Pollo Kumbaro, të secilit prej apartamenteve, siç është specifikuar më poshtë:
(i) Apartament (2+1+A), me sipërfaqe 113 m2, regjistruar në ZVRPP Tiranë, me numër pasurie 2/350, zona kadastrale 8270, me numër regjistri hipotekor 314, datë 05.04.2000, me adresë në Rr. “Pjetër Bogdani”, kati i tetë, ap nr.26 në emër të Genc Pollos: me pjesë takuese 8/20 pjesë (40%) Genc Pollo dhe 12/20 pjesë (60%) Dajena Pollo Kumbaro;
(ii) Apartament (1+1+A), me sipërfaqe 72 m2, regjistruar në ZVRPP Tiranë, me numër pasurie 2/350, zona kadastrale 8270, numër hipotekor 975, datë 07.07.2005, me adresë në Rr. “Pjetër Bogdani”, kati i tetë, ap nr.27, në emër të Genc Pollos: me pjesë takuese 12/30 pjesë (40%) Genc Pollo dhe 18/30 pjesë (60%) Dajena Pollo Kumbaro;
Gjithashtu, palët kanë rënë dakord që të dy apartamentet e sipërpërmendura të shiten brenda një viti nga hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, duke negociuar dhe rënë dakord paraprakisht për çmimin.
Lidhur me apartamentin me sipërfaqe 130 m2 të ndodhur në Golem, Kavajë, Blloku i Vilave Nr.2, aktualisht i pahipotekuar, bashkëshortët bien dakord ta gëzojnë në bashkëpronësi nga 1/2 pjesë takuese secili. Në momentin e realizimit të kontratës së shitjes, palët bëhen bashkëpronarë në pjesë të barabarta dhe për çdo detyrim që lind në të ardhmen lidhur me këtë pronë. Çifti ka rënë dakord që apartamentin në bregdet ta përdorin secili prej tyre, sipas interesave të fëmijëve dhe sipas marrëveshjes së tyre për kohën dhe mënyrën e përdorimit të tij.
Kreditë
Bashkëshortët kishin rënë dakord në aktmarrëveshje që kreditë e marra në bankë t’i shlyenin veçmas, deri në shitjen e apartamenteve. Kështu, bashkëshortja Dajena Pollo Kumbaro ka marrë hua nga banka shumën 19.000 euro. Banka konfirmon se principali i pashlyer në lidhje me këtë kredi është në masën 11.628.84 euro. Marrëdhënien me bankën lidhur me këtë hua, do ta ketë Dajena Pollo (Kumbaro), duke marrë përsipër të shlyejë kjo e fundit, detyrimet mujore përkatëse, deri në momentin e shitjes së apartamenteve. Bashkëshorti Genc Pollo ka marrë hua nga banka shumën 40.000 euro. Banka konfirmon se principali i pashlyer në lidhje me këtë kredi është në masën 36.456.86 euro. Marrëdhënien me bankën lidhur me këtë hua do ta ketë Genc Pollo, i cili do të marrë përsipër të shlyejë detyrimet mujore përkatëse deri në momentin e shitjes së apartamenteve. Palët kanë rënë dakord gjithashtu, që pas shitjes së apartamenteve në Tiranë, do të shlyejnë tërësisht dhe në pjesë të barabarta dy kreditë e mbetura të pashlyera deri në këtë moment.
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.