Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Fenomeni Zylo nė prozėn e Dritėro Agollit
» Dėrguar mė: 17/10/2010 - 14:49
Nga Ali Aliu

Më i veçanti dhe më i paimagjinueshmi, të paktën shikuar nga distanca e sot me (2010), do të jetë romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” botuar në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. Padyshim do të mbetet kryevepër e autorit dhe një nga kryeveprat e prozës shqipe përgjithësisht. Që Dritëro Agolli e kishte të lindur buzagazin që në fillimet e krijimtarisë së tij letrare në prozë dhe në poezi, nuk ishte e panjohur për lexuesin. Humori i tij origjinal shfaqej e shtrihej me masë që në rrëfimet e para, qysh tek personazhet e tregimeve të tij, më shumë për ta nxitur të qeshurën e shëndetshme do të thoshim, por herë-herë edhe për të qesëndisur, për të përqeshur, e edhe për të ironizuar. Pragun nga humori te ironia Dritëro Agolli e kalon me lehtësi dhe elegancë estetike. Ajo, loja dhe ironikja vjen e qetë, pa poterë dhe e natyrshme. Kjo anë kaq karakteristike për krijimtarinë e Dritëro Agollit do kulmojë pikërisht me romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.
Jo rastësisht Dritëro Agolli i qëndronte pranë të vetmes gazetë humoristike në Shqipërinë e kohës për të cilën e kemi fjalën, Hosteni, në faqet e së cilës filloi qetë dhe pa bujë, në vazhdim, të botojë fragmente nga bëmat e shokut Zylo. Për lëndë kryesore ai zgjodhi një dysh, shefin dhe vartësin e tij të ditëve dhe të aparatit të shtetit shqiptar. Solli kështu një dysh ngjashëm me çiftin monumental nga letërsia botërore, me Donkishotin dhe Sanço Pançon e Servantesit. Shefi kësaj here nuk do të jetë i shkallës më të lartë në hierarkinë e administratës shtetërore, por menjëherë pas atij të shkallës së parë. Pra guxoi të vërë dorë dhe të prekë deri te zëvendësministri. Zylyftari, (emri që nxiti paraqitjen e një personi folklorik, të një personi që ngjitet lart si ballon) pra zëvendësministrin dhe Demkën, alias Adem Adashi, një nëpunës i dëgjueshëm që rrudhet dhe mblidhet në vete para shefit të vet për të mos i mbetur asgjë nga personaliteti. Pra, ky është dyshi nga i cili do të bëjë personazhet më të njohur në letërsinë shqipe për këto dyzet vite. Nga i nxori dhe si i nxori Dritëroi ata, nuk u shtrua asnjëherë si dilemë, meqë ata, si figura të dala nga realiteti ishin shumë të njohur në përditshmërinë e atëhershme shqiptare. Do të zërë ngoje dhe lakojë edhe personazhe të tjerë autori përveç Zylo tuhafin, sherrbudallanë dhe servilin Demkë që vetëm sa duket se janë përjashtim dhe jo dukuri në realitetin shqiptar të kohës. Shpata e Dritëroit, në ecje e sipër, ashtu si pa të keq dhe pa humbur shumë kohë, e apostrofon Demkën, një shkrimtar mbase jo edhe pa prirje fare që u vihet në shërbim pushtetarëve duke u shndërruar në një makinë që shkruan fjalime dhe referate për shefa të lartë të shtetit. Pra ç’janë këta shkrimtarë bashkëkohës të autorit, këta karapataqë dhe zaima avazë, taqe e adem adasha nga lagjja e shkrimtarëve që tufëzohen, ç’janë këta shtetarë partiakë që bëhen vetë ambient i një realiteti të tillë? As Zylo, zëvendësministri dhe as servili Demkë nuk janë kurrfarë përjashtimi. Është ambienti real që i lind ata, për më shumë është dukuri, sado që autori, në roman do përpiqet të lerë përshtypje se fjala është për “rastësi të izoluar”, e në fakt Dritëroi, pa shqiptim të zëshëm, qetë e largelarg’ ka prekur një nga dukuritë më karakteristike të pushtetit dhe diktaturës komuniste të kohës.
A ishte me zarar për krijuesin të guxoje të zgjatje dorën e ironisë për përqeshje deri në lartësinë e zëvendësministrit enverian në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, kur u shkrua romani, në Shqipëri? Duket se vetë Dritëro Agolli në fillim nuk do ta ketë llogaritur si një sfidë të rrezikshme. Mbase edhe për arsyen që e theksuam më sipër, se ai fillimisht vendosi që t’u rrëfejë, në radhë të pare lexuesve të gazetës humoristike Hosteni, përjetimet dhe ngjarjet e pazakonta të Zylos, përkatësisht ai niset që t’u ofrojë atyre, tekste që do t’i bëjë të vënë buzën në gaz, por njëkohësisht një shkrim që do të jetë fare ndryshe nga kallaballëku i veprave të gjata narrative monotone dhe skematike të realizimit socialist. Ai do të guxojë të përqeshë zëvendësministrin duke e shmangur skemën e heronjve pozitivë, por jo edhe ta bëjë skajshmërisht dordolec atë. Zylo, siç dihet do qëndrojë besnik, për më shumë fanatik deri qesharak i linjës ideologjike. Perceptimi i tij duke qenë në shpërputhje me realitetin konkret, përkatësisht duke e fiksuar shpërputhjen mes iluzionit për rëndësinë e ndërmarrjeve “madhore” të tij nga njëra anë dhe, peshën fare minore të tyre,ose veprime fare të panevojshme, deri absurde, Shoku Zylo do të nxisë të qeshurën por jo edhe refuzimin me çdo kusht të tij. Dhe pavarësisht që herë-herë ky drejtpeshim rrëshqet në njërën apo në kahun tjetër, kjo linjë perspektive do të ruhet deri në fund. Kështu mbase edhe do të jetë nisur Dritëro Agolli faqeve të gazetës Hosteni për t’i shoqëruar Zylon dhe Demkën.
Të themi edhe njëherë se shikuar nga distance e sotme, romani i Dritëro Agollit “Shkëqlimi dhe rënia e shokut Zylo” duket si një ndërmarrje donkishoteske, gati e frikshme. Si është e mundur që ky nëpunës i lartë i administratës shtetërore të një diktature komuniste si ajo e kohës në Shqipëri, të valëvisë flamurin publikisht dhe të brohorisë se do të krijojë vepra e punë të mëdha, se do t’i mënjanojë të gjitha pengesat, pa përjashtim, drejt kopshtit shqiptar me lule? Mos na e përkujton larg e larg pak edhe diktatorin që ëndërron ta bëjë jo vetëm Shqipërinë por edhe tërë botën kopsht parajsor të komunizmit? Se ai, shoku Zylo nuk rreket të edukojë vetëm turmën në kolektiv, në punëtori e fshat, por kur i krijohen rrethanat ai kuturis ta ndjejë veten edhe shkrimtar, mendimtar dhe filozof dhe për këtë donkishotizëm ai bëhet qesharak dhe objekt për t’u përfolur dhe përcjellë bëmat e tij gojë më gojë, për ç’gjë ai nuk është aspak i vetëdijshëm. Pikërisht këtë donkishotizëm ngurojnë t’ia thonë vartësit, po as sehirxhinjtë,e që është po ashtu një dukuri jo e parëndësishme në këtë kontekst kohor shqiptar.
Por të kthehemi sërish tek faqet e gazetës Hosteni, ku Dritëro Agolli fillon të rrëfejë fragmente udhëtimi dhe përjetime të shokut Zylo dhe që të zëvendësojë mbase qeshjen e porositur të lexuesit me qeshjen e vërtetë. Kjo do të jetë nisje edhe e romanit në fjalë. Pra, do të jetë një roman pa fillim dhe mbarim në kuptimin konvencional të fabulës, por roman me fragmente bëmash që do të sjellë vazhdimi i radhës. Për vazhdimin e radhës ndërsa, autori përmes imagjinatës do të sjellë njërën nga situatat e reja të shokut Zylo, do të sjellë një rrethanë a një “ndeshje”, një heroizëm të ri, një “triumf” të ri të tij drejt ndreqjes dhe përsosjes së Shqipërisë, të botës. Kështu, shikuar nga kjo anë, ai do të sjellë një roman që shmang jo vetëm skematizimin e shtrirë mbi hapësirën letrare shqiptare të kohës, por edhe perceptimin e konvencave mbi llojin e prozës së gjatë. Dritëro Agolli do të kujdeset që ta ruajë balancën që, duke rrëfyer roman mbi romanin e shokut Zylo (ai vetëm evokon situata të shkëputura pa i përshkruar dhe komentuar ato) të ndjellë dhe të stimulojë të qeshurën në kufi me ironiken në moment, kujdeset që të mos krijojë situata dramatike. Autori i romanit kujdeset që lexuesit të mos i vërë përballë situata të rënda, të atilla që nxisin dhe shkaktojnë emocione të fuqishme, përkundrazi ai u nxjerrë përpara bëma pak a shumë ordinere, të përditshme dhe në shikim të parë, jo aq të rëndësishme dhe me zarar publik. Lënda që sjell autori si varg-situata, brenda të cilave vepron shoku Zylo, është, gati-gati e pafajshme, e pavërejtshme, neutrale. Dritëro Agolli, qëllimisht dhe me elegancë shkel në terren ku ndjehet, në mos plotësisht i sigurt, jo edhe pa mbulesë të mjaftueshme, njësoj si personazhi i tij shoku Zylo.
Por, edhe pse jo maline, situatat groteske që i krijon vetë apo brenda të cilave gjendet pa i dëshiruar, në të cilat ndodhet shoku Zylo, realisht mund të shtrojnë dilema ose pyetje të këtilla bie fjala: çfarë është kjo hapësirë, kjo botë shqiptare brenda së cilës kaq lehtë mund të krijohen situata thuaja absurde dhe, akoma më tej, mos vallë autori i tyre, shkrimtari Dritëro Agolli ia servir lexuesit ato si të tilla, si pa zarar për shëndetin publik të hapësirës, për ta amnistuar, për ta fshehur realitetin e vërtetë, apo përkundrazi për ta nënkuptuar atë në thelb? Dhe pikërisht si të tillë e kanë lexuar romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit në disa vende të kampit socialist, tek të cilat u përkthye aso kohe, dhe e kanë lexuar atë si një Shvejk të Hashekut që në kohën e vet diskreditonte pompozitetin shtetëror, e sidomos luftën e një perandorie në stilin qesh e ngjesh. ..Edhe ushtari i mire Shvejk i Hashekut brenda hapësirës perandorake, edhe shoku Zylo zëvendësministër brenda diktaturës komuniste, për lexuesin e atëhershëm të kampit komunist, e bënin këtë lojë: sa si të krisur dhe sa si shejtan- budallenj, të cilët vullnetarisht viheshin në rolin e lolove por edhe si përqeshës dhe qesëndisës të botës dhe kohës së vet.
Dritëro Agolli, që edhe me prozën e vet tregimtare si dhe atë romanore iu shmang skematizmit narrativ, sidomos atij me tematikë të luftës së fundit, me shokun Zylo ai do t’i shmanget përgjithësisht traditës romaneske të shqipes, e sidomos asaj të kërkimeve psikologjike të karaktereve, njësoj si lidhjeve fabulare me kontinuitet e kronologji. Përkundrazi, pikërisht diskontinuiteti, alogjizmi, janë shtyllat narrative që e mbajnë gjallë rrjedhën e kontinuitetit, shtyllën logjike të humorit dhe ironisë së maskuar shpesh, por gjithnjë të pranishme. Kështu që edhe shoku Zylo nga ky aspekt, ka raste kur na rrëshqet në horizont: ka apo s’ka shenja dalluese të karakterit, të psikologjisë, nishane të veta ky njeri, pos manisë donkishoteske? Ngjarja kryesore mund të duket sikur nuk është të rrëfyerit rrëfim, as lidhshmëria mes episodeve, përkatësisht jo si rrëfim romanor por si vrapues, si gjuetar pas situatave qesharake, groteske e absurde në çaste, brenda të cilave përkapet, fokusohet personazhi. Situatat, prandaj, nuk janë rrëfime por pamje, gjendje, prodhim i imagjinatës që i artikulon ato art, art që reflektohet si ritëm i ndërprerë, i kontrasteve dhe i ideve që dalin dhe radhiten nga asociacionet. Autori mbase gjuan situata nga më karakteristiket, përkatësisht nga më ilustrativet të jetës së shokut Zylo, ato që do të jenë në funksion të idesë themelore, pra shkëlqimi, ngritja dhe rënia e tij në karrierën politike...
Le t’i kthehemi edhe njëherë idesë, se Dritëro Agolli zgjodhi pikërisht këtë poetikë narrative në romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i nxitur mbase edhe nga mundësia, shansi – ta botojë atë si fejton në vazhdime në faqet e gazetës humoristike Hosteni. Vetë forma e tillë e botimit të tij sipas vazhdimit të radhës, njësoj me ritmin e mediumit ku botohej, autorit i krijonte një shkujdesje, një lehtësi shkrimi. Ky shkarkim relativ nga obligimet e jashtme narrative, të paktën të lejon hapësirë që me lehtësi t’i shmangesh skematizmit por edhe autocensurës përgjithësisht. Të jenë këto rrethanat që prodhuan veprën në prozë, më të mirën të Dritëro Agollit, përkatësisht njërin prej romaneve më të rëndësishëm në gjuhën shqipe? Janë hamendësime këto që, me sa duket nuk janë sqaruar plotësisht nga studiuesit e as nga vetë autori. Për më shumë, kemi përshtypje, sado të tërthortë, se Dritëro Agolli e ka për më në zemër romanin “Arka e djallit”. Edhe si kulm artistik atij i beson më shumë. Mbase çështja është më e komplikuar në rrafshin e procesit dhe vizionit krijues përgjithësisht, përkatësisht, bëhet fjalë për një anë komplekse që ka edhe të fshehtat e veta brenda studios krijuese të autorit. Dritëro Agolli te romani “Arka e djallit” është përqendruar maksimalisht drejt realizimit të një projekti romanor përmasash madhore, ka futur në të tërë përvojën jetësore, letrare, filozofike për të zhbiruar një botë, një ekzistencë, një gjithësi. Përkundrazi, tek romani mbi Zylon, sikur ka mbledhur vetëm atë që sjell fundi i javës bie fjala, ka sjellë situatën e radhës, qesharake të personazhit, e që, për më shumë, s’është e thënë të jetë në lidhje vazhdimësie fabulative me të kaluarën, as vazhdim logjik, por shumë-shumë i ngjashëm me të parin, si përmbajtje dhe mënyrë rrëfimi...
Romani “Arka e djallit”, shikuar nga perspektiva e tanishme, del “problematik” në disa pika që e bëjnë të veçantë në kontekstin letrar të shqipes gjatë gjysmës së dytë të shek. njëzet. Kemi bindjen se për disa prurje ky roman sikur ende nuk është zbuluar. Mbase do të ketë fatin e veprave të rëndësishme, që shënojnë edhe kthesa, e që si të tilla zbulohen me vonesë. Ngjashëm, mbase si edhe me romanin e Koço Kostës “Nata e Sofie Kongjilit”. Një nga studimet më të thelluar mbi romanin e Dritëro Agollit, ai i Shaban Sinanit, arrin të piketojë veçantitë kryesore të romanit “Arka e Djallit”. Si fenomen rrezatimi asimetrik, Shabani shtron jehonën e censurës dhe autocensurës krijuese në kushtet e diktaturës, - kur në fakt është shkruar romani, (vitet 1980), dhe në rrethanat e mungesës së saj, censurës, para lexuesve të viteve 90, kur u botua romani...
Të shohim shkurtimisht skeletin fabular të romanit. Bëhet fjalë për një arkë enigmatike, në ndonjë bodrum fshati shqiptar, që mban të kyçur një rrëfim, një histori, një vepër, një vlerë, së cilës autor, (narratori) i paskësh rënë në gjurmë. Sipas hamendësive, rrëfimit të burgosur – a vetëburgosur, i ndalohet të folurit që nxit të qeshurën, i ndalohet shakaja që ka pretendime më shumë se kaq, çfarë do dëshmohet në fund të romanit... Por rreth këtij boshti, në roman janë përfshirë aq përjetime, bëma e personazhe, aq sfera artikuluar diskursesh e fushash të ndryshme, përfshirjen e të cilave e bluan artistikisht rrëfimi romanor,i hapur dhe asimilues, sa si zhanër e bën të “padisiplinuar” do të thotë vrojtimi i hollë dhe lucid i Shaban Sinanit, përkatësisht romanin “Arka e Djallit” e bën një epos të llojit të vet. Dhe me të drejtë, studiuesi në fjalë, atributin “i padisiplinuar” nuk e vendos në kontekst mangësie por përkundrazi. Në këtë studim, siç thamë, më i thelli dhe më gjithëpërfshirës ku shtrohen dhe piketohen çështje zhanrore dhe poetika narrative, autori, në mbështetje të rebelimeve kanonike, përkatësisht heterogjenitetit të diskurseve, ngjashëm bie fjala edhe me kryeveprën botërore “Shpirtra të vdekur”, vë në pah prurjet që sjell hapja e tillë e poetikës romanore. Ndërfutja e diskursit përsiatës, filozofik e metafizik, eseistik, e trashëgimisë shpirtërore gojore, e traditës së Orientit kulturor e shpirtëror, etj, pra i padisiplinuar edhe nga perspektiva e ndërtekstualiteteve, përpos që sjell qasje narrative ndryshe në prozën shqipe, por, që është meritë e veçantë, e afron atë me prirjet bashkëkohore të romanit përgjithësisht...
Romani “Arka e Djallit”, fuqimisht i hapur në kuptimin e sipërpërmendur, sjell edhe përvojë të re leximi. Ndalimi, burgosja e qeshjes që nxit shakaja, që, sipas të gjitha gjasave do të jetë e natyrës agolliane, natyrë e lindur e tij që, për vite e vite e kishte, e ndjente të ngushtë hapësirën për shpërthim të plotë, të pacunguar të saj. Sa shaka të tilla, kunderiane, me zarar, të kenë përfunduar në buzët e Dritëroit, për të përfunduar ato në arkën e studios së tij? Mbase janë shtresuar e bërë palimpsest ato brenda kësaj arke, aq sa një ditë do të ushtronin ngacmim krijues që s’mund t’i rezistohet...Ose, diktatura palë dhe shkrimtari palë, gjatë tërë kohës kanë ushqyer mosbesim të ndërsjellë, duke pasur kujdes e duke qenë vazhdimisht vigjilent të mos ia hedhin njëri-tjetrit. Në këtë lojë të rrezikshme, me siguri Dritëroi paskësh qenë djalli, epitet që autori nuk përtonte t’ia ngjiste vetes në ambiente gazmore apo frymëzimi poetik, për të cilin, rojet e ideologjisë mbase mund të ishin të ndërgjegjshëm se sa e vështirë ishte ta fusje përfundimisht në ulli atë. Duhet të besohet se shkrimtari Dritëro, me talent të fuqishëm, ta ketë vërejtur se pushteti i cili ia mban zap gojën e shakasë, me siguri e ka të qartë se ky shkrimtar me shpirt rebeli që e ka në majë të gjuhës shakanë në kuptimin qesh e ngjesh, është një djall ndaj të cilit duhet qenë përherë syçelë.
T’i kthehem përsëri studimit të përmendur të Shaban Sinanit, që ndër konstatimet e mprehta do të thotë edhe këtë për romanin “Arka e Djallit”: “është i lehtë për ta lexuar por i vështirë për ta analizuar”, me çfarë i parasheh atij jetë të gjatë të sigurt. Në fakt është fundi, përkatësisht pjesa e katërt e studimit që nxit, në mënyrë të pashmangshme përsiatje të veçanta. Shaban Sinani në fakt, duke pasur parasysh shumëzëshmërinë, vizionin e romanit, përfshihet nga një shqetësim i përhershëm: “Historia është e prirur për ta fshehur vetveten”.
Aforizma e tillë nxit dhe përfton përmes imagjinatës përfytyrime nga më të çuditshmit, nga më dramatikët dhe fatamorganë e vërtetë. Ndër morritë të shfaqet Atllantida si metaforë globale për zhdukjen pa gjurmë e një bote, pa u regjistruar në kohë si histori. Edhe pse ajo, Atllantida, pat fatin të përmendet si hamendësi reale-ireale nga filozofi gjenial, Platoni, njerëzimit i mbeti të merret vetëm me makthin e imagjinuar: ishte apo s’ishte, pat a spat njerëz, qenë apo s’qenë të ngjashëm me ne, jetonin në paqe a në armiqësi me njëri-tjetrin, a dashuronin apo urrenin, ç’ndjenë kur i qëlloi kiameti, fundosja, qanë, klithën, ulëritën, harruan urrejtjen, dashurinë... Thjesht e mbetur hamendësim-inspirim poetik dhe përsiatje përmasash të papërballueshme të imagjinatës dhe asgjë më shumë se kaq. Sa atllantida të tilla kanë tretur, pa u regjistruar as kaq sa ajo e Platonit, sa popuj e gjuhë i ka lënë në terr të përjetshëm historia? Më trishtuesja akoma, ideja se secili një ditë mund të bëhet atllantidë përjetësisht e fshirë nga memoria... Po individi, ç’peshë ka ai, ekzistenca dhe historia e tij në këtë gëlltitshmëri të mundshme të kohës, të historisë? Dhe prapë trishtues vetëdijesimi se, para një fundosje dhe fshirje të tillë, për një çast, në mbyllje të shekullit njëzet, ka qenë edhe atllantida Kosovë...
E njeriu, gjithsesi për fat të tij, nuk pushon së besuari se një sy absolut sheh dhe regjistron çdo gjë dhe se asgjë s’shpëton nga ky regjistër dhe se një ditë, çdo gjë do të vijë në vend të vet...
Të themi po ashtu se romani “Arka e Djallit” i Dritëro Agollit, si të gjitha veprat kapitale të artit letrar, ka meritën e nxitjes së dialogut dhe përsiatjeve për çështje dhe fenomene nga më të ndryshmet të ekzistencës njerëzore.
Printo Dėrgo me e-mail
 


Shkėlqimi i paralajmėruar i Ermonelės
• Nga Eno Koēo
Makthi i vetmisė
• Nga Kujtim Morina
Paralele “pėrthyerjesh”
• Nga Valbona Nathanaili*
|| Tani në PDF
Milosao
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.