Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Irfan Ohri/ “Kryengritja jonė rrezikon t’bahet laramane...”
» Dėrguar mė: 06/02/2011 - 03:57


Letra që veprimtari atdhetar, Irfan Ohri, i dërgon ungjit të tij, Avdi Toptanit, na jep një pas qyrë mjaft të saktë mbi problemet e organizimit që përballonte kryengritja shqiptare në ditët e para të korrikut 1912. Bëhet fjalë për zonën e Dibrës e të Martaneshit, ku autori i letrës shkon, me porosi të Avdi Beut, për të organizuar mbështetjen e atyre krahinave për kryengritjen. Duhej një bisedë kokë më kokë me parsinë e fshatrave të ndryshme, për të përballuar edhe propagandën e fuqishme Xhon Turke, që punonte kundër synimeve të kryengritjes e që gjente mbështetjen në pjesë të ndryshme të popullsisë e në elementë të ndryshëm të parisë.
Duheshin bindur krerët se kishte ardhur koha për të dalë në mal e për të rrokur armët. Për të arritur këtë piksynim, për të zgjeruar bazat dhe forcat e kryengritjes, duhej një program i qartë e bindës në lidhje me perspektivën, që hapte para shqiptarëve ajo po të arrinte fitoren e saj. Veprimtarët e të dërguarit e shtabit të kryengritjes, në zonat e thella të Shqipërisë, nuk kishin edhe vetë të qartë atë që kërkohej, mbasi nuk ekzistonte një marrëveshje e një program i përbashkët i të gjitha vatrave të saj në të gjitha vilajetet shqiptare.
“Duhet pra të jemi të marrë vesht ndërmjet nesh , qi mos të jemi në kundrështim njâni me tjetrin në sendet qi do të kërkojmë. Sepse përndryshe e humbasim qëllimin t’onë krejt. Kryengritja e jonë bâhet laramane...”shprehet me të drejtë Irfan Ohri. “Kryengritja laramane” me të vërtetë do të shfaqte dobësitë e saj nëpërmjet kërkesave të ndryshme që i paraqiteshin komisionit të dërguar nga Stambolli, pa mundur të dilej me një zë të vetëm. Në këtë gjëndje nxjerrin krye mendime të ndryshme, që shpesh bien ndesh me njëri tjetrin e që e bëjnë autorin e letrës të shprehet me keqardhje “Shkurt, gjithkah errsinë...”
Irfan Ohri ngul këmbë që informacioni nga shtabi i kryengritjes duhej të ishte më i plotë mbi ecurinë e saj, duke i dhënë përgjigje gjithë pyetjeve që lindnin në bazën e saj. Do të kërkohej autonomi apo pavarësi, do të kishte kërkesa administrative apo politike në drejtim të pavarësisë, cili do të ishte komunikimi me përfaqësuesit e diplomacisë evropiane në Durrës e si do t’u parashtrohej atyre platforma e kryengritjes, ç’duhej bërë për të përhapur përvojën pozitive të trevave të ndryshme. Këto e të tjera probleme shtronte letra e Irfan Ohrit, që ka meritën të japë një tabllo mjaft të qartë t’atij çasti historike e të protagonistëve të tij, në një nga krahinat shqiptare t’asaj periudhe.
Letra e dytë është një informacion që Ali Kosturi i dërgonte nga Kruja Komandës së Divizionit të formuar n’Elbasan, mbi luftimet me kryengritësit te Kroi i Fokës dhe gjëndjen e përgjithshme mbas këtyre luftimeve. Komandanti i Gjindarmërisë së vilajetit ishte i mendimit se masat shtrënguese ndaj popullsisë do të kishin pasoja negative për forcat qeveritare, mbasi do të nxisnin daljen në mal edhe t’atyre që ishin në shtëpitë e tyre.
Dokumenti i fundit është një telegram që Esat pashë Toptani, deputet i Durrsit, i dërgonte Bashkisë së Krujës, i shqetësuar për lajmet e trazirave që vinin nga ky qytet. Kuptohet se Esat pasha nuk miratonte veprimet kryengritëse të krutanëve.

Eugjen Merlik



8 korrik 1912
Irfan Ohri, nga Martaneshi, Avdí bé Toptanit. Letër private. Tyrqisht. Mbi gjendjen e Elbasanit e të Dibrës.

Të ndershmit t’em ungj, Z.së Tij Z Avdí beut
Ju puth dorën me nderim të plotë dhe i lutem Zotit për shëndetin e fitimin t’Uej. Mbas letrës qi më dërguet... n’Elbaan me të cilën m’epshi urdhnat e veprimit t’em, u ngrita e shkova prej Kavaje n’Elbasan dhe si kuvëndova me shokët e atjeshëm, për lëvizjet qi do të fillojmë n’Elbasan e në rrethet e Elbasanit u pa me udhë e me nevojë me u marrë vesht me Dibër, me marrë masa për të ndalue nji marrveshtje të Çermenikës me qeverín dhe me shtrëngue besën me katundet e Martaneshit e Kostenjës. Për këtë shkak mue m’u desh me ikun para shokësh nga Elbasani e me shkue në Martanesh. Prej andej kalova në Dibër. Natën e parë bujta ke Sheh Sula. Ky s’kishte aqë shumë besim në t’arratisunit e qytetit të Dibrës. Nesret u poqa në nji fshat me t’em- kushrí Shyqrí beun e çetën e tij. Veçse un deshirojshem mâ fort t’u shihshem me Dema Agën. Mirë po këtê e kishin pasë grishun në Dibrën e poshtër e prandej e gjeta të nisun nga Dibra e epër. As qi dihej me sigurí se kur do të kthehej. Prandej un i lashë nji letër atje edhe u nisa për n’anën t’eme. Atë ditë çetat e qytetit të Dibrës kishin pasun nji mbledhje shi afër udhës kah do të kalojshem un. Porsa kaptova Zerqanin u poqa me dw çeta nji mbas njiu. Damë me to me bujtun bashkë atë natë. I a mbërrînë edhe dw çeta tjera. Vetëm nji çetë qi kishte pasë shkue në Dibër të poshtër nuk mundi me mbërrîmë. Si thashë atë natë bujtëm bashkë. Ndër ta ishin katër oficera, nji nga të cilët prej Grykës së Madhe dhe tre tjerët jabanxhij, nja njizet ushtarë, nga parsíja e Dibrës, Shyqrí beu, Eqrem agë Xhami (ase Hami apo Çami) dhe nja 5-6 Dibranë tjerë e nja 25 malsorë. Por se këta qi kishin dalë tashti s’kishin mundun m’u marrë vesht me Mersin agën e prandej malsíja s’ka shumë besim në ta. Si kujtoj un të pamarrët vesht rrjedh nga lakmija e nja dy qytetarve të Dibrës dhe e nji malsori për me i zânë vêndin Mersin Agës. U lutëm qi t’u epshin fund nji orë e mâ parë këtyne paudhsive. Dhe mâ në fund bashkë me pleqsín e Martaneshit qi kishem me vete u thamë qi na e kishim besën me Mersin agën e prandej po të mos u merrshin vesht me atê e deri sa ai nuk do të shtëmângej nga lëvizja kombtare na nuk mund t’i njihshim ata si nji grup. Oficerat dhe Eqrem aga na dhanë fjalë të preme se do t’i shkojshin vetë Mersinit në shtëpí. U zotuen edhe me na shkrue përgjegjen qi do të marrin prej tij. Caktuem në mes t’onë nji itinerar postash. Dhe u nisa e erdha në Martanesh. Sod mëngjes kur u ngrita nga gjumi gjeta nji njeri qi kishte ardhun nga ana e Mersin agës për me më lajmue se ky ka mbërrîmë në nji lagje t’epër të Martaneshit e se tashti do të vijë këtu për t’u pjekun me mue. Prandej letrën po e lâ çelë për me ju shkrue përfundimin e bisedimit t’em me tê.
Le të kalojmë tashti ke puna e jonë. Qe pra ke u arratisëm. Ndoshta për 3-4 dit kam me qênë afër qytetit. Edhe në qytet janë mâ se njiqind vetë qi presin fjalën t’eme gati me u arratisun. Nesër mund të na vijë nji nëpunës i Qeverís apo nji korrespondent gazete i huej edhe të na pyes: “Çë doni ju?” Çë do të përgjigjemi na atbotë? Duhet pra të jemi të marrë vesht ndërmjet nesh, qi mos të jemi në kundrështim njâni me tjetrin në sendet qi do të kërkojmë. Sepse përndryshe e humbasim qëllimin t’onë krejt. Kryengritja e jonë atëherë bâhet laramane. Ndër oficerat e arratisun më duket se ka edhe asish qi do të punojnë për “Lirí e Marrveshtje”1. Efendí Strazimiri âsht miku mâ i ngushtë i Basríut. Ky paska marrë fjalën e shumë kuj për me punue për “Lirí e Marrveshtje”. Hasan beu në letrën qi ka çue n’Elbasan nuk shquen gjâ. Fraza “kryengritje kundra qeverís Zhon-Tyrke” më ka shtie në dyshim. Lajmet e gazetave mbi kërkesat e Kosovës janë të kundërta krejt njâni me tjetrin. Kap. Tajar beu qi âsht arratisun nga Manastiri në nji letër qi më ka shkrue më thotë “të punojmë për shpëtimin e Shqipnís s’onë”. Shton se programën ka me m’a dërgue mâ vonë. Të shohim se ç’farë programe ka me qênë. Sepse po ky zotní në nji letër qi u ka dërgue oficerave të Dibrës ka shkrue këto fjalë tekstuale: “Ata shokë t’anë qi ushqejnë mendimin e pavarsís qofshin mallkue”! Shkurt gjithkah errsinë. E tepër gjak, tepër shumë gjak kemi derdhun për kombet e hueja. Ksi shtegu nemose kujtoj qi ka ardhun koha me mendue për atdheun t’onë. Kishem me deshirue qi të marrin fund këto dyshime qi janë tue m’a trazue mênden, kështu qi të mundem me punue me shpirt të qetë. Po Ju çoj aty Zin Salih nga Elbasani, nji nga shokët e mij mâ të çmueshëm. Ju lutem pra me më ndriçue si me letër ashtu edhe me gojë mbi gjithça Ju kam pyetun. A do t’i dërgohet ndonji deklaratë konsujvet në Durrës? Ç’farë deklarate? A mund të më çoni edhe mue nji kopje? Së paku më diftoni se si duhet shkrue, kështu qi mos të biem në kundrështim shoq me shoq. Mbasandej caktoni dhe ju vênde postet deri n’Elbasan. Edhe na po fillojmë andej. Qe-tashti po ndëgjoj se në Krú qênka bâmë nji përpjekje e fortë. Lutem me lajmue sa mâ shpejt Elbasanin mbi përfundimin e saj. Diftomni, Ju lutem, edhe ato lajme qi Ju mund të keni nga Evropa. Njerzit qi Ju pata thânë mâ nalt se ishin tue ardhun këtu nga Dibra mbërrînë. Nuk paska qênë Mersini vetë, por nji i kushrîni e shoq i padamë i tij në të tâna punët, Salih agë Dema. Bashkë me tê janë edhe Destan Tulla, nji nga krenët, e disa shokë tjerë.. Me këta kam biseduenja tri orë gjatë’e gjânë. Dhanë fjalën qi malsíja e Dibrës ka për të bashkpunue me né, qi nuk do t’i afrohen aspak propagandës së partís “Lirí e Marrveshjtje”, qi kërkesat e tyne do t’i bâjnë thjesht për Shqipní e në marrveshtje me né. Kërkova mbledhjen e pleqsís së Martaneshit. Mbas nji ore do të jemi të mbledhun të gjith bashkë e do të përtrijmë besën. Tashmâ nuk shkojnë mâ se 2-3 dit e un me atë fuqí qi kam për të mujtun të mbledh këtu zbres në rrethet e Elbasanit. Krijimi e rregullimi i postës në nji kohë sa mâ të shpejtë do t’i shërbente shumë qëllimit. Itinerari i postës s’uej me malsín e Dibrës të shkojë nëpër Shën – Gjergj e Martanesh, se kështu na jep dorë edhe neve sa të jemi këtu. Letrat qi do të dërgoni në malsí të Dibrës drejtoni përmbí “Mersin agën e Salih agën”. Letrat këtu në Martanesh le t’i dorzohen Beqir Hoxhës. Zin Salih Ju lutem me m’a kthye kah ana e Kërrabës. Se kështu përgjegjen t’Uej e marr nji or’e mâ parë. Z. Salih ka për të Ju pyetun do sende edhe me gojë e Ju lutem me i dhanë ato spjegime qi të mundeni. Mos më qitni, Ju lutem, nga zêmra.
Nipi i Juej
Ahmet – Irfan
Me 25 Qershuer 328
P.S. Nderimet e mija ZZ. Masar, Hamid, Fuad, Refik bejlervet dhe gjith’atyne njerzve ndershëm qi gjinden aty.

9 korrik 1912

Ali Kosturi, nga Kruja, Kumandës së Divizjonit të formuem, n’Elbasan. Koncept telegrafe qeveritare. Turqisht. Luftimi i Kroit të Fokës dhe gjendja e Krús; kshillon masa t’urta.

Kumandës së Divizjonit të Formuem Elbasan
Prej nesh kanë mbetun të varruem lehtë nji oficer ushtrije me nji ushtar dhe nji gjindarmë kaluer e nji kâmbsuer. Dy kual janë plague r­ndë. Kam marrë vesht se nga kryengritësit kanë mbetun katër vetë të vramë e shtatë të varruem. Parsìn e popullit e kam thirrun e kshillue e gjithkush ka fillue rregullisht punën e vet. Në gjithë kazán ka kthye qetíja e për kryengritësit po marr vesht se kanë shkue në nji vênd të largët ku do të mundohen me qitun trazime. Mbas lajmeve qi kam, po të merren këto dit këtu do masa t’urta e serjoze kryengritësit nuk do të munden mâ m’u mbledhun mbrênda ksaj kazaje. Për kundras masat e forta, mbas mendimit t’em, kishin me shtue numrin e kryengritësve. Prandej lutemi me urdhnue se si të rregullohem mbi këtë pikë. Lajmet qi kam me pasun mbas këndej do të Ju a kumtoj. Mbasi me Shkodër s’kam mundun ende me u lidhun lutem me e lajmue Ju Stambollin. Telegrafat duhet të m’i dërgoni me cifrarin e ndënprefekturës.
Me 26 qershuer 328

9 korrik 1912

Esad pashë Toptani, nga Stambolli, Bashkis së Krús. Telegrafë zyrtare. Tyrqisht. Kërkon lajme mbi kryengritjen.

Stamboll – Parlament, 26 qershuer mbrâmje 328 N. 690, fjalë 19
Kryesís së Bashkís Krú
Lajme të këqija po vijnë prej andej. Pres pa durim lajme të sakta.
Esad
Deputet i Durrsit
(Footnotes)
1 Partija opozitare othomane, qi kishte si pikë kryesore të programës së saj marrveshtjen ndërmjet popujve të ndryshëm të Mbretnís, a mâ mirë me thâ në atê të popujvet jo tyrq me popullin tyrk në nji regjim liberal.
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.