Gazeta Shqiptare Online

| Nr. 5293 Viti XVIII
ONLINE
aa|| Kerko:a   
|| Faqet e Gazetës
   EDITORIAL
   Faqe 2-3
   Faqe 4-5
   Faqe 6-7
   Faqe 8-9
   Faqe 10-11
   Faqe 12-13
   Faqe 14-15
   Faqe 16-17
   Faqe 18-19
   Faqe 20-21
   Faqe 22-23
   Faqe 24-25
   Faqe 26-27
   Faqe 28-29
   Faqe 30-31
   MILOSAO
   BLUETOOTH

|| Bluetooth në PDF
 
Shqiptarė dhe maqedonas,tė ndarė nga njė urė
» Dėrguar mė: 22/03/2011 - 15:13
Lajme te ngjashme
Njė libėr italian pėr librat shqiptarė
• Datë: Oct 27, 2014
Pandeli Majko: Shqiptarėt e serbėt keqkuptojnė lirinė
• Datë: Oct 27, 2014
Berisha takon Demirel: Ish-Presidenti i Turqisė ėshtė miku i madh i shqiptarėve
• Datë: Oct 27, 2014
"Lonely Planet": Piluri e Qeparoja, fshatra greko-shqiptarė
• Datë: Oct 27, 2014
Rritja e tarifave, PD: Rama po u pakėson ēdo ditė shanset studentėve shqiptarė
• Datë: Oct 27, 2014
Pse na quajnė shqiptarė dhe pse i quajmė shqa
• Datë: Oct 19, 2014
Bardhyl Berberi

Shkupi është befasues sa herë që ta vizitosh. Pasi lëmë pas Strugën, Kërçovën, Gostivarin dhe Tetovën në një ditë të bukur pranvere, tej në horizont shfaqet Shkupi. Me ndërtesa shumëkatëshe, parqe pafund, me lumin Vardar që kalon mes përmes qytetit me një nanuritje si qetësi perëndie midis urave të shumta dekorative të ngritura përgjatë lumit: ky është Shkupi. Shkupi është një qytet me 650 mijë banorë, ku më shumë se 25% janë shqiptarë. Është lumi Vardar që ndan lagjen shqiptare nga lagjet maqedonase dhe sllave në Shkup. Mbi Vardar, në anën e majtë jetojnë shqiptarët, ndërsa në krahun e djathtë maqedonasit. Hyjmë në Bitpazar, ose siç njihet ndryshe pazari i vjetër otoman, aty ku prej shekujsh e shekujsh me radhë sllavë e shqiptarë, turq, romë e serbë ishin të përzierë mes tyre dhe tregtonin së bashku.
DESHMITE
Në lagjen shqiptare takojmë një grua maqedonase rreth të 50-ve, Violeta Trajkovskan, që mban në gjoks një kryq të madh të florinjtë. Gruaja pa pasur pikën e frikës jeton në lagjen shqiptare në anën e majtë të Vardarit. "Jetojmë këtu në mes të shqiptarëve. Nuk kemi armë, të vetmin mjet mbrojtës kemi miqësinë e mirë me fqinjët shqiptarë dhe pastërtinë e shpirtit tonë. Për hir të së vërtetës, kalojmë mirë me shqiptarët", - thotë Violeta. Ajo mendon se shqiptarët, më tepër se për të kërkuar të drejta kanë nevojë që të zbatohen me rigorozitet ligjet ekzistuese. Në Çarshinë e Shkupit takojmë Gëzim Pajzitin. Ky djalë i ri shqiptar i sheh gjërat ndryshe. "Ne e dimë se maqedonasit e shohin veten më lart se ne. Ata për ne flasin me përbuzje dhe na trajtojnë si qytetarë të dorës së dytë. Vazhdimisht, sa herë ka regjistrim të popullsisë, maqedonasit me lloj-lloj mënyrash mundohen që të ulin përqindjet e shqiptarëve dhe mundohen që të zhdukin gjithçka që ka të bëjë me të kaluarën tonë", - thotë Pajziti. Ndërkohë, ai tregon se "vetëm para disa ditësh ne u përleshëm në Kalanë e Shkupit me maqedonasit, ku po ngrihet një kishë. Pikërisht në atë kala ku janë gjurmët e të parëve tanë, të Dardanëve që kanë jetuar në këto troje të lashta, mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës po ndërtohet një kishë ortodokse".
SHKUPI
Ndalim hapin në sheshin "Makedonia" në qendër të Shkupit. Ai është i stolisur me kryqe të mëdha ortodoksësh, përmendore të sajuara, që më shumë tregojnë historinë e një populli të munguar. Është duke u zbatuar projekti "Shkupi 2014". Ky një projekt që ka filluar ta transformojë Shkupin me lloj-lloj përmendoresh.
Shumë shkupjanë mbledhin krahët, pasi nuk i njohin si figura të kombit të tyre monumentet e ngritura në sheshin qendror të qytetit. Po t'i hedhësh një sy të vëmendshëm Shkupit të 1963-it para tërmetit të 26 korrikut, i cili pothuajse u rrafshua krejt, vë re se ai i ngjan një qyteti që kërkon t'i ikë së kaluarës. Shkupi i sotëm kërkon që të zhbëjë themelet ku ishte ngritur dikur, ku të parët e tyre kanë qenë Dardanët. Duke qenë një qytet që kërkon të fshijë të kaluarën, ai zgjatet nga e djathta e lumit Vardar, në pjesën ku jetojnë maqedonasit, duke ndërtuar një infrastrukturë moderne. Ndërkohë që lagjja në të majtë të Vardarit që quhet lagjja e "Nerezit" e banuar me shqiptarë autoktonë, është lënë si e getizuar në kushtet e një mjerimi social. Shqiptarët e Shkupit janë autoktonë të vërtetë dhe nuk është ashtu siç shkruhet në Enciklopedinë skandaloze të botuar para pak kohësh apo librat e tjerë shkollorë, ku shqiptarët quhen si ardhacakë dhe të ardhur nga mali.
GJURMET E
SE KALUARES

Janë të pakta gjurmët që i kanë ngelur Shkupit nga e kaluara, nga fisi i ilirëve (Dardanët) që janë të parët e këtyre trojeve. Të paktat gjurmë që ka në mbetur nga koha e perandorit Justinian në vitet (51-527) me orgjinë ilire nga Bedriana dhe nipit të tij të lindur në Tures, tregojnë që shqiptarët e Shkupit janë autoktonë dhe themeluesit e vërtetë të këtij qyteti. Në Shkup lindën këta perandorë të mëdhenj me orgjinë shqiptare dhe ndërtues të qindra kështjellave të shpërndara nëpër Dardani, mes të cilave edhe Kalaja e Shkupit, e cila edhe sot ngelet emblema njohëse e këtij qyteti. Por në Shkup, më rrallë po shihen edhe gjurmët e kohës së Perandorisë Osmane, kur ky qytet shkëlqeu dhe u bë qendër e rëndësishme ushtarake për të gjithë rajonin e Ballkanit.
Shkrimtari dhe analisti i njohur shqiptar, Kim Mehmeti shprehet se Shkupi i sotëm jeton me ankthin, kur dikush me çdo kusht kërkon që t'i asimilojë diçka nga e kaluara e tij dhe t'i ndërtojë një të kaluar që ai nuk e ka pasur kurrë, si simbolet sllavo-ortodokse të projektit të ri "Shkupi 2014". Sipas Mehmetit, Shkupi i ngjan një qyteti ku e sotmja e urren të kaluarën dhe ku e sotmja nuk pranon të përballet me të kaluarën. Shkupi i sotëm bën çmos që të shlyejë nga vetvetja emblemën shqiptare. Teksa shëtit nëpër rrugët e vjetra të Shkupit të vjetër, nëpër lagjet shqiptare ndien dëshirën e këtij qyteti për të mos e groposur të kaluarën e vet. Ndërsa, sapo del në anën jugore të lumit Vardar, porsa shkel matanë urës së Gurit dhe përballesh me sheshin e qytetit, ndjen orvatjen që Shkupi të mos ketë të kaluarën që ka pasur, por një të kaluar tjetër të krijuar false.
QYTETI MES MUZIKES
DHE MARIJUANES

I zhytur mes një gjelbërimi të harlisur, Shkupi padyshim është një nga kryeqytetet më të gjelbëruara të Ballkanit. Rrugët e pastra, gjelbërimi i pafund në çdo cep, butikë e supermarkete madhështore i japin Shkupit një pamje tjetër. Ndërsa ecim nëpër rrugë konstatojmë se në kryeqytetin maqedonas nuk sheh asnjë simbol të komunizmit. Në qytet janë hapur restorante italiane dhe kafe franceze. Të rinjtë flasin një anglishte të pastër dhe shumë prej tyre dhe italisht dhe frëngjisht. Shumica e maqedonasve dhe e shqiptarëve janë të zhgënjyer nga tranzicioni i gjatë i kapitalizmit postkomunist dhe pesimistë edhe për ecurinë e sotme, që sipas tyre korrupsioni po i gërryen. Zgjidhja e kontradiktave me Greqinë për problemin e emrit është kthyer në një makth që e has në çdo bisedë. Ata janë të mendimit se institucionet Europiane duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj vendeve të vogla. Jeta e natës në kryeqytetin maqedonas është krejt e veçantë dhe ndryshon shumë nga fqinjët e tij. Thuajse në çdo cep të tij ka lulëzuar piratëria e CD, baret e natës me muzikë 'jazz', klube të të rinjve që këndojnë 'live'. Me kolegët gazetarë nga Shkupi hyjmë në një bar nate, ku era e marijuanës të shpon hundët. Këtu pihet birrë "Skopska" dhe dëgjohet muzikë orientale. Vajza të reja gati të zhveshura kërcejnë mbi tavolina nën ritmin e muzikës ndërsa në fund të banakut një mesoburrë i veshur shik thërret: "Kalojeni natën me këto bukuroshe 16, 17 apo 18 vjeç, por mund t'i mbani edhe me orë dhe çmimi ulet". Më pas ai thërret e bën me dije se "për gjithë natën bukuroshet do të jenë tuajat për 200 euro".
Një kolegu ynë thotë se turizmi seksual është një fat i pashmangshëm në marrëdhëniet midis vendeve të pasura dhe atyre në zhvillim, për të mos e thënë të varfra. Mëngjesi vjen i zhurmshëm dhe Shkupin e sundojnë zhurmat. Autobusët e shumtë dhe autoveturat lëvizin në drejtime të ndryshme. Hapen kafenetë, baret dhe mëngjesoret. Njerëzit përtypin me shpejtësi sanduiçët ose pinë kafe, hedhin lekët mbi banak dhe shpejtojnë nëpër trotuare. Disa prej tyre blejnë gazeta nëpër cepat trotuaresh, kioska dhe në ecje e sipër lexojnë titujt e lajmeve. Në kronikën e zezë, një titull i madh. "Mbrëmë u vodhën në një parking tek tregu i madh dy vetura luksoze nga Shqipëria". Menjëherë të thonë se në Shkup ka banda bullgare që vjedhin vetura luksoze. Në Bullgari është mafia më e madhe e vjedhjes së makinave. Mësojmë se trafikantët bullgarë mbajnë vendin e parë në Europë për grabitje veturash luksoze. Ky është Shkupi, me rrugë të pastra, gjelbërim që duhet ta ketë zili çdo kryeqytet; me simbolet e zhdukura të komunizmit, turizëm seksual dhe me banda që grabisin makina luksoze në çdo moment.
Printo Dėrgo me e-mail
 
 

Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes ose një pjese të saj pa kërkuar një leje të shkruar.
Copyright 2012 GAZETA SHQIPTARE
Përdorimi i lajmeve mund të bëhet duke përmendur burimin, nëse jo, kjo është një shkelje e të drejtave.