Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=102887
Ari, investimi “nė modė”, nė kohė krize
(Dėrguar mė: 15/08/11) Genc Kondi

Ari ka qenë gjithnjë investimi i preferuar i atyre që kanë pak a shumë pasuri dhe që duan të mbrojnë statusin e tyre nga “shtërngatat” e krizave. Aktualisht, ai po mbivlerësohet, siç ka ndodhur në të gjitha periudhat e krizave botërore. Edhe në Shqipëri, për herë të parë, kanë filluar të hidhen në treg oferta për ar të pastër, drejtuar klientëve të bankave, kuptohet, me garanci totale. Por, çfarë duhet të dimë për metalin e çmuar?
Situata
Situata e trazuar në tregjet ndërkombëtare financiare, kur indekset u zhvlerësuan të mërkurën e javës së kaluar me 4%, rriti vlerën e arit në tregun fizik, në nivelin më të lartë në histori, duke arritur në 1.813,79 dollarë për onc (onci, një njësi ndërkombëtare matëse për metalet e rralla, ekuivalent me 31,1034768 gram). Ari mbetet “pozicioni i fundit mbrojtës” ndaj potencialit të lartë të emetimit të parasë nga qeveritë, që synojnë të rikapitalizojnë bankat dhe të stimulojnë ekonomitë e tyre në këtë kohë krize.
Në ditët tona, pasiguria globale financiare dhe inflacioni janë faktorët kryesorë që motivojnë njerëzit të investojnë në ar. Në një kohë, kur aksionet dhe normat e interesave bien në humnerën e pasigurisë, kur vlera e pasurive të paluajtshme reduktohet në një shkallë të djeshme, ari kthehet në një “gomë” origjinale “shpëtimi”, në mbrojtje të pasurisë.
Investimi
Arsyet e investimit në ar qëndrojnë të pandryshueshme në shekuj dhe mund të përmblidhen si më poshtë: Ari ruan vlerën e vet për një kohë të gjatë, përfaqëson një pasuri të transportueshme në situatë ekstreme, është një aktiv me likuiditet të shpejtë dhe, ndërkohë, bën të larmishëm dhe stabilizon portofolet investuese.
Duke mos besuar te vlera e valutave, për shkak të luhatjeve që ka sjellë kriza, shumë investitorë kanë blerë ar edhe në Shqipëri, për të qenë më të sigurt në kursimet e tyre. Vetëm dy vitet e fundit, vlera e arit në tregun ndërkombëtar është rritur, nga 900 dollarë për onc, në më shumë se 1.800 dollarë për onc, ose 100 për qind. Nisur nga kjo situatë, ka shumë shqiptarë që kanë blerë edhe disa kilogramë ar në sportelet e bankave shqiptare.
Ofertat
Bankat në vendin tonë po e shohin arin si një mundësi të re investimesh. Aktualisht, edhe në vendin tonë, ofrohen depozita në ar dhe shitje për cilësi të lartë (24 karatësh) të metalit të çmuar.
Banka Credins dhe First Investiment Bank kanë nxjerrë në treg oferta, në sajë të të cilave mund të blesh ar 100 për qind të pastër. Kushdo, për të qenë i sigurt në cilësinë e floririt, tani mund t’u drejtohet bankave në vendin tonë, për shkak të sigurisë në cilësinë që ofrojnë.
Banka Credins psh, ka lançuar ofertën e depozitës në ar. Sipas saj, për çdo një milion lekë depozitë, banka të dhuron një pllakë ar me sasi 1 gram. Sipas vlerës së investimit, pllaka-dhuratë shkon deri në 5 gramë. Ndërkohë, ofrohet edhe mundësia e blerjes së arit me cilësinë më të lartë, të cilën nuk e ofron tregu i lirë.
Malli
Ari është një metal, si shumë të tjerë. E veçanta e tij është se ai nuk ndryshket, nuk prishet me kalimin e kohës, madje, një monedhë e vjetër vlerësohet më shumë në shitje, pas vitesh apo shekujsh, duke qenë se i shtohet edhe vlerë numizmatike. Për një kohë të gjatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e fiksuan çmimin e metalit të verdhë në 20.67 dollarë/onc dhe pastaj e ngritën në 35 dollarë/onc në vitin 1934. Në vitin 1961, ta mbaje në këtë nivel çmimin në fjalë ishte një gjë tepër e vështirë. Në vitin 1971, ari u bë një mall si gjithë të tjerët, çmimi i të cilit luhatej.
Ky çmim caktohet dy herë në ditë në Bursën e Londrës, ku, në vitin 1999 (21 qershor), arriti një minimum prej 252.90 dollarësh për onc. Por, aktualisht, çmimi ka kaluar në mbi 1.800 dollarë. Ndërkohë, prodhuesit ndjekin me kujdes tregun. Duke qenë se rezervat e arit janë të kufizuara, kur çmimi rritet në treg, minierat pakësojnë prodhimin, që të mos ulet çmimi.
Produktet
Para se të blihet një produkt ari, duhen ditur disa karakteristika kryesore. Në rast se fjala është për një produkt bixhuterie, gjithnjë ari është në përzierje me metale të tjera, pasi 100% i pastër nuk mund të përpunohet. Kështu, ka „ar të bardhë”, me shumë argjend, „ar të zi”, me shumë kobalt, etj. Ari i pastër shitet me
lingota, nga një deri në 1.000 gram dhe ai ka disa shenja dalluese. Në rast se, mbi pllakën e arit, shfaqet shenja 18Kt ose 750, fjala është për ar me pastërti 75%, ose 18 karat. Pra, 25% këtu përbëhet nga metale të tjera.