Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=118013
Nevin Godo: Me Sabriun u rritėm dhe u plakėm bashkė
(Dėrguar mė: 27/06/12) Fatmira Nikolli

Alo, urdhëroni!”. Nga ana tjetër e receptorit nuk përgjigjet më shkrimtari Sabri Godo. Në 3 dhjetorin e vitit të kaluar plaku i urtë i politikës shqiptare iku në botën e përtejme, duke na lënë pa mendimin e thellë që përçonte. Përmes telefonit vjen zëri i së shoqes, Nevinit, pinjolle e Vrionasve. Është paradite qershori dhe ora shënon 11:00. Paraprakisht e kemi lënë me zonjën Nevin që të fl asim për të shoqin dhe ajo na thotë që po na pret në shtëpi. Shtëpia e Godove gjendet lehtë diku pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, në katin e tretë të një pallati të ri. Është zonja Nevin që e hap derën dhe na fton brenda. E veshur me të zeza, me flokë të shkurtër të zinj, ndonëse vitet që ka mbi supe janë shumë, ajo e ruan ende imazhin e bukurisë rinore. Sot një zonjë fi snike, ajo dikur qe një vajzë e ëmbël dhe më shumë se e këndshme, aq sa djaloshi Sabri Godo, pat “lënë mendjen” pas saj derisa e mori. E për ta bërë këtë se pat fort të lehtë. “Kundër të gjithëve vendosëm të martoheshim sepse të them të drejtën i kisha të gjithë kundër, dhe sa më tepër më kundërviheshin aq më shumë e doja. Partia pastaj më vuri përpara alternativën që të mbaj gruan ose atë, dhe mbajta gruan. Kishte një lloj rrethimi i përgjithshëm që na u bë, por që e kaluam bukuri, asnjëherë nuk na ra ndërmend se çfarë bëmë”, - ka rrëfyer herët vetë Sabri Godo herët. Kështu djali delvinjot dhe e bija e Vrionasve të Beratit, pas takimit të parë në Durrës, nisën së bashku një rrugë që do të zgjaste plot 62 vite. Nuk kanë fotografi të rinisë së tyre së bashku.
Zonja Nevin na thotë se i shoqi nuk i donte fotot asokohe, vetëm vonë,shumë vonë në vitet ‘90 ai ndryshoi mendje disi, e prej kësaj periudhe ka disa fotografi që sot ruhen me shumë fanatizëm.

Shtëpia
Sapo hapet dera, në sy të bie një shtëpi e mobiluar me shije. Ka kaq shumë klas në atë ambient sa ngjan sikur je kthyer mbas në histori, në ato shtëpitë e familjeve të mëdha të fi snikëve të vjetër. Në fakt, në këtë strehë ka një egë fisnike, që është pikërisht ajo e zonjës Nevin Godo, bijë e Vrionasve e bashkëshorte e Sabri Godos. Zonja, me bujarinë e trashëguar prej një familjeje me emër, na fton të ulemi në sallon. Duket si e zbrazët kjo shtëpi sot. Mungon ai, burri i shtëpisë. Mungon
zëri i tij, fjala e urtë dhe salloni duket i stërmadh vetëm për ne. Diku është vënë një tavëll, sot e pastër. Deri para disa muajsh, aty prehej hiri i cigareve të njëpasnjëshme të Godos, mikja vrastare dhe e pandashme e tij. Përtej qetësisë së saj, përtej shikimit të syve të qelqtë, fshihet një botë e madhe të cilën ajo rreket të mos e prezantojë para nesh. Ndrojtja e saj kuptohet lehtë. Na thotë se e ka të vështirë të fl asë për bashkëshortin, për njohjen, për jetën me të, për kujtimet e ëmbla e ato të hidhurat që nuk kanë munguar në 62 vite bashkëjetesë.
“Ne jemi martuar shumë rinj. Jemi rritur e plakur së bashku në ato 62 vite martese. Sigurisht kemi hequr shumë, të mira e të këqija me bollëk”, - thotë ajo duke na bërë me dije se vetëm kaq do të thotë për jetën e tyre. Kjo fjali plaçkit çdo shpresë se ajo do i përgjigjet pyetjeve tona. Na sugjeron që të fl asim me vajzat, se ato do të dinë më mirë të rrëfehen për të atin (në fakt është ish - ministrja Anila Godo që na 'çon' deri në shtëpi me "rekomandim" tek e ëma, por ajo nuk tundet në qëndrimin e vet se nuk i ka hije të flasë për të shoqin).
E lindur në një familje aristokrate, ku është mbrujtur me edukatën dhe rregullat e saj, zonja Nevin refuzon të bëjë publike intimitetet me të shoqin. Ajo gjykon se tingëllon disi pakëndshëm një rrëfim i tillë. Pavarësisht së na refuzon, ne prapë na bën për vete me arsyet që jep, me thjeshtësinë që ka, me fisnikërinë që rrezaton në ato pak fjalë që thotë e në hapat që hedh nëpër shtëpi.
Duke na kujtuar se ka qenë i shoqi që ka rrëfyer një herë për jetën e tyre, Nevini e sheh të arsyeshme të mos e përsërisë. Por, nga ana tjetër pranon të na prezantojë shtëpinë e vet, për të na bërë me dije 'qoshet' e dashura të burrit të urtë. "Tek divani aty ulej Sabriu. Ka mbetur siç e ka lënë ai", - na thotë ajo, ndërsa ne vëmë re se mbi të është ende, nënkresa ku mbështetej burri i urtë, buzëmbrëmjeve apo para drekave të së dielës, tradicionale në shtëpinë e Godove.
E pyesim zonjën Nevin se ku shkruante i shoqi. Ajo na tregon tavolinën e drunjtë, këmbët e së cilës janë katër luanë të gdhendur po në dru. "Aty ulej dhe mbi tavolinë kishte shënime pa fund, letra, libra...", - kujton ajo. Një komodinë është vënë në krah të tavolinës. Edhe ajo është bërë me dru dhe në të janë gdhendur kryqëzatat. Pikërisht këtë pamje kishte Godo kur ulej të shkruante, kryqëzatat, luftën në emër të fesë. E pyesim zonjën e tij për këto mobilie që duket se janë të vjetra.
"I kam trashëguar nga familja ime. Të vetmet që më kanë mbetur prej saj sepse komunizmi i mori të tjerat. Edhe këto, mezi i kam marrë pas vitit 1990. Le të jenë kujtim prej familjes sime, e të ruhen", - sqaron zonja Nevin.
Pas kësaj, vjen koha që të kalojmë nga dhoma - bibliotekë, ku një raft i stërmadh librash me tituj nga më të ndryshëm, ku përveç klasikëve që nuk mungojnë, ka edhe emrat disi më të rinj. Në këtë dhomë "enciklopedike" gjendet edhe sënduku i fotografive. Fotografitë e familjes janë vënë në albume të mëdha dhe ka gjashtë a shtatë syresh që rrinë ndanë e ndanë njëri - tjetrit. Fotografitë e çiftit Godo së bashku, siç thamë më lart janë vetëm të viteve të fundit, kërkesë kjo e burrit të urtë të politikës. Nuk i mungojnë fotot me miqtë në qytet e në një varkë mbi liqen apo imazhe kur ka qenë partizan. Këto janë foto dyngjyrëshe që i takojnë aty kohëve bardhezi si vetë lloji i 'resmes'. Ndërsa në vitet pas '90 ka edhe foto me Nevinin, më së shumti të shkrepura në udhëtimet që ata kanë bërë jashtë Shqipërisë.
Zonja na tregon veçanërisht edhe një foto të fillimpluralizmit. Në të shfaqet Godo në ato vite ku takohet në Itali me emigrantët shqiptarë që sapo kishin lënë vendin. "Ai shkoi t'i shihte se si jetonin dhe për t'i ndihmuar me sa mundej. Mori me vete edhe letrat që familjet iu dërgonin atyre nga Shqipëria sepse nuk kishin mënyrë tjetër komunikimi", - na shpjegon e shoqja.
Kjo ka qenë vetëm një ndër veprat e mira të tij.
Më tej është dhoma ku ai priste miqtë. Nuk para e përdorte shumë sepse disa prej tyre i priste edhe në sallon.
Ditët e fundme
Kur e pyesim zonjën Nevin se si qenë ditët e fundit të shoqit ajo stepet. Nuk ia ka ënda të rrëmojë në kujtimet e atyre ditëve. Me shikimin nga karrigia bosh e të shoqit ajo diç qëmton me sy. Rrekemi të dimë sërish dhe e pyesim nëse ka qenë gjithë kohën i vetëdijshëm. Ajo pohon me kokë ndërsa me gjysmë zëri thotë se ka punuar gjatë gjithë kohës, deri në ditët e fundme kur frymëmarrja ende se pat tradhtuar. Nevini na thotë se në një për këtyre ditëve, ai kërkoi letër e stilolaps: Donte të shkruante gjashtë porosi se si duhet të jetë Tirana. Letra i drejtohej kryetarit të bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha.
Zonja Nevin nuk do të zgjatet dhe ne nuk mësojmë dot se cilat qenë porositë, as nëse shkuan në duart e Bashës, po me siguri nuk do kenë mbetur rrugës.
Në fund, kur u bëmë gati të largoheshim, na kërkon ndjesë nëse na i zhgënjeu pritshmëritë. Një zonje si ajo, nuk mundesh kurrsesi t'i mbash inat, nuk të vjen ta bësh, është kaq fisnike dhe e dlirë njëkohësisht, sa edhe pse refuzoi të flasë gjatë, sërish na imponoi një lloj respekti që ne nuk mundëm ta refuzonim. Largohemi duke marrë me vete përendje ndjesish të pafundme, që luhaten mes të shkuarës e së tashmes. E lëmë pas shtëpinë e politikanit e arkitektit të Partisë Republikane, ndërsa thellë - thellë mendojmë se ai qe një njeri i madh dhe i thjeshtë njëkohësisht. Ka hedhur hapa të ngadaltë, por të sigurt. Kurrë nuk e mori turravrapin nxitimthi, as nuk foli pa u menduar dhe kjo tek e fundit e pagëzoi atë me emrin, "burri i urtë i politikës shqiptare". Ikim, por mendimet na mbajnë akoma aty. Një ditë tjetër do jemi "sërish" me Godon duke marrë kësaj radhe rrëfimin e së bijës, Erkës.