Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=46561
Ekstradohet i "tmerrshmi" i Shkodrės
(Dėrguar mė: 30/10/08) Klodiana Lala

Belgjika "dorëzon" të tmerrshmin e Shkodrës, Behar Bajri. Një ndër eksponentët më të rrezikshëm kriminal në qytetin verior të vendit, u soll në Rinas rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Me pranga në duar, 28-vjeçari Bajri preku sërish tokën shqiptare dhe së shpejti do të përballet me drejtësinë, ku do të japë llogari për krimet e kryera. I shumë-kërkuari akuzohet për vrasje të punonjësve të policisë, grabitje me armë, gjobëvënie. Mes të tjerash, Bajri akuzohet dhe për vrasjen e gruas së tij vetëm 16 vjeçe, si dhe përdhunimin e dy të miturave. I shumë-kërkuari i drejtësisë shqiptare u arrestua në lokalitetin Gent/Belgjikë me 17 dhjetor të një viti më parë. Në shtetin fqinj ai përdorte emrin e rremë, Mitko Kamenov. Drejtësia shqiptare kërkoi menjëherë ekstradimin e tij. Kërkesa gjeti mbështetjen e autoriteteve të drejtësisë belge. Kështu, ministri i Drejtësisë së Belgjikës firmosi ekstradimin e të shumëkërkuarit Behar Bajri më 18 tetor 2008 dhe nga ky moment nuk vonuan as dhjetë ditë që i akuzuari për krime makabre të prekte tokën shqiptare.
Akuzat
Shkodrani Bajri akuzohet për dhjetëra vepra të rënda kriminale. Sipas Policisë së Shtetit, 28-vjeçari është autor i vrasjes së punonjësit të policisë Rrugore, Petrit Demiri. Por çuditërisht për ngjarjen e ndodhur më 28 janar 2000, ku viktimë mbeti Demiri, Gjykata e Shkodrës e ka dënuar vetëm me 2 vite burg. Një tjetër dënim që rëndon mbi supet e Bajrit, është ai i dhënë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda më 27 shkurt 2007. Shkodrani është dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2(dy) milionë lekë gjobë për gjobëvënie. Ngjarja për të cilën është cilësuar fajtor ka ndodhur më 12 shtator të vitit 2005, ku së bashku me kushëririn e tij Sead Rustemi i kanë vënë gjobë një qytetari shkodran. Akuzat ndaj të riut nuk kanë të sosur. Më 14 janar 1999, në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës, dyshohet se Bajri në bashkëpunim me Ilir Bajrin dhe Frederik Totajn, kanë grabitur me armë dy persona nga Berati, të cilët udhëtonin me një automjet tip kamion me targë të Vlorës. Po në të njëjtën ditë, por vetëm pak orë pas kësaj ngjarjeje, Bajri së bashku me "ushtarët" e tij dyshohet se kanë vrarë dy vëllezërit Osman e Artur Alibali, për motive që ende nuk janë zbardhur. Dy muaj më vonë, Behar Bajri dhe kushëri i tij, Ilir Bajri kanë tentuar të grabitin me armë Arben Tuzin dhe vëllain e tij. Nga shkëmbimi i zjarrit kanë mbetur të plagosur të dyja palët. Dy vite më vonë, 28-vjeçari po në bashkëpunim me Ilir Bajrin dyshohet se kanë ekzekutuar në lagjen "Vasil Shanto" të qytetit të Shkodrës, Arben Tuzin, 39 vjeç. Vrasja e bashkëshortes Fabiola vetëm 16 vjeçe, është një tjetër akuzë që rëndon mbi Bajrin. E mitura e cila kishte lidhur jetën me eksponentin që u kallte datën shkodranëve, u gjet e vdekur në shtëpinë e saj. Edhe pse familjarët deklaruan se Fabiola ishte vetëvrarë, rezulton se ishte e kundërta. Dyshimet për vrasje ranë mbi burrin e saj, Beharin. Ky i fundit akuzohet gjithashtu se në gusht 2006 ka përdhunuar dy vajza të mitura. Për këtë ngjarje, gjykata ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg", nën akuzën e "heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim", e marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç".