Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=52787
Kosova, kėtė vit imediat anėtarėsimi nė FMN e BB
(Dėrguar mė: 07/02/09)

Autoritetet e Prishtinës shpresojnë që në gjysmën e parë të këtij viti, Kosova do të jetë pjesë e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Zyrtarët e qeverisë thonë se ata kanë përgatitur të gjithë kuadrin ligjor. Ka muaj që Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këto mekanizma, por janë disa procedura që duhen kaluar. Zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ata të Bankës Botërore, tashmë kanë konfirmuar se e kanë marrë kërkesën për aplikim të Kosovës, por akoma nuk është shqyrtuar në tërësi. Anëtarësimi në organizmat financiare botërore vështirëson ekonominë informale. Gjatë një vizite që pati zhvilluar muaj më parë në Kosovë zëvendëspresidenti regjional i Bankës Botërore, Shigeo Katsu, pati thënë se procedurat për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore janë në rrugë të mirë, por kjo çështje sipas tij do të marrë kohë. “Mund ta konfirmoj se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore është duke vazhduar. Por, siç e dini, procesi i anëtarësimit merr pak kohë, afërsisht gjashtë deri në nëntë muaj, sepse procedurat janë të atilla, kërkohen shumë kalkulime dhe kjo natyrisht merr kohë”, - thotë Shigeo Katsu. Qeveria e Kosovës ka hapur një zyrë të posaçme, që angazhohet vetëm për të ndjekur procedurat që kërkohen për anëtarësim në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Driton Qehaja që udhëheq këtë zyrë, shprehet se “me Fondin Monetar Ndërkombëtar jemi në kontakte të vazhdueshme. Presim prej FMN-së që ata të formojnë komitetin për anëtarësim dhe të vazhdojë puna. Deri tani kemi përgatitur ligjin për anëtarësim dhe opinionin ligjor. Që të dyja janë memorandume ligjesh, të cilat duhet të nënshkruhen nga autoritetet më të larta të Kosovës. Kështu që ne besojmë se në pjesën e parë të vitit do të jemi anëtarë të plotë të Fondit Ndërkombëtar”, - thotë Qehaja. Driton Qehaja shpjegon se menjëherë pas pranimit të kërkesës për anëtarësim, fillon faza e diskutimeve brenda këtyre mekanizmave. Pastaj pritet që një delegacion i Kosovës të vizitojë selinë e Bankës Botërore dhe atë të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Olli Rehn, Hashim Thaçi dhe ekspertë të ekonomisë, ndërkaq, thonë se Kosova duhet të bëjë të pamundurën që të jetë sa më shpejt pjesë e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo për faktin që kriza financiare botërore mund ta prekë shumë shpejt edhe Kosovën dhe në këtë rast shpëtimi duhet kërkuar pikërisht në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Flamur Keqa është ekspert për analiza ekonomike.
Banka Botërore mbështet prej vitesh Kosovën. Pjesë e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar është edhe Serbia. Menjëherë pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim, Serbia pati kërkuar nga këto mekanizma që mos ta shqyrtojnë fare kërkesën e Kosovës për anëtarësim, sepse Kosova nuk njihet si shtet nga shumica e vendeve të botës. Por, përgjigjja e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar ishte se këto mekanizma nuk funksionojnë mbi bazën e ndonjë rregulloreje të Kombeve të Bashkuara. Ato mund ta marrin në shqyrtim kërkesën e Kosovës për aplikim, sepse që nga përfundimi i luftës, Banka Botërore ka ndihmuar me projekte në Kosovë, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdon të mbikëqyrë buxhetin e Kosovës, i cili është i ndarë nga Serbia.