Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=53897
Daja: Arratia e Alketit turpėron grekėt
(Dėrguar mė: 24/02/09)

Alket Rizai është kthyer në një “hero” për banorët e qytetit të Ballshit. Prej dy ditësh në qytet flitet vetëm për të, duke e kthyer në një “mit” Hollyëood-i, për mënyrën e përsëritur të arratisjes nga burgu i sigurisë së lartë të Koridhalos në Athinë. Rizai u arratis për të dytën herë nga i njëjti burg, së bashku me Vasilis Paleokostas, i njohur si nga eksponentët më të rrezikshëm të botës së krimit në Greqi.
“Më vjen mirë që ka shqiptarë trima dhe e tregojnë atë në çdo aspekt, siç është edhe rasti i Alketit, edhe pse në këto veprime, që unë mund t’i cilësoja ‘budallallëqe’ apo ‘vetëvrasëse’. Nuk është hera e parë, është e dyta që ai largohet nga burgu i sigurisë së lartë, dhe madje me helikopterë. Kjo nuk është për të na turpëruar ne, por autoritetet greke që nuk kanë arritur të gjejnë mundësi për të mbajtur nën vëzhgim këta persona që e kanë kryer një herë këtë mënyrë të arratisjes”. Kështu është shprehur për Gazetën, daja i Rizait, Kastriot Beqiri, duke shprehur optimizëm dhe përkrahje për veprimin e nipit të tij, duke e cilësuar atë, madje dhe trim. “Kërkojmë ndërhyrjen e shtetit shqiptar për të mbrojtur jetën e Alket Rizai, - thënë daja, duke shtuar se, - arratisja ka qenë e përgatitur për të realizuar eliminimin e tij fizik”. Vetë Beqiri i ka bërë apel Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, ambasadës amerikane dhe saj greke, që të ndërhyjnë për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe të mbrojnë jetën e nipit të tij. Beqiri ka këmbëngulur në pretendimin e tij, se nipi është mbajtur padrejtësisht gjithë këto vite në burg të sigurisë së lartë, pa pasur asnjë vendim gjyqësor për të vërtetuar akuzën ndaj tij, atë të vrasjes së një shtetasi grek. I pyetur nëse ai do të bashkëpunojë me policinë në rast se mëson se ku ndodhet nipi i arratisur, ai është shprehur se nuk do të ketë një bashkëpunim të tillë nëse autoritetet të cilave u është drejtuar për të sqaruar ngjarjen, nuk i japin siguri për jetën e Alket Rizait dhe rigjykimin e dosjes së tij.
Në fakt, familja e Alket Rizait jeton në katin e parë të një pallati 5-katësh në lagjen “5 Shkurti”, në Ballsh. E ëma, Donika u është shmangur komenteve për të birin. Ajo ka deklaruar se Alketin, ka 11 vjet pa e parë dhe se nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur apo se ku mund të ndodhet. Të pyetur nëse Alketi i ndihmonte me të ardhura, familjarët shprehen se i vetmi burim financiar është një lokal i vogël në qendër të qytezës.
Arratisja
Arratia e dytë me të njëjtin skenar ndodhi ditën e diel, në orën 14.30 me orën greke. Alket Rizaj së bashku me Vasilis Paleokosta, vëllai i Niko Paleokosta, cilësuar si një ndër personat më të kërkuar dhe më të rrezikshëm në Greqi, bosë të krimit dhe tejet të pasur, janë arratisur rreth orës 14.30. E njëjta skemë si arratisja e mëparshme e tyre, e ndodhur mesditën e 4 qershorit 2006, në kohën e daljes disaminutëshe për ajrim nga qelitë. Në tarracën e rajonit 3 të burgut Koridhalos, ku ata arritën të hipin lehtësisht, i priste një helikopter privat, i cili i mori me shpejtësi dhe i ngriti në ajër përmes shkallës që hodhën në pak metra lartësi nga tarraca. Në ikje e sipër, helikopteri u përball me disa të shtëna nga forcat policore të burgut që hapën zjarr, por pa mundur të ndalin fluturimin. Në qitje e sipër, një gardian u vetëplagos ndërsa përpiqej të qëllonte helikopterin me armën e tij. Pak minuta më vonë, helikopteri u gjet i braktisur në zonën “Afidron”, ndërmjet lokaliteteve Polidhendi dhe Kapandriti.