Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=65938
40 shenjtoret, zbulohen 6 vaska pagėzimi, befasohen arkeologėt
(Dėrguar mė: 22/09/09) Fatmira Nikolli

Zbulohet një ndër qendrat e pelegrinazhit më të mëdha në rajon. Sipas arkeologëve të Institutit të Arkeologjisë, kjo qendër ka qenë pikërisht tek "40 Shenjtorët", në Sarandë. Pelegrinë jo vetëm nga rajoni, janë pagëzuar në një prej 6 vaskave të pagëzimit zbuluar deri tani. Ekspedita e fundit nxori në pah edhe të tjera vlera, siç është sistemi i sofistikuar i furnizimit me ujë, dhe fakti që kjo qendër mund të jetë ndërtuar në mënyrë që pelegrinët të mos shkonin deri në Jeruzalem. Gjatë muajit gusht të këtij viti, Instituti i Arkeologjisë, në vazhdim të punës së tij, kreu gërmime në këtë monument. Gërmimet në këtë objekt kanë filluar që në vitin 2003, dhe sipas arkeologëve, ato po shkojnë drejt përfundimit. Është parë që kemi të bëjmë me një monument tepër të rëndësishëm të shekullit të 6-të pas Krishtit, një qendër e rëndësishme pelegrinazhi jo vetëm rajonale, por edhe një qendër pelegrinazhi për territorin e Mesdheut. Po pse u arrit në këto përfundime? Gërmimi ka dhënë të dhëna indirekte që të çojnë në mënyrë të përcaktuar mirë në konkluzionin se monumenti i '40 Shenjtorëve', që ndodhet në kodrën e qytetit të Sarandës, ka qenë qendër pelegrinazhi për të krishterët. "Këto janë të dhëna teknike më shumë, ndaj lexuesit nuk mund t'i ofrohen në mënyrë të plotë, por në përgjithësi. Qendrat e pelegrinazhit në periudhën e antikitetit të vonë ose në periudhën paleokristiane, megjithëse përmenden nëpër dokumente, sidomos në territoret e Azisë, nuk janë gërmuar në tërë kompleksitetin e tyre dhe nuk është parë si duhet dallimi mes asaj që quhet qendër pelegrinazhi të kishës apo katedrales së një qyteti ose manastiri", - thotë Skënder Muçaj, arkeolog që mori pjesë në gërmimet e bëra në muajin gusht në Sarandë. Duke mos u gërmuar në këto territore ku burimet japin të dhëna të mjaftueshme, atëherë është e vështirë që arkeologët të bëjnë krahasime të kësaj qendre me qendra të tjera pelegrinazhi që njihen në botën e antikitetit të vonë. Por, disa të dhëna indirekt na çojnë në përfundimin se kjo ka qenë një qendër pelegrinazhi e madhe. Po përse themi që nuk ka qenë një qendër pelegrinazhi rajonale? Sipas arkeologut Skënder Muçaj, në këtë konkluzion të çon hapësira e madhe që zë monumenti, me harxhime të shumta monetare e për ndërtimin e së cilës, janë dashur shumë punëtorë. Një rajon nuk mund të përballonte shpenzime kaq të mëdha. Siç thotë Muçaj, është e pamundur që brenda një rajoni, siç ishte në atë kohë provinca e Epirit të vjetër, mund të bëheshin shpenzime të tilla për një monument. "Këto tregojnë se ishte një monument që i shërbente një territori tepër të gjerë dhe duket se është një ndërtim i porositur nga qendra kishtare e Kostandinopojës. Megjithëse në muret e këtij monumenti ka mbishkrime që flasin për dhurues të ndryshëm, por ata janë sekondarë për sa i përket shpenzimeve", - thotë arkeologu i Institutit të Arkeologjisë.
Të rejat
Gërmimet e fundit konfirmuan atë që arkeologët pretendonin që më përpara. Duke qenë një qendër pelegrinazhi e shekullit të 6-të, kohë kur popuj të ndryshëm nuk ishin kthyer akoma në të krishterë, aty kishte nevojë për pagëzim. Numri i madh i vaskave të pagëzimit tregon që ka qenë një qendër e madhe. Pra, pelegrinët që vinin nuk ishin të krishterë dhe vinin për t'u pagëzuar. "Në të njëjtën kohë, në këtë monument mund të bëheshin 7-8 pagëzime njëherësh. Deri tani janë zbuluar 6 prej tyre, mjaft të mëdha, por shpresojmë që të ketë edhe të tjera të pazbuluara në zonën që quhet baptisteri, ose pagëzimorja. Kjo ishte risia, dhe del për herë të parë në gërmime arkeologjike jo vetëm shqiptare, por edhe në të gjithë territoret ku është zhvilluar krishtërimi i hershëm", - thotë Skënder Muçaj. Është hera e parë që gjendet një numër kaq i madh vaskash pagëzimi. Në qendra të gërmuara deri tani, vaskat e pagëzimit shkojnë deri në dy. Arkeologët e kanë pasur të vështirë të shpjegonin deri tani numrin e madh brenda kishës të disa nisheve (nike, pjesë e harkuar) të cilat po t'i shikojmë në pamje të parë, të ngjajnë me dhomat e rrëfimit. Ato kanë shërbyer për t'u rrëfyer, pra lidhen me vaskat e pagëzimit. "Fakti që këtu ka pasur shumë pagëzime, është një e dhënë indirekte që tregon se kjo ka qendër e madhe pelegrinazhi, se po të ishte e vogël, do të mjaftonte një vaskë pagëzimi", - thotë anëtari i ekspeditës së bërë në muajin gusht.
Pelegrinët
Por, meqenëse themi se ka qenë një qendër e madhe pelegrinazhi, nga vinin këta pelegrinë? Duke qenë se Saranda ka qenë një port detar në rrugën që lidhte Lindjen me Perëndimin, tregon që këta pelegrinë në pjesën më të madhe të tyre ishin pelegrinë që udhëtonin përmes detit. "Kemi të bëjmë me popullsi të vendosura në brigjet e Mesdheut, deri nga pikat më të largëta si Spanja apo Franca. Po përse vijnë në Lindje? Dihet që Lindja, ose vendi i shenjtë, Jeruzalemi, ishte vendi kryesor i pelegrinazhit për krishtërimin. Për të shkuar deri atje, udhëtimi zgjaste me vite. Ndaj, ka mundësi që Kostandinopja ka menduar që për të shkurtuar këtë rrugë të gjatë, të ndërtojë në mes të rrugës një qendër të rëndësishme pelegrinazhi", - arsyeton Muçaj. Përmasat e "40 Shenjtorëve" janë të mëdha për një kishë, dhe kjo tregon që i shërbente një popullsie të madhe.
Zbulimet
Arkeologët, gjatë këtij viti panë në këtë monument edhe një sistem të sofistikuar të furnizimit me ujë. U pa një sistem i tërë sternash që lidheshin me njëra-tjetrën me tuba plumbi e bakri dhe përfundonin tek një çezmë. "Edhe kjo është një risi për ndërtimet e kultit të krishterë paleokristiane. Ne kemi parë edhe në qendra të tjera sisteme të tilla, por nuk janë gërmuar. Një rast i tillë ishte tek gërmimet në kishën e bazilikës së Linit", - rrëfen arkeologu. Gërmimi në Lin nuk ka vazhduar, por sipas Muçajt, zbulimet aty do të ishin mjaft interesante, sepse edhe Lini është qendër pelegrinazhi, edhe pse jo e këtyre përmasave. Siç tregon ai, teknika e ndërtimit e përdorur tek vaskat e Linit me teknikën e përdorur tek "40 Shenjtorët", siç janë kullat e kalasë së Linit me atë të Sarandës, është e njëjtë. Pra, është e njëjta teknikë e ndërtuari, që varet nga institucionet e perandorisë, ku edhe bëheshin projektet dhe i përkasin të njëjtës periudhë kohore. Hap pas hapi gërmimet që bëhen në monumentet e kultit paleokristian po tregojnë se territori i Shqipërisë së sotshme, por edhe pjesët që kanë mbetur jashtë shtetit, në zonën e Greqisë, Maqedonisë e Kosovës, tregojnë që kemi një zhvillim të niveleve të larta të arkitekturës, artit dhe të mendimit dhe të zbatimit të teologjisë kristiane të hershme. "Ne arritëm të përfundojmë gërmimin e kishës së qendrës, me katin e saj të nëndheshëm dhe katin e sipërm të saj. Monumenti i '40 Shenjtorëve', ka qenë një objekt me dy kate dhe ka qenë i ruajtur mirë në të dy katet e tij. Kjo, deri në vitin 1944, kur u bombardua nga anglezët dhe pjesa e sipërme u shkatërrua dhe një pjesë e katit të nëndheshëm. Nga fotografitë e bëra që në vitet 1908, disa foto ajrore të bëra nga Flota Ajrore Italiane me porosi të Mbretërisë Shqiptare për realizimin e hartës së Shqipërisë, tregojnë se monumenti i '40 Shenjtorëve' ka qenë një ndër më të bukurit në vendin tonë", - tregon Muçaj. Arkeologët janë në përfundim të gërmimit të plotë të pagëzimores, por kanë hasur në një vështirësi. "Është një ndërtesë mbi pagëzimore që i ka shërbyer ushtrisë që nga vitet e mbretërisë dhe gjatë pushtimit italian", - tregon Muçaj.