Gazeta Shqiptare Online URL: http://www.balkanweb.com/index.php?id=68729
Universiteti 'EPOKA', konferencė p studime europiane
(Dėrguar mė: 10/11/09)

Universiteti 'EPOKA' organizoi në Tiranë konferencën e dytë për studime europiane (ICES) me temë "Sfidat politike, ekonomike dhe shoqërore të shteteve të Ballkanit në procesin e Integrimit Europian". Në këtë konferencë pati një pjesëmarrje të gjerë dhe të larmishme nga 7 shtete si; Shqipëria, Gjermania, Italia, Turqia, Rusia, Maqedonia, Serbia dhe Polonia. Këtë konferencë e nderuan me pjesëmarrjen e tyre zëvendësministri i Integrimit të Shqipërisë, Edmond Hoxha, Shkëlqesia e tij, ambasadori i Republikës së Turqisë, Hasan Sevilir Asan, Shkëlqesia e saj, ambasadorja e Polonisë, Irena Tatarzynska, Alain Servantie, këshilltar dhe shef në Departamentin për Zgjerim të Komisionit Europian, Jack Clarke, drejtor në Qendrën" George C. Marshall" në Gjermani etj. Por veç problematikave për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, u trajtua dhe çështja e bojkotit të opozitës në vendin tonë. E cila u gjykua jo pozitive për sa i përket integrimit tonë në Bashkimin Europian. Në seksionin e parë të konferencës fjalën e mori zëvendësministri i Integrimit, Edmond Hoxha, i cili falenderoi pjesëmarrësit dhe sidomos të ftuarit nga shtetet e huaja për vizitën që i bënë Shqipërisë, dhe Universitetin 'EPOKA' për organizimin e një konference kaq serioze dhe të arrirë. Mes të tjerash ai shprehu gatishmërinë e Shqipërisë në përmbushjen e reformave të kërkuara nga instancat ndërkombëtare, në mënyrë që ëndrra e vendit tonë për anëtarësim në BE pas anëtarësimit të suksesshëm në NATO, të realizohet në një kohë sa më të afërt. Shkëlqesia e tij, ambasadori i Republikës së Turqisë, Hasan Sevilir Asan pasi shprehu kënaqësinë e tij që ndodhet në këtë konferencë të organizuar nga Universiteti 'EPOKA', shtoi që "integrimi në instancat europiane ka qenë koncepti dhe objektivi primar për të gjithë Ballkanin, sidomos në dekadën e fundit". Ai mes të tjerash shtoi që shumë sfida janë kaluar, por përsëri ka akoma rrugë për të bërë për të arritur qëllimet tona finale të integrimit. Shkëlqesia e tij e mbylli fjalimin duke thënë se "jemi të gëzuar të shohim që integrimi euroatlantik i vendeve të Ballkanit është një prioritet edhe për instancat europiane". Alain Servantie, këshilltar dhe shef në Departamentin për Zgjerim të Komisionit Europian, pasi falenderoi Universitetin 'EPOKA' për ftesën në një konferencë të tillë kaq të nevojshme për vetë rrethanat ku i gjithë Ballkani ndodhet, që në fillim të fjalimit të tij shprehu njëherazi habinë dhe kënaqësinë e madhe për ndryshimet pozitive që ka pësuar Shqipëria. Ndër të tjera Alain Servantie tha: "Shqipëria ka bërë progres të habitshëm, këtë e vura re që në aeroport dhe rrugës tek po vija në Tiranë. Kam qenë në Shqipëri para 4 vitesh, por më besoni, jam shumë i lumtur të gjej një progres kaq të dukshëm". Servantie duke folur për arritjet e Departamentit të Zgjerimit të Komisionit Europian dhe më specifikisht për Kroacinë, tha që "Progresi i Kroacisë ka qenë një katalizator motivimi për shtetet e tjera të Ballkanit të punojnë në përmbushjen e reformave të ndryshme". Duke folur për problemet kufitare mes Kroacisë dhe Sllovenisë, Servantie shtoi që në këto ditë do të ketë një takim me krerë nga të dy këto vende, ku tashme ekziston dëshira e mirë reciproke për arritjen e një marrëve-shjeje bilaterale. Ndër të tjera ai vazhdoi fjalimin, duke thënë që Komisioni Europian beson që në një të ardhme të afërt do të arrihet kjo marrëveshje mes Kroacisë dhe Sllovenisë dhe është vendosur si datë shumë e mundshme e pranimit të Kroacisë në BE viti 2012. Servantie duke folur për reformat që ka ndërmarrë Shqipëria, theksoi që duhet ende punë në fusha si; sistemi gjyqësor, bashkëpunimi me BE në lidhje me refugjatët etj. Ai deklaroi gjithashtu se shumë afër Shqipërisë do t'i dorëzohet një pyetësor me rreth 1000 pyetje në lidhje me statusin si kandidat. Ndërkohë ai nuk la pa përmendur edhe bojkotin e parlamentit nga opozita, duke sqaruar që është në të mirën e integrimit të Shqipërisë që të gjitha forcat politike të përballen në parlament dhe mos të ketë bojkotime që nuk i shërbejnë reformave që vendi ynë po ndërmerr. Në mbyllje të fjalimit të tij, Alain Servantie tha që "në Perëndim ekziston një atmosferë pozitive në lidhje me progresin e rajonit të Ballkanit". Z. Jack Clarke, drejtor në Qendrën "George C. Marshall" në Gjermani, iu drejtua popullit shqiptar duke thënë: "Faleminderit shumë për mbështetjen e plotë dhe gatishmërinë që populli juaj i ka dhënë popullit amerikan përgjatë tërë kësaj dekade, dhe më besoni që populli amerikan e vlerëson shumë këtë mbështetje tuajën". Clarke shtoi që anëtarësimi i Shqipërisë në BE është vetëm çështje kohe, "por s'duhet harruar që kjo gjë kërkon një përgjegjësi të madhe nga të gjitha instancat shtetërore dhe për këtë ju ftoj që të ecni në rrugën e integrimit me 'sy hapur', sepse duhen me të vërtetë baza të forta ku mund të mbështeten reformat". Në përfundim Clarke e përgëzoi Universitetin 'EPOKA' për konferencën dhe sidomos për temën e zgjedhur, për të cilën tha që "jam i kënaqur që tema e kësaj konference përfshin jo vetëm politikën, por edhe ekonominë dhe çështje shoqërore".